Kulturë
Përparim Hysi: "Detyra e shtëpisë"
E shtune, 23.03.2019, 11:00 AM
"Detyra e shtëpisë"
Tregim
Nga Përparim Hysi
Kjo qe një ndodhi fare e papritur. U njohën virtualisht dhe, kur nuk e mendonin, u lidhën aq shumë,sa tanimë nuk bënin dot pa njëri-tjetrin. Deri këtu, nuk ka ndonjë surprizë të pakëndshme. Dhe nuk është se ndodhi veç me këta të dy. E veçanta e kësaj lidhjeje kaq të papritur, është fakti se që të dy: si ai, por dhe ajo, kanë familjet e tyre dhe tek asnjëri nuk egziston qoftë dhe një grimë fare mikroskopike hamendësie për një prishje qoftë hipotetike të familjes.
Unë që i njoh që të dy dhe,veç njohjes, e njoh këtë lidhje, mund të them se kjo"lidhje e pazgjidhshme", po ta hedhësh në"hartën e dashurisë", është e barabartë me atë proverbin çifut që thotë:- Ndihmo, o Zot, dhe ata, por dhe tanët!
Dhe për t'u bërë pak më i përafërt për çdo lexues, kjo lidhje dashurie, është e tillë që në popull shprehet:"Mishi të piqet dhe helli mos digjet".
* * *
Po boll me sofizma. Le t 'i hapim "kartat" e kësaj dashurie, sa të fortë dhe,po aq tronditëse. Si ai dhe ajo, këtë "valle sa të vjetër dhe po aq të re", kanë filluar ta "kërcejnë", kur që të dy, janë bërë gjyshër. Pak çudi, por përvoja tregon që zemra nuk plaket njësoj me të zotin. Më saktë: zemra, qoftë e burrit dhe qoftë e gruas, shpesh jo vetëm nuk të njeh për zot, por rebelohet dhe i ngjet atij elementit kryengritës që zë e bën anarshira. Në këto rebelimet pa fre të zemrës, njeriu mbetë fare i pafuqishëm dhe i ngjet asaj anijes në det që nuk ka as busull,por as direk ku të varet vela. E humbet pusullën dhe,nëse do shprehesha me një gjuhë vulgare, do thosha: edhe i"ha", po edhe i "kruhet". Dhe ajo që e malcon edhe më këtë"lloj plage", është fakti shumë dometthënës:- Zemra as i njeh dhe as pyet për ligjet. Peng i kësaj mosnjohjeje ligjesh (e keqja është se as ligji nuk i njeh zemrat), ranë që të dy heronjtë e këtij tregimi modest.
* * *
Bëhej promovimi i një libri të një autori që kish ndërruar jetë. Një autor lirikash made in ESENIN. Auditori qe mbushur dhe, pothuaj, me pjesëmarrës që jo vetëm njihnin veprën e të ndjerit, por dhe shumë prej tyre, bashkëvujatës në burgjet e diktaturës të autorit të ndjerë. Folën njerëz për jetën dhe veprën dhe një prej tyre (qe në linjë lineare u takonte të përndjekurëve),broçkulliste duke bërë pohimin më tronditës:"... unë veprën nuk e kam lexuar,por i ndjeri X.Y. ka vlera...).
Fill pas tij, pa protokoll, u ngrit si rebelim apo si një britmë lufte, Gazmir Drita. Jam Gazmir Drita,- tha. - Unë vij nga provinca. Po të shprehesha me një gjuhë popullore: vij nga larg e larg mërguar/ tri male kaptuar. Natyrisht, për këtë auditor kaq të nderuar jam krejt i panjohur. Po si mund të jem i njohur, kur, me të vërtetë,jam ai "shterpari" I NAIM FRASHËRIT që kam "fjetur larg nga stani",për arsye subjektive që nuk është vendi për t'i përmendur. Vërtet nga provinca, po për autorin e ndjerë, mund të nisesha dhe në këmbë,vetëm e vetëm që të shihesha me të. Sot është "ringjallja" e tij dhe ky promovim, në këtë ditë kaq të madhe, më ka bërë mua,ateistin, që të besoj që qenka ngjallur KRISHTI! Qenka ngjallur se ja tek u ringjall, ky poet kaq i bukur; i vuajtur si SOKRATI dhe shpirtbrishtë dhe lirik i ëmbël si ESENINI. I ndjeri,sado që luftoi për liri, përfundoi në burgjet e diktaturës dhe,megjithatë, kurrë për asnjë çast,as me gojë dhe qoftë dhe në një varg të vetëm të tij, nuk shprehu kurrë urrejtje. Sa modesti kishte dhe sa lezet i kishte vargu:- Sa të bukur më ke bërë,o ZOT! Ai qe i bukur dhe iku nga kjo botë aq i bukur dhe aq i çiltër si një behar i ngrohtë apo si një blerim i pamortë.
