E diele, 13.10.2024, 12:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Shuhet Besim Zekthi, shpirti i “Valles së shqipes” nis fluturimin e përjetësisë

E hene, 29.06.2020, 08:20 AM


Shuhet Besim Zekthi, shpirti i “Valles së shqipes” nis fluturimin e përjetësisë

Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare, Besim Zekthi, mjeshtri i valles popullore mbarëshqiptare si dhe i vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Lajmi është bërë i ditur nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ku mjeshtri Zekthi humbi betejën me një sëmundje të rëndë, në shtëpinë e tij në Tiranë, pasditen e sotme, 28 qershor 2020.

“Talenti i rrallë dhe mjeshtëria jote virtuoze interpretuese kanë qenë dhe mbeten jo vetëm shfaqje artistike të jashtëzakonshme, por edhe burim i pashtershëm frymëzimi për brezat e rinj të artistëve dhe valltarëve shqiptarë, dhe jo vetëm” ka qenë ky motivacioni, i dekoratës së lartë, “Nderi i Kombit”, me të cilin e ka nderuar vlerat dhe kontributin e tij, Presidenti i Republikës, Ilir Meta me rastin e 60-Vjetorit, Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.”

Nga Azia në Afrikë e në Evropë. Në Egjiptin e lashtë të piramidave deri në Kartagjenë, Algjeri  e Marok, nga Kina në Kore, Vietnam e Kamboxhia, Francë e Itali, Danimarkë e Norvegji, Suedi e Finlandë, nuk ishte vetëm harta e turneve të Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, por edhe e përfaqësimeve triumfuese të Besim Zekthit me vallen shqipe. Emri dhe vepra e tij interpretuese e shpirtit dhe energjisë ishte vërtetë një larmi shtetesh dhe skenash, ku trupa shqiptare ku ai kishte një rol të rëndësishëm është ngjitur me duartrokitje dhe ka zbritur me trofe, nderime dhe vlerësime maksimale. Kudo ai ka marrë vlerësime dhe është pritur me ovacione të publikut, i cili e ka mirëpritur vallen shqipe, lojën mahnitëse dhe larminë e gjallë të kulturës popullore shqiptare.

Jeta e tij në skenë ishte e gjatë, vitet dhe mosha, sëmundja dhe pleqëria bënë që ai të jetonte me kujtime, të frymëzonte me shembullin e tij brezat e kërcimtarëve, atyre që kanë përgjegjësinë e ruajtjes dhe përfaqësimit të valles shqipe.

Besim Zekthi u shua për të mbetur në adhurimin e të gjithëve një shqipe që vallëzon, një shqipe që fluturon e lirë, një shqipe që ndez skena dhe zemra. Ai nuk është më mes nesh, por vepra e tij krijuese dhe interpretuese, është dhe do të mbetet një faqe lavdie e traditës së valles popullore.

Përshpirtje dhe nderime, Besim Zekthi!

Pushofsh në paqe!

E gjatë qoftë rruga jote e përjetësisë!

Për “Zani i Malsisë”, Albert Vataj

___________

Albert Vataj: Intervistë Ekskluzive me legjendën e valles popullore Besim Zekthi - Zemra Shqiptare, 01.12.2007

Besim Zekthi: “Shqipja më dha krahë”

Folku shqiptar dhe etnosi, një ndër traditat më të papërsëritshme në historinë e përfaqësimit të identitetit tonë kombëtar në botë, një nga resurset më të pasura të visarit tonë shpirtëror, nuk mund të kuptohet pa vallën popullore dhe vetë ajo në gjënezën e saj, deri sot, nuk mund të identifikohet më kurrëçka tjetër, vetëm me “Vallja e shqipes”, apo  “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Ndërsa shoqëritë zhvillohen dhe ne përpiqemi të jemi në një hap me ta dhe modernizimin që pa asnjë mëdyshje, ka prekur dhe përfaqësohet dhe nga ndryshimet në art, folku në tërësi dhe vallja popullore në veçanti, dëshmojnë se janë maja të dimensionit tonë artistik dhe shpirtëror. Dhe vallja popullore në ecurinë e saj, në mëvetësimin e saj, si traditë dhe vlerë kombëtare shqiptare, nuk mund të kuptohet pa përfaqësuesin e saj më të spikatur, Besim Zekthi. Artikulimet për Zekthin janë të shumta, veç morisë së çmimeve, titujve dhe ndërimeve, që kanë ndjekur për katër dekada. Ndonëse në kufinjtë e 71 viteve jetë, ai është ende ai burrë shtatlartë, i hijshëm e plot rrezatim jete dhe shprehije emotive. Tek ai arti në tërësi dhe vallja në veçanti, kanë skalitur tiparet e një personazhi që rrezaton. Gjithçka tek ai është përplot, megjithëse në rrëfenjën për jetën dhe veprimtarinë e tij në art, nuk ka gjasa të japë dorëheqje. Madje ai nuk nguroi të  nxirrte dhe një sekret profesional. Bëhet fjalë në lidhje me ambicjet e tij artistike, një aktivitet që do të bëjë në vitin 2008, ku kryesisht do të dominojnë krijimtaritë e tija koreografike, natyrisht pa lënë jashtë skenës vallet që bënë epokë, ekzekutimi i të cilave i dha atij nderime dhe vlerësime në të gjithë botën. Ai nuk hezitoi të na bënte me dije dhe për pagëzimin që i ka vënë paraprakisht këtij promocioni folk, “Shqipja më dha krahë”. Nuk e e fsheh, se kanë qënë “Vallja e shqipes”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, etj, të cilat e kanë bërë atë kaq të famshëm, kaq popullor dhe identitetin tonë kulturor një trofe në skenat prestigjozë të folkut. Ndjenjat e kombit tonë janë jashtëzakonisht të prekshme. Për shembull, vallja “Kreshnikët e lirisë”, siç i thotë populli “Vallja e shqipeve”, që është e filmuar në Krujë, këto karaktere vallesh, qofshin këto të Jugut, Shqipërisë së Mesme, apo Veriut kanë domethënien e tyre, kanë fjalën e tyre, kanë shprehinë e tyre. Me të vërtetë është pa gojë, por shpirti, interpretimi, sytë komunikojnë aq bukur me popullin saqë duket sikur çdo gjë cicëron, çdo gjë flet, kështu janë vallet dhe ai interpretim që i kemi bërë ne kësaj kulture kombëtare. Kam bindjen se uji do të shkojë në rrjedhën e vetë, atje ku duhet të shkojë. Çdo gjë mund të harrohet, kultura e kombit nuk mund të harrohet. Nuk mund të ketë komb pa një kulturë të traditës, të lashtësisë, të jetës, aty ku ka lindur ai komb dhe aty ku ka pasqyruar jetën, historinë, punën, vajin, gëzimin, vallen, këngën, instrumentin, kostumin popullor, të gjitha këto janë shkrirë në historinë e kombit tonë. Janë monumentet e kulturës, ajo s’diskutohet, por monumente më të gjalla se sa mund të jenë vallet dhe këngët e historisë së kombit tonë nuk ka.

Ku dhe si janë të vendosura zanafilat e para të ngjizjes suaj për nga ai talent i padiskutueshëm dhe ajo famë që mban të mbështjellë si në një brerorë shëndritëse Besim Zekthin?

Fillimet e mija janë të vendosura në fëmijërinë time, në lëvizjet e atëhershme, në aksivitetet e shtëpive të pionierit, siç quheshin asokohe. Më 1952 prezantohem në Filarmoninë e Shtetit, ku bënin pjesë pothuaj të gjithë hallkat e veprimtarisë kulturore artistike të kohës. Të gjithë jepnin shfaqje në Teatrin Popullor, ku drejtor ishte Kol Jakova. Më 1957 u ndje nevoja e ndarjes së institucioneve, Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri Kombëtar. Po në këtë vit u krijua Ansambli ii Këngëve dhe Valleve Popullore, të cilin e drejtonte “Artisti i Popullit”, Çesk Zadeja.

Çfarë do ta konsideronit si të rëndësishme, për atë periudhë, ndërsa domosdo duhej që duke ruajtur dhe pasuruar traditën, të mbartte me vete kjo dhe profesionalizmin?

Prezenca e disa profesorëve rus ka qenë shumë e frutshme dhe ndikoi në rritjen profesionale dhe forcimin e tabanit popullor. Mund të nominoj për kontributin e dhënë, profesor Georgi Perkun, Boris Ramazin. Kjo ndihmesë e profesorëve rusë, në bashkëpunim me koreografin Gëzim Kaceli, Panajot Kanaçi, kanë ndikuar në zhvillimin, jo vetëm profesional por dhe shpirtëror të valles popullore shqiptare. Atë kohë u krijuan disa punë më vlerë dhe që do të mbetnin të pavdekshme në memorien artiskike të shqiptarëve, si “Vallja e shqipeve”, “Komitët e lirisë”, të Engjëll Tërshanës.

Tashmë ju do të hidhni hapin më të rëndësishëm të personalitetit tuaj artistik dhe konkretisht ju do të kishit dhe punët tuaja në vallen popullore shqiptare?

Po. Krijimtaria ime, e cila është produkt i një eksperience të çmuar dhe të vlerësuar. Do të ishin “Motivet e Librazhdit”. Në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mora përsipër një përgjegjësi të guximshme, të përpunoj vallën kosovare. Përpunimi im koreografik do të mbante vulën në vallen “Dasma e Rugovës”, e cila i kushtohej kryengritjes së famshme të Rugovës.

Kontributi në vallen shqiptare dhe vlerësimi, natyrisht që nuk ka munguar edhe në skenat botërore. Madje në kujtesën e viteve ngelet e pashlyer triumfi i traditës artistike të tabanit popullor shqiptar në këto skena. Çfarë do të risillnit në retrospektivë?

Krahas një trajtimi profesional dhe një vlerësimi që i bëhej kulturës popullore në përgjithësi dhe valles popullore në veçanti, natyrshëm që frytet e punës, përpjekjeve dhe triumfit të shpirtit artistik do ti vilnim kudo ku Ansambli i Këngëve dhe Vallëve Popullore do të ngjitej në skenë. Por kulmin përfaqësimi kulturës tradicionale shqiptare e pati në Dizhin të Francës, në vitin 1970, ku u vlerësuam me Gjerdanin e Artë. Ai ishte arritja më e madhe e asaj kohe për artin dhe kulturën shqiptare në skenat prestigjoze botërore. Të mos harrojmë se ishim në Francë, në vendin e kulturës, sikurëse nuk duhet mënjanuar dhe sfidat e përfaqësuesve të vendeve të tjera që morën pjesë në këtë aktivitet.

Në këtë larushi aktivitetesh dhe pjesëmarrjesh, a do të kishit ndonjë eksperiencë, e cila ka lënë gjurmë në përvojën tuaj si e mrekullueshme dhe e paharrueshme?

Ishte viti 1971, pra një vit pas famës së Dizhonit, në Ohër të Maqedonisë. Atë vit organizohej Festivali i Ohrit. Ishte kontakti i parë i kulturës shqiptare me atë të trojeve etnike. Në Ohër deri në atë vit nuk mbahej mend një pjesëmarrje dhe një popullaritet kaq i madh. Ishin aty që nga Shkupi, Kërçova, Dibra e Madhe, Struga, Manastiri, etj. Kudo përballeshe me bashkëatdhetarë, me mallin që shpërthente me lotë dhe dashurinë që nuk mund të ndeshej askund tjetër me aq zjarr. Përfaqësues të kulturave dhe traditave të gadishullit ballkanik vlerësuan maksimalisht performancën dhe përmbajtjen, shpirtin dhe sharmin e artit shqiptar. Ata pranuan hapur dhe publikisht, se kultura dhe tradita artistike e popullit shqiptar është maja e kulturës së Ballkanit.

Megjithëse vend i izoluar, kultura ka mundur t’i thyej hekurat e rrethimit të diktaturës dhe të përfaqësojë shpirtin dhe temperamentin e këtij populli nëpër botë. Madje Ansambli i Këngëve dhe Vallëve Popullore ka një hartë të pasur të gjeografisë artistike, a mund të na rifreskoni kujtesën?

Nga Azia në Afrikë e në Evropë. Në Egjyptin e lashtë të piramidave deri në Kartagjenë, Algjeri  e Marok, nga Kina në Kore, Vietnam e Kamboxhia, Francë e Itali, Danimarkë e Norvegji, Suedi e Finlandë. Është vërtetë një larmi shtetesh dhe skenash ku trupa jonë është ngjitur me duartrokitje dhe ka zbritur me trofe, nderime dhe vlerësime maksimale. Kudo kemi shkuar dhe kudo kemi marrë vlerësime dhe ovacione të publikut, i cili e ka mirëpritur dhe ka dashuruar menjëherë kulturën popullore shqiptare. Flamuri ynë është valëvitur në sa e sa skena dhe kudo është nderuar.

“Festë të madhe ka sot Shqipëria” është një nga vallet më të spikatura dhe që ka patur një jehonë dhe që të godet emocionalisht edhe sot për sfondin e saj kombëtar, virtuozitetin e vënies në skenë, natyrisht që ka zanafillën e saj?

