E enjte, 12.12.2024, 11:05 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Varg vendqëndrimesh

E shtune, 03.08.2019, 07:37 AM


Varg vendqëndrimesh

Nga Blerim Rrecaj

Mëngjes. Pastaj mesditë. Dita si vajzë belhollë që ecën e ik. Vapë. Vrap për të zënë hijet për t'i ikur diellit të fortë. Gumëzhijnë rrugët, lokalet, restaurantet, bar-kafetë e kafenetë prishtinase sidomos kur në to zënë vend edhe të punësuarit që dalin për pushimin e drekës, duke u bërë bashkë me të tjerët. Edhe me theksin e dallueshëm sidomos të fëmijëve të mërgimtarëve, që mund të bëhet shkak për të nisur një bisedë. E mua seç më vërtitet mendja te vendqëndrimet tona, një lloj letërnjoftimi të përgjithësuar e në vija të trasha, pa stërhollime, e në shumicën prej tyre shoh vetën time, dje e sot. Janë vendqëndrime shtëpishë, banesash, shkollash, lokalesh, zyrash. Janë vendqëndrime oborresh, livadhesh, luginash,kodrinash, parqesh, sheshesh, protestash, demonstratash, vendosjesh, zhvendosjesh, kampesh, ikjesh, kthimesh, rikthimesh, rrebesh, rrebeshesh, krismash, granatimesh. Janë vendqëndrime veturash, autobusësh, traktorësh, multikiltivatorësh, trenash, anijesh, jahtësh, aeroplanësh. Janë vendqëndrime strehash, hotelesh, sallash, konferencash, mbledhjesh, zgjedhjesh, humbjesh, fitoresh, bilancesh, koktejesh, ahengjesh. Janë vendqëndrime malesh, breg-lumenjsh, breg-liqejsh, breg-bazenesh, breg-detesh. Janë vendqëndrime vizitash, ndejash, pushimesh, ekskurzionesh, stinësh, kujtimesh. Janë vendqëndrime miqsh, shokësh, dashamirës, kolegësh, bashkëkohësish. Janë vendqëndrime bisedash, bashkëbisedimesh, analizash, shakashë, anekdotash, foresh, parashikimesh. Janë vendqëndrime muzeshë, kalashë, faltoresh, kultesh, festash, festivalesh, respektesh. Janë vendqëndrime pikash karburantesh, free shop-ësh, bujtinash, hostelesh. Janë vendqëndrime stacionesh, aeroportesh, nisjesh, pritjesh, mbërritjesh, ndarjesh, bashkimesh. Janë vendqëndrime tabelash, udhëtreguesish, fjalësh, frazash, thëniesh, psherëtimash, ofshamash, lotësh, buzëqeshjesh. Janë vendqëndrime varrezash, të rënësh, dëshmorësh, memorialesh. Janë vendqëndrime bibliotekash, teatrosh, galerish, tryezash. Janë vendqëndrime ekranesh, tv-shë, radiosh, tranzitorësh, telefonësh, portalesh, blogjesh. Janë vendqëndrime, kursesh, konkursesh, provash, sprovash. Janë vendqëndrime qoshqesh, shkamash, karrikesh, ulësesh, berberësh. Janë vendqëndrime parkingjesh, nënkalimesh, mbikalimesh, rrethrrotullimesh, udhëkryqesh, semaforësh, kolonash. Janë vendqëndrime gropash, gërmimesh, gërmadhash, lisash, fshisash, kontenjerësh. Janë vendqëndrime deposh, deponish, bankash, bankomatësh, gurëthyesish, tezga rrugëshitësish e karrocierë mallbartësish. Janë vendqëndrime foleshë, strehash, verandash, ballkonesh. Janë vendqëndrime sportelesh, korridoresh, shëtitjesh, ecjesh, ecejakejesh, vërtitjesh, vërvitjesh. Janë vendqëndrime stuhishë, qetësish, status-quo-shë, hallakamash, sallamadish. Janë vendqëndrime reklamash, imazhesh, fishekzjarresh,shpellash, katalogësh,manualesh, peisazhesh. Janë vendqëndrime puhishë, shtrojerash, qiraxhinjsh, konviktesh, cimerash. Janë vendqëndrime incidentesh, aksidentesh, sharjesh, kufinjsh, mexhash, kacafytjesh. Janë vendqëndrime pajtimesh, besëlidhjesh, vendimesh, kushtrimesh, betejash, luftërash. Janë vendqëndrime mbjelljesh, korrjesh, begatish, fabrikash, punëtorish, biznesesh, përpjekjesh. Janë vendqëndrime, shtallash, serash, fermash, kopshtesh, fidanishtesh, lulishtesh. Janë vendqëndrime panairesh,stadiumesh, stërvitjesh, poligonesh, kazermash, zonash ushtarake. Janë vendqëndrime fontanash, hapësira me kënde ngjyrëndezura lojërash. Janë vendqëndrime, ngecjesh, ngeljesh, dallaveresh, endje penjsh rruzave, shkurtpamësi projektesh. Janë vendqëndrime padijesh, lakmish, gabimesh, mëkatesh, thashethemesh, faljesh, larjesh, shpërlarjesh. Janë vendqëndrime ankthesh, makthesh, paknaqësish, shpresash, ëndrrash, nisjesh, rifillimesh. Janë vendqëndrime rastesh, çastesh, frymëzimesh, krahasimesh, kontrastesh. Janë vendqëndrime jete...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora