E shtune, 27.04.2024, 04:44 AM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: OKB - peng ndërmjet aleancave kriminale dhe intereseve globale

E marte, 14.10.2008, 11:43 PM


Engjëll Koliqi
Organizata e Kombeve të Bashkuara – peng ndërmjet aleancave kriminale   dhe intereseve globale

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Dikur ishte bindja e përgjithshme, se Lidhja e Kombeve – më vonë Organizata e Kombeve të Bashkuara, me seli në New York, është vendi i zgjidhjes së krizave, i respektimit të të drejtave të njeriut dhe i së drejtës dhe përgjegjësisë ndërkombëtare. Mirëpo, me kryqëzimin e intereseve globale me ato të aleancave kriminale, në vitet e fundit Organizata e Kombeve të Bashkuara është futur në një qorrsokak dhe dita-ditës po e humb fuqinë vendosëse, duke mos gjetur rrugëdalje nga krizat. E mbetur peng ndërmjet aleancave kriminale dhe intereseve globale, sot lindin shumë dyshime për funksionimin e drejtë të organizatës së kombeve dhe druhet për fatin dhe ekzistencën e Saj. Janë shumë ngjarje dhe dështime, që e kanë kapluar Organizatën e Kombeve të Bashkuara, viteve të fundit, që arsyetojnë dyshimet tona, prandaj shtrohet pyetja: - Athua do të mund të mbijetojë dhe të funksionojë organizata botërore e kombeve, nën trysnitë dhe kërcënimet e aleancave kriminale, që nga dita në ditë po e dobësojnë, apo një ditë do të falimentoj?! Për të dalur nga ky qorrsokak i rrezikshëm dhe për ta shpëtuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara nga falimentimi, drejtuesit e shteteve dhe të kombeve të fuqishme duhet të ndërmarrin masa të shpejta, të drejta dhe funksionale, pa humbur kohë. Në rend të parë duhet ndryshuar statutin dhe rregulloret e punës të kësaj organizate, për ta pamundësuar veton e atyre që duan ta destabilizojnë botën dhe ta shkattërrojnë njerëzimin. Kjo duhet të bëhet me një reformë të menjëhershme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe me ndërhyrje të shpejta, me amandamente urgjente, në statutin dhe në rregulloret e punës të Këshillit të Sigurimit, ku duhet hequr veton e anëtarëve të përhershëm dhe duhet zgjëruar këtë organ me përfaqësi të tjera.

Me reformat në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që në këtë stinë kritike të botës – me shumë rreziqe, po kërcënohet dhe rrezikohet njerëzimi, në radhë të parë duhet të precizohen mirë detyrimet dhe përgjegjësitë e vendeve dhe të popujve, që dalin nga e Drejta Ndërkombëtare dhe nga Karta e OKB-së për të drejtat e kombeve dhe të njeriut, në mënyrë që të gjithë – të mëdhenj e të vegjël – të trajtohen drejt dhe barabarsisht. Me këto reforma, mendoj se duhet paraparë edhe ndryshimin e kufinjve të shumë shteteve, duke u orientuar kryesisht në kostituimin dhe forcimin e shteteve etnike, që mendoj se i ndihmojnë zbutjes dhe – përfundimisht - eliminimit të krizave. Bashkëpunimi ndërkulturor dhe pasurimi i kulturës botërore me tradita e vlera të kulturave dhe të civilizimeve, me formulën multietnike, më së miri do të realizoheshin me bashkëpunim të rregullt dhe të drejtë ndërmjet shteteve etnike – sovrane, në secilin kontinent dhe në secilin rajon të botës. Mbase, në këtë drejtim do të mund të bëheshin përjashtime, respektivisht do të mund të përcaktoheshin rregulla të tjera specifike, për kontinentet amerikane dhe australiane, ku kryesisht kemi shtete me popullsi shumëkombëshe, me formulën e komb-shteteve, që kombet i përcakton dhe i identifikon me emrin e shtetit përkatës. Nuk tërhiqem as sot nga propozimi i zgjërimit të Këshillit të Sigurimit me përfaqësi të reja, që mendoj se duhet t'i ketë 21 anëtarë, në vend 15 sa i ka aktualisht, 7 prej të cilëve (aktualisht 5) anëtarë të përhershëm, ku dy vendet e reja mendoj se duhet të rezervohen për Brazilin dhe për Afrikën e Jugut, në mënyrë që edhe kontinenti latinoamerikan dhe ai afrikan t'i kenë përfaqësitë e veta të përhershme aty. Për të qenë në shërbim të së Drejtës Ndërkombëtare, respektivisht për të pasur gjithëherë parasysh dhe për të respektuar të drejtat kombëtare të të gjithëve, duhet hequr e drejta e vetos, që në këto vitet e fundit – mjerisht – është keqpërdoruar, duke favorizuar aleancat kriminale, e përdorur kryesisht nga përfaqësuesit lindorë të aleancës orthodokso-komuniste – Rusia e Kina. N'udhëkryqe interesesh Rusia e Kina i kanë përvetësuar edhe shumicën e vendeve islamike, që në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ua mbajnë anën me vota. Për të garantuar rregullsitë ligjore të së Drejtës Ndërkombëtare, me heqjen e vetos, do të duhej të ndryshohen edhe rregullat e marrjes së vendimeve të ndjeshme, lidhur me krizat, si dhe përgjithësisht në interes të popujve dhe të njerëzimit mbarë. Si në Këshillin e Sigurimit, poashtu edhe në Asamblenë e Përgjithshme, për marrjen e vendimeve duhet kërkuar shumicën absolute të votave, që duhet të jenë dy të tretat plus një (2/3 + 1).

Janë të shumta arsyet që kërkojnë reformimin e menjëhershëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Lidhur me krizat e fundit, gjithnjë probleme në organizatën botërore ka paraqitur aleanca lindore e bllokut orthodokso-komunist (Rusi – Kinë), duke i manipuluar e përvetësuar edhe shumë nga vendet islamike. Sidomos, kur janë pritur vendime historike mbi Kosovën dhe përgjithësisht për çështjen shqiptare dhe për krizën e gjithëmbarshme ballkanike, kjo aleancë – me "miqt" e tyre kanë vepruar gjithnjë jashtë rregullave të së Drejtës Ndërkombëtare dhe larg intereseve paqësore të popujve, duke kaluar madje shpesh edhe në ekstremitete absurde. Sidomos këto anomali, që kanë bllokuar proceset paqësore të viteve të fundit, janë shprehur dhe kanë funksionuar ç'prej se në Kremlinin e Moskës e ka marrë pushtetin Vladimir Putin – ish drejtuesi i KGB-së famëkeqe, gjithnjë me qëllime ekspansioniste dhe imperialiste n'udhërkyqet e intereseve botërore. Pa shkuar shumë larg në këtë drejtim, le t'i kujtojmë bllokadat e fundit që politika kriminale e Rusisë putiniane i ka shkaktuar në Këshillin e Sigurimit, për të penguar të drejtën tonë të natyrshme dhe legjitime të shtetformimit, ndërkohë që përgatitej për invadimin e vendeve fqinje, me formulën e "së drejtës shtetformuese" të pakicave ruse të mbetura atje (Gjeorgji, Çeçeni e gjithandej). Bllokadat putiniane në Këshillin e Sigurimit dhe rezoluta e tashme për kërkimin e mendimit mbi ligjshmërinë e themelimit dhe të pranimit të Republikës së Kosovës, nga Tribunali Ndërkombëtar i Drejtësisë në Hagë, e aprovuar nga Asamblea e Përgjithshme e OKB-së, shtetit të Kosovës, përveç irritimeve dhe nervozizmave mbarëpopullore, i kanë shkaktuar edhe shumë dëme financiare. Mbas bllokadave ruse në Këshillin e Sigurimit, u dasht të përballet edhe një raund i ri "bisedimesh" me qeveritarët e Beogradit, me shumë lëvizje delegacionesh dhe pas rishpalljes së pavarësisë – edhe tash – jemi të detyruar të shpenzojmë shumë në fushatën lobuese, në kërkim të njohjes nga sa më shumë vende të botës, deri në përmbushjen e kushteve të anëtarësimit në OKB, pa vendimin e Këshillit të Sigurimit. Le t'i kemi këtu parasysh edhe formimin e agjensisë së lobimit dhe të ndarjes së tre milionë eurove për te, nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Se nuk është në rregull dhe se është krejtësisht jashtë normave të Drejtësisë Ndërkombëtare dhe të drejtave kombëtare, madje edhe kundër vlerave të demokracisë, vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për pranimin e rezolutës së Serbisë, me të cilën kërkohet mendimi i Tribunalit Nërkombëtar të Drejtësisë në Hagë, flasin shumë argumente bindëse:

·         Rezoluta e Serbisë është aprovuar me 77 vota pro, që janë vetëm 40,10% të vendeve anëtare të OKB-së. 6 votat kundër dhe 74 abstenime – gjithsejt 80, janë 59,90% të vendeve anëtare të OKB-së. Duke i pasur parasysh votat, del se nga 192 vende anëtare të OKB-së, për këtë rezolutë kanë votuar 157 vende. Edhe në këtë numër nuk është i plotësuar 50 përqindëshi, sepse 77 votat pro, janë 49,04%, kurse 50,96% nuk kanë votuar pro kësaj rezolute.

·         Edhe fakti që Mali i Zi, vendi  i fundit i "shkurorëzuar" me Serbinë, vetëm një ditë mbasi ka votuar pro kësaj rezolute, e ka njohur shtetin e Kosovës, bashkë edhe me Maqedoninë, që të dy këto republika – deri dje simotra të Serbisë.

·         Si është e mundur që Këshilli i Sigurimit i OKB-së t'ia propozojë Asamblesë së Përgjithshme dhe aty "të kalojë" rezoluta e Serbisë drejtuar Tribunalit të Hagës, tribunal ky që kurrë nuk e ka njohur as nuk e ka respektuar Beogradi zyrtar, që edhe sot vazhdon t'i fshehë dhe t'i mbaj terroristët dhe kriminelët e luftës, të shumëkërkuar nga ky Tribunal?!

·         Me cilën procedurë dhe me cilën normë ligjore të së Drejtës Ndërkombëtare, Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka pranuar dhe e ka anëtarësuar Republikën e Serbisë?! Edhe kjo republikë, si edhe të tjerat ka dalë nga federata e falimentuar jugosllave, prandaj ka qenë dashtë t'i nënshtrohet procedurës së pranimit si shtet në OKB, siç kanë bërë të tjerat – që nga Sllovenia e deri te Mali i Zi dhe tash Kosova, e cila pengohet nga Serbia, që kurrë nuk është pranuar me procedurë të rregullt në OKB.

·         Abstenimi  i 74 vendeve në votimin për rezolutën e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme, që janë vetëm tri më pak se 77 vendet që kanë votuar pro, dhe bashkë me vendet që kanë votuar kundër janë tri më shumë se ato që kanë votuar pro, tregon qartë se në OKB nuk funksionon e Drejta Ndërkombëtare dhe nuk respektohen të drejtat dhe vullneti i popujve, as demokracia.

·         Shumë nga përfaqësuesit e vendeve që kanë abstenuar, kanë deklaruar se këtë veprim e kanë ndërmarrë në shenjë të respektimikt të Tribunalit Ndërkombëtar të Drejtësisë në Hagë, por edhe duke mos ditur kah t'ia mbajnë në këtë mjegullnajë n'udhëkryqe interesesh, që tashmë janë gjithnjë e më shumë, edhe përbrenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

·         Çka mund të thuhet në këtë kontekst, që mu në këtë çast të ndërlikuar Komiteti Ndërkombëtar në Oslo, e nderoi me Çmimin Nobel për Paqe Marti Ahtisaarin, për ndërmjetësimet e tij të suksesshme në shërbim të paqes në vende të ndryshme të botës, duke potencuar kryesisht rikthimikn e paqes në Ballkan, me propozimin e tij për kostituimin e Shtetit të Kosovës.

·         Shtrohet madje pyetja – pse Asamblea e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk e aprovoi edhe një rezolutë për ta dënuar Rusinë, për invadim dhe pushtim të vendeve sovrane, anëtare të kësaj organizate?!

·         Dhe në fund fare – pse nuk u diskutua në Asamblenë e Përgjithshme sjellja skandaloze e përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së – kryeadministratorit të UNMIK-ut – Lamberto Zanier, tash kur është në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, të cilën ai e anashkalon dhe e shkelë pothuajse çdo ditë, me propozime absurde, me kërkesa për subjektivizimin e sistemit paralel në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, duke favorizuar kështu aspiratat invaduese, të së pangopurës Serbi?!

 

Duke i pasur parasysh të gjitha këto fakte të parashtruara, si dhe krizën financiare që ka përfshirë mbarë botën, mu në ditët e punimeve të sivjetme të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që dyshohet të jetë shkaktuar mu nga këto aleanca destruktive, të përmendura më lartë, droja për falimentimin e OKB-së dhe për rrezikimin shumë serioz të popujve, është gjithnjë e më evidente dhe e arsyeshme. Nëse nuk sqarohen mirë dhe qartë intereset globale dhe ato grupore të aleancave destruktive, që gjithnjë e më shumë – të lidhura dhe të ndërlikuara me pasuritë e domosdoshme, siç janë: petroli, gasi, energjia elektrike dhe pasuritë tjera natyrore – po kërcënojnë zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të vendeve, mjerisht, duhet të përgatitemi të bashkëjetojmë me një krizë katastrofale, që mund edhe ta shkatërrojë njerëzimin. Sidomos kjo frikë është më e madhe, kur dihet fati se shumë nga sustat e centraleve bërthamore janë në duart dhe në mëshirën e të pamëshirshmit Vladimir Putin dhe të bashkëpunëtorëve të tij në Rusi, si dhe të aleatëve të tij në Iran, në Korenë Veriore e gjetiu. Një proverb që përdoret ndër shumë popuj thotë: "Më i mirë është parandalimi, se sa mjekimi". Në këtë gjendje shumë të rënduar n'udhëkryqet e intereseve, që gjithnjë e më shumë dhe më rrezikshëm po ndeshen, vlenë vetëm formula e parandalimit, sepse nëse shpërthen një skandal i madh, më shërim nuk ka, por kjo botë do të përfundojë me shkatërrim. Le të shpresojmë që me krizën e fundit financiare, liderët e kombeve të mëdha dhe drejtuesit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të mbledhin mend dhe do të ndërmarrin masa të duhura parandaluese, që ta shpëtojnë organizatën botërore të kombeve, por edhe vetë kombet, nga shkatërrimi. OKB-ja assesi nuk guxon të mbetet peng n'udhëkryqet e intereseve të aleancave kriminale, por duhet të reformohet urgjentisht, që ta shpëtojë vetëveten nga falimentimi dhe botën mbarë nga shkatërrimi, duke ia ndaluar, menjëherë, Vladimir Putinit dhe aleancave të tija kriminale – tashmë ndërkombëtare, të gjitha proceset shkatërruese!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora