Kulturë
Sinan Gashi: Etyde për F.A.
E shtune, 27.06.2020, 10:25 AM
ETYDE PËR F. A.
-tregim-
Nga
Sinan Gashi
Ai
u ngrit si përmendore mes tërë asaj mase të strukur njerëzish, të ulur dhunisht
nga diktati i sunduesit.
Treni
që hungëronte pranë si një gjarpër i dëmtuar nga koka, sikur hezitonte tërë atë
pamje rrëqethëse. Ofshamat e shumta krijonin një zukamë që të ngjizte mishtë.
Ai
qëndroi pip më këmbë, edhe pse e shoqja që i qëndronte fare pranë, e tërhiqte
për dore sikur ndonjë fëmijë kryeneç që, me çdo kusht, do ta kapërcejë rrugën,
duke rrezikuar veten. Unë jam ai, - tha me të madhe, sa kriminelet me veshje
ushtarake që iu kishin vërsulur katër të rinjve, duke i kërcënuar mes masës, sa
për t’ua shtirë mnerën, aq edhe për të nxjerrë të dhëna për disa personalitete.
Ata janë të rinj dhe nuk dinë asgjë për ato që pyesni, e përmbylli. Ç’bënë, o
zot?, - belbëzoi e shoqja me shqetësimin e thellë, që i vizatohej në fushën e
ballit fshehur pas blejve të flokut të dalë pa leje nga radha. Po, ata të
vrasin, o i nderuar, të asgjësojnë, kupton! - sikur fliste me vete, nga se e
dinte se ai kur merrte një vendim, nuk e kthente më prapa edhe sikur toka të
rrotullohej. Ashtu ishte sot e shtatëdhjetë vjet që e kishte njohur e mësuar nga
e vjehrra për karakterin e tij.
Të
rinjtë e zverdhur, të zënë ngushtë nga pyetjet, që nuk duhej dhënë përgjigje,
se konsideroheshin tradhti ndaj ideologëve të tyre aktivistë, sot e dhjetë vjet
të shkuara, shikonin sho-shokun me sy të zgurdulluar, sikur kërkonin
harmonizimin e mendimeve mes vete. Madje edhe në ato çaste kur i larguan nga
banesat e tyre këta studentë, së bashku me shumë familjarë, që në platenë e
stacionit të trenit dukeshin det i paanë njerëzish, kishin kornizuar këtë
mendim të sakrificës me vetëdije, se kontrollet e milicisë e paramilitarëve
ishin të pamundshme dhe se të rinjtë, e në veçanti studentët, ishin halë në sy
për ta. Na duhet të jemi si trup i vetëm, - tha ai zgjatani me një mjekër të
rrallë në të dalë, kurse shkurtalaqi, që mezi tërhiqte një valixhe me rrotëza,
me zor nxori gazin e zbehtë, “Pa u provua nuk dihet trimi!”
Studentët
tanë nuk përzihen në politikë, tha F. A. duke ecur me hap të rënduar nga mosha
kah sykuqët.
Këtyre
çasteve çuditërisht të pamenduara, dhe kjo skenë mahniti të gjithë, sa hutoi
edhe paramilitarët, të cilën pas mundjes së habisë, u nisën në drejtim të
trupit të vogël e pak të kërrusur të F. A. –s. Në çast ata harruan studentët që
prisnin në këmbë, masën e madhe që strukavej pranë trenit që turfullonte dhimbshëm,
si shpirtrat e këtyre qenieve të pambrojtura. Një fitil gëzimi i përshkoj që të
shtatët, që nuk mund të fshihej në fytyrat e parruara dhe ngërdheshjen sadiste.
Kishte kohë që kishin menduar si t’i zënë e t’i masakrojnë ata që e nisën këtë
lojë, ata që kundërshtojnë këtë shtet autoritativ që kishte bërë shumë për ta.
Do kënaqim veten dhe do dekorohemi nga eprorët tanë, mendonin të gjithë sykuqët
njësoj. Gjarprit kokën duhet ndrydhur, iu kujtua kjo sentencë shqiptare një të
rekrutuarit nga këto anë.
Ecë
pas meje!, - tha ai që mbahej si komandues, ndërsa të tjerët ecnin për anësh e
prapa, për siguri. Kahja e tyre çonte në kundërshti me nismën e trenit, kurse
habia mbytëse, që zhduku të gjitha brengat personale të udhëtarëve, kishte
krijuar nja heshtim mortal te të gjithë. Madje edhe fëmijët e strukur nën
sqetullat e më të mëdhenjve, kishin zbuluar shikimin për të parë këtë skenë
makabre e trimërore njëkohësisht.
Vetëm
kështu duhet të veproja, meditoi F. A. deri sa ecte rëndë mes frymëmarrjeve
kërrhatëse të përcjellësve, që si duket e kishin nga pija e shumtë. Gjithçka e
parashikueshme duhej të ishte. Nuk ishte nismë e lehtë kjo, e kemi thënë shpesh
edhe mes shokësh, në mbledhje apo ndeja, që kishin marrë karakter diskutimesh
vetëm politike. Madje gruaja njëherë më pat qortuar se si nuk pushoj pak trurin
me diçka tjetër, pos me këto rrjedha politike. Eh, si është jeta?! Përcaktimet
e forta e madhështojnë atë, sa të bëjnë edhe qesharak e gati të marrë. Iu
kujtua pastaj kur kishte ardhur në shtëpi për vizitë një shoqe pune e gruas, e
ky, në vend që ta pyeste për fëmijët, burrin, vajtjen në punë, i tha se si po
shkojnë punët me partinë, a po ndalohi nga milicia rrugës. Ajo pastaj kishte
shikuar paksa e habitur, deri sa kishte ndërhyrë e shoqja me fjalëgaz, se duhej
lënë herë pas herë këto ngarkesa, or burrë. U pat krijuar një atmosferë mjaft e
këndshme, sa jo vetëm që u bë qeshje e gjatë, por u përhap edhe si anekdotë në
kuluaret e qytetit... Këta studentë duhej të shpëtonin patjetër, mendoi
bindshëm. Unë tashti kam dhënë aq sa kam mundur e ditur. Ky rast kaq tragjik
mendoj se është fundi i të këqijave të këtij populli të pambrojtur. Mjafton ta
dijë bota dhe të bindet përgjithmonë se cili është dhunuesi i shekujve në
historinë e njerëzimit. Maskat e propagandave po bijën përgjithmonë. E, në këso
kthesash të mëdha, patjetër duhet sakrifica…
Më
shpejt, or mbrapshtak, ec! Urdhri u përcoll me të qeshura skizofrene. Njëri
edhe ia nisi një këngë ku lartësohej shteti i tij, që ishte i madh e dikush
paska pas thënë se është i vogël. Ai shtet dhe ai popull madje konsiderohej më
i forti në rajon dhe më gjerë! Edhe armatimin e konfiskuar edhe nga republikat
e tjera e kishin krenuar për të pathyeshëm, që nuk ka shtet që i del përpara.
Tashti do ta pastrojmë tërë këtë tokë shenjte për ne, djepin tonë, dhe do ta
popullojmë me banorë të farës sonë nga trevat e tjera. Pasuri nëntokësore të
shumta do të kemi këtu, hambarin e drithit e kemi në veri, e na të mesit do
bëjmë pallën e sefasë. Zoti është me ne, kishte kënaq veten me gjysmë fjalë e
gjysmë mendime, deri sa ecte gëzueshëm pas trupit të pakt të F. A.
Liderët
duhet të sakrifikojnë të parët, iu kishte kujtuar ky mendim nga një ndej në një
odë fshati, kur kishin nisë bisedat për forma të armatosura të kundërvënies. Ai
lider që iu prinë të tjerëve nuk i lejohet të fshihej pas tjetrit, për ndryshe
nuk e meriton atë epitet… Unë kësaj toke tashti fare pak i duhem, tashti... U
krijua vetëdija, u kurorëzua mundi ynë. Kthimi prapa, në të kaluarën, është i
pamundshëm. Kjo më trimëron dhe më gëzon për të ardhmen e vendit tonë. Të
tjerat vijnë radhazi, sipas një dinamike të natyrshmërisë së duhur. Do dalin në
sheh të gjitha të larat e të palarat e njerëzimit, të këtyre të huajve e të
tanëve, nëse kanë vepruar nën rrogoz kundër së drejtës, në kundërshti me
qëndrimet e përbashkëta. Historia moderne nuk ka kohë të presë me dekada për ta
kuptuar një të vërtetë apo një tradhti. Ajo ka dinamikën si gjithçka tashti:
aty ndodhë, pas dy - tri dite ngre kokë e vërteta që largon hijesimin e
fakteve. Atëherë të gjithë do jenë të qetë e e shëmtuara do ulë kokën përdhe.
Këtu edhe nis e mira e këtij populli dhe e mbarë njerëzimit…
Nga
larg u dëgjua fishkëllima e trenit që u
kthye mbrapsht nga kishte ardhur me pasagjerët më të çuditshëm që kishte bartë
ndonjëherë. Shpirtra të thyer, sy të përlotur, zemra të shtrydhura ishin
palosur si tallë e zhvoshkur stivë-stivë, si mall nëpër kupetë e korridoret e
vagonëve të vjetër, madje edhe asish për ngarkimin e kafshëve. Ata ecnin
sërish, që F. A. iu mërzit. E parandiente fatin e vet të lig, andaj dëshironte
që sa më shpejt ta përfundonte. Ashtu edhe u tha. Për ku me shpini?, tha
prerazi si kurrë ndonjëherë më rreptë. Madje kështu nuk e kishte zakon të
thërriste as kur ishte në qejfin më të madh a në nervozen më të theksuar. Nuk e
dinte as ai se nga i erdhi ajo forcë e çastit. Ata i hutoi ai zë i fortë nga
një plakush, dhe, pasi u shikuan sy më sy, ngritën armët në gjendje
gatishmërie. Mosni, tha kryesori, duhet ta shpijmë të gjallë. Ç’të gjallë,
more, - thirri njëri që kishte një vizhgë anë e kënd faqes së djathtë. Ky duhet
të përfundoj sa më parë. Idioti. Edhe çirret, sikur të ishim ne nën komandën e
tij.
Një
krismë rafali e gjatë shurdhoi shkurret rrëzë një bregu nga një i tretë
heshtak, që vazhdimisht e shikonte kokën zbardhoshe të F. A. -s , duke mos mund
ta frenojë urrejtjen.
Një
trup i shtrirë, më sy hapur kah qielli dhe duar sikur përqafonte dikë, ishte
gjetur pas tri ditësh, pranë disa shkurreve, diku larg nga qyteti, larg
shikimit të gjallërisë.