Ai sot u ringjall dhe, për botën letrare, për shokët e miqtë (mjerisht,nuk arriti të krijonte familje), është një ditë e madhe sihariqi, por edhe zhgënjimi...
Kur Gazmend Drita bëri pohimin e fundit, auditori sikur u bë më i vëmendshëm dhe ai e zbrazi:- I ndjeri që sot ka DITËN E MADHE TË RINGJALLJES, atje në vendin ku prehet, sa gëzohet që po e kujtojnë, aq do t'i ftohen shpatullat nga një ndodhi pak e hidhur që unë nuk e kapërdij dot. Në këtë moment (siç i tregoi Drita më vonë), auditori u bë sy e veshë. Gazmir Drita vazhdoi:- Për fatin e mirë të të ndjerit, një nga shokët e tij të burgut, sot është ministër i kulturës dhe,ndërsa bashëvuajtësi ringjallet, ministri, për turpin e madh të tij, nuk gjeti pak kohë të"rishihej" me bashkëshokun; tjetri ca më keq: nuk paska gjetur kohë të lexojë veprën e të ndjerit. Me këto fjalë e mbylli diksutimin e tij,Gazmir Drita. Sakaq dhe u ngrit zvendës ministri për të"justifikuar" mungesën e ministrit e "tërrci-vërci".
Sa u ul, dëgjoi Dritën që i tha:- Të lumtë!
* * *
Gazmir Drita u kthye në shtëpi me ndjesinë që ka dikush kur heq një hall nga supet. Shkoi drejt e tek kompjuteri dhe,sa e hapi, mbrriti një e-mail. Ia dërgonte Drita.
Nuk e di,- i shkruante Drita,- se sa jam e emocionuar nga fjala jote. Tek bëre atë pohim aq tronditës dhe të guximshëm në atë auditor, m'u kujtua thënia e bukur e Bertold Brecht që thotë:" Ai që di të vërtetën dhe nuk e thotë,është kriminel". Për mendimin tim,- vazhdonte Drita,- ka persona që rriten menjëherë. Dhe ja tek ta them hapur: para syve të mi, jo vetëm u rrite, por "kreshta jote e guximit", nëse më lejohet të shprehem kështu, më rri varur si një vizion nga i cili nuk dua të ndahem. Kam një ndjesi përbrenda që sikur më copëton. Dhe ç'ndjej,e kam veç nga ti. Gjaku në damarë sikur më gurgullon dhe ky gurgullim është i lidhur veç me ty, Ndonjëherë, kam nevojë për heshtjen që të mblidhem me veten dhe të hamendësoj... Dhe nga nuk e ngas anijen e hamendësimeve: në detra ku nuk kam lundruar kurrrë.
Trembem nga një baticë që më sulmon, papritur, dhe kërkoj një liman për t'u mbrojtur. Dhe pse mos ta them? Ai "liman" je veç ti. Guximi yt nuk është hiç i shtirë dhe unë ndjehem mirë,tek të mendoj si"liman" ku mund të ankoroj "anijen" time. Ka ca "lloj sëmundjesh" (kjo imja, e tillë është) që transmetohen nga një trup tek tjetri, si puna e korentit,zë atë,tjetrin,me kontaktin me ty. Më ka zënë"sëmundja e guximit tuaj".
Sa do më pëlqente që të takoheshim vetëm për vetëm!
