E marte, 10.12.2024, 05:05 AM (GMT)

Kulturë

Myzaljen Hoxha: Moderniteti letrar migjenian

E premte, 02.08.2019, 06:31 PM


MODERNITETI  LETRAR  MIGJENIAN

“ Migjeni është shkrimtari ynë më konceptual i modernitetit letrar “. Moikom ZEQO

Nga Myzaljen Hoxha, Poet dhe eseist

Arti letrar migjenian është sa një materje artistike, aq dhe koncept njohës institucional për vetë artin.

Migjeni kishte një mendim letrar dhe filozofik i kultivuar e i thellë, që ja kundërvuri shkapërdredhjes së artit si mjet i thjeshtëzuar politik, duke krijuar pavarësinë relative të artit në shoqërinë shqiptare të viteve 30-të të shekullit 20-të. Me këtë statur letrare, Migjeni i hershëm na vjen aktual sot, që na bënë të mundur njohjen e semantikës shoqërore, morale e psikologjike të jetës shqiptare.

Me poezinë dhe prozën migjeniane shkohet thellë në fshehtësinë e ndjenjave dhe mendimeve, që  na bënë ta zbulojmë, njohim e jetojmë botën që na rrethon.

Moderniteti letrar i Migjenit e ka zanafillën tek elementët e Ekspresionizmit : - Fryma, stili, ekspresiviteti, grotesku, frika dhe goditja e parë e strukturës narrative, fjalia e shkurtër dhe lirizmi i shpejtë e i përmbledhur, i frymëzuar nga idetë niçiane të “ Mbinjeriut “,  “ Pesimizmi “ fojerbahjan dhe “Mendimi i lirë filozofik” millian. Zëri i protestës së vërtetë sociale i tij, është krijuar dhe rritur në “ inkubatorin “ e “ Rënies së Idhujve “ të Niçes, pesimizmit emblematik të Fojerbahut dhe filozofisë së mendimit të lirë dhe ndërgjegjes së hapur të Xhon Stjuart Millit. Ai krijoi plazmën e modernitetit letrar shqiptar me “ Lindjen e njeriut “, e “ Trajtat e Mbinjeriut “ , me “ Trumcakun e plagosur “ si sinonim i “ Dallandyshes “ së Fojerbahut, dhe “ Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur ?! ” si frymë e “ Më mirë të jem një Sokrat i pakënaqur se derr i kënaqur “ i Millit. Nuk kemi të bëjmë absolutisht me një imitim, por me ide të reja që veprojnë dhe ndryshojnë një realitet të ri të shoqërisë shqiptare.

“ Traktati letrar filozofik ” i Migjenit është triniteti Njeriu, Sokrati dhe Dërri, ku personazhi i rremë është de jure Sokrat, dhe de facto Derr. Derri si metaforë e banalitetit, babëzisë dhe mediokritetit.

Tematika e veprës letrare të Migjenit është e njëjtë me tematikën sociale të mprehtë të dëshpërimit njerëzor dhe padrejtësive shoqërore.

Hulumtimi shkencor në fushë të letërsisë së viteve 30-të kërkon cilësimin e rolit të Migjenit në letërsinë shqipe, si një ekuilibër jo të brishtë mes mbivlerësimit dhe nënvleresimit të statuesit të tij, të njeriut të letrave shqip. Duke u lexuar dhe studjuar letërsia migjeniane si në rrafshin semantik dhe atë estetik arrijmë në përfundimin se Migjeni e ndau letërsinë shqipe, ashtu siç u nda koha me Krishtin, pra në histori letrare paramigjeniane dhe pasmigjeniane.
Letërsia paramigjeniane kishte si karakter të saj natyralizmin, religjionin dhe atdhetarizmin, që në kuptimin kulturor përbën substancen artistike të saj. Buzuku, Budi,  Bogdani, Bardhi më herët, dhe Naim Frashëri, Asdreni, Çajupi, Fishta, Mjeda, Serembe e tj. janë përfaqësuesit më të zëshëm dhe serioz të kësaj letërsie. Migjeni ishte fenomeni ngazëllues në letërsinë e kohës, dhe nuk ka paraardhës, pasi ai ishte ndryshe nga Çajupi folklorik, Asdreni patriotik dhe Fishta patetik.

