Kulturë
Resmi Osmani: Fluturimi i Pëllumbeshës
E diele, 28.06.2020, 05:00 PM
FLUTURIMI I PËLLUMBESHËS
Tregim nga Resmi Osmani
1
Gurrasi,
hapte sërën e fshatrave të luginës së
ngushtë, zhytur në gjelbër. Lumi
në mes, ujëpakët, shushuritës, verës, që
mund të kapërcehej më këmbë, dhe i azdisur
e bubutitës dimërit, çante udhën për tu bashkuar me Vjosën. Në të dy
anët, larg e larg njëra –tjetrës
shtëpitë e gurta të fshatit,të ndara në dy mëhalla, të tulatura në
këmbët e malit. I lidhte ura e gurtë, me qemer, e vjetër sa s’mbahej mënd kush
e kish ndërtuar. Më tej,drejt jugperndimit sëriteshin fshatrat e tjera. Të
pakta tokat e bukës, por të begata
kullotat e malit, që mbanin e ushqenin bagëtinë. Fshatrat ishin irate të Selfo
Bej Gjizotit, mik i bimbashit të Gjirokastrës dhe valiut të Janinës.Thoshin që
fijet e miqësisë i zgjateshin gjer në Stamboll. Paqen dhe jetën e fshatarëve,
herë pas here e prishnin koshadhet e turkut, që kërkonin kaçakët dhe sejmenët
dhe larot e Selfo Beut, që bënin
zullume, plaçkisnin dhe mblidhnin taksat e të dhjetave.
Të
bukura fshatrat, të mëdhaja hallet.
Në
lagjen e përtej lumit, fare në krye, lartoheshin sarajet e beut,me shumë konakë
e të rrethuar me avlli të lartë, si
karakoll kalaje. Hija e tyre e rëndë shtrihej tatëpjetë luginës dhe shtypte
fshatrat si një makth dhe shpirt i së keqes. Që aty ndaheshin dy rrugë, njëra
për Gjirokastër e tjetra për Janinë. Selfo beu, burrë në mesmoshë, i sertë e
hijerëndë, krenar për oxhakun e fisin që ishte, shtathedhur, i hijshëm në
pamje,i keq në shpirt, sqimatar, i kujdesur në veshjet që i vinin nga Stambolli
dhe Janina, me irate dhe kamje, që kur i vdiq e shoqja Selfixhe hanëmi, bijë e
fisme dhe e bukur si hyri, nga oxhaku i Çelajve, netëve ndjehej i vetmuar dhe e
trishtonte ai vendi bosh në shtratin e madh . Hajrie Arapja, kodoshja plakë,
kujdesej që herë-herë, ti fuste në jatak ndonjë kopile të kolme, bijë të rajave,
nga ato që shërbenin në saraje, por kjo s’ia mbushte atë boshllëk dhe s’ia
ftohte gjakun që i ziente, e s’ia shuante dëshirën , që e nginj një burrë, por
e bën të mundur veç zotërimi i bukurisë kurmit dhe rinisë së një vashe. Kur nuk shkonte në Janinë apo
Gjirokastër e Delvinë, për punë në hyqymet apo në miqësi, jepej pas gjuetisë.
Bashkë me sejmenë e suvarinj dhe një lukuni zagarësh, ose i binte kryq e tërthor çifligjeve, që t’u
kujtonte bujqërve, çifçinjve dhe harbutërisë e rajave pagesën e borxheve dhe
detyrimeve të prapambetura,qoftë duke mbetur edhe pa bukën e gojës.
2
Lagjia
e Gurrasit, që i jepte emrin gjithë fshatit, qe ndërtuar në prehër të malit e
pranë rrjedhjes së lumit. Anës lumit rriteshin shelgje e rrape. Shtëpitë e
gurta, ca përdhese e të tjera me dy kate sipas gjëndjes e kamjes së të
zotërve,rrethoheshin nga kopshtet e pemëve. Ajo që e dallonte ishte kroi me nam
në gjithë krahinën: me ujë të bollshëm, i kulluar si lot e brisk i ftohtë, që
rridhte nga dy sylynjarë, në hauzin e shtruar me rrasa guri e sofate përanash,
e që pastaj merrte rrëkenë duke mërmëruar për në lumë.
Shtëpia
e Nase Çobanit, pak e veçuar nga të tjerat,ishte në krye të lagjes,përball
urës, mbanë udhës që të shpinte në fshatrat në perëndim të luginës. Kësaj
shtëpie si ishin ndarë vdekjet. Pas së shoqes, Nases i kishin vdekur njëri pas
tjetrit djali dhe nusja, që lanë pas dy jetimë: djalin Janon dhe vajzën Rinën.
I rriti vetë, me shumë halle, si i thonë
fjalës, vetë burrë e vetë grua. Po desh Zoti, u rritën të mbarë. Janua një trim
i ri si fajkua, që shoqëronte karvanet për në Janinë dhe Rina e bukur si drita,
duarartë, që ç’i shihte syri ja zinte dora, i jepte jetë e gjallëri asaj
shtëpie. Nases i kishte zënë gjunjët pleqëria, cërma ia bluante eshtrat si qen
e ai mezi hidhte hapat i mbështetur në shkop.
Tani e kujdesonte e mbesa që e
donte me shpirt, se ai për të kishte qënë mëmë e at. Rina një vashë e bukur, e bukur si lule mali, kishte shkelur në të gjashtëmbëdhjetat. Nuk
mënuan të vinin mblesëritë. E kërkonin për nuse , djem nga shtëpi të mira,
brënda e jashtë fshatit, por gjyshi Nase, që përgjërohej për të mbesën si jepte
karar. Nuk ngutej, gjykonte e shpresonte për mirë e më mirë. Çupa hidhte shtat e lulëzonte. Gëzim
për sytë, e brengë për zemrat e djemurisë, që sa e shihnin i qaseshin dhe i hidhnin larg e larg ndonjë fjalë
fluturake, që e bënte të skuqej. Brenda vetes ndjente atë trubullirën molisëse
të panjohur më parë që i grafullonte zemrën ,e bënte të ndjehej e gëzuar, dhe
t’i gëzohej bukurisë që shfaqej gjithandej: harlisjes së bimësisë, luleve të
mollëve e kumbullave në kopsht, këngës së zogjve, fluturave e bletëve, dritës
lbyrëse të diellit, netëve të kthiellta e qiellit plot me yje dhe asaj të
panjohure të fshehtë që e priste të
vinte, e sido që të qe, patjetër duhet të ishte e bukur.
Ja
që e tillë është mosha e vajzërisë së parë.
3
Një
ditë qershori, ndajdreke,kur kishte shtrënguar vapa, Rina, me enët e ujit, ngau
për te kroi për të mbushur ujë. Freskoi
këmbët në ujët e hauzit, gropëzoi duart dhe, hodhi një grusht ujë fytyrës. Sapo
kishte vënë bucelën nën çurgun e
sylynjarit, ndjeu trokëllimë patkonjsh dhe shkrofëtimë kuajsh. Kalorësit
qëndruan te burimi, nën hijen e rrapit.Rina e ndrojtur ktheu kryet. Ishte Selfo
Beu me qehajain. Nuk e kuptoi pse, por në trup I shkuan të rrënqethura. Bucelën
dhe shtambat e mbushura i vuri mbi sofat dhe u nis të ikte. Por Selfo Beu e
ndali.
-Prit
moj pëllumbeshë, përshëndete beun tënd dhe jepi të shuaj etjen nga shtamba
jote.
Ajo
uli kryet, mbajti këmbët, por s’foli asnjë fjalë.
Beut
ju meh fryma. O Zot! Ç’ishte gjithë ajo bukuri? Fytyra si hënë e plotë, sytë me
kaltërsinë e qiellit, që u bënin hije
qerpikët e gjatë dhe harku i vetullave, goja si lule shege ,faqet qumështore me
cipëzën e trëndafiltë, gjokset e vegjël që gufonin nën jelekun e ngushtë, beli
ti shkoje unazën.Bijë njeriu apo zanë mali që kishte zbritur te burimi? Me dy
gishta nën mjekër, i ngriti kokën, por ajo e ktheu anash e turperuar, lulkuqe
në fytyrë dhe e frikësuar.
-E
shoh që duart i ke të zëna, po gjuhën e ke të shpenguar. Bijë e kujt je ti moj
çupëz? Fole një fjalë të dëgjojë zënë beu yt!
- ……….
Në
vënd të saj u përgjegj qehajai:
-Është
jetime, bej, e mbesa nga djali e Nase Çobanit, që e ka shtëpinë në krye të
fshatit.
Rina,
mori enët e ujit dhe me çap të shpejtë ngau për në shtëpi. Beu e ndoqi me sy
dhe pastaj psherëtiu thellë . I hovi kalit dhe i nguli në ije thembrat, sa
gjogu u hodh përpara me revan dhe mori rrugën për në saraje. Qehajai , i
çuditur nga nga teftiku i beut dhe ai vrundull i çartur, sido që ja dinte
huqet, i shkoi pas.
4
Kaluan
dit.Selfo Beun e pushtoi dalldia
tronditëse, më par e panjohur. Ç’ishte kështu?! I përhitej pamja e Rinës që i
mbiu në sy, me atë dukje vajzërore tërë hijeshi e njomështi. Si kishte ngjarë
tjetër herë, kur kishte hasur bukurinë e hanëmeve të fisme, t’i trubullohej
gjykimi asisoj si me këtë vajzë, bijë rajaje, që të dëshironte ta bënte të tijën. Në ditët që erdhën, kaloi
disa herë nga burimi, qëndroi e priti në hije të rrapit, por vajza, zana e
burimit nuk u duk më. Që ta harronte u dha pas gjuetisë, e që të shuante
zjarrminë e brendshme, shkoi në kuplara në Janinë dhe dëfreu me zuska, por më
kot. Qederi që kishte shtënë në bukurinë e asaj vajze, ishte si një ethe që kishte vetëm një shërim: t’a
bënte robinë e ta mbyllte në sarajet e tij. E pse jo? Thirri qehajanë,
Zylyftarin dhe i tha se atë mbesën e çifçiut-raja, Nase Çobanit, e donte për
kopile në saraje. Bashkë me dy trima, të shkonte t’i bënte selam nga beu, dhe
çupën ta sillte në saraje.
-
Bej, po sikur…..- Qehajai deshi të thoshte për kundërshtimin që mund të haste
-
S’ka sikur.Thuaji se ajo vajzë do të jetë me fat e që do të shpëtojë nga
skamja, që do të mbushë barkun me bukë, dhe fatmadhe, që do të rrojë nën hijen
dhe kujdesin e oxhakut tim.More vesh?
-
Pa kasavet, bej, që ç’ke me të, fjala e zotrisë sate s’bëhet dy.Mos kij qeder,
do ta bëj teslim, gjall a vdekur.- Fryu gjoksin qehajai.
-
Gjthnjë budalla mbete more Zylo! E dua të gjallë e jo të vdekur, dhe asnjë fije
floku të mos i preket. More vesh? Dëgjoje
mirë: shiko se mos ai plaku ulok, vë
pallmën dhe me berihain mbledh fshatin. Mbyllja grykën e mos e lerë të bëjë gëk.
-Peqe,
bej.
-Unë
po hidhem gjer në janinë, e më pas në Gjirokastër te bimbashi.Bëni atë që u
thashë.Për të tjerat kujdeset Hajria.
Kaqë
gjë qehajaj e dinte.Sa herë beu bënte ndonjë zullum, ikte nga sarajet dhe
shkonte nëpër miqësi dhe kthehej më pas, kur bëhej mynasip që gjërat ishin harruar.
Dita
ishte ndaj të perënduar kur Nase Çobani dëgjoi që e thërrisnin te porta. Duke u
mbështetur në shkop dhe mure, hoqi me
zor e dhembje këmbët branë dhe sosi në sheshin e shkallës.Pa tre kalorës që u
kishin zbritur kuajve dhe prisnin te porta. I njoju.Ishte qehajai I beut dhe dy
sejmenët e tij.
-Zbret
dot poshtë apo të qepemi ne sipër- tha Zylo qehajai. Kemi ardhur me porosi të
Selfo beut.
-Zylo
effendi, unë s’kam ndonjë punë me beun.
-
S’ke ti, po ja që ka beu, dhe është për hair e të mirë.-Tha Zylo qehajai dhe
bashkë me dy trimat ngjiti shkallët, ku po i priste plaku Nase.
E
përshëndoshën plakun dhe i uruan vaktin, pastaj, nxorën kutitë dhe i dhanë të
dridhte një cigare. Plaku Nase,s’priste gjë të hairit, drodhi cigaren me duart
që i dridheshin, i dha zjarr dhe i pyeti përse ishin munduar në konak të tij.
Qehajai,
bashkë me shtëllungën e tymit të duhanit, nxori fjalën e sikletshme:
-Selfo
Beu, ka shtënë qeder të madh në mbesën tënde Rinën, që e hasi njëditëzaj te
kroi i fshatit e s’i shqitet nga fiqiri dhe na ka dërguar, që t’u bëjmë një
nder shtëpisë suaj, çupa të vijë me ne
në saraje, ku , bashkë me të
tjerat do të bëjë hysmet si kopile.
Nase
Çobanit sa s’i ra pika. Ç’qe kjo gjëmë?!Ai e dinte se ç’ishte një kopile në
sarajet e beut. E mblodhi veten.
-Selfo
Beun e paçim sa malet, allahu i shtoftë ymrin dhe iratet, po jo zullumet. S’ja
duam ato ndere. Le t’i mbajë për vete. S’i rritim vajzat që t’ia çojmë peshqesh
beut si zogun bufit. Vërtet jemi bujq në çifligun e beut, po rrojmë me djersën
e ballit e s’lëmë bir nëne apo bir beu, të na marrë nderin e të na shkelë me
këmbë. Edhe pse fshatarë e vegjëli,për ju, ne e dimë veten të vlyer e të fisëm,
aq sa e pandeh ai veten bej e oxhak.
Prandaj, qehaja efendi, vër majat nga thembrat, dhe shporrmu sysh me
gjithë këta zagarët e tu!
-
Vëri fre gjuhës, gjidi kaur, si guxon të kthesh prapsh një urdhërim të beut
tënd. Foli sat mbese të bëhet hazër e të vijë me ne.
Plaku
bëri kryqin.
-Kur
të vdes unë. E merrni veç kur të shkelni mbi trupin tim!
-Hapu,
more ulok shtrigan.Thirri mëndjes.Një punë që bëhet me hir, pa fjalë e me të
urtë, pse duhet bërë me pahir,- i tha qehajaj e kur pa se plaku s’hapte udhë e
s’hante pyka, i dha një të shtyrë të fortë. Plaku Nase ra mbi parmakun e
drunjtë të ronitur, që u thye nga pesha
dhe u rrëzua nga sheshorja e shkallës së katit të dytë. Kur u përplas mbërdhe,
koka i goditi mbi një gur të kalldrëmit. Gjaku i plasi nga goja dhe dha shpirt.
Qehajai,nuk
deshi të dinte se ç’ndodhi, si të kishte flakur një këlysh qeni! Bashkë me dy
të tjerët, u turr brënda shtëpisë, kontrolloi dhomë më dhomë, deri sa e gjeti
Rinën, që i kishte dëgjuar të gjitha, të trembur e të bërë grusht, të fshehur
prapa derës së odës së gjumit.
-
Mos kundërshto moj çupë, do të vish me ne, daç me hir, daç me pahir, në sarajet
e Selfo Beut.
-Veç
e vdekur dal nga kjo shtëpi e vij me ju! U turr mbi ta dhe duke sokëllirë, u
mbrojt me thonj e dhëmbë.
