Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Migjeni, uragani i poezisë shqipe
E hene, 03.08.2015, 04:28 PM
Sot
në ditëlindjen e vërtetë të Migjenit, këtij uragani të poezisë shqipe
Nga Albert Vataj
Po, ai lindi më 30 shtator 1911, sot 104 vjet ma parë. Të paktën faksimilja e një certifikate, e cila ruhet në Muzeun Historik të Shkodrës, dhe që është botuar në përmbledhjen e veprës së Migjenit dëshmon këtë.
I shtuqujturi “Poeti i mjerimit” Millosh Gjergj Nikolla- Migjeni sipas të gjitha dokumenteve, ai lindi më 13 tetor 1911. Dilema e datëlindjes së tij ka kaluar nëpër shumë hamendësime dhe përkime, përfshi këtu dhe dokumentet. Por një e vërtetë historike që është tashmë fakt historik na dëshmon se Migjeni ka lindur më 30 shtator të vitit 1911 e jo me 13 tetor siç jemi mësuar ta festojmë. Kjo dëshmohet në gjendjen civile të asaj kohe. Mësohet gjithashtu se është vetë poeti, i cili ka kërku vetë ndryshimin e datës së lindjes.
Hyni vrullshëm në letërsinë shqipe dhe me po të njëjtin vrull vazhdon të jetë aktual atëditë e sot, edhe pse kryevepra e tij, u anatemua nga regjimi ose i'u tjetërsu botëkuptimi.
Por gjithsesi ai mbeti pikë kthese e letërsisë, kreshta ma e nartë e kushtrimit të një shpirti.
Migjeni ishte dhe mbeti një nga kolonat vertebrale të letërsisë së viteve ’30, një nga shpërthimet më të befasishme të kohës, një nga tundimet më zemëratëse të forcës për të ngritur krye, për me kërku ndër ne një grusht t'paligjshëm për me i ra n'zemër malit që s’bzan. Migjeni ishte shkrimtari më modern i viteve 30 dhe një lajmës i të kenit i gjithmonshëm, sa kushtrues aq edhe i dhimbshëm, sa i lëndum aq dhe kurajshëm. Plagë ishte dhe meti në kurmin e drobitun hekash e në shtatin çjerrun përpjekjesh. Ai si kurrkush tjetër, gjithë landën jetësore që barti i’a nënshtroi një këndi me të pamëdyshtë të ri shikimi, atij ekzistencial, të njëmëndtë. Fati i njeriut në botë, lumnia e fatkobi i tij, kjo ishte tematika zotëruese në krijimtarinë e Migjenit, kjo ishte hea e breznive, kafshata e idhët e mrumun me lot e gjak. Larg çdo dogmatizmi e sentimentalizmi, Migjeni nuk e shihte njeriun as si qenie me përsosmëri ideale, hyjnore, por as si zvarranik, të cilin munet me e shkel çdo këmbë.
Historia,
e bashkë me të, kujtesa jonë kolektive, pak e sëmbueme prej pushtetesh, dogmash
e demagogjishë, ka dëshmu se kush duhet me met, edhe jo vetëm me met, por me e
pa ndërsa rrin e rritet përplot hir dhe madhështi në panteonin e vlerave dhe
kumteve. Për me e pa e çmu si një dishepull të një urdhnese t'shëlbyeme ndër
shpirtna t'dlirë. Ajo vepër, ai za gjimues, metet ndër dëshirime t'tona, ndër
njata vullnesat tona, t'njituna njaq nalt sa me e ndi dorën e plotkivetshme e
hirin e shenjtnum thirrun prej tharmit të tokës e qiellit. Vitet deng me vërshim,
e kanda jonë, punon me themel, duke ken e pamëshirshme dhe ngulmuese. Përmes
lojës së saj të evoluimit, historia, në dukje-absurde e paradoksale, e ka ba
dhe e ban masmiri të sajen, duke gozhdu në panoramën e habisë, brezat që vijnë,
me rreptësinë seleksionuese të shoshës së saj. E si për me dash me sfidu
garrametjet e kacarritjet e përbaltjeve, në fundin e mbram ajo e vendos në
vendin e vet, kungimin e forcës për të jetu njeriun brenda nesh, tan brezat e
tana kohnave, përkundër soj-soj sunduesish e tiranish. Koha asht gjykatësja ma
e rreptë dhe njikohësisht ma e pamëshirshme, ajo përmbys figura të ngritura
përdhunshëm në piedestal, shpërndan shkëlqime breroresh të rreme edhe kur
balsamosen për t’u ruajtur përjetësisht në gjirin e saj, ajo i flak tutje si
byk dhe i braktis përfundimisht në harresë. Kanda dhe vlera, amshti i
përjetësisë e forca e ngulmimit në çdo zemër e nji bukurie të ashpër por
kumtuese, nga qielli na bien në prehër edhe pas 104 vitesh. Asht ai emër, ai
za, ai kushtim që vijnë e rivijnë te sekush prej nesh, për të dëshmu, për të
kremtu, për të ysht e me zgju prej thellë, nër ne, vullnesën njerëzore. Po atë
forcë, të cilës i duhet dhan krahë sa herë që qiejt kërkojnë fluturimin e saj,
i duhet dhan këmbë t’forta e kivet, sa her i duhet me mposht mitin antik të
Sizifit, i duhet dhan zemër e zjarr sa her koha prêt me padurim ngulmin e asaj
hazdisje. E qe besa i duhet dhanë tançka Migjeni i madhe dha në ato pak vite të
zorshme jetë, në atmot të hoveve të mëdha, ndryshimeve të potershme e shumëçkasë
tjetër që thepiste shtegun përnga kalonte kalvari i të përditshmes së
asokohëshme e të tashmes, domosdo.
Zemra Shqiptare, 03.10.2015