Qartësia e të shkruarit e Migjenit ka të mbartur kuptimin e së vërtetës jetësore. Të jesh i drejtë me botën që të rrethon, për të do të thotë të shohësh qartë dhe të dallosh thelbin dhe konturet e pafundësisë së dritës së dijes, që është jetëdhënëse për njeriun dhe mjedisin ku jeton. Mjerimi pjell e varfërisë së shpirtit e bënë atë të rënkoj dhe të kërkojë në lëkundjet e mundimshme mes “ Po-së “ dhe “ Jo-së “ së jetës së viteve 30-të të shekullit 20-të.

Letërsia e tij e lindur nga probleme të marrëdhënieve jetësore hedh dritën e qartësisë mbi gjërat e këqija të kohësisë së tij. Klima e shpirtit të tij është sa e ashpër, aq dhe e butë, si dy gjysma që bëjnë një të tërë : Vrulli i ashpërsisë dhe e qetësia e butësisë. Migjeni si njohës i mirë i filozofisë së jetës e mundësuar nga Niçe, Fojerbahu dhe Milli krijoi diellin e jetës së letërsisë së tij, dhe beson tek ai, sikurse bima tek dielli, dhe nëpërmjet saj hap rrugën e modernitetit të letërsisë shqipe. Forma e qetë kristalore e mendimit letrar të tij hyn në letërsinë shqipe, si drita që depërton në çdo thellësi, si qartësi që shkëlqen në çdo fjalë, si muzikalitet në çdo pauzë dhe tingull kumbues në çdo varg poetik dhe frazë prozaike të letërsisë së tij.  Një gjuhë e tij, e aftë të tendoset, të kërcejë dhe të shpreh të gjitha “ valët “ e lëmuara tek “ Fjalë të lira “, e trishtimit të thellë tek “ Poema e mjerimit “,  dhe e metaforës së mënçurisë dhe banalitetit tek “ Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur ?!”, një gjuhë letrare, e cila është e aftë të shpreh gjithçka, pa e ndalur hapin për një letërsi estetike dhe ekspresive të së ardhmes së saj.

Letërsia migjeniane është korda e zërit e shpirtit të njeriut, një shpirt që këndon për një jetë më të mire të ngritur “ gërmadhash “. Ndjenja e tij duplekse,  arsye – emocion ngjizi letrarisht frytet e veta dhe shtoj etjen e pangopur për jetën. Me estetikën letrare migjeniane mori kuptimin dhe bukurinë letërsia shqipe, duke u futur në hullinë e letërsisë europiane dhe botërore. Ideja se bukuria dhe madhështia e veprës letrare ndajnë një status të barabartë si kategori estetike themelore, është e shprehur qartë në tërë poezinë dhe prozën migjeniane. Tradita letrare, dhe jo vetëm, por dhe e artit si një i tërë e pohon këtë deduksion, që bukuria dhe madhështia nuk e përjashtojnë njëra - tjetrën. Duke e konceptuar bukurinë e veprës letrare të Migjenit si një vlerë estetike të qëndrueshme në kohë, atëherë bukuria kalon në madhështi të veprës letrare të tij. Madhështia e veprës letrare të Migjenit është një madhështi e ngritur në piedestalin e kohës  moderne shqiptare.

Kënaqësia që na jep letërsia migjeniane, na e fuqëzon pohimin e gjykimit tonë për madhështinë e saj. Një madhështi letrare e krijuar nga e bukura, dhe një e bukur e dalë nga shëmtia e një realiteti të zymtë e të trishtë shqiptar.

Gjthësesi, edhe këtu shfaqen gjykime të sakta e të pasakta të pëlqimit të letërsisë migjeniane, ose disa gjykime janë më të mira se të tjerat. Përgjigjen e saktë për këtë dualitet vlerësimi e shpreh parimi normativ estetik : - Kur një gjykim estetik është i vërtetë, atëherë kundërtia e tij është e gënjeshtërt.

?shtë pikërisht estetika letrare e Migjenit që zbulon e kundërshton studimin sipërfaqësor të letërsisë migjeniane, nga kundërshtarët e pavërtetë dhe cinikë të tij.