Ata
e mbërthyen këmbë e duar,e teksa ajo përpëlitej, gulçonte dhe bërtiste për
ndihmë, ja mbyllën gojën me një shuk bezeje dhe i hodhën mbi kokë një thes të
zi, pastaj njeri nga sejmenët e mori hopa para duarve, dolën në oborr, e hipën
në vithe të kalit dhe trokuan për në saraje.
5
Ku
ishte? As në tokë as në qiell! Havadan, si e papeshë, e tymtë.
Ç’kohë
ishte? As ditë as natë! Nën mbulesën e zezë vënë në kokë, koha kishte ngrirë. Sa kishte që e kishin mbyllur
aty? Përse, përse vallë? Kujt i kishte bërë keq? Askujt! Trupi i dhembte.Duart
dhe këmbët e lidhura i ishin mpirë. Mezi merrte frymë, ajri ishte i rëndë e i
lagësht, binte era myk e kalbësirë.Dëgjoi hapa, pastaj çelsin që u rrotullua në
bravë, gjurmët u afruan dhe dikush u ndal para saj dhe I hoqi thesin nga koka.
Ajo që pa ishte e zezë si nata, në fytyrën e rreshkur vetëm dhëmbët ishin të
bardhë. Hajrie Arapja i zgjidhi duart
dhe këmbët.
-Ububu,
moj pëllumbeshë, ç’të paskan bërë xhahilët! Po e mori vesh Selfo beu, ka për
t’i futur në dhe të gjallë . Tashti mos kij kasavet, do të bëj vetë hysmet, si
të ishe çupa ime. Mos qaj se të prishet drita e syve, beu të do të jesh e
bukur. As mos u frikëso, se do jesh si zonjë e madhe. Hajde me mua.
Rina
që të shpëtonte nga ai burg i qelbur, e ndoqi pas. Koridori ishte I mndriçuar
dhe i shtruar me qilima të trashë që të fundosej këmba në ‘ta. Rinës , pas
errësirës së bodrumit, s’po i msoheshin sytë me dritën. Arapja e çoi në një odë
dhe thirri me emër një për një vajzat që shërbenin si kopile në saraj.
-Kjo
është Rina, e zgjedhura e beut, që vjen nga Gurrasi e që do të jetë shoqe e
juaja. Bëni hazër hamamin, lajeni, ndrrojeni dhe visheni me të reja.
Ato,
që mbetën pa fjalë nga bukuria e saj,duke e ditur se ç’e priste shoqen e re, e
panë me keqardhje dhe pa fjalë, bënë ashtu siç i urdhëroi Hajrie Arapja që s’
duronte t’ia bënin fjalën dy.
Të
larë e të veshur me të reja, Hajrie Arapes i mbetën sytë te bukuria e çupës dhe
i dha hakë beut, që e kishte zënë
dalldia pas saj. E çoi në një odë të vogël e të pastër, në kat të dytë, me
dritare me xhama me ngjyra, shtrat të pajisur me shtresa e mbulesa, me një
sepet që kishte mbi vete varricën e shtresave, qilima e velenxa e një divan me
jastëkë të qëndisur. “Ky është kafazi yt,moj pëllumbeshë”,tha Hajria, skilja
plakë, që u rehatua në divan dhe u mundua ta merrte me të mirë. Beu e kishte
porositur që ta zbuste gjeraqinën e ta kthente në pëllumbeshë, që të mos
klithte por të gugiste! I tha se kjo do të ishte oda e saj. Ushqimin do t’ia
sillnin atje. Mund të lëvizte brenda sarajit, por ta mblidhte mendjen, të mos
guxonte të dilte, e t’i shkonte mendja që të ikte. Në oborr dhe te porta kishte
ditë – natë roje. Pastaj, ku mund të shkonte? Kudo do ta gjenin.Punë në saraj,
nuk do të bënte, deri sa të vinte beu e ti jepte karar se ç’do të bënte me
çupën. Fati i kishte ardhur te dera dhe ajo s’duhet t’i binte me shkelm. Që të
mos mërzitej, le të shkonte te akçesha, Havaja e po të donte, le t’i jepte një
dorë në gatimet. Sido qoftë, një herë për një herë, odën po e mbyll dhe kyçin
po e marr me vete. E mbylli robinën brenda dhe iku.
6
Kafazi
i pëllumbeshës.Burgu i Rinës. Po bëheshin dit e mbyllur, brenda katër mureve.
As hëngri as piu, veç derdhte lot, rënkonte e psherëtinte. E përhumbur, mendje
çartur, trup mpirë, me mizërinë e mendimeve të kobshme, që i përsilleshin për
veten e saj, për zezonën që kish përfunduar në robinë , për të mirin e të
dashurin gjysh Nasen e vdekur, qe e dha jetën për të , që e varrosi fshati dhe
ajo ditshuara s’u ndodh aty që ta qante mbi krye me ligje, për të vëllanë
Janon, të mbetur udhëve ,që e kish pirë atë kupë helmi, për shtëpinë e
sterrosur të mbetur shkretë……
Medet,
medet, për të keqen që e gjeti. E mblodhi mendjen.Duhet të ishte e fortë.Ti
delte zot vetes, të mos dorëzohej, të merrte hakën për gjysh Nasen, por edhe
për poshtërimin që asaj vetë po i bëhej,për vajzërinë e humbur e të përdhosur
me turp. Jo. Vërtet jeta një herë na jepet, por kujt i duhet jeta në robëri, e
përdhosur dhe e nëpërkëmbur. Më mirë e vdekur e me nder se e gjallë e me
turp.Kështu thoshte babazoti Nase. Vdekja një ditë do të vinte. Kjo ditë për të
kishte ardhur. Filloi të merrte ushqimin, i shterri lotët. Duhet ta
mblidhte veten, t’i kthehej forca bashkë
me guximin. Hajrie Arapja, kur e pa të qetësuar, ja hapi derën. Rina shkoi në
odën e kopileve dhe te akçesha Havaja, grua e dashur dhe e dhembsur, që i
rrëfeu se ç’kishte ngjarë në fshat.Janua kishte ardhur me karvanet nga
Janina.Ishte betuar mbi varrin e Babazotit se do të merrte hakë, kishte
ngjeshur koburet në brez, pushkën në krah, gunën e zezë mbi supe dhe kishte
dalë firar në mal, atje ku s’e arrinin koshadhet e turkut dhe sejmenët e beut.
Rinës
i mbetën sytë te një thikë që i ndriste tehu i mprehtë. Ruajti rastin kur
Havaja po gjendej me punët e saj dhe e fshehu thikën posht mëngës së fustanit.
Një
pasdite, erdhi nga Gjirokastra, njeri prej sejmenëve të beut. Takoi Hajrie
Arapen. Çfarë i tha? Askush se mori vesh.
Ndaj
mbrëmanet, Hajrie Arapja, e zezë si nata, e rrudhur si kumbull oshafe, çatisi
në odën e Rinës.
-Jak
me mua moj pëllumbeshë, se të pret një gëzim i madh.
Rina
e ndoqi pas. Hynë në hamam.Nga kazani i madh i bakërt uji i ngrohtë lëshonte
shtëllunga avulli. Flaka e qirinjve bënte dritë të nugët.Në një sergjen ishin
vendosur peshqirë dhe ndrresa, këmishë dhe fustane mëndafshi ngjyrë trëndafili
dhe të kaltra si qielli, jelek qëndisur me ibërshim e kllapodan. Hajrie Arapja
e xhveshi Rinën cullak siç e kishte lindur e ëma, pastaj i tha të ulej në një
skami të drunjtë. Ajo e zilepsi kurmin e hajthëm vajzëror dhe tha me vete:
“gjynah që se kishte bërë zoti burrë.Lum beu që ju bë peshqesh”. Me një
sapllake argjëndi mori ujë të ngrohtë dhe i lagu flokët e gjithë trupin. Me
sapun myshku, i shkumoi dhe i lau flokët, shkumoi shparcën dhe ngadalë e me
kujdes i fërkoi tërë trupin, shpatullat, sqetullat, gjokset e bukur si mollë
dhe nënbarkun, atë vendin e lakmuar nga burrat, ku kishte buisur një push i
butë. Hajries I punonin duart dhe gjuha.I tha që ajo ishte e bukur, dhe e
freskët si trëndafil me vesë, por do ta
bënte edhe më të bukur, si hyri. Që beut, ti ikte mëndja dhe ta dëshironte si i marrë. Se vajza ishte
me fat, e pëlqyera e beut dhe ai, po të gjente te ajo ato hire që ai i
lakmonte, edhe mund ta merrte për grua, dhe ajo do të bëhej zonjë e madhe,
ashtu siç u bë Vasiliqia e Ali Pashait…..Fjalët e Arapes, i hynë Rinës në
rrëmbat e gjakut si helm , ia mpinë trup e mendje dhe ju duk se brenda saj
diçka iu thye dhe vdiq.
Hajrie
Arapja e veshi me të mëndafshta,me këmishë byrynxhyk mëngë gjerë, me jelek
kadife allë qëndisur me kllapodan, ja ermiroi flokët dhe gushën me gjyl
trëndafili, faqet dhe buzët me të kuq e me të bardhë, e stolisi me vathë dhe unaza të arta dhe e
çoi në odën e saj. Vuri duart në mes dhe nisi të sodiste nusen e stolisur; më e
bukur s’kishte si bëhej. Ja pati zili beyt.
-Hiqe
nga çereja atë zymti që ta ngrys e mjegullon bukurinë, pak buzëqeshje dhe
dritësim i syve do ta shtonte hijeshinë.Dëgjomë mua se s’të del keq.- I tha aty
të priste se nuk do të mënonte ta
shpinte në gjerdek dhe doli.
Rina
mori posht jastëkut thikën teh e majë mprehtë dhe e fshehu nën jelek. Zemra
nisi t’i rrihte fort. U pa në pasqyrë. Jo, ajo që e shihte nga xhami i pasqyrës
nuk ishte Rina, por një tjetër, e mjerë në shkëlqimin e saj nuseror, e bërë
gati për t’u flijuar e për të vdekur.
7
Selfo
beu, me shpurën e kalorësve-sejmenë, me trokëllimën e patkonjve dhe hingëllimën
e kuajve, sosi në saraje buzë mbrëmjes, kur dielli sapo ishte ulur prapa malit.
Sarajet u ndriçuan nga llambadhet e u bënë dritë. Për të hequr pluhurin e udhës
dhe erën e djersës së kalit ai bëri një banjë të ngrohtë.
Hajrie
Arapja, i bëri me dije se Rina gjerqina
ishte zbutur si një pëllumbeshë. Hajria i kishte dhënë nasihate si të sillej. Nisur e zbukuruar si një hanëme , e ëmbël si llokume, stolisur
si nuse , e priste beun në gjerdek.
Selfo
beu nuk u ngut. Piu një kafe shqeto dhe rrëkëlleu një kupë me raki të fortë
rrushi që të merrte zemër për atë që do të ndodhte në gjerdek, pastaj i
përcjellë nga Arapja, me një bismilah dhe allarazosën , hyri në gjerdek.
Vajza
rrinte në këmbë në mes të odës.Ajo nuk ktheu kryet të shihte kush hyri. Beu e
zuri nga dora.Dora ishte e ftohtë dhe qëndroi në të tijën si dorë të vdekuri. E
rrotulloi dhe e ktheu drejt vetes, e pa në sy, por ajo i kishte ulur sytë
poshtë.
-Pse
je e ftohtë akull? Pse dridhesh? Ngase tromaksesh?Asgjë e keqe s’ka për të të
gjetur.Mos kij gjyç Unë për ty , që të
të bëj të lumtur, do të zbres yjet nga
qielli dhe atë shtrat do ta kthej në xhenet. O hyri, o pëllumbeshë, ku ishe fshehur
që ishe ruajtur për mua, që kur të pashë u magjepsa, bëre të më zerë kjo
dalldi, kjo sevda që ma ndezi gjakun flakë, e që është më e rëndë nga belaja!
