Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Homazh për Osman Zhitinë
E enjte, 02.07.2020, 09:20 PM
Osman
Zhitia me Liderin e UÇK-së dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj
TË TJERA ZEMRA DO
TË RRAHIN PËR JU
(Homazh
për Osman Zhitinë)
Nga
Mehmetali Rexhepi
Osman
Zhitia jetoi e shkoi në amshim, prore me mendjen e mbushur me brenga, me zemrën
që gjithnjë rrihte për popullin, në kuptimin më të mirë të fjalës popull, si
koncept me ngërthesa çiltërsie, atdhedashurie, dhimbje e vuajtje, flijimi e
ngazëllimi... Baca Osman e mbrujti familjen, bijtë, shokët e bijve të vet me
atdhedashuri të pastër, jo për përfitime personale a familjare... Ai i dha
atdheut heronjtë... Ideologun e ri të idesë kombëtare Afrim Osman Zhitia me
shokë; të cilët rrugën e çlirimit kombëtar e panë vetëm përmes luftës së pastër
çlirimtare... Pararendës shpirtëror Afrimi me shokë kishin pikë së pari,
mësuesit e tyre, prindërit biologjik sikurse Osman Zhitinë, mandej modelin
frymëzues Bacën Adem, sikurse Rexhep Mala që kishte babë Mehmetin, Adem Demaçi
vëlla Maliqin e kështu me radhë...
Me
gjithë pengesat në frymëmarrje, me gjithë moshën që i rëndohej, me gjithë
dhimbjen e bijve e të shokëve të tyre; baca Osman nuk mungonte në përvjetorët e
dëshmorëve, rreshtohej pas të rinjve, iu bënte nderime familjarëve, atyre që
kishin dhënë më të dashurit e zemrës; asnjëherë pa u ankuar, asnjëherë pa u
ligështuar... Kurdoherë fjalë-pak, fjalë-ëmbël, për çështjen mbi çështjet
tjera: kulmin për shtëpinë e atdheut... Një kulm mbi themele gjaku të trimave e
trimëreshave më të mira, që u rreshtuan në radhët e UÇK-s. Brumi njerëzor e
kombëtar që përfaqësonte baca Osman ishte i shëndosh, sikurse buka e duarve e
qumështi i nënave tona, që edukuan brezat drejt, bindshëm, me urti e kulturë,
me ndjenja dhembshurie, por assesi të nënshtrimit, as të kapitullimit përballë
katrahurave...
Kështu,
ata prindër si Osman Zhitia, me vuajtjet e tyre të pa treguara, me sprovat
tehut të vdekjes dhe të jetës, zëvendësuan akademinë tonë të munguar, tëholluan
intuitën kombëtare për të qëndruar, për të mos u dorëzuar, për të mos u kapluar
nga euforia, nga vetëkënaqësia, nga mburrja false dhe kënaqësitë e rastit e
dritë-shkurta...
Rexhepi,
Nuhiu, Fahriu, Bahriu, Afrimi dhe dëshmorët e UÇK-s nga baballarë të tillë,
sikur Osmani, ua lanë barrë ekzistencën familjare për të vijuar rritjen e
trashëgimisë atdhetare... Lamtumirë
mësuesi i durueshëm i alfabetit të atdhedashurisë, baca Osman!
Më
në fund së bashku me Afrimin e pasardhësit e tij çlirimtarë do të pushoni
shpirtin... Të tjera zemra do të rrahin për ju...
Gjilan,
më 2 korrik 2020