Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Persiatje idilike për bukurinë e femrës dhe hiret e kthjellëta të lules
E enjte, 18.06.2020, 05:05 PM
Persiatje idilike për bukurinë e femrës dhe hiret e kthjellëta të lules
Nga
Albert Vataj
Poetika
e një ndjesie e shpie shpirtin tonë atje ku llamburitin vetëm drita hiresh të
kthjellëta, atje ku idilika e bukurisë dehet ndër ëndje dalldisëse që pulsojnë
rrëmbimshëm në vërshimin e dëshirave për prehje. Atje fjala ushqehet në polen
lulesh dhe thith vesë agimesh të bardha bilur në gjithnjë vashash e zgjohet
krahëbardhë ndër puthje dhe prushje. Atje ku gjithçka ka lindur nga
përfytyrimi, shpengimi dhe dalldisja e merr kaluar aromave që e ledhin. Jeton
çastin e botës një një shkrepëtime, ashtu siç shndërrohet në yll në pulitjen e
buzëve që kallet. Ne jemi krijuar për të qenë frymëmarrje e këtij manifestimi
solemn bukurishe, ngjyrash dhe ndijimesh. Edhe pse nuk mund të jemi lule, ne
jemi shpërblyer me femrën për ta begatuar kopshtin tonë të Edenit me të gjitha
frutat dhe fluturat, me krejt andje e njeriut për mrekulli.
Magjepsëse
si ëndja e një përjetimi.
Depërtuese
si shpërthimi i një ylli të mbarsur më ëndje dëshirimesh të epshme.
Dehëse,
si ngulmi i një ngasje idilike pasionesh. E bukur, magjepsëse deri në dhimbje.
Delikate dhe përplot ngulm joshës.
Asnjë
spektakël i natyrës, asnjë përkujdesje forcash të epërme, kurrnji energji
transformimesh, nuk mëton një shfaqje kaq të shkëlqyr dhe adhuruese, se sa
bukuria e femrës dhe lules.
Lulet
dhe femra, një kërshëri e ushqyr me kaq ëmbëlsim e bukuri, një adhurim i dengur
prej kaq pasionesh shkulmuese, një lojë kaq ngasëse dhe një betejë e
kacafytjesh titanike, një puhizë që tretet me asgjënë e josh gjithsinë.
Me
një numër të kufizuar notash; tela të tendosur si vërshime të potërshme gjaku,
kur zemra flakërin në dëshirën e zjarrit;
gishta
që ngasin me erën, t’u bien këtyre telave, të ladrojnë me këto taste siç bën
flladi me fijet e barit dhe profilet e kurmeve; mëkojnë atë melodi, gërmëzojnë
drojshëm fjalë që bien si fruta të pjekur prej buzëve që dridhen;
pëshpërisin
dhe hukasin në vesh, si grimca joshëse që gurgullojnë nëpër gjokse të
kreshpëruara e turravrapen nëpër cohën e hollë të lëkurës që skuqet e trucen në
harbimin e një kafshe me uri prehistorike.
Është
çasti i një përjetimi, i shprehjes më të pafajshme të një mëkatimi, është
lindja e një ylli që shkëlqen si vesa në petalen e një luleje, si loti nën
qerpik.
Janë
në ëndjen tonë të harbuar këto bukuri, si nevoja me e epërme e manifestimit të
admirimit dhe mirënjohjes së përkorë që ne i detyrohemi jetës.
Dashurohemi
marrëzisht dhe gjithçka e përsosur lëvrin nën shpërthimit ndritës të këtij
përjetimi.
Një
çast sa një shkelje syri, është gjithësia që na përpin në epshin e kësaj
bukurie, ngasëse dhe vrasëse, këtij hiri joshës dhe trandës, këtij kumtimi
dëshirues dhe zemërthyes.
Jeto
si një rreze dielli e jepi gjithçka që zemra jote dëshiron kësaj luleje,
ledhatoje me çdo pikë djerse dhe loti gonxhen e mëngjeseve dhe petalen e
mbrëmjes.
Jeto
me të bukurën e dëshirimeve dhe jeton me hiret e adhurimeve.
DHE…
Kurrë
në ëndjen tënde nuk do të mungojë bukuria e asaj lule që ujtis sytë e tu dhe të
hov një energji përtëritëse që gufon së brendshmi.
Kurrë
nuk do të shuhet ajo aromë që deh ëndjen tënde, e s’do të vyshket asnjë herë
ajo petale, lule do të çel gjithnjë dëshirimi yt në epjen tokësore të kurmit.
Ti
je një lule, e dashur, dhe lulja është një dëshirim i bukurisë së
përgjithmonshme.
Unë
jam një çast përjetimi tokësor, një shkrepëtimë yjësie që rrëzohet nga
thellësia e territ të universit e bulon në gishtat e mi si një prekje që zbret
në petalet e kurmit tënd si një gjurmë drite. Shkëlqe në sytë e ëndshëm të një
zemre, ti bukuri që vjen në jetë me lulen, hyjnizohesh me femrën dhe meriton
përjetësinë prej adhurimit.
Më shumë nga autori: https://albertvataj.com/