Kulturë
Bedri Tahiri: Ymer Elshani - Njohja e Trimave
E diele, 14.11.2021, 08:37 PM
YMER ELSHANI DHE LIBRI “NJOHJA E TRIMAVE”
Nga
Bedri TAHIRI
Shkrimtarin për
fëmijë, Ymer Elshanin, e kisha njohur përmes shkrimeve para se ta takoja.
Mirëpo, takimi me të, edhe më shumë ma shtoi dashurinë për penën e tij të
mrekullueshme. Ishte 24 dhjetor 1996. U takuam në hyrje të Pallati të shtypit.
Ter buzagaz e me gazetën “Bujku” në dorë, më përqafoi e si më humor më
tha: Më zure...! Nuk dija gjë. Ai e shpalosi gazetën dhe ma vuri përpara
tregimin NJOHJA E TRIMAVE!
-E sheh, të kam
marrë diçka nga libri “Azem Bejtë Galica”, të cilin e lexova para disa
ditësh dhe më pëlqeu shumë!
Unë e përqafova
për së dyti dhe e përgëzova. Sa modest që ishte! Sikur u skuq pse i kishte
pëlqyer dhe e kishte frymëzuar një fragment nga libri im, botuar ditë më parë!
U ndamë, se i ngutej për në mësim. Mezi prisja ta merrja gazetën e ta lexoja
atë tregim të mrekullueshëm!
Edhe një detaj
tjetër. Tek e intervistoja poetin e madh Xhevahir Spahiu, në Durrës, në gusht
2008, ai më tha: Shpirtërisht kam qenë jetë e mot me Drenicën heroike. Kur isha
për herë të parë në Kosovë, më 1979, isha i fundit nga poetët e Shqipërisë që
shkoja në atë pjesë të truallit tonë. Pas luftës së fundit, fati e deshi që të
jem ndoshta poeti i parë që vizitova Kosovën. Isha me miqtë e mi të respektuar:
Moikom Zeqon, Bardhyl London e Pano Taçin. Kur hymë, Drenica mbante
erë shkrumbi e erë baruti. Ndalojmë në Drenas. Doja ta shihja vendin ku ishte
vrarë poeti i njohur Ymer Elshani me gjithë familje. Në oborrin e shtëpisë së
tij na pret një plak mbi të 70-tat, me qeleshe të bardhë në kokë e me një shall
malësori. Ishte babai i poetit. Pasi përshëndetemi vëllazërisht, ulemi në tokë.
Lotët na pushtuan. Të gjithë qanim. Ai qante pa zë, unë isha gati të vija
kujën, por u përmbajta. Aty erdhi edhe i vëllai i Ymerit, i cili shpjegoi:
Policët serbë gjetën dorëshkrimin e një vepre të Ymerit, kushtuar Azem Galicës,
të cilën e asgjësuan...
Kush ishte Ymer Elshani?
Ishte shkrimtari më i frytshëm e më të përkushtuari
për fëmijë dhe, njëherësh edhe studiuesi më i mirë i asaj letërsie. Pena e tij
e artë skaliti: poezi, poema, tregime, pjesë teatrale, romane e kritikë
letrare.
Në shpirtin e tij
letrar, siç duket, reflektuan tre emra të mëdhenj: Fazli Greiçefci (daja
i tij), Nebil Duraku (tek i cili kishte banuar një kohë) dhe Rexhep
Hoxha (mësimdhënësi i tij). Për të gjallë arriti të botoi njëmbëdhjetë
vepra letrare; poezi, tregime, romane.
Ymer Elshani u
lind në Korroticë e Poshtme, më 14 qershor 1948. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi
në fshat. Katër klasë të fillores i mori në vendlindje, e katër të tjera në Komaran, në shkollën ”Jeta e re”.
Talentin e tij letrar e shfaqi që në moshën 10 vjeçare. Si nxënës i klasës së
shtatë botoi poezinë e parë në revistën ”Pionieri” nr. 6 te vitit 1962 me
titull ”Për gjah”.
Mësimet për mësues i mori në
Normalen e Prishtinës. Me të kryer
klasën e parë të shkollës normale, një ngjarje tronditëse që e pikëlloi shumë:,
burgosja dhe mbytja e dajës Fazli. Në klasën e katërt të normales iu botua
vepra e parë me poezi ”Anija e miqësisë”.
Si student i vitit të parë, më
27 nëntor 1968, mori pjesë në demonstrata në Prishtinë dhe për pak e pësoi me
largim nga puna, se edhe studionte, edhe punonte (e mbrojti drejtori Halil
Bogaj). Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm dhe punonte pandërprerë.
Nga të ftohtit dhe udhëtimi me biçikletë sëmuret bukur rëndë saqë një kohë e
kalon në spital. Por ai kurrë s'u dorëzua. Posa doli mësues s'u kënaq me kaq
dhe në afat rekord i kreu studimet. Në tetor te vitit 1972 diplomoi në Gjuhë
dhe Letërsi Shqipe. Me 1978 Ymeri magjistroi me temën ''Poezia për fëmijë
1946-1976 në Jugosllavi”.
Pas katër vitesh
që punoi në shkollën fillore ”Jeta e re” të Komoranit, kalon në
gjimnazin ”Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në Drenas...Që nga shtatori
1977 u bë drejtor i gjimnazit, që tashmë ishte shndërruar në QAMO dhe quhej
“Mareshali Tito”. Organizator i suksesshëm, punëtor i palodhshëm, ai me
profesorët e tjerë vinin rend dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë. Ishin
këto vitet e lulëzimit të arsimit në Drenas. Dolën disa breza nxënësish të
dalluar, të cilët më vonë u benë mjekë, profesorë, ekonomistë etj.
Por, pa mbushur
katër vjet të punës si drejtor, më 2 prill 1981, në Drenas shpërthyen
demonstratat. Ai me profesorët dolën për
t'i përcjellë nxënësit dhe pas disa ditësh fillojnë diferencimet ideo-politike
e Ymerin e përjashtojnë nga puna. Aq më keq, atij iu ndalua publikimi i
shkrimeve dhe ndiqej këmba-këmbës nga shërbëtorët e sigurimit.
Pesë vjet Ymeri
mbeti në shtëpi. Ishte bërë bujk i mirë, por letërsinë dhe krijimtarinë letrare
nuk e la. Shkruante poezi, poema, tregime dhe me një qëndresë të pashoqe u
bënte ballë furtunave që ia imponuan forcat reaksionare dhe njerëzit
shpirtzinj.
Pas një kohe të gjatë punësohet në
fabrikën e ,,Ferronikelit” si përkthyes, ku punoi nga viti 1985 deri më 1992.
Prapë e largojnë nga puna si ”tepricë teknologjike”.
Më 1994 kthehet në arsim. Këtë
herë prapë në gjimnaz si zëvendësdrejtor. Në rrethana të rënda për arsimin
tonë, Ymeri prej vitit 1996 emërohet këshilltar për lëndën e gjuhës dhe
letërsisë shqipe, ku dha kontribut të madh në mirëvajtjen dhe përparimin e
arsimit.
Kur lufta filloi,
më 1998, Ymeri kishte vendosur të mos largohej nga vendlindja. Pas intervenimit
të NATO-s, pikërisht më 15 prill 1999, u dëbua nga fshati bashkë me tërë
familjen dhe u vendos në Poklek i Vjetër.
Më 17 prill 1999,
herët në mëngjes tenton të depërtojë në Drenas me familjen e tij, por policia
serbe i kthen prapa. Ymeri, me gruan, me 4 djemtë dhe me kunatën Shukrijen
strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit, ku barbarët serbë i vrasin pamëshirshëm
52 veta. Këtu, përveç Ymerit, vritet e
shoqja Nafia, 4 djemtë e Ymerit: Ardiani, Mirani, Kujtimi, Nderimi dhe kunata
Shukria. Të nesërmen në një shtëpi afër vritet nëna e Ymerit, Nailja, e cila
ishte motra e Fazli Greicevcit.
Mirëpo, poeti nuk
vdes. Ai dhe vepra e tij jeton për jetë të jetëve. Kujtimi për dëshmorin Ymer
Elshani është i përjetshëm. Ai na ka lënë një mal veprash monumentale:
1. Anija e miqësisë (vjersha)-1972
2. Çka ëndërrojnë lulet (vjersha)-1971
3. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman)-1971
4. Loti udhëtar (tregime)- 1977
5. Ishulli i lumturisë (tregime)-1973
6. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman)-1975
7. Guri i çmueshëm (tregime)-1977
8. Unaza magjike (vjersha)-1980
9. Plaku me violinë (tregime)-1984
10. Kalorësi i bardhë (poemë)-1987
11. Përjetimet e bardhoshit (tregime)-1989
12. Ylli ëndërrimtar (vjersha)- 2000
13. Vajza e diellit (tregime)-2000
14. Njohja e trimave (tregime e përralla)-2000
15. Përralla për ylberin (poemë) -2000
16. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura)-2000
17. Zogu i lirisë (vjersha)-2001
18. Le të vijë në Sharr pranvera (poema)-2002
19. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha)-2001
20. Flokargjendta (tregime të zgjedhura)- 2004 dhe
21. Udhëtimet e Xhuxhmaxhuxhit (roman)-2008.
Vepra jetësore për Azem Galicën u tretë në luftë
Ymer Elshani,
krahas poezisë me mjaft sukses e lëvroi edhe prozën e shkurtër- tregimin. Prej
që iu ndalua publikimi, ai punonte në heshtje dhe dorëshkrimet i ruante në
fshehtësi. Kështu shumë prej tyre patën ditën e botimit tek pas vrasjes së tij.
Madje, këtu radhitet edhe vepra e tij jetësore, tregimet për Azem Galicën, të
cilat në fakt përbënin një roman historik për kryetrimin e Drenicës. Këtë e dëshmon vetë i vëllai, Zymeri, të
cilit autori i paskësh thënë diku në maj të vitit 1998: “Dorëshkrimin e
përfundova dhe besoj se do të dalë një libër mjaft i mirë, i cili do të
mirëpritet nga lexuesit. Janë tregime që në njëfarë mënyre e
formojnë një roman”. Dhe, dorëshkrimi për Azem Galicën siç duket qe
dorëshkrimi i fundit dhe më me vlerë, në të cilin autori punoi tri-katër vitet
e fundit, e i cili u asgjësua nga dora e barbarisë.
Kështu, nga kjo
vepër madhore kanë shpëtuar vetëm tri tregime, dy të botuara në gazetën Bujku
(“Shpata e argjendtë” dhe “Njohja
e trimave”) e tjetri (Rrëfimi për trimin e Galicës)
dorëshkrim i gjetur në disa shkrime që mbijetuan...Libri “Njohja e trimave” (128 faqe), vepër postum e
autorit, është përgatitur nga i vëllai, Zymer Elshani dhe për herë të parë
është botuar nga Rozafa më 2000, kurse herën e dytë në vëllimin e 5-të
të kompletit, botuar nga Meshari (2019)..
Duke lexuar
tregimin Shpata e argjendtë lexuesi i vëmendshëm heton prirjen e autorit
për pasqyrimin e jetës dhe veprës atdhetare të Azem Galicës në frymën
historike, por me mjete stilistike letrare. Ngjarja e zhvilluar në vitin 1916,
kur trimi drenicas ftohet nga gjenerali francez për një mirënjohje, ngase i
kishte zënë peng mbi dymijë ushtarë austro hungarezë dhe për këtë do t’i dhuroi
një shpatë të argjendtë, si trofe lufte. Mirëpo, ai nuk e pranon dhe kjo tregon
qartë se shqiptarët nuk po luftonin për grada e dhurata, por për liri e çlirim
kombëtar.
Ndërkaq në
tregimin tjetër me temë historike Njohja
e trimave, autori përqendrohet në dy personazh luftëtarë të shquar
të historisë sonë: Isa Boletini e Azem Galica. Njohja e tyre bëhet në rrethana
lufte, në vitin 1912, kur trimat me shumë bashkëluftëtarë ishin vënë në ndjekje
të ushtrisë pushtues otomane që po ikte në theqafje. Njohja e tyre është
madhështore, ajo ndodh në fushëbetejë, në rrethana lufte. Trimat, sipas autorit
kanë ngjashmëri me kreshnikët, me Mujin e Halilin, me Pirron e me Skënderbeun.
Pra, motivi themelor është heroizmi ynë nëpër shekuj.
Tregimi Rrëfimi
për trimin e Galicës, i cili u gjet në mesin e dorëshkrimeve që i shpëtuan
barbarisë serbe, e që është shkruar para dy të tjerëve, ka një diskurs tjetër
të të shtjelluarit. Autori me përvojë ka zgjedhur bashkëbisedimin nip-gjysh për
trajtimin e historisë së të bëmave dhe trimërive të Azem Galicës. Sipas
rrëfimeve të Gjyshit, Trimi i Galicës kishte shikimin e diellit, goditjen
e vetëtimës dhe jehona e zërit të tij ishte rrufe që kërcet!
Armiqtë i menduan
të gjitha: ia vranë vëllain, ia dogjën shtëpinë, e sulmuan dy herë që ta kapnin
të gjallë, por kot. Të gjithë ata që e donin lirinë iu bënë vëllezër, të gjitha
shtëpitë u bënë të tijat dhe lufta vazhdoi pa ndërprerë...Madje edhe pas
vrasjes Ai jetonte në flakën e pushkëve të shokëve të tij.
Epilogu i tregimit
ka simbolikë të shumëfishtë:
-Është vrarë dhe
nuk ka vdekur!... thanë armiqtë e habitur.
-Jeton me ne,-
ishte zëri i shokëve të tij.
-Kujtimi i tij na
prin ne...-thanë ata dhe luftuan deri në fitore.
Edhe tregimet
tjera, të përfshira në librin “Njohja e trimave”, përkundër tematikës së
larmishme, reflektojnë veç atdhetarizëm, dashuri, mirësi, edukatë e
mirësjellje, gjë që ndikon në botën e njomëzakëve. Gjuha e pastër dhe e pasur
me figura stilistike, me frazeologji popullore e me elemente fantastike i bëjnë
ato të kapshme për moshën rinore, andaj lexon me një frymë. Imagjinata e tij e
bujshme, gjetjet interesante, përshkrimi i ngjarjeve dhe ambienteve ku
zhvillohen ato, madje edhe vetë emërtimi i personazheve, toponimia e pastër
shqipe, ofrojnë një atmosferë miqësore, harmonike e kënaqësi të jashtëzakonshme
se i bëjnë fëmijët të fluturojnë me krahët e suferinës gjithandej ku ka veç
mrekulli.
Kështu, në
tregimet “Filipi e dallëndyshet”,“Kreshniku”,“Fasulja magjike nga Pollogu”,“Thesari”,“Tregimi
për korbin që pëlciti”,“Përralla për zogun e artë”,“Shtëpia e Kurt
Zogut”,“Loja”,“Legjenda për lulëkuqet”,”Djaloshi i kuçlinës”,“Legjenda për
liqenin e pulëbardhave” etj.,
shkrimtari Ymer Elshani ka trajtuar një mori temash e motivesh, ku natyrshëm
gërshetohet historia, legjenda, mitologja, tradita, imagjinata, duke na dhënë
tablo të gjalla ngjarjesh e ndodhish, që pahetueshëm lënë mbresa të pashlyera
në kujtesën e lexuesve të etshëm për dije.
Në të përfunduar,
lirisht mund të themi se Ymer Elshani mbetet poeti më tragjik i letërsisë
shqipe dhe, njëherësh shkrimtari më i popullarizuar i letërsisë sonë për
fëmijë.
Lavdi jetës dhe
veprës së të pavdekshmit Ymer Elshani!
Galicë, tetor 2021