E hene, 14.10.2019, 04:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Brunilda Zllami: Të jesh i lirë për të ndryshuar

E marte, 06.08.2019, 09:45 PM


TË JESH I LIRË PËR TË NDRYSHUAR

Esse nga Brunilda Zllami, Tiranë

Çfarë është e drejta, e vërteta? Cila është e vërteta jonë dhe a është kjo një perceptim i momentit, një lojë e fatit, apo një zgjedhje?

Dje po mendoja për “ Matrixin”. Red pill or blue pill? Filozofia që përcjell është sa emocionuese aq dhe reale në çdo kohë.

Nuk është e lehtë të zgjedhësh të vërtetën, sepse në rradhë të parë është e paparashikueshme. Shumë gjëra që ke njohur, njerëz që ke takuar, perceptime që ke pasur, emocione që përjetoje më përpara, realiteti që mendon se ke prekur ndryshojnë. Dhe fillimisht hutohesh, sepse mendon se kanë ndryshuar të tjerët dhe realiteti, por në të vërtetë ke ndryshuar ti. Me dëshirën për të njohur të vërtetën ( dhe askush nuk të përgatit  për faktin se ajo jo gjithmonë është e bukur) ti vështron fillimisht i pafuqishëm se si tjetërsohet hapësira përreth teje. Ke ndryshuar ti, ke zgjedhur të dish, të jesh i lirë për të ndryshuar, për të vendosur, për të shikuar, për të jetuar. Fillon të mendosh se përse dikush nuk të përgatiti për këtë zgjedhje, por kur kthehesh prapa në kohë, e kupton se herë pas here ke zgjedhur, je përballur me vendimet që i kanë dhënë ngjyra dhe motiv jetës tënde, ke formëzuar me durim qënien si një skulpturë e cila lëviz dhe ndryshon në çdo zgjedhje që bën.

Por e vështira nuk është vetëm të zgjedhësh, por të kuptosh. Është të përpiqesh që të ndryshosh realitetin tënd dhe të tjerëve që do edhe pse kjo dalëngadalë do të shënjojë në mënyrë të patjetërsueshme.

Po atëherë pse duhet te zgjedhim të vërtetën? Pse duhet të vuajmë kur thjesht mund të mbyllim sytë, veshët dhe të tërhiqemi si gurët e një lumi të lodhur nga rrymat?

Sikur të zgjedhim të pranojmë realitetin falls do ishim më të qetë, do bënim kompromise, do ishim guri i parashikueshëm që lëviz vetëm nga rrjedha. Bota do kishte ngjyrat që dikush i vizaton për ne, njerëzit do ishim ata që kuptojmë nga stilimet e tyre për veten dhe do përshtateshim si të zinim një vend brenda këtij kuadri. Patjetër që edhe kjo botë do të kishte ngjyra dhe jetë dhe sigurisht që do ishim të bindur që do e kishim lirinë e zgjedhjeve tona, por kjo do ishte thjesht një iluzion. Po të zgjedhësh të mos shohësh nuk të bën përshtypje vjedhja, mashtrimi, varfëria, degradimi, vrasja. Sepse zgjedh të mos i shohësh. Të kalojnë para syve si lajme që i eviton me indiferentizëm dhe kthen faqen tek pamjet e postura nga plazhet ku ngjyrat e bukura të detit shërbejne si kontur i trishtë për pamjet e shkrepura pas mundimesh titanike të njerëzve që duhet t’i përshtaten realitetit falls. Nuk të mërzitin gjërat që janë estetikisht kundër çdo ideje që ke për të bukurën, nuk të neveritin elementët femërorë të dhunuar barbarisht nga botoksi, as fakti që nuk arrin të dallosh njërën nga tjetra, nuk tronditesh që apelojnë sensualitet kur qartazi duket se nuk njohin as emocionet, nuk habitesh që japin mendje kur nuk dinë as të shkruajnë, kur këndojnë pa pasur as zë, kur filozofojnë pa njohur as veten. Nuk të vjen çudi kur sheh meshkuj të venitur të zier në komplekse që kujtojnë se me para mund të blejnë burrerinë. Dhe nuk shqetësohesh aspak kur njerëzit e ditur, ata që punojnë me ndershmëri, që kanë ende principe rrënohen nga të pashkollët oportunistë që mbijetesën e kanë fituar pikërisht në këtë realitet falls që ne zgjedhim të mos na shqetësojë aspak. Nuk ka rëndësi që një njeri i ditur mbetet në skamje, që një zë i bukur nuk dëgjohet kurrë në skenë, që një femër e papërpunuar nga industria e kozmetikës mbetet në shtëpi, që librat e dikujt që shkruan në copa letrash s’do i lexojmë kurrë, që dikush që s’ka para nuk ka të drejtën e një mendimi dhe dikujt që nuk e shet shpirtin s’do i hapet asnjë derë. Po kjo nuk ka problem, nuk na shqetëson në këtë botë të mbushur me kaq shumë lajme e ngjyra që na shplajnë trurin dhe deformojnë neuronet. Fallsiteti është një ëndërr me të cilën u mësuam gradualisht dhe e pranuam sepse është më e lehtë të pranosh diçka që të servirin, sesa diçka që duhet ta bësh vetë.

Dje, po mendoja për zgjedhjet e mia dhe çuditërisht m’u kujtua “Matriksi”.

Red pill or blue pill?

Ka njerëz që zgjedhin të vërtetën, që shpesh nuk është as e bukur, as e shkëlqyeshme. Kjo e vërtetë nuk ka bërë botoks, as ka faqe në instagram. Nuk të kërkon ta duash, as mat pëlqimet. Kjo është e vërteta, ndonjëherë e hidhur, ndonjëherë e prekshme dhe ndonjëherë thjesht e perceptueshme. Çdokush brenda vetes e di që ajo ekziston, por nuk është vetëm vendimi për ta zgjedhur, por për ta kuptuar, për ta ndryshuar. Është e vërteta që të jep liri, ndonjëherë dhe vetmi dhe do forcë për ta përballuar. Sepse kur hap atë derë gjërat që evitoje t’i shikoje janë aty. Dhe janë më shumë sesa prisje, më të komplikuara sesa mendoje, më të pazgjidhshme sesa besoje. Të vjen në mendje shprehja “Injoranca është bekim”, por prapë nuk e mbyll derën.

Dikur më bezdisnin njerëzit që zgjidhnin të ishin fallso. Tani jo më. Tani e kuptoj mbijetesën e tyre, kompromiset që bëjnë duke shitur një shpirt dhe duke blerë një tjetër. Dhe tashmë e di që as mund t’i ndryshoj, sepse ky është realiteti i vetëm ku mund të mbijetojnë. Kush mund të fajësojë dikë për mbijetesën?

Por kjo nuk më bën t’i pëlqej, as t’i respektoj!

Sepse pavarësisht çdo gjëje, që fëmijë unë kam dashur të di më shumë. Kureshtja për botën, rebelimi ndaj padrejtësive, ëndrra për diçka më të bukur kanë qënë shtysa ime. Dhe zgjedh të shoh, të dëgjoj, të shkruaj, të jem e lirë! Zgjedh të vështroj yjet e besoj se ia vlen të ndjekësh ëndrrat.

Zgjedh të ndryshoj atë pjesën e vogël të realitetit që mundem ( edhe pse jo gjithmonë ia arrij).

Po nëse ju jepet një zgjedhje, ashtu si te “ Matriksi” kë do zgjidhnit?

Red pill or blue pill?

-Për ZemraShqiptare, nga Tirana Gusht 2019-



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT