E marte, 01.12.2020, 09:19 PM (GMT)

Kulturë

Skënder Hoxha: Gjurmë të administrates turke në toponiminë e Dushkajës

E diele, 05.07.2020, 06:55 AM


GJURMË TË ADMINISTRATËS TURKE NË TOPONIMINË E DUSHKAJËS

Nga  Mr. SKËNDER R. HOXHA

Gjatë vjeljes së toponimeve nëpër katunde të krahinës së Dushkajës, sidomos në një pjesë të krahut jugor të saj e në ndonjë vendbanim tjetër, gjeta të gjallojnë toponime të formuara nga etnonimi Çerkez. Emërtime të kësaj rrjedhoje: Arat e Çerkezit, Kodra Çerkezit, Ledinat e Çerkezit, Mali Çerkezit, Rruga Çerkezit (rrugë që lidh Doblibaren me Gjakovën) – që i shënuam në territor të Doblibares. Në katundin Vraniq shënuam mikrotop. Ara Çerkezit; ndërsa në Jabllanicë Vorret e Çerkezve, emërtime të cilat kanë mbetur si gjurmë e pranisë së përkohshme të çerkezëve në  këto pjesë të Dushkajës. Duke folur për prezencën e çerkezëve në Kosovë, e cila pati motive të caktuara, Dr. M. B. Barjaktaroviq, përveç tjerash thotë: “Për njëfarë kohe, në shekullin e kaluar, pati në Kosovë edhe disa çerkezë (prej Kavkazi), që i patën prurë turqit për të forcuar administratën e pushtetin e tyre”.

Zotërimi i dikurshëm i pronave nga ana e bejlerëve, agallarëve, spahinjve e të tjerëve, gjetëm të jetë reflektuar edhe në makrotoponime e mikrotoponime të territorit të Dushkajës. Të kësaj rrjedhe po shënojmë: 1.Toponime të sajuara nga  titulli be:j (beg): Ara Begit, Mahalla Begit, Zabeli Begit (Bërdesanë); Ara Begit, Livadhi Begit, Shpati Begit (Vraniq); Ara Begit (Rashkoc, Bec); Arat e Begit (Zhdrellë); Arat e Begit, Kroni Begit, Livadhi Begit, Trojet e Begit, Zabeli Begit (Gërgoc); Mullini Begit (Cërmjan); Te Nalloga Begit (Kralan); Dardha Zotnisë (Zhabel) etj. 2.Toponime të sajuarang titulli Aga: Lugi Shaban Ag’s (Marmull); Mali Mustaf’ Ag’s (Zhdrellë); Arat e Tahir Ag’s, Kroni Ag’s, Ledina Ag’s (Zhabel); Ara Ali Ag’s (Kralan); Ara Beqir Ag’s (Rashkoc); Ara Fetah Ag’s, Ara Halit Ag’s (Vranoc i Vogël); Ara Mehmet Ag’s (Ratishi i Poshtëm); Livadhi Murat Ag’s (Palabardh) etj. 3.Toponime të sajuara sipas emrave a mbiemrave të bejlerëve apo agallarëve, por që nuk ju përmendet titulli: Lugi Xaj’s, Fusha Domit, Pozheget (Marmull); Ledina Kusarit (Dashinoc); Mali Bunjâkit, Lluga Kaçit (Vraniq); Livadhi Malazogit (Janosh); Livadhet e Babalive (Gërgoc); Lugi Bujâkit, Ara Shllakit (Doblibare); Livadhi Nushit (Ratishë i Poshtëm); Arat e Bakallit (Cërmjan) etj. 4.Toponime të lidhen me tituj feudalësh a nëpunësish të Perandorisë Osmane: Rruga Spahive, Guri Spahive (Dashinoc); Lugi Pash’s (Bërdesanë); Lâma Spahive (Gërgoc); Lâmtë e Spahive (Cërmjan); Mali Spahisë (Bec); Ulica Spahive (Marmull), etj. Ndërkaq, në Bërdesanë gjetëm të gjallojë mikrotop. Livadhi Sarait, për të cilin thonë se aty dikur kishin qenë sarajat.

Në Bec edhe mikrotoponimet Ara Kavazit dhe Gjiri Kavazit, pjesa e dytë e të cilave – kavaz, si duket është fjalë arabe e turke, Kavvas – ushtar i armatosur që më tepër ka qenë i angazhuar në përcjelljen mbrojtëse të ambasadorëve, të eprorëve apo të pasurisë, në kohën osmane, të cilëve, mbase, për ndonjë meritë do t’iu kenë dhënë si shpërblim edhe prona të patundshme, tokë, siç është rasti me këto të Becit të sotëm. Ndërkaq, Gjiri në Dushkajë i pusit të thellë në lumë.

I kohës osmane na del edhe mikrotop. Ara Subash’s që e shënuam në Vraniq të Dushkajës. Institucioni i subashës paska ekzistuar që në periodën anadollake të shtetit Osman, e që këtë e kishin marrë prej Selxhukëve. Shih për këtë, fjala “Subashi” tregonte udhëheqësin e lartë ushtarak, komandantin e ushtrisë dhe i përgjigjej shprehjes “Ze’im al – Cuyus”. (…) Këtë institucion turqit e bartën në Ballkan. (…) Me shprehjen “Subashi” në sistemin e timarive osmane shënohej çdo pronar i zeametit për shkak se ai si një spahi i madh i ruante disa nga previlegjet administrative – feudale. Mirëpo, subashllëqet (sipas disa defterëve – vërejtja jonë)  ruhen në Ballkan deri në fund të shekullit XV, e pastaj zhduken E cituam këtu këtë shkrim me qëllim që të ofrojmë të dhëna për fjalën Subashë, si dhe për të sqaruar, sadopak, anën kohore e kuptimore të mikrotoponimit Ara Subash’s, që gjallon në territor të katundit Vraniq të sotëm.

Një tufë emërtimesh toponimike të Dushkajës janë të sajuara mbi bazë të institucioneve dhe autoriteteve fetare, pronë e të cilave kanë qenë apo janë edhe sot, si: Zharet e Xhamisë (Radoniq), - male që dikur kanë qenë pronë e Xhamisë së Radoniqit; Ara Kish’s (Cërmjan); Ulica Tyrbes (Bec); Ara Shehit, Kroni Hoxh’s, Toka Efenisë (Bec); Ara Shehit, Kodra Shehit, Livadhi Shehit (Doblibare); Gryka Hoxh’s (Bërdesanë); Ara Hoxh’s (Sapot) etj., të cilat në ndërtimin kuptimor të tyre paraqesin pronën dhe pronarin.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora