Kulturë
Gjekë Gjonaj: Teatri i Kukullave nga Tirana në Ulqin
E enjte, 21.03.2019, 09:01 PM
Teatri i Kukullave nga Tirana në Ulqin
Një eksperiecë e re dhe mjaft emocionuese
Nga Gjekë Gjonaj
Fëmijët e vegjël të qytetit të Ulqinit shumë kohë do ta mbajnë mend mbrëmjen e 11 marsit të këtij viti. Pikërisht atë mbrëmje të bukur salla e Qendrës Kulturore të Ulqinit u mbush pothuaj plot e përplot me fëmijë të vegjël. Ata ishin aq të lumtur , saqë vrap njëri pas tjetrit nxitonin për t’u ulur nëpër karriget e sallës së QK-ës. Bashkëbisedonin me njëri tjetrin. Qeshnin dhe prisnin me padurim që shfaqja “ Dasma Shqipëtare” të fillonte. Kjo shfaqje, e cila erdhi për publikun e vogël si muzikal nën regjinë e Paolo Comentale dhe nën interpretimin e shkëlqyeshëm të Shegushe Bebetit, Jorida Marsit dhe Elidon Alikës, i lumturoi këta spektatorë të vegjël, por të çiltër. Teatri i Kukullave nga Tirana bëri bashkë prindërit dhe fëmijët e këtij qyteti. Ishte kjo një shfaqje që kishte munguar prej vitesh në këtë qytet. Një eksperiencë e re, e bukur dhe sigurisht mjaft emocionuese. Një ekpseriencë e paprovuar më parë, e veçantë për mënyrën e realizuar , ndërsa shihje fëmijë që gëzojnë dhe shoqërojnë me kureshtje gjithë shfaqjen.
Pavarësisht se zhurma ishte e pranishme në sallë, ndërsa u afroheshe për t’i pyetur ata nuk nguronin të tregonin kënaqësitë e tyre, që kishin ardhur në këtë shfaqje. Kishte edhe nga ata të cilët ishin të shoqëruar nga prindërit apo familjarët e tyre, por të gjithë ishin njësoj, të lumtur.
Edhe pse ndoshta ky publik i vogël por i mrekullueshëm i fëmijëve mund të mos ketë parë ndonjëherë më parë teatër kukullash në një sallë teatri dëshmoi se e do këtë gjë. Fëmijët sa kohë që zgjati shfaqja jetuan me artin dhe kulturën. Arritën ta përjetojnë, ndiejnë e shijojnë atë. Të njihen me muzikën, elementet muzikorë. Morën emocione nëpërmjet artistëve të mrekullueshëm në skenë, e jo nëpërmjet teknologjisë.
Fëmijët vërtet u kënaqën shumë. E duartrokitën shfaqjen. Ata jo vetëm se përfituan nga rasti që t’i shohin kukullat drejtpërdrejt, por duke parë elementet e futura në këtë shfaqje të kërcimit folklorik tradicional shqiptar , ishte një mënyrë shumë e mirë për të mësuar se cilat janë këngët shqiptare, vallet shqiptare, kostumet shqiptare dhe trevat shqiptare. Kjo ishte edhe një risi e kësaj shfaqje e cila shpresoj se do të zgjojë interesim po kaq të madh edhe në qytete të tjera. Dhe vërtet, është e pabesueshme mjeshtëria me të cilën aktorët e Tiranës atë mbrëmje i dhanë jetë kësaj shfaqje, duke u futur në depërtimin e imagjinatës dhe vëmendjes së fëmijëve parashkollorë e të nivelit fillor.
Prurjet e këtilla skenike në Ulqin janë shumë të rëndësishme, të dobishme dhe të domosdoshme, nëse dëshirojmë që brezin e ri ta edukojmë në një frymë të re artistike. Sepse pikërisht kukullat e kanë magjinë e vet që ta krijon në momentin që ti e shikon apo në momentin kur ti e prekë dhe behet më e prekshme dhe më e gjallë. Magjia e teatrit u jep mundësi fëmijëve që për një çast të largohen nga ekrani i televizorit, telefonit, tablatet dhe të shkëputen nga interneti. T’i shohin kukullat drejtpërdrejt ( live) në skenë. T’i prekin ato. Të kënaqen me personazhet dhe t’i shijojnë nga afër.
Thuhet se teatri me kukulla ka lindur që në prehistori kur njerëzit e shpellave arritën të vërenin një fenomen që i mahniti dhe i bëri kureshtarë; atë të shfaqjes së hijeve në mure. Kështu filluan të krijonin forma të ndryshme me anë të duarve dhe lindën në këtë mënyrë shfaqjet e para me kukulla. Kukullat janë pjesë e historisë dhe jetës sonë të përditshme. Në forma të ndryshme ato arrijnë të joshin mosha të ndryshme, ndërkohë që përfaqësojnë zakone dhe tradita të vlefshme e edukative. Janë zbavitëse dhe magjepsëse. Fëmijët arrijnë të besojnë dhe po ashtu të gjejnë veten te kukullat. Ata arrijnë të futen dhe të eksplorojnë një botë kreative që kukullat i krijojnë.
Rëndësia e shfaqjeve të këtilla konsiston edhe në faktin se edukimi i fëmijëve përmes teatrit të kukullave u mundëson atyre të marrin porosinë shumë më direkt se sa përmes televizorit. Prandaj pa tjketër dhe pa hezitim duhet mbështetur nismëtarët e këtij bashkëpunimit të parë premtues mes