Folë një fjalë,të më gëzosh xhanë, hapi sytë e zez, të na sjellç beharë!
Rinës
fjalët i vinin si jehonë e largët, të shurdhëra e të kobshme, mëndja e saj e
mpirë s’arrinte t’i shkoqiste. Ajo hapi sytë dhe e pa si viktima xhelatin:
shtatmadh, me tipare të hijshme, vetulla
kaleshe me ca sy të ndezur nga dëshira e epshit, fytyra e hequr, në ngërçin e
padurimit, mustaqe majëspërdredhura , qafa e fuqishme dhe gjoksi i gjerë
leshtor, që i ulej e ngrihej nga dihatja e shpejtuar. Më në fund ajo foli:
-Bej,
je zot i këtij vendi dhe bën ç’të duash me ne që jemi çifçinj .të irateve të tu. Më vrave gjyshin, detyrove tim vëlla
të dalë maleve jesir, ma shkretove shtëpinë, më rrëmbeve e bëre robinë, dhe
tani që jam pa mbrojtje,do që të më marrish nderin mua.Të ishte në dorën time,
veç e vdekur shtrihesha në këtë jatak. Po dije: ka një zot që i sheh të gjitha,
dhe t’i ke për ta paguar!
Selfo
beu, durimhumbur, hapi kurtinat e shtratit, pastaj nisi ta zhvishte, i hoqi
vellon e shallin, i zbërtheu jelekun, i hoqi këmishën , të mëndafshtat dhe në
fund ajo mbeti lakuriq, e bardhë dhe me forma të përsosura si statujë e
mermertë. Ajo nuk kundërshtoi, por u rrek të mbulonte me duar lakuriqësinë e
gjinjve dhe nenbarkut.
E
rrënbeu para duarve, si ujku shqerrën dhe e uli butë mbi shtresa. Rina u mbulua
me çarçaf. Beu u zhvesh edhe vetë, qëndroi vetëm me të linjtat, pastaj, si i
hoqi çarçafin, i dehur dhe trallisur nga amza e kurmit të saj dhe me sy të
lbyrur nga bardhësia e gjokseve të virgjër, që s’i kishte prekull mashkull
tjetër. I pushtuar nga epshi dhe ekstaza, u shtri bri saj dhe nisi ta
puthte si i marrë në sytë e bukur si të
sorkadhes, në faqet si pjeshkë, në gushën e butë si të pëllumbeshës, në buzët
si gonxhe trëndafili në lulëzim, gjokset
e vegjël si mollë dhe cipën e barkut me butësi mëndafshi. Kur ai nisi të
gulçonte dhe mbylli sytë nga kënaqësia për këtë dhuratë që i kishte bërë fati,
Rina futi dorën posht nënkresës dhe shtrëngoi fort dorezën e thikës. Rrotulloi
trupin me shpejtësi dhe i nguli majën e mprehtë të thikës në fyt. I mëshoi fort
me gjithë fuqinë dorezës, nga fyti I beut shpërtheu gjaku me gulçe dhe një oh e
dhimbshme. Duarlyer me gjak, e verbuar nga urrejtja dhe hakmarrja, vajza e goditi
me urrejtje trupin që përpëlitej edhe disa herë duke belbëzuar: këtë për gjysh
Nasen, këtë për vëlla Janon, këtë për mua jetimen…..Beu dha shpirt i mbytur në
gjakun e tij. Ja që kishte zot!
Rina,
u vesh shpejt e shpejt, që të mos e arrinin njerëzit e sarajit, dhe pa mëdyshje
iu afrua dritares. E hapi kanat më kanat.Do të shkonte te prindërit, te gjyshi.
Ata e prisnin. Do t’u thoshte se s’i kishte turpëruar. Përjashta nata e mugët e
larë me dritë hëne dhe pikëzuar nga yjet, dukej se e thërriste në përjetësi.
Hipi mbi parmak, mbylli sytë, i dha trupit vrull dhe mori fluturim.
Maj-qershor 2020