Gazmir Drita,pasi e rilexoj edhe njëherë e-mailin, iu përgjigj:- Takohemi tek holli i Pallatit të Kulturës (ditën dhe orën). U takuan dhe,tani, dukeshin sikur qenë të njohur prej kohësh. Ndërsa flisnin për akcilin autor, Gazmiri vuri re se Drita ishte një lexuese skrupuloze dhe,veç si lexuese, kish një profil të plotë si krijuese. Nuk mund të thoshe,se përballë kishe një bukuroshe që të merrte mendjen,por kishe një femër të mençme dhe me dinjitet. Pra,qe në shijen e tij se ai, së pari, tek femra vlerësonte mendjen. Koketat me mendjen firi-fiu qenë larg shijes së tij. Nga ana tjetër, ishte tip i tillë që nuk rendte pas marrinave. Ata qendruan bashkë rreth dy orë dhe u nxorën ujë të zi, të gjithë problemeve pa bereqet. Ky takim,si tet a tete, qe më shumë si një test çmimi për njëri- tjetrin. Kur u ndanë,duarët u shtrënguan fort dhe mend bënë "masë" dhe ai,guximtar siç qe, i tha:- Ah,sikur ta dije se sa të dua! Këtë e lëshoi ashtu si ai peshkatari që hedh grepin me shpresë se grepin do ta kafshojë, me siguri,një peshk i madh apo i vogël. Nuk pati nevojë të priste gjatë,se "peshku" foli:- Po. E di! Ky pohim mend e bëri me krahë dhe, tek kthehej në shtëpi, kish atë ndjesinë e bukur që të jepë një livadh me lule. Se ngjyrat dhe aromat të kënaqin shpirtin. Kishte atë ndjesinë që të jepë britma"urra",pas një beteje që porsa e fitove.
Ai e dinte mirë se,ndërsa ajo merrte autobuzin , ai donte një orë të mbrrinte në shtëpi. Sot do vonohej dhe ca: do ecte, kur thoshte MIGJENI:"... pa i lanë gja mangut zotnisë". Pritej një pështjellim i madh në jetën e tij,por dhe në të sajën (këtë: të sajën,e shtonte ai). - Do vonohem,- vendosi ai,- se me siguri ajo do më shkruajë. Këto lloj parashikimesh i kish patur dhe më parë,se nuk qe as riosh dhe as pa përvojë. Baticat dhe zbaticat e detit të tij të ndjenjave qenë të pranishme gjatë jetës së tij. Qenë dallgë që herë e zhytën dhe herë, gati e mbytën, por si"marinar" i sprovuar, ia kish dalë. Por tani, kur po i kalonte të gjashtëdhjetat, e ndjente se kish mbi shpinë peshën e një dashurie të madhe. Ishte diçka si një dramë, por dhe si ekstazë. Herë- herë, Drita për të, qe si një ylber që del pas një stuhie ndjenjash; qe si një flakë mbi dëborën e tij të ndjenjave që po flinin dhe kjo flakë,me ngrohtësinë e saj jetësore, i zgjoi këto ndjenja dhe para tij e vetmja pyetje që shtrohej,qe:- Vallë,a më dashuron ajo?
* * *
Sa mbrriti në shtëpi dhe drejt e tek kompjuteri. Përmjet e-mailit,shkruar me gërma kapitale, "... ah,sikur ta dish,-shkruante ajo,- se sa të dua! Ne,gratë, jemi të brishta; pak të frikura dhe gjithmonë kemi nevojë për një dorë që të na mbrojë. Këtë "mbrojtje" na i bëjnë burrat dhe unë e kam burrin tim që, pse mos ta them, ma ka dhënë, por sa të njoha ty,m'u duk se nuk qe e mjaftë. Që në atë çast,kur u ballafaqova me guximin tuaj, vetevetiu i thashë vetes:- Ja një burrë që më duhet. Ja një burrë që,veç guximit, është besnik që,për asnjë arsye, nuk të lë pa mbrojtjen dhe ca më shumë: pa dashurinë. Këtë dashuri ma premtove dhe unë,përmjet e-mailit po e pohoj:- Lëre atë burrë që të bëjë "detyrën e shtëpisë"!!!
Ky po. Qe një sihariq që ia mbushi zemrën. I ngritën"ambasadat" dhe,kur trokiti tek dera e saj, tha:- Kam ardhur të kryej "detyrën e shtëpisë". Gjithçka, më pastaj, qe sa romantike,aq dhe poetike. Atij i dukej sikur kishte një zemër të dytë. Dhe pasioni që të dy sikur po i digjte si një zjarr i madh që ushqehej,reciprokisht, me ndjenjat përvëluese të tyre.
Tiranë, 20 mars 2019