Me rastin e 50-vjetorit të Festës së Flamurit në Vlorë, isha i ftuar, sigurisht për të kërcyer. Në një program qeveritar që do të mbahej atë natë, për nder të festës ndodhej një grup kosovarësh që rrinin në Rrushbull. Ata kanë pasur një rapsod, të quajtur Dervish Shaqja, një rapsod që rrallë e sjellë historia e tokës si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë. Atëherë, për të përshëndetur nga ana e Kosovës këtë natë feste të 50-vjetorit të Flamurit ishte zgjedhur grupi i Dervish Shaqes. Dhe si fillonte kënga e Dervishit? “Festë të madhe ka sot Shqipëria, këngë e valle për jetën e re, brohorasin të gjithë nga zemra, rrofsh sa malet, o jubile”. Kjo këngë pas një viti, u bë himni i valles “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Këtu filloi embrioni i kësaj valleje, nga kënga madhështore e jubileut të flamurit dhe që u bë simbol i kulturës kombëtare shqiptare në gjithë botën, deri në Gjerdanin e Artë në Francë. Me krijimtarinë e kësaj valleje u mor profesori im, “Artisti i Popullit”, Panajot Kanaçi. Sigurisht në bashkëpunim edhe me valltarin, se e do një bazament njeriu se ku duhet të mbështetet, e unë shumë herë isha inspirues i krijimit për profesor Panajotin, ai gjente tek unë figurën, jo vetëm artistike, por gjente figurën shpirtërore të valles shqiptare.

Natyrisht që edhe sot vallja luhet dhe spikasin penetrime të përvojave të huaja, madje edhe kur lëvrohet tabani kumtohet një vullnet dhe emocion që përçohet tek spektatori, ju çfarë mendoni për sot?

Natyrisht që interpretimi ka nevojë për shumë punë. Shumë, ose pothuaj të gjithë kanë kaluar përvojën arsimorë për profesionin, por mund të mbarosh disa shkolla dhe nuk arrin atë që spektatori është i gatshëm ta marrë. mish populli në interpretimin e tij. Unë gjithë jetën time rëndësinë më të madhe ia kam vënë interpretimit, çfarë ka dashur shpirti i popullit me thënë me atë. Në qoftë se nuk ke arritur ta zbërthesh shpirtërisht, nuk ke bërë asgjë, je një kukull, nuk ke asnjë vlerë, prandaj fatkeqësia është se në këto raste mjeshtrit e mëdhenj duhet të punojnë jashtëzakonisht shumë me këta elementë të rinj që janë mësuar të kërcejnë gjoja në mënyrë moderne, do të thosha, është pseudomoderne, nuk është absolutisht moderne, moderne është ajo që është antike, janë monumentet e kulturës, janë piramidat e Egjiptit. Kanë nevojë për një punë shumë të imët, shumë profesionale, në mënyrë që të mos e zhveshin vallen nga shpirti i popullit. Unë e kam mishnu popullin tim shpirtërisht. Në radhë të parë i kam dhënë shpirtin, pastaj i kam dhënë krahët.

Kush ka qenë  kërcimi i fundit i juaji në një skenë prestigjozë dhe a mendosi se ai do të jetë i fundit?

Kërcimi i fundit ka qenë në Festivalin e fundit Folklorik të Gjirokastrës. Natyrisht që sot 71 vite nuk janë pak dhe e lehtë për t’u sfiduar, por mendoj se shpirti dhe dashuria që më ka ngjizur në shpirtë vallja popullore shqiptare nuk do të më lënë të kërcej asnjëherë kërcimin e fundit.

Çfarë do të mendonte Besim Zekthi për prurjet e fundit muzikore në përgjithësi dhe atë koreografike në veçanti. A mendoni se ndikimet e kulturave të huaja do të kërcënojnë traditën e këngës dhe vallës popullore shqiptare?

Montalisht edhe mund të flasësh për një kërcënim të mundshëm, por unë nuk do ta shikoja këtë si një rrezik për traditën e shkëlqyer të kulturës popullore shqiptare. Gjithë këto prurje i konsideroj si një ndikim kalimtar në kulturën tonë. Ata nuk mund të ndikojnë në ndryshimin apo tjetërsimin e tabanit të kulturës popullore dhe shpirtin e folkut.

Kush janë planet e afërta artistike për mjeshtrin Besim Zekthi?

Më 2008 do të jem me një krijim timin koreografik të titulluar “Shqipja më dha krahë”. Po punoj për këtë projekt. Mendoj se kjo do ti shërbejë një rigjallërim të emocioneve dhe shpirtit shqiptar. Vallet shqiptare janë të mrekullueshme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora