Kulturë
Resmi Osmani: Nata e fantazmave
E merkure, 01.07.2020, 09:56 PM
NATA E FANTAZMAVE
Tregim
Nga
Resmi Osmani
Toger
Alqiviadh Popoviti, që ato dit pas martese me mësuesen e bukur Irini, ishte
kthyer nga muaji i mjaltit në ishullin Santorini, doli i pakënaqur nga zyra e
kolonel Andreas Papavasilis , qark komandant i korofillaqisë së Epirit me
qëndër në qytetin e Janinës. I kishte njoftuar emërimin e detyrës së
postkomandantit të korofillaqisë së Thesprotisë.Koloneli, i mësuar me të
komanduar, i kishte të pakta fjalët. Ja bëri të qartë detyrën: lufta ishte
fituar,Çamo-alvanosët ishin përzënë nga Thesprotia, vendi ishte pastruar, por
në krahine ishin krijuar ngatrresa me
pronat. Fshatarë, të zbriturit nga malet,
anadollitët dhe vllehët e Pindit, me lakminë e plaçkitjeve zaptimeve dhe
pervetësimit të shtëpive dhe tokave, kishin rënë mbi to si korbat mbi kërmë,
bënin sherre që mund të përfundonin edhe me vrasje! Detyra e Togerit dhe
postkomandës së korofillaqisë së Thesprotisë, ishte të vinte rregull, të mbante
nën fre të papërmbajturit, lakmuesit dhe
grykësit, deri sa të vinin udhëzime sesi do të veprohej me pasurinë e
çamo-alvanosëve të dëbuar. Vendkomandën zgjidhe vete. Për mua më mirë në Filat.
Kur të jesh sistemuar, njofto që të nisim togën e korofillakëve të shërbimit.
Për të lëvizur, të kemi dhënë një xhip ford dhe shoferin. Nisu që sot. Punë të
mbarë toger. Alqiviadhi kishte nderuar ushtarakisht dhe kishte dalë.Si ish
luftëtar, kishte pritur më shumë, por koloneli kishte qënë i kursyer në gradime
e shpërblime.
Xhipi
e priste në oborrin e komandaturës. Shoferi, djalë i ri me gradë nënoficeri, e
nderoi ushtarakisht dhe i tha se ishte nën urdhrat e togerit. Shkuan në hotel
ku priste zonja Irini. Morën bagazhet dhe u nisën për udhë.
Në
Filat mbrriti në mesditë. Gjeja e parë gjetja e një shtëpie. Nuk ishte zor.
Kishte boll shtëpi të braktisura të çamo-alvanosëve. Zgjodhi njerën në kodër,
disi e veçuar, me avlli e oborr të madh. Pa që ishte e mbajtur mirë dhe e pa
plaçkitur, kishte gjithë orenditë dhe gjithçka tjetër që nevojitej. Të zotët,
në ikje e sipër , s’kishin marrë asgjë. Ata pajtuan një shërbenjëse vendëse që
e quanin Zoica. Ajo bashkë me zonjën Irini e tundën e shkundën , ormisën
shtëpinë dhe e bënë dritë.
Më
26 qershor, Alqiviadhi i tha zonjës Irini, se si ishluftëtar i EDES-it, kishte
një ftesë për dyvjetorin e çlirimit të Paramithisë më 27 qershor. Kishte zëra
se do të vinte edhe gjeneral Napon Zerva, në përkujtim të triumfit të tij. Ajo,
-zonja Irini- do të mbetej vetëm një apo dy net, por po të donte, mund të
thërriste Zoicën që të gdhihej me të. Jo, zonja Irini se kishte zor të gdhihej
vetëm. Alqiviadhi veshi uniformën e paradës dhe u nis.
* *
*
Zonja Irini u zgjua nga disa zhurma që vinin brënda
shtëpisë. Qëndroi zgjuar në shtresa dhe mprehu dëgjimin. Dëgjoheshin ofshama,
të qara mbyturazi dhe biseda të shqetsuara në një gjuhë që ajo s’e kuptonte.
U
ngrit dhe ndezi llampën.Në dhomë lëviznin hije me formë njerëzore, të madhësive
të ndryshme, por që nuk u shquheshin tiparet, ishin gati të tejpashme dhe
lëviznin lakadredhas duke belbëzuar fjalë pa kuptim, me to përzjeheshin të qara
fëmijësh dhe rënkime pleqsh.Irini e tromaksur,nga ato hije-fantazma, me llampë
në dorë, bëri kryqin dhe tha lutjen “Ati ynë”. Kur u bë dritë, hijet nxituan të
zbrisnin nga shkallët, për në katin përdhes. Gjurmët e tyre kërcisnin në
shkallaret e drunjta. Pasoi një qetësi e shurdhër, e frikshme. Irini s’po
kuptonte, ishte zgjuar apo në gjumë, në ëndërr apo në kllapi. I dukej se nga
muret e shtëpisë buisnin hije të tjera që nuk dukeshin por ndjeheshin, fëshfërinin
dhe dridhnin ajrin.
Që
të bindej se ajo që po shihte dhe ndjente ishte e njëmendtë, apo një ndjesi e
mendjes, zbriti shkallët dhe doli në hajat. Befas, nisi shtrëngata. Nga bulçitë
e natës, fryu një erë e harbuar, vrundujt e saj e shuan llambën. Pastaj ajo pa
rrufetë e vetëtimat dhe dëgjoi bubullimat si ca rënkime vajtojcash me oi të
zgjatur . Qielli u mbush me re. Retë ishin të kuqe, rrufetë zjarr e flakë,
bubullimat që vinin nga gjithësia, ku ta dish, nga kashta e kumtrit apo të
tjerë yje ku flutrojnë shpirtrat kur ndahen nga trupat. Ashtu thonë, po ku ta
dish se nga? Pastaj u bë errësirë, xëc, ku nuk shihej asgjë, pa u ul nga malet
e Sulit dhe të Kurrilës një mjegull e përhinjtë e mugët, që u përzje me
terrin, pastaj këtë far mjegulle e
davariti dhe capërloi vrundulli i erës së
vrullshme, që vërshëllente si
gjarpër nëpër mazgalla. Pastaj, ajo far ere u meh, ca re u çanë dhe lanë të
dukej hënën, një gjysmë hënë të handakosur të sëmurë dhe të zbehtë, që e
kursente dritën, vetëm aq sa për të
lënë të dukej mynxyra dhe batërrdija
atje poshtë, në botën e njerëzve, të cilën ajo e kishte parë një vit të tërë.
Kur mjegulla u davarit, dhe ajo far ere e marrë u prajt, ca re u përskuqën dhe
nga barku i shtatzanisë qiellore nisën të derdhin shiun. Irini pa se ai nuk ishte shi si gjithë
shirat, ishte shi i kuq. Ishin re gjaku dhe ato nuk hidhnin nga qielli atë ujin
që i thonë shi, breshër apo borë, por shi të përgjakur. Dhe u mbushën pellgjet,
me gjak të kuq, të shkumëzuar, rrodhën me potere rrëketë e verbra që morën vrapin për tu derdhur diku. Rrëketë
nuk mërmërinin, por vajtonin me zërin e grave, rënkonin dhe gulçonin me zërin e
pleqve, klithnin me piskamën e fëmijëve, me ohun e të rinjve. Nguteshin rrugës
për në Akeron, për të ushqyer Hadin. Gjak, sa shumë gjak iderdhur në ditën e
Shën Bartolomeut! Irini pa: se si të mos mjaftonte kjo llahtarë, çuditë
s’kishin të sosur: nga qielli tok me shiun e përgjakur, apo ku ta dish, nga
nëntoka e lagur dhe zbrujtur nga gjaku, gëluan koka pa trupa, trupa pa koka,
gjymtyrë të prera, duar e këmbë pa
trupa, gra e nuse me barqe të çarë,plagë të shqyera që kullonin gjak, ato
mbanin me duar zorrët dhe të palindurit e nxjerrë dhunshëm nga mitra, por që
s’arrinin ta bënin, dhe zorrët zvarriseshin në pluhurin e kuq. Irini pa Skelete
të panumurt që u shfaqën në anë të oborrit pastaj nisën të marshonin njëri pas
tjetrit mespërmes .Parada e skeleteve të të pavarrosurve, që i kishin shqyer
qentë dhe egërsirat, u kishin dhënë fund korbat dhe i kishte tharë dielli:
ishin të madhësive të ndryshme, me zgavrat e frikshme bosh të syve: truk,truk, truk, kercisnin e tringëllinin
kokallat, që ndrinin nga një dritë fosforoshente e kaltëreme, me atë tingëllim
makabër, ata bënin përpara deri sa u zhdukën nga pamja. Trupat pa kokë, vinin
rrotull si kuajt në lëmë, pa ditur se ku, pa parë se ku, në tym, kot nasikoti,
kërkonin kokat e tyre. Njëri syresh, u turr mbi një kokë që ishte pështjellë me
çallmë, por aty u turr dhe një tjetër, e mbërthyen të dy, por ai me dollama, i
tha tjetrit:”Nuk e sheh?, Ah ç’them dhe unë ,ti je pa kokë e pa sy, s’ke si e
sheh, ajo është koka ime, sepse unë jam hoxhë!. E mori kokën nën sqetull dhe
zuri vrapin nga frika se mos ja rrëmbenin. Kindat e dollamasë ia valaviste era
dhe nga vrapi i stërpikeshin me piklat e gjakut dhe baltës së pellgjeve.Pastaj
u ndal, ngriti duart nga qielli dhe bërtiti sa i hante zeri”Allahu ekber”.
Tjetri iku tej duke qare e bertitur me një zë ngjethës:”Ku është koka ime, ma
gjeni kokën time, dua koën time, ma gjeni dhe ma jepni, për të jap gurin e
varrit! Një kokë e prerë u ngrit pezull, një sy ja kishin nxjerrë, buzët ja
kishin prerë dhe dhëmbët dukeshin sikur qeshnin, me një qeshje të mynxyrshme.
Ai e mori me të dy duart dhe e vuri mbi supe, aty ku ishte qafa. “Oh, tha
ai,ç’të kanë bërë, si të kanë shëmtuar?”. Koka nuk fliste, i kishin prerë edhe
gjuhën, veç belbëzonte. Mes tyre hyri një trup me kokën në vend, por me sy të
nxjerrë,kokërdhokët bosh si shpella të përgjakura, rrëketë e gjakut i vijëzonin
faqet. Kishte nderë duart përpara, ecte me tahmin dhe bërtiste: ‘Pak dritë, pak
dritë, më nxirrni nga nata të shoh djalin, të shoh vajzën, të shoh gruan. Ku
jeni, ku jeni, përgjigjmuni! Dritë, pak dritë se boll kam errësirën e varrit,
mjafton e tepron!” Si të kishte dëgjuar klithmën e tij, nga këndi lindor I
oborrit, u turr duke vrapuar dhe bërtitur me lebeti një grua që kishte marrë
flakë, ajo digjej e ndrinte si pishtar, vrapoi deri sa e lanë fuqitë dhe u
plandos e shkrumbuar në një pellg gjaku. Pas e ndiqnin dy fëmijë me fyt të prerë,
ngaku gulshonte gjaku. “O zot”-klithi Irini- janë të një moshe me nxënësit e
mi, ata i kanw therur si qingjat e pashkës, por për cilin i kanë bërë kurban?”
Edhe ata ranë mbi trupin e shkrumbuar të së ëmës. Irini pa sesi një këmbë, e
prerë nga trupi në rrëzë të kofshës, e zhveshur, tërë deje e nyje, e zbathur,
kërcente pupthi,hop-hop, kërkonte këpucën dhe trupin e saj nga e kishin
shkëputur. Këpucën e gjeti, e veshi, por trupin nuk po e gjente dhe vazhdoi
kërcimin pupthi, sit ë ishte harabel, gjithnjë në kërkim të kotë. Irini pa sesi
nga retë ranë bashkë me shiun gjarpërinj, sheshi u mbush me ta, nxirnin gjuhën
dhe klithnin këth-këth, të frikshëm e të lemerishëm, hijet morën arratinë,
mbetën vetëm kufomat që s’ecnin dot. Gjarpërinjtë pinë në pellgjet e gjakut dhe
të nginjur u fshehën në vrimat e tyre. Irini dëgjoi të lehura, e pas tyre u
shfaq lukunia e qenve të uritur e të tërbuar, që u sulën mbi trupat e
handakosur dhe i shqyen e capërluan deri sa zbardhën eshtrat. Pastaj edhe ata
të nginjur në atë gosti mortore, zunë vrapin
dhe në link ikën për kushedi se ku. Irini pa se qielli u nxi, ishin
qindra, mbase mijëra korba që krokëronin, fluturuan mbi oborr, pastaj ranë mbi
kufomat për të përfunduar atë që kishin lënë qentë. U pëlqenin sytë e kufomave.
Krokasnin dhe shqyenin me sqep e me çaponj mishrat e të masakruarve, deri sa
mbetën vetëm kokallat e skeleteve. Kur gostia kishte përfunduar, ato u ngritën
si re e zezë dhe fluturuan për kushedi se ku.
Pastaj,
zonja Irini pa sesi në shesh, ja behu si t’a kishte pjellë dheu, një prift
madhosh me petrahil të stolisur dhe mitër peshkopi, mjekërthinjur që mbante në
një dorë kryqin dhe në tjetrën shpatën, i hidhte çapet ngadalë dhe shpërndante
duke bërë kryq bekime majtas e djathtas, hijeve të zervistëve mjekroshë të
rreshtuar në dy anë, me llërë përveshur, thika e hanxharë ngjeshur në brez dhe
duar të përgjakura gjer në brryla. O zot, të ishte e mundur? Midis tyre ajo
shqoi të shoqin, Alqiviadhin . Po, po, se gabonin sytë ishte ai: llërë
përveshur e duar përgjakur! Pas priftit mjekërbardhë, vinte psalti që tundte para-mbrapa
temjenicën, që shpërndante tymin e kaltërem, erëndës për të mbajtur larg
demonët, dhe një grumbull murgjërish mjekërgjatë që këndonin. Në ajr u dëgjua
kumbimi i këngës së një psalmi, pastaj
“Qirje eleison” dhe Aleluja. Po kjo ç’të ishte? Bekim i kriminelëve apo qetësim
i shpirtrave të të masakruarve?S’kishte si ta dinte. Mbase të dyja.
Po
afronte agimi, nga lindja mugulli paralajmëronte ditën e re. Kënduan gjelat e
parë.Me qindra ki-ki-ri-ki…..Fryu një puhizë. O çudi! Zonja Irini pa sesi
sheshi i oborrit u pastrua, hijet dhe skeletet nuk ishin më, në pellgje nuk
kishte as ujë as gjak. Gjithçka ishte si më parë. Muret e ftohta të avllisë,
ulliri, fiku limonat dhe bajamet dhe shtëpia e qetë dhe pa asnjë gjurmë të asaj
që i ishte shfaqur. Të ishte ëndërr, një kllapi e shkaktuar nga tregimet e
frikshme që kishte dëgjuar për plojën e Thesprotisë. Por si vallë, ëndërr me sy
hapur? Duke qënë zgjuar dhe më këmbë në
hajatin e shtëpisë? Kur gjithçka e kishte parë me sy dhe dëgjuar me veshë? Nuk
dinte të përgjigjej, as t’a spjegonte, sesi e kishin msyrë shtëpinë dhe oborrin
hijet dhe fantazmat e të vdekurve, të vrarëve e të masakruarve tw Paramithisë,
Pargës, Filatit,Gumenicës, Spatarit…..Gjithë Thesproti-Çamërisë. Edhe po ta
rrëfente, zor se do t’a besonin. ”Zot, na ruaj nga e keqja dhe na shpëto mentë
e kokës”. U lut ajo. Zonja Irini mbeti në hajat si statujë e ngrirë,
mendjeçartur e përhumbur. Dita që erdhi, e bardhë e plot dritë, e fshiu gjithçka
që la nata, por s’mundi të shpërndante
errësirën që kish pushtuar shpirtin e zemrën e saj. Nuk guxonte as të ngjitej
në dhomat lart, por as të çapitej në oborrin e shtëpisë se i dukej se do të
shkelte mbi pellgje gjaku. Aty e gjeti Zoica, shërbenjësja e shtëpisë. Kur e pa
ashtu të pëthumbur, të heshtur, pa e ditur ngase, e mori përdore, e çoi në odën
e ndënjies dhe i bëri një kafe turke, të forte, shqeto, që t’i mblidhte zemrën.
* *
*
Toger
Alqiviadh Popoviti, u kthye në shtëpi mbrëmjen e 28 qershorit. Rruga e gjatë
nuk e kishte lodhur, ishte shend e verë. Zonja Irini pa se në anën e majtë të
uniformës ndrinte kryqi i dekoratës.Ai u afrua dhe deshi ta përqafonte të
shoqen, por zonja Irini nxori dorën përpara dhe e prapsi. Ai pa trishtim në
sytë e saj. “Ç’farë ka nusja ime e bukur?” – “Mos u afro”- I tha dhe u ul në
divan. Ishte e zbehtë. Alqiviadhi u ul pranë saj dhe i hodhi dorën në sup. Ajo
u shkreh në të qarë. I dha një gotë ujë
që ta qetsonte. Pas një heshtjeje që zgjati, ajo i rrëfeu gjithë ç’i kishin
parë sytë e dëgjuar veshët atë natë të kobshme. “Ke parë ëndërr, ke qënë në
gjumë, në kllapi”- “Jo - tha ajo- isha zgjuar, zbrita posht në hajat dhe
gjithçka ndodhi para syve të mi. Ishte tmerr, ishte llahtarë, e lemerishme, e
përgjakshme, ç’njerëzore e skëterrshme si apokalips.” Heshti një valë herë
pastaj e pa drejt në sy: “Po ti? Prandaj ta dhanë kët dekoratë? Të pashë.Ishe
midis tyre. Duart e tua janë lyer me gjak të pafajshmish,s’ka as lumë as det që
i lan. Edhe nga kryqi i dekoratës pikon gjak. Thuamë, ke marrë pjesë në ato
masakra? Dua ta di! Me cilë jam martuar? Me një luftëtar apo me një kriminel?
Pas muajit të mjaltit, në këtë shtëpi të shkretë, piva kupën e helmit të asaj
nate të djeshme, që do të ma helmojë gjithë jetën” Ai heshtëte. Ajo sërish u
ngashërye dhe u mbyt në lot. “Thuama, dua ta di” ngulmoj ajo.”, ”Epo lufta si
luftë, në luftë ose vret ose të vrasin” Belbëzoi ai me gjysmëzëri. Zonja Irini
e kuptoi që nuk do të merrte përgjigje. U ngrit të bënte atë që kishte
vendosur. Hapi valixhen e madhe dhe nisi të paloste teshat që ishin në dollap.
Toger
Alqiviadhi u shastis.
Ç’far
po ndodhte me nusen e tij të re?
-Lamtumirë
toger Alqiviadhi,-tha ajo zëdredhur- unë po iki nga ky vend i përgjakur i të
pafajshmëve, ti rri me fantazmat e viktimave të tua! Dhe mos më kërko.
Tiranë, qershor-korrik
2020.