| E diele, 05.07.2020, 07:55 AM |
GJURMË TË ADMINISTRATËS TURKE NË TOPONIMINË E DUSHKAJËS
Nga Mr.
SKËNDER R. HOXHA
Gjatë
vjeljes së toponimeve nëpër katunde të krahinës së Dushkajës, sidomos në një
pjesë të krahut jugor të saj e në ndonjë vendbanim tjetër, gjeta të gjallojnë
toponime të formuara nga etnonimi Çerkez. Emërtime të kësaj rrjedhoje: Arat e
Çerkezit, Kodra Çerkezit, Ledinat e Çerkezit, Mali Çerkezit, Rruga Çerkezit
(rrugë që lidh Doblibaren me Gjakovën) – që i shënuam në territor të
Doblibares. Në katundin Vraniq shënuam mikrotop. Ara Çerkezit; ndërsa në
Jabllanicë Vorret e Çerkezve, emërtime të cilat kanë mbetur si gjurmë e pranisë
së përkohshme të çerkezëve në këto pjesë
të Dushkajës. Duke folur për prezencën e çerkezëve në Kosovë, e cila pati
motive të caktuara, Dr. M. B. Barjaktaroviq, përveç tjerash thotë: “Për njëfarë
kohe, në shekullin e kaluar, pati në Kosovë edhe disa çerkezë (prej Kavkazi),
që i patën prurë turqit për të forcuar administratën e pushtetin e tyre”.
Zotërimi
i dikurshëm i pronave nga ana e bejlerëve, agallarëve, spahinjve e të tjerëve,
gjetëm të jetë reflektuar edhe në makrotoponime e mikrotoponime të territorit
të Dushkajës. Të kësaj rrjedhe po shënojmë: 1.Toponime të sajuara nga titulli be:j (beg): Ara Begit,
Mahalla Begit, Zabeli Begit (Bërdesanë); Ara Begit, Livadhi Begit,
Shpati Begit (Vraniq); Ara Begit (Rashkoc, Bec); Arat e Begit
(Zhdrellë); Arat e Begit, Kroni Begit, Livadhi Begit, Trojet e Begit, Zabeli
Begit (Gërgoc); Mullini Begit (Cërmjan); Te Nalloga Begit
(Kralan); Dardha Zotnisë (Zhabel) etj. 2.Toponime të sajuarang
titulli Aga: Lugi Shaban Ag’s (Marmull); Mali Mustaf’ Ag’s
(Zhdrellë); Arat e Tahir Ag’s, Kroni Ag’s, Ledina Ag’s (Zhabel); Ara
Ali Ag’s (Kralan); Ara Beqir Ag’s (Rashkoc); Ara Fetah Ag’s, Ara
Halit Ag’s (Vranoc i Vogël); Ara Mehmet Ag’s (Ratishi i Poshtëm); Livadhi
Murat Ag’s (Palabardh) etj. 3.Toponime të sajuara sipas emrave a
mbiemrave të bejlerëve apo agallarëve, por që nuk ju përmendet titulli: Lugi
Xaj’s, Fusha Domit, Pozheget (Marmull); Ledina Kusarit (Dashinoc); Mali
Bunjâkit, Lluga Kaçit (Vraniq); Livadhi Malazogit (Janosh); Livadhet
e Babalive (Gërgoc); Lugi Bujâkit, Ara Shllakit (Doblibare); Livadhi
Nushit (Ratishë i Poshtëm); Arat e Bakallit (Cërmjan) etj. 4.Toponime
të lidhen me tituj feudalësh a nëpunësish të Perandorisë Osmane: Rruga
Spahive, Guri Spahive (Dashinoc); Lugi Pash’s (Bërdesanë); Lâma
Spahive (Gërgoc); Lâmtë e Spahive (Cërmjan); Mali Spahisë
(Bec); Ulica Spahive (Marmull), etj. Ndërkaq, në Bërdesanë gjetëm të
gjallojë mikrotop. Livadhi Sarait, për të cilin thonë se aty dikur
kishin qenë sarajat.
Në
Bec edhe mikrotoponimet Ara Kavazit dhe Gjiri Kavazit, pjesa e
dytë e të cilave – kavaz, si duket është fjalë arabe e turke, Kavvas
– ushtar i armatosur që më tepër ka qenë i angazhuar në përcjelljen mbrojtëse
të ambasadorëve, të eprorëve apo të pasurisë, në kohën osmane, të cilëve,
mbase, për ndonjë meritë do t’iu kenë dhënë si shpërblim edhe prona të
patundshme, tokë, siç është rasti me këto të Becit të sotëm. Ndërkaq, Gjiri
në Dushkajë i pusit të thellë në lumë.
I
kohës osmane na del edhe mikrotop. Ara Subash’s që e shënuam në Vraniq të
Dushkajës. Institucioni i subashës paska ekzistuar që në periodën anadollake të
shtetit Osman, e që këtë e kishin marrë prej Selxhukëve. Shih për këtë, fjala
“Subashi” tregonte udhëheqësin e lartë ushtarak, komandantin e ushtrisë dhe i
përgjigjej shprehjes “Ze’im al – Cuyus”. (…) Këtë institucion turqit e bartën
në Ballkan. (…) Me shprehjen “Subashi” në sistemin e timarive osmane shënohej
çdo pronar i zeametit për shkak se ai si një spahi i madh i ruante disa nga
previlegjet administrative – feudale. Mirëpo, subashllëqet (sipas disa
defterëve – vërejtja jonë) ruhen në
Ballkan deri në fund të shekullit XV, e pastaj zhduken E cituam këtu këtë shkrim me qëllim që të
ofrojmë të dhëna për fjalën Subashë, si dhe për të sqaruar, sadopak,
anën kohore e kuptimore të mikrotoponimit Ara Subash’s, që gjallon në
territor të katundit Vraniq të sotëm.
Një
tufë emërtimesh toponimike të Dushkajës janë të sajuara mbi bazë të
institucioneve dhe autoriteteve fetare, pronë e të cilave kanë qenë apo janë
edhe sot, si: Zharet e Xhamisë (Radoniq), - male që dikur kanë qenë
pronë e Xhamisë së Radoniqit; Ara Kish’s (Cërmjan); Ulica Tyrbes
(Bec); Ara Shehit, Kroni Hoxh’s, Toka Efenisë (Bec); Ara Shehit,
Kodra Shehit, Livadhi Shehit (Doblibare); Gryka Hoxh’s (Bërdesanë); Ara
Hoxh’s (Sapot) etj., të cilat në ndërtimin kuptimor të tyre paraqesin
pronën dhe pronarin.