Editorial
Prend Buzhala: Kah Evropa apo kah orienti?! (2)
E marte, 28.05.2019, 08:00 PM
ENDE QENKEMI NË USHËKRYQ: KAH EVROPA APO KAH ORIENTI?!
- pjesa e dytë-
(Nga
ligjërimet për të vërtetën)
Nga
Prend BUZHALA
Harta
jonë është në Evropë: këtë fjali e kam përsëritur shpesh.
Dikur,
në antikë, ishim midis botës romake e asaj greke, më vonë midis Perandorisë
bizantine dhe Romës, midis katolicizmit dhe ortodoksisë, pastaj midis
Perandorisë osmane dhe Evropës, midis islamizmit e krishterimit, në kohët
moderne midis komunizmit dhe demokracisë... Gjithmonë Orientin (Bizant,
Perandori osmane, komunizëm) i kemi përjetuar si OKUPIM... Vetëm demokracia
europerëndimore na solli liri e vlera... Malli për Orientin po na shpie në
shpërbërje... Edhe ndonjë ndarje tjetër gjeopolitike e gjeostrategjike që mund
të bëhet në të ardhmen, mund të bëhet me po ato forma dhune e pushtimi, si
ishte deri në fund të shekullit XX. Historia dëshmon: këtu e kanë thyer qafën
të gjitha perandoritë e të gjitha sistemet e dhunës...
1.
Faik
Konica dhe intelektualët shqiptarë e të shteteve përreth, e quanin Evropa
Juglindore... madje quhej edhe Gadishulli ilirik (ndryshe nga ç’erdhi ky emër
më vonë, si Ballkan e tani an thonë: Ballkani perëndimor).
Shekulli
XIX ishte shekull i Rilindjes sonë Kombltare, po edhe i evropianizimit të
kombit tonë.
Janë
pikërisht intelektualët e proveniencës muslimane, që nga Naim Frashëri e Faik
Konica e deri te Kadare e Rugova, që e evropianizuan kombin shqiptar. Gjatë
viteve ’90 Kosova kolektivisht për herë të parë kthehet kah Perëndimi e jo kah
Orienti, e ky është KTHIMI YNË I MADH HISTORIK aty ku e kemi vendin. Të tjerat
po përfundojnë ( dhe do të përfundojnë) në koshin e mbeturinave të historisë...
Mund të flasim për ata nxënës e studentë që arritën edhe të doktorojnë në
Oxford e në universitete tjera evropiane (është fjala për vitet ’90). Nuk dihet
asnjë nxënës shqiptar dhe asnjë mësimdhënës shqiptar që mësoi a punoi me
programe serbe. Vepra historike e një kombi sigurisht që i ka protagonistët e
kryeprotagonistët e vet... por, para së gjithash, është vepër e përbashkët e
një kombi. Ndryshe nuk do të ishim çliruar.
Prandaj
Serbia vajton e vajton, shan dhe sulmon, por ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë të
njëjtën gjë kundër vetvetes. Një realitet tjetër është ky i pasluftës...
prandaj duhet ditur kah ta drejtojmë pakënaqësinë a rebelizmin, se ndryshe as
pakënaqësi as rebelizëm nuk është, kur te një akuzë përfshihen edhe fëmijët apo
krejt arsimtarët...
2.
Ekziston
Karta e Lirive dhe e Të Drejtave Njerëzore që e njeh edhe lirinë e besimit.
Kosova është shtet laik dhe e njeh lirinë secilit njeri të besojë atë religjion
që do. Prandaj, sipas frymës kushtetuese dhe kësaj karte universale, besimet
respektohen.
Është
tjetër gjë, kur një religjion pretendon të shndërrohet në SISTEM POLITIK dhe ta
udhëheqë një vend me kushtetutë fetare. Por kjo gjë nuk lejohet në shtetet
demokratike, siç është Kosova.
Nëse
duam të shkojmë më tutje, përse teprohet në religjion ndër ne, atëherë po them
që le t'u ofrojmë të rinjve vende pune... se atëherë gjërat vijnë në vend të
vet. Politikës (së dobët) dhe kalkuluese (për përfitime votash a përfitime
funaciare etj), i intereson një gjendje e tillë...
Edhe
librat e shenjtë nuk e duan teprimin në fe.
Nuk
kemi nevojë ta teprojmë as në kritikë...
Një
dukurie negative duhet qasur me takt, me dije, me edukim...
Teprimet
e tilla janë shenjë e një shoqërie në krizë jo vetëm sociale, po edhe frikë
identitare.
Ne
mund të shkruajmë, të bisedojmë, të apelojmë: si duhet ta forcojmë identitetin
tonë nacional, si duhet të zhvillohemi si gjithë Evropa...
3.
A
janë shqiptarët kombi më i bojkotuar në Evropë?
Dikur,
bojkoti quhej izolim...
E
tani, si të dalim nga ky bojkot-izolim?
Pyetjet
(shqetësuese) që mund të shtrohen, janë të shumta.
A
jemi ne që duam t'u bëjmë bojkot vlerave evropiane?
Në
fakt, e vetmja rrugëdalje, është dalja nga ky izolim dhe vetizolim.
Është
keq kur bota evropiane na merr si shembull të njerëzve që duan kaos... dhe kudo
që shkojnë, shqiptarët edhe merren si shembuj të anarkisë, mosrespektimit të
ligjit, dhënies pas veprimeve asociale... tregtisë së drogës, armëve,
trafikimit të qenieve njerëzore...
Filozofi
e sjelljes sonë qenka përplasja me vetveten...
Duhet
falënderuar gjithë ata njerëz, ato rrethe arbërore-shqiptare e ato vlera që i
mbajti të pashkëputura lidhjet me Perëndimin, që nuk lejoi humbjen e tërësishme
të identitetit tonë historik, pikërisht në kohën e okupimit otoman, i cili na
pati shkëputur tërësisht nga ajo me anë të ideologjisë së saj orientale.
Kishim
dikë si drejtues shpirtëror...
Sot,
sikur nuk kemi drejtues të tillë, se i kemi defaktorizuar. Kemi drejtues
(udhëheqje) TË FAKTORIZUAR PA SHPIRT, dmth të dhënë pas çorientimeve, pas
interesave tjetërsuese, pas regresit historik, pas interesave personale...
materiale; duke harruar se KOMBIN E MBAN NJË SHPIRT, NJË FRYMË E PËRBASHKËT
SHPIRTËRORE!
Krijohet
përshtypja se në PERËNDIM (në Evropën perëndimore) ne kërkojmë GABIMISHT pjesën
tonë të LINDJES, të orientit, të atyre rrënjëve që na u mveshën me
pushtuesit... e atje ato rrënjë orientale nuk mund t’i gjejmë...mund t’i gjemë
vetëm në ORIENT (PRA, gjithnjë pa dalë prej temës: po flasim për raportet
BOJKOT- dalje nga bojkoti)...
Dhe
le të mos harrojmë: pavarësia e Kosovës është ai shtegu që na entuziazmoi pa
masë e që na dha drejtim kah perëndimi, ndërsa pushtuesit e derisotëm (e
argatët e tyre) përpiqen të na mënjanojnë nga ky drejtim!
Sigurisht,
te ky orientim evropian, i ka rrënjët mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga
shtetet sllave e nga orienti!
Shqiptarët
u shkëputën nga orienti, ende pa ikur këndej Perandoria otomane: krijuan
alfabetin shqip sipas modelit europerëndimor, hodhën poshtë sheriatin (duke e
reformuar islamin: pra, duke e ndarë nga shteti) dhe përqafuan bërjen e
shoqërisë e të shtetit sipas kushtetutave evropiane, zgjodhën mënyrën evropiane
të jetesës, veshjes, zhvillimit... ndarjes së fesë nga shteti.
Është
shansi ynë ta shfrytëzojmë këtë KTHIM TË RI kah Evropa... sepse ne i përkasim
CIVILIZMIT EVROPIAN. Sado që mund të IKIM nga VETVETJA, nga KY KTHIM i RI, nga
rrënjët tona (të ikim diku në ORIENT), megjithatë, e vërteta është po ajo, e
pandryshuar, historia është po ajo, civilizimi ynë është po ai...
Evropa
ka pasur dhe ka mirëkuptim për shqiptarët.
Por
e kemi të zorshme që të dalim edhe nga fushat e vetë-minuara të frustrimeve
tona (kolektive).
Por,
mos të harrojmë, edhe në Evropë lartësohet emri ynë, vlerat që kemi: që nga
kohët ilire, që nga Epoka e Skënderbeut e deri te Nëna Tereze dhe Kadare...
Përbaltjet
dhe fyerjet kundër vetvetes, nuk na vijnë nga Evropa, por nga qarqe
brendashqiptare.
Për
ta mbrojtur një të djeshme gjithë defekte, gjithçka bëjmë që sot të krijojmë sa
më shumë mekanizma të ikjes nga vetvetja.
Harta
jonë gjendet në Evropë!
Dhe
gjendemi në Evropë, në perëndim.
Pra,
realitet na është edhe vetizolimi!
4.
Edhe
shqiptarët e kanë "hisen" e vet në këtë IDENTITET EVROPIAN. Kemi edhe
antikë ilire, edhe krishterim qe dymijë vjet (me emrat e shquar të Shën
Jeronimit etj, apo ne shenjtorët e martirët e krishterë ilirë, e deri te Noli e
Fishta dhe Kisha e Sotme), por kemi edhe EPOKË MODERNE (që nga Marin Barleti e
deri te Kadare). Pra, fryma identitare europerëndimore ndër ne, është e
pashkëputshme, përkundër pushtimeve të egra, për të na shkëputur e tjetërsuar
tragjikisht nga identiteti etnik, kombëtar e evropian.
Sigurisht
që gjërat nuk do shikuar të ngurtësuara, por NË ZHVILLIM. Porse qytetërimet
(dhe identitetet), janë ato që janë. Bie fjala, IDENTITETI EVROPIAN përbëhet
nga tri shtylla: nga BOTA ANTIKE-GREKO-ROMAKE, nga KRISHTERIMI dhe nga EPOKA
MODERNE (e cila zë fill që nga Humanizmi e Renesanca dhe vazhdon edhe sot). Që
të tri këto shtylla kanë qenë reaksion ndaj njëra-tjetrës, por që të tria dhe
përplotësime. Prandaj, sot, në civilizimin e identitetin evropian, ka edhe
antikë filozofike, historike etj etj (që nga Platonët e Aristotelët, Ciceronët
dhe Homerët apo Virgjilët); ka edhe krishterim (të paktën, ruhet tradita e
pushimit të dielën, ruhet KALENDARI që nis me Jezusin, shtetet e sotme
europerëndimore ruajnë me KUSHTETUTËN e tyre e ligje kushtetuese
"ritualin" e festimit të krishtlindjeve dhe pashkëve); por ka edhe
EPOKË MODERNE me laicitetin... me LIRINË E BESIMIT...
(Prend
Buzhala, 23 maj 2019)