Kulturë
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Tahsin Jonuzi dhe libri “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnisë në kohët e vjetra”
E shtune, 13.11.2021, 03:58 PM
Tahsin Jonuzi dhe libri “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnisë në kohët e vjetra”
Kjo
ese botohet sot, më 11.11.2021 në Ditën e Lirisë de nderimit të të rënëve dhe
viktimave të Luftës së Klasave
Homazh
nderimi për të parin studiues shqiptar në fushën e topografisë në antikitet,
Dr. në filozofi, Tahsin Jonuzi, një vlerë kombëtare e mohuar…
Nga
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Përurimin
e këtij disertacioni shkencor, punuar dhe paraqitur pranë katedrës akademike të
Univ. “Leopoldina Franciske”, në Innsbruck të Austrisë, 85 vite më parë,
nga filozofi vlonjat Tahsin Musa Jonuzi, do ta quaja një homazh jo vetëm
mirënjohjeje dhe vlerësimi për autorin, por kujtesë nderimi për gjithë ata
shqiptarë që përfunduan në kampet nazizte të shfarosjes, Mathauzen apo Aushvic.
Sot libri “Topografia dhe rrjeti rrugor i Shqipnis në kohët e vjetra”
shërben si rilindje e një familjeje fisnike, e cila rrugën e vështirë të
biznesit me Venecian e ka filluar me tregtarin e mirënjohur Musa Jonuzi, tejet
i njohur pasi lexohej nga qytetarët sa herë shijonin kafenë, si në gëzime dhe
në hidhërime. Gojarti popull thotë: “Bëmë o baba, të të ngjaj!”,ose“Fisniku,
nëse nuk bën djalën, do të thotë fjalën!” Gjenealogjikisht në këtë rast është e
vërtetë. I biri Musait, Tahsini, jo vetëm la dy trashëgimtarë djem, Mentori dhe
Nestori, por ka lënë edhe fjalën, ku ka shprehur mendimin e tij filozofik.
Tahsini ishte martuar me të bijën e Ibrahim Avdullaut, drejtues i klubit
‘Labëria’ dhe kryetar i Bashkisë Vlorë, pas shpalljes së Pavarësisë.
Në gjurmët e
babait ecën edhe djemtë, veçanërisht Nestori, një piktor tejet i talentuar, i
cili në 50 vitet e fundit, është përfaqësuesi më i denjë i fisnikërisë në artet
figurative, sot “Piktor i Popullit”.
E nderuar familja
Jonuzi, miq e të ftuar, pse vallë është mohuar dhe anashkaluar ky shqiptar i
vlerave intelektuale, ky studiues që çeli rrugën e topografisë shqiptare?!
Bota nuk i ka
heronjtë, por i krijon, kurse ne i kemi dhe i varrosim duke i mbuluar me
pluhurin e harresës. Si shembull mohimi po sjell në këtë podium vlerash Dr.
e shkencave filozofike, Tahsin Jonuzi, një intelektual i shquar, lauruar në
Innsburck të Austrisë, ku ka mbrojtur doktoraturën në filozofi, i harruar me
paramendim nga tre regjime (Zogu, diktatura komuniste dhe nga qeveritë e 30
viteve tranzicioni të tejzgjatur). Akademikët tanë të diplomuar në Austri, nuk
kishin dëgjuar për këtë shqiptar mendjendritur, pasi ishte i pari shqiptar që
hulumtoi për truallin arbëror? I vetmi që ka ngjallur interes për botimin e një
pjese të dorëshkrimit shkencor ka qenë Prof.Çabej por diktatura e ndaloi
botimin e tij, se Tahsini ishte “armik” i klasës në fuqi. Po kështu edhe i
biri, Nestori, mjaft i talentuar, pas diplomimit, e emëruan si bojaxhi në NTAN.
Shpikja e madhe e
komunizmit, Lufta e Klasave, më e egra që ka njohur bota që i trajtoi si
tradhëtar dhe antikombëtar gjithë fisnikët dhe intelektualët me kulturë
perëndimore. Diktatura komuniste pasi vrau, burgosoi dhe internoi ajkën e
shqiptarëve, e varfëroi kombin duke zhdukur palcën dhe trurin e kombit (fisnikërinë
me inteligjencën).
Tahsini me 1265
shqiptarë, u intrenuan në kampet e përqëndrimit në Gjermani. Pas mbytjes me gaz
në krematoiume, 800 nga këta shqiptarë pa një varr, partia -shtet solli në
atdhe vetëm kutitë me baltë gjermane, i varrosi dhe i quajti dëshmorë të
atdheut. Kurse 465 fisnikë shqiptarë, të arsimuar në perëndim, në një moshë me
Tahsin Jonuzin, si, Skënder Vrana, Gani Beqir Bejkosala, Musa Qemali me të
birin Sezaiun etj, të arsimuar në Universitetet Perëndimore u quajtën viktima
të luftës. Pse? A nuk patën të njëjtin
fund tragjik?! Lufta brenda llojit është më e keqe. Edhe pushtuesit, në kohë paqeje, erdhën dhe i
morën eshtrat e ushtarëve të rënë dhe i rivarrosën me nderimet e duhura, kurse
pushteti komunist shmë atdhetarëve u mohoi të drejtën e një varri në tokën
mëmë, si pa atdhe.
Le të ndalemi te risitë e librit të Tahsin Jonuzit. Studimi i autorit bën fjalë për
shpërndarjen e rrjetit rrugor, qendrave të banuara, rrjetit ujor tejet të pasur
të këtij kombi të lashtë. Tahsini ishte 25 vjeç, kur mbrojti doktoraturën,
solli një risi në fushën e hartografi-topografisë. Ai njihet si studiuesi i
parë shkencor që u mor me topografi. Ndoshta nën ndikimin e kulturës gjermane
dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit që Shqipëri të ngelej vetëm bregdeti
perëndimor, autori është përqëndruar në hartën e Shqipërisë londineze.
Lind pyetaja: Pse
kjo temë u trajtua si temë filozofike dhe u aprovua nga katedra e filozofisë?
1-Rrugët ose
rrjetin urbanistik të vendit tonë në antikitetit që paraqet autori janë rrugët
e jetës që lidhin epokat e mëdha historike që fillojnë me epokën e hershme të
gurit (paleolitin), vazhdojnë me neolitin, mesjetën deri në kohën e re.
2- Pozicionimi,
shpërndarja, emërtimet e vendbanimeve të lashta, që sot kanë vlerën e faktve
toponimike vlejnë si dëshmi e vazhdimësisë së jetës.
3-Sipas pozitës
gjeografike të maleve, kodrave, fushave, lumenjve, liqeneve apo kënetave,
epokave të njohjes për herë të parë nga albanologët, si, (arkeologë, mbishkrime,
paleontologë), autori ka bërë jo vetëm lidhjen mes epokave, por dhe krahinave
gjeografike si dhe fiseve pellazgo-iliro-arbëre.
4- Ka hulumtuar
mjaft autorë të huaj që nga antikiteti deri në ditët që ai jetoi. Përmes perifrazimeve të studiuesve si,
Pauzania, Ptolemeu, Skylaksi, Polibi, Çezari, Hahni, Karl Patch, Straboni,
Ciceroni, Plini Plaku, Apiani, Jireçek, Thallozi, Stefan Bizantini, Ana
Komnena, Livius, Ipen, Prashniker, Leake (Leik) etj, sjellë për lexuesin një
pamje panoramike të Shqipërisë antike.
5-Ka shumë për të
folur rreth librit, por vlera kryesore e tij qëndron se është i pari studiues
topografik në vendin tonë që paraqitet me një punim shkencor serioz.
6- I një rëndësie
të veçantë, është qëndrimi pozitiv ndaj autoktonisë së shqiptarëve në
Gad.Ilirik. Dr. i shkencave, Tahsini
Jonuzi pohon se ndërtuesit e parë që hodhën themelet e qendrave urbane në
lashtësi ishin ilirët. Ai hedh poshtë gënjeshtrat dhe mashtrimet e shumë
pseudohistorianëve se kolonitë greke apo korinthase, si Butrinti, Oriku,
Apollonia dhe Dyrrahu, gjasma bazën fillestare të arkitekturës ndërtimore e
paskan kulturë helene. Mbi kulturën ilire që gjetën në gad. Ilirik, fiset
Semite (pushtuesit afro-aziatikë) që pa asnjë bazë gjeneze morën emrin helenë
apo grekë ngritën kulturën e tyre. Madhështinë e grekëve e ngriti Roma me
mashtime dhe farsitet. Për supremacinë e ilirëve në portet e Mesdheut, Paul
Emili dogji 71 qytete ilire, mori 150 000 robër dhe miliona iktheu nlë
skllevër. Këto isjhin raprezaljet e para të shkombëtarizimit të pellazgo
ilirëve, paraardhësve të shqiptarëve autoktonë…
Dy fjalë për bashkëpunëtorët e botimit: Librit do t’i rritej më shumë vlera:
*Nëse bashkë me
përkthimin do të ishte dorëshkrimi origjinal në gjermanisht.
*Fjalët e autorit
në fletëpalosjen e ballinës së parë kanë më shumë vlerë, ndaj duhet të
vendoseshin si hyrje në studim, pasi aty është cekur pozita gjeografike,
periudhat historike, pushtimet e njëpasnjëshme.
*Duhet të
përfshiheshin trojet etnike dhe qytetet antike me vazhdimësi jete, si Kanina.
Autori e zë në gojë Thronionin, por pa e sqaruar se cila qendër urbane
ishte, kur Pauzania flet gjerësisht për Thronionin, emri i lashtë i
Kaninës që merret nga historiografia, si model i vazhdimësisë së jetës qysh
nga mijëvjeçari II pr.Kr. Në rrugën e vjetër nën Kaninë që nuk përmendet aty,
sot është ndërtuar Baypassi.
*Autori sipas Carlo
Bo, shpreson të zhvillohet një shkencë ambicioze dhe e ndërgjegjshme
shqiptare, misioni i denjë e tërheqës i së cilës të jetë qartësimi i situatës
së vendbanimeve, kur vendi hyri për herë të parë në rrugën e historisë.
Pikërisht këto
kritere kanë shumë vlerë në një studim ndaj duhet redaktori teknik, si njohës i
fushës së topografi-hartografisë.