Kulturë
Zymer Mehani: Sahit Shala - Idhujt e kombit tim
E diele, 24.03.2019, 11:35 AM
PËRMBLEDHJA POETIKE “IDHUJT E KOMBIT TIM” E POETIT SAHIT SHALA-MONUMENT LETRAR PËR HERONJTË E ATDHEUT
Shkruan Zymer Mehani
Para se të flasim për vëllimin poetik “Idhujt e kombit tim” të poetit Sahit Shala, ne, lexuesve do t’ua rikujtojmë me pak fjalë se cili është Sahit Shala.
Sahit Shala është shkrimtar dhe poet, të cilin e njohim përmes veprave të tij:
“Zëri i shtegtarit”, Pejë, 2016;
“Lahuta e Kosovës”, Pejë, 2000;
“Malli e brenga”, Pejë, 2016;
“Valët e jetës”, Prishtinë, 2017;
“Kafazi i hapur”, Prishtinë, 2017;
“Engjujt e bardhë”, Prishtinë, 2017;
“Me një fjalë...”,Prishtinë, 2017;
“Dashuri në kohë lufte” (roman)., Prishtinë, 2018.
Pastaj, ai është edhe bashkautor dy librave me poetin Zymer Mehani:
“Dy pena me mendime të arta” dhe
“Dy pena-shumë mendime”.
Ky krijues letrar me talentin dhe stilin e tij të të shkruarit, vargjet që i kultivon ua nënshtron ligjeve estetike dhe teoriko-letrare, duke u dhënë poezive të veta përmbajtje dhe formë.
Për poetin Sahit Shala poezia është shprehje e drejtëpërdrejtë dhe ajo është ndërmjetësuese e ngjarjeve shoqërore dhe historike, e krahas kësaj, edhe vetë autori këtu na del organizator i vetëdijes shoqërore dhe arkitekt i shpirtit të njeriut në përgjithësi, e i lexuesit të tij në veçanti.
Në çdo varg dhe në çdo poezi të poetit Sahit Shala hetohet qartë dhe s’mund të fshihet ndikimi vendimtar i faktorit shoqëror, e që kjo i jep formësim poezisë së tij dhe artit poetik.
Mendojmë se bashkë me elementin e pakontestueshëm kohë, poezia e Shalës ngërthen edhe diçka që e tejkalon edhe kohën dhe është e amshueshme, e pikërisht kjo është përjetësia, që e kalon aktualitetin duke mbetur prore aktuale. Është aktualiteti, pra, ai që flet përmes vargjeve të poetit Sahit Shala mbi ndryshimet historike, kombëtare dhe mbarënjerëzore.
Autori Shala jo rrallë kërkon mirëkuptimin mes njerëzish, si virtyt, vëllazërinë kombëtare dhe unitetin kombëtar, pse jo edhe ribashkimin e kombit.
Tani autori Sahit Shala (shkrimtar dhe poet) para lexuesve po del me librin e tij të radhës, me përmbledhjen poetike, të titulluar “Idhujt e kombit tim” (Prishtinë, 2019), të cilën e ka konceptuar në gjashtë cikle:
1. Tokë e lavdisë
2. Zogjtë e shqipes
3. Ndjesi atdhetare
4. Idhujt tanë
5. Kuq e zi, Nëntor, dhe
6. Dy pena të bashkuara.
S’do mend se edhe në këtë përmbledhje poetike kryetemë dhe lajtmotiv është atdhedashuria.
Në vëllimin “Idhujt e kombit tim” të autorit Shala vërehet fare qartë një çështje mjaft e rëndësishme, madje tejet e vlefshme, që është ambienti apo hapësira shqiptare, që mund ta quajmë epiqendër e poezive të tij dhe kësofare bëhet edhe elementi kryesor, që përbën bazën tematiko-motivore të kësaj përmbledhjeje (Cikli TOKË E LAVDISË).
Pra, poeti Sahit Shala ambientin, hapësirën, truallin amtar e ka shndërruar në lëndë të poezisë së vet. Kjo është gjeografia e atdheut në tërësinë e saj, me karakteristika të veçanta, me ngjarje dhe njerëz të veçantë, që flet për një ekzistencë autoktone të qenies shqiptare nëpër mugëtira, stuhi e rrebeshe të shekujve dhe të hohërave.
Poeti Sahit Shala në poezitë e vëllimit “Idhujt e kombit tim” na jep edhe fakte konkrete të shqiptarëve, qofshin ata toskë apo gegë. Në shumë poezi ndeshemi me figura të shquara kombëtare, siç janë Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina dhe një vargan i pafund atdhetarësh, burra të pushkës e të penës, deri te epoka e luftës çlirimtare e UÇK-së, e prirë nga Komandanti legjendar, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Sali Çeku, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Abedin Rexha-SANDOKANI, Antigona Fazliu, Blerim Bala, Ismet Jashari, Fadil Nimani etj, etj, pa i harruar as burrat e penës, siç janë Buzuku, Pal Engjëlli, Von Harfi (gjerman), pastaj Naimi, At Gjergj Fishta, Mjedja, Noli, Gurakuqi, Shiroka, Migjeni, Din Mehmeti, Dritëro Agolli, Nënë Tereza etj., të cilët e shkrinë rininë, burrërinë e pleqërinë e tyre vetëm për çështjen tonë kombëtare. (Ciklet: ZOGJTË E SHQIPES dhe IDHUJT TANË).
Këto figura, që poeti me të drejtë i quan IDHUJ TË KOMBIT, ai i ka ravijëzuar me sukses, ngase ata përfaqësojnë burrërinë, bujarinë, përpjekjet shumëshekullore dhe mundimet e llojllojshme për liri të atdheut. Këto personazhe paraqiten dhe jepen në vargje dhe në poezi në çaste të ndryshme dhe kësofare vetëm sa e përmbushin dhe e përforcojnë, në mënyrë krejt të natyrshme mozaikun me figura të shquara kombëtare, të pushkës e të penës (Cilkli IDHUJT TANË). Po ashtu, bashkë me këto personazhe kemi të paraqitur edhe topografinë konkrete kombëtare, siç janë Kruja, Vlora, Prizreni, Drenica, Rrafshi i Dukagjinit, Drenica, Llapi etj, etj., pa e harruar as Preshevën, Medvegjën, Bujanovcin, Iliridën e Çamërinë. (Cikli: TOKË E LAVDISË). Kjo topografi vetëm sa e ilustron më mirë e më saktë gjeografinë poetike të poetit Shala, në të vërtetë edhe të vetë poezisë së tij.
I gjithë ky ambient shqiptar për të marrë vlerën që edhe e ka, jepet edhe përmes ngjarjeve kronologjike, duke filluar me Motin e Madh (shek. XV) të Skënderbeut e deri te Epoka e UÇK-së. (Cikli: KUQ E ZI, NËNTOR).
Në vija të trasha, kohën poeti e ka konceptuar në të djeshmën dhe në të sotmen. Por, ne e kemi kuptuar se poeti Sahit Shala është ithtar i kohës që paraqet zhvillim të gjithmbarshëm dhe perspektivë të truallit amtar, duke e pasur si pikësynim gjithnjë Ribashkimin Kombëtar.
Meqë vëllimi poetik “Idhujt e kombit tim” është libri i 8 apo i 9 i autorit Sahit Shala, në këtë përmbledhje, poezitë e tij zgjerohen edhe për disa mundësi semantike, që gjithsesi janë dëshmi e evoluimit dhe e përvojës së shtuar e të pasuruar poetike të poetit Shala.
Në frymën e tematikës autentike, mund të themi se lajtmotiv i poezive të autorit Sahit Shala është atdhedashuria. Në strukturë të poezive të këtij autori inkuadrohen edhe mjaft elemente të figuracionit poetik, që luajnë rol meditativ e artistik. Po ashtu, në këto pezi gjejmë edhe mjaft simbole e metafora të bukura.
Duke e lexuar vëllimin poetik “Idhujt e kombit tim” të autorit Sahit Shala, mund të përfundojmë se gjatë realizimit të vet poetik e artistik, autori është ngritur në bazë të një evolucioni të vazhdueshëm e cilësor, duke e pasuruar gjithnjë opusin poetik të tij.