Me estetikën letrare migjeniane, letërsia shqipe filloi të marrë frymë estetikisht dhe muzikalisht, tashmë si letërsi moderne e nisur drejt stacioneve të kulturës  letrare europiane dhe botërore. Në hapësirën letrare shqiptare gëlon deviza jetësore e saj : - Jeta pa letërsi është një keqkuptim, një kohë e jetuar dhe jetë e mohuar.

Migjeni i dha letërsisë jetën reale, për të mos vdekur nga e vërteta jetësore. Deri në aureolë të estetikës letrare, të së bukurës letrare, ai u ngrit për t`i dhënë kuptim jetës dhe vdekjes, kësaj dileme të kohës së tij, por edhe të së ardhmes shqiptare.

Vepra letrare e Migjenit vepron në mënyrë impulsive. Çdo gjë e mirë, miqësore dhe dashamirëse, dhe vetë ai, spostohet tek realiteti gri i kohës së tij. Me çdo poezi, prozë dhe skicë letrare që shkruante dhe botonte e bënë armik të pushtetit dhe mik të popullit.
Në Pukë Migjeni krijoi vetminë krijuese të vlerave të mëdha artistike të letërsisë shqipe.Ai nuk gjen asnjë grim besimi tek “ Trajtat e Mbinjeriut “ e tj. të parisë kombëtare, por merr mirënjohje të thellë tek “ Luli i Vocërr “ e tj. nga vegjëlia kombëtare. Në atmosferën ku mirrte frymë, ai thithte gjithmonë e më pak ajër, pasi oksigjeni ishte i pakët. Kjo qetësi e ftohtë e vetmisë së mërzitshme e kthen në “ poliemilit dhe tuberkuloz “ frymarrjen e tij, sa fizike aq dhe letrare. Migjeni ndjente dhimbjen jo vetëm për mjerimin e kohës së tij, por edhe vuante shpirtërisht nga mungesa e lirisë së mendimit dhe ndërgjegjes. Duke qënë kaq shpejt dhe shpesh në kufijtë e vdekjes, ai dinte më shumë për jetën se gjithë të tjerët. Përkeqësimi i sëmundjes dhe rëndimi i shëndetit, i dhanë kuptimin dhe qëllimin jetës së tij, masa e matjes së çdo gjëje, se vetëm tek ajo ndodhet “ metri “ e të gjitha vlerave dhe pasurive të tij.

Në veprën letrare të Migjenit gjen aspiratën e njerëzve për një jetë të lirë, të lumtur dhe të dinjitetshme dhe pa patur frikë për të ardhmen.

Realizmi kritik ekspresiv i Migjenit shprehet fuqishëm në poezitë e para të tij : “Zgjimi”, “ “Të birt` e shekullit të Ri”, “ Shpirtnit shtegëtar “, e deri tek “ Vargjet e Lira “ , “ Poema e Mjerimit “ e tj, në 24 prozat dhe skicat letrare të shkruara brënda harkut kohor !933-36 : “ Bukën tonë të përditshme falna sot “, “ Bukuria që vret “, “ Mollë e ndalueme “, “ Legjenda e Misrit “,“ Zoti të dhashtë”, “ Luli i Vocërr “, “ Të çelen arkapijat “ e tj, në shkrimet antishtyp zyrtar : “ Kënga skandaloze “,  “ Novelë mbi Krizën “, “ Programi i një Reviste “ e tj.
Rrëfimi, psikologjia e hollë dhe fryma polemike letrare e filozofike, dhe sarkazma janë tiparet thelbësore të letërsisë migjeniane. Ligji i frymëzimit dhe i përjetimit shpirtëror e udhëhoqën atë në ligjërimin poetik dhe prozaik të jetës së përvuajtur të njerëzve. Figura letrare zotëron fuqinë e duhur që të mbartë përmajtjen, vetëm kur nuk është përdorur për ekspresivitet dhe tërheqje formale.

Migjeni kishte dy vizione : - Vështrimin kah së sotmes së kohës së tij, dhe vështrimin e përfytyrimin e së ardhmes. Vargjet e krijuara prej frymëzimit preokupativ, janë vargjet më të zjarrta emocionalisht dhe kuptimisht më të plota.

Origjinaliteti poetik dhe prozaik i Migjenit është ndjeshmëria e ngjyrës dhe shprehjes së ritmit poetik në ravijëzimin e realitetit të trishtë, dhe e konceptualitetit individual në përkufizimin e materjes që e frymëzon. Ai e ravijëzon qartë realitetin, plotëson fundësisht shprehjet letrare, dhe përmbush mendimet dhe emocionet e veta.

Poezia dhe proza e Migjenit është e vërtetë. Ato të pasurojnë me mendime të thella dhe ndjenja të fuqishme, që krijohen nga sinqeriteti i frymëzimit, dhe përgjegjësia intelektuale e shprehjes së tij. Ai nuk është ndalur në shprehjen e ndjenjave dhe përjetimeve letrare, duke e hapur mëndjen dhe zëmrën ndaj problemeve të mprehta të kohës së tij. Vargjet e tij shprehin njëherazi, harenë e gëzimit rinor, “ Qeshu rini qeshu, bota është e jotja “, dhe dhimbjen për mjerimin e peshës intelektuale të tij. Ashtu sikurse rrethi i ideve dhe mendimeve të tij është i gjerë dhe i thellë, ashtu dhe vargjet e tij janë shprehje e qartësisë dhe virtuozitetit poetik.

“ Ngazëllim rinor dhe optimizëm jetësor “  do ta perifrazonte këtë gjëndje, historiani i madh i letërsisë shqipe Rexhep Qosja.

Frymëzimet e tij të forta, vargjet e tij të plota kuptimisht, derdhen në modulacione të qarta ritmike. Ai gjithmonë është në gjëndje meditimi të thellë, ku gjen shprehjen e qartë metaforike, që nuk reduktohet në një drejtim, por degëzohet në drejtime të ndryshme.

“ Nga mali që nuk bëzanë “, Migjeni do të vuante, dhe në vuajtje do të vdiste.

Si intelektual me integritet, Migjeni kishte pranuar jetën e “ Sokratit të vuajtur “ dhe jo          të “ Dërrit të kënaqur ”. Shëndeti i tij fiziologjik i kërkonte të heshte, por shpirti i tij krijues nuk heshti kurrë në atë rrumpallë të zhytur në injorancë dhe mjerim.

Moderniteti i poezisë dhe prozës migjeniane do të kuptohej thellësisht, kur gjithkush sot do të bënte “ kirurgjinë “  e marrëdhënies së drejtë e të padrejtë të poezisë me politikën dhe pushtetin korent.“ Një njeri është thjesht një qenie njerëzore. Dy njerëz janë politikë ”- ka shkruar politologu i shquar amerikan Xhorxh Veliotis*. Pra, aktiviteti njerëzor është politik në thelbin e vet të tij, por ai është dhe “lënda e parë” e krijimit të poezisë politike, ashtu sikurse Migjeni ngjizi poezinë e tij. Kjo është arsyeja që poezia politike, ose ndryshe filozofike është më e bukur se poezia në të cilën një poet lë jashtë përmbajtjen politike. Bukuria qëndron tek mesazhi filozofik dhe jetësor i saj.

Kështu që në takimin më të parë të politikës me poezinë, politika ofron shfaqje rozë, gri dhe të zezë për poezinë dhe i imponon asaj shikimin e botës sipas sfondit të saj. Poezia këtë nuk e pranon. Ajo këtë “dhuratë” e refuzon dhe i përgjigjet: “Unë mund ta shoh botën në dritë të diellit dhe në errësirë, jo në pasqyrën e politikës”. Politika është një konflikt me të tjerët, ndërsa poezia është konflikt me vetveten, si shprehje e lirë dhe e sinqertë e çfarëdo efekti të gjallë dhe ndjesor tek njeriu. Dhe poezia migjeniane sot, nuk është gjë tjetër, veçëse kujtesa e opozicionit të saj ndaj politikës së mbrapshtë dhe pushtetit të padrejtë, kur këta të fundit harrojnë ose i largohen detyrimeve të veta publike.

Poezia migjeniane e modernitetit letrar, këtu ka funksionin e komunikimit dhe të dobishmërisë shoqërore. Si komunikim kjo poezi është shprehëse e vlerave, ndërsa si dobi, ajo është nxitëse e veprimit të njerëzve.

Shkrimi poetik i modernitetit është bërë një instrument i analizës së vetvetes dhe njëkohësisht një rrugë e kërkimit të identitetit të vet. Ashtu sikurse është e vështirë të shkruash një poezi për natyrën, kur, kurrë nuk i je ngjitur një mali, s’ke prekur një pemë, nuk ke kaluar në këmbë vaun e një lumi apo s’ke shëtitur në natyrë për ta soditur atë, ashtu është e vështirë të shkruash një poezi migjeniane, nëse kurrë nuk ke kundërshtuar padrejtësinë sociale, varfërinë, je i papunë dhe nuk paguan dot energjinë dhe taksat, si dhe nuk paguan dot recetën e ilaçeve për shëndetin tënd.

Prej arrogancës dhe shpërfilljes së pushtetit, poezia nuk duhet të politizojë vetveten, por të jetë e gatshme të anonçojë një qëndrim kontestues për status quo-në, e ngjashme me qëndrimin e intelektualëve, të cilët veprojnë sipas motos së shkrimtarit të madh amerikan, Mark TWEN-it : “ Kurdoherë që mësoni, se jeni nga ana e pushtetit është koha të pushoni dhe të reflektoni, sepse jeni nga ana e gabuar ”.

Nga kjo pikëpamje, poetët e mëdhenj, jo konformistë, janë intelektualë të shquar, mbasi ata krijojnë raporte të drejta me të vërtetën dhe janë promotorë të zhvillimit dhe të progresit. Intelektuali kërkon pastërtinë dhe të drejtën tek fjala dhe ka guximin t’u dërgojë mesazh “poetëve të oborrit”, që të mos ndotin qëllimin e lartë të poezisë. Përfaqësuesit më të shquar të poezisë filozofike shqiptare dhe asaj botërore, me vlera të jashtëzakonshme, që rrezatojnë të sotmen dhe të ardhmen janë Migjeni, Noli, Asllani, Kadare, Agolli, Uitman, Frost, Uajd, Bodëler, Neruda, Hikmet, Borges, etj.

Rebelimi poetik është të thënit “Jo” politikës dhe pushtetit, kur këta të fundit nuk zgjidhin problemet që kryqëzojnë jetët e njerëzve. Migjeni si poet, është mendja më e ndritur, që bërë më të mirën e saj për atdheun e tij, për të shkurtuar rrugën e vuajtjes dhe privimit social nga marifetçinjët e pushtetit.  Ai bëri shumë më tepër se kaq, por e vërteta ka armiqtë e saj.

Fama migjeniane po kërkohet të errësohet nga urrejtësit e zilepsur, por kjo famë është e njerëzve të mëdhenj të letrave shqipe, që ka ardhur vonë, post mortem, por nuk vdes kurrë.

Migjeni sot lëviz mes një fame merituese të pasur dhe të pastër në vlera letrare, dhe një urrejtjeje të zilepsur, që kjo e fundit, si për dhe për Ne filomigjenianë nuk do të thotë asgjë.

Migjeni shprehu dhimbjen e kohës së tij, që ishte një ecje “ Tatëpjetë Golgotës ”, dhe mbi këtë dhimbje, ai shkruajti me ndjenjë poezinë dhe prozën e tij, prandaj shkenca letrare i ka dhënë pavdekësinë.

Migjeni hodhi themelet e letërsisë shqipe drejt një “ Moderniteti cilësisht më të lartë dhe konkret në rrafshin europian dhe botëror ”. Ai është dritësuesi i bashkëkohësisë sonë letrare, që hapi hullinë e emancipimit shoqëror dhe artistik për gjithë shqiptarët.

Migjeni është apogjeu i letërsisë shqipe, një panteonit i denjë për panteonin e letërsisë europiane të shekullit 20-të. Ai është edhe sot frymarrja egzistenciale e shoqërisë sonë, si një shoqëri e etur për progres. Kriticizmi dhe publicistika letrare filozofike edhe sot ushqehet dhe i referohet mendimit letrar migjenian. Migjeni i djeshëm për kulturën kombëtare shqiptare është Naim Frashëri i pardjeshëm, Isamil Kadareja i sotëm, dhe “Nobelisti“ i nesërm, që vërtetë do të lind sot dhe në të ardhmen.

__________________
Fier, më 19 qershor 2019



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora