Editorial » Entela
Entela Binjaku: A është ky moshimi aktiv që dëshirojmë për më të moshuarit e shoqërisë sonë?
E premte, 08.10.2021, 08:11 PM
A është ky moshimi aktiv që dëshirojmë për më të moshuarit e shoqërisë sonë?
Nga
Entela Binjaku
Ky
është i disati artikull që ka në qendër zhvillimet në të njëjtin fshat. Në të
gjitha rastet problematika që ka nxistur
shkrimin, ka qenë e ndryshme, ndërsa komuniteti është po ai: banorë të një zone
ku dora e shtetit nuk duket aspak. Sa të tillë dimë në vendin tonë?!
Shkolla
ku fëmijët marrin dijet e para në gjendje të mjeruar, shërbimet shëndetësore si
përshembull stomatologjike që mungojnë plotësisht, mungesa e energjisë
elektrike për 24 orë etj. E ndërsa
për problemet shkruan me shpresën që të
ndryshojnë, të vetmit për të cilët mund të shkruash me bindje të palëkundur,
janë banorët. Banorët e këtij fshati u
bashkuan dhe kërkuan që shkolla për fëmijët të mos mbyllej, si fshat i banuar
në shumicë nga pakica kombëtare kërkuan mësimin e gjuhës për më të vegjlit, ata
protestuan për rrugën sipas premtimit të bërë nga pushteti, po këta banorë mblodhën para për të ndërtuar
kishën e fshatit, vetë ata dhe fëmijët e tyre në emigrim mblodhën para për të
ndihmuar një familje në dhe mjerim dhe
pa asnjë ndihmë etj. Po këta banorë
zemërbardhë kanë pritur miq nga jashtë dhe brenda vendit duke i respektuar dhe
vlerësuar. Por tani të moshuarit kanë nevojë për kujdes!
Kësaj
here historia që nxiti këtë artikull është kjo: Todi Saranxhiu nga fshati Mekat
(2) i komunes Shushicë, është një i moshuar që prej 10 vjetësh ndodhet në
regjim shtrati. Ai nuk lëviz, nuk flet dhe prej këtu mund të nënkuptohen të
gjitha vështirësitë që kalon ai dhe bashkëshortja. Të tre fëmijët e këtij
qytetari si fëmijët e shumë të tjerëve, ndodhen në emigracion. Pasi kaloi 7 vjet pa një kujdestar, në këto
tri vitet e fundit Todi ka një të tillë. Ky është Sokrati, banor i këtij fshati i cili pas shumë muajsh
pritjeje bëri thirrje për ndihmë. Prej muajit mars pagesa e paaftësisë për këtë
qytetar është ndërprerë. Pasi ishte marrë kjo pagesë që njihet ndryshe si
KEMP-i për dy vjet, ju ishte kërkuar rinovimi i
dokumentacionit. Pas vlerësimit nga Komisioni përkatës në
Vlorë, dokumentacioni i këtij të
moshuari u përcoll në Tiranë. Pas disa muajsh Sokrati, si personi kujdestar
merr një telefonatë nga Tirana ku i thuhet se do të kryhet një verifikim për
vërtetësinë e gjendjes së Todit. Por nga ky çast ka vetëm heshtje. Askush deri
më sot nuk shkuar të vizitojë për verifikim këtë qytetar në nevojë. Ndërkohë pavarësisht gjendjes, nëpërmjet
kujdestarit të tij, familja Saranxhiu ka paguar të gjitha detyrimet ndaj
shtetit, ka blerë mjekimet, ka paguar shërbimet infermieristike kur i sëmuri ka
pasur nevojë gjatë natës dhe tani që dimri po afron nuk ka më mundësi të blejë as dru për t´u
ngrohur.
Nga
vlerësimi që i është bërë aftësisë së kufzuar,
ky qytetar ka të drejtën e përftimit të pagesës së paaftësisë dhe të një
kompensimi për energjinë elektrike. Por tani pas kaq muajsh ende nuk ka marrë
asgjë! Sipas rregullave, pas shqyrtimit
nga komisionet kombëtare, dosjet kalojnë
për shqyrtim tek komisiont eprore sipas sëmundjeve. Janë këto komisione që shqyrtojnë dosjet për
sëmundje të përgjithshme, verbërinë, sëmundjet e shëndetit mendor, si dhe
paraplegjinë dhe tetraplegjinë. Nga vlerësimi që i është bërë Todit, ai është
tetraplegjik. Po sipas rregullave të njëjtën
masë pagese e përfiton
edhe ndihmësi personal i
personit me aftësi
të kufizuar.
Duke
u larguar nga ky fshat, një i moshuar me
një pagesë pensioni që nuk mjafton as
për minimumin e jetesës, që nuk ka as
fëmijët pranë, nuk merr asnjë shërbim kur ka nevojë për ndihmë, atëherë cfarë
si jeton ai? Cfarë jete bën ky i moshuar?
Kush i dëgjon nevojat e tij? Por
kur është sëmurë kronik, a arrin ai ta marrë mjekimin e plotë?
Dëshmitë
e të moshuarve në shumicën e rasteve tregojnë se ata vuajnë pamundësinë për
aktivitet fizik, probleme me shëndetin,
vetminë! Shto këtu edhe urinë: Pagesa e pensionit është aq e vogël sa pasi
shlyejnë të parat detyrimet ndaj shtetit, cfarë u mbetet nuk mjafton as për të
shuar urinë. Edhe në këtë rast zakonisht janë fëmijët apo të afërmit që u vijnë
në ndihmë! Nëse kanë të tillë dhe kur
ata munden… apo kur kanë ndjeshmëri!
Kur
nis të shkruash për të moshuarit në Shqipëri, është si të shkruash për të varfërit!Të varfër në rini,
të varfër dhe në moshën e thyer! Por tani
të përballur edhe me indiferencën shtetërore! Atëherë ku është dinjiteti njerëzor në këtë rast dhe
a respektohet ai?
Institucioni
përgjegjës për hartimin e politikave shoqërore në Shqipëri është Ministria e
Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Shoqërore. Kjo ministri ka njohur dhe ka marrë
përsipër dhe organizojë dy festat e të moshuarve: 15 Qershorin, Ditën
Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Abuzimin me të Moshuarit dhe 1 tetorin,
Ditën Botërore të të Moshuarve.
Në
këto dy ditë bota mbarë ndërgjegjësohet dhe kundërshton ndaj abuzimeve dhe
vuajtjeve që u shkaktohen brezit më të vjetër dhe kërkon më shumë vëmendje ndaj
tij.
Po
ne për cilën vëmendje shoqërore po flasim? Ku është mbrojtja për këta njerëz të
varfër dhe të moshuar? Çfarë politikash dhe programesh ka kundër varfërisë dhe
ku po zbatohen ato nëse jetesa e një të moshuari shqiptar as nuk i prek dhe as
nuk ndryshon?!
Një
studim i viteve më parë i OKB-së deklaronte se Suedia ishte vendi ku një i
moshuar jetonte më mirë dhe Afganistani ishte vendi ku një i moshuar jetonte më
keq. Kjo renditje kryhej bazuar në
nivelin e të ardhurave, cilësinë e shërbimit shëndetësor, kushtet e mjedisit ku
jetojnë jetojnë. Dukë i parë të moshuarit shqiptarë, duke ditur të ardhurat, cilësinë e shërbimeve
shëndëtësore që marrin apo shërbime që as
nuk i marrin, kushtet e varfëra ku jetojnë, ku renditet në vitin 2021
Shqipëria? A është kjo mirëqënia që këta të moshuar shpresuan në këto 30 vitet
e fundit? A është ky dinjiteti që ëndërronin kur ishin më të rinj, kishin më
shumë energji, ishin aktivë, kur punonin e mbanin në këmbë familjet e tyre? A
është ky moshimi aktiv që dëshirojmë për shtresën më të rritur në shoqërinë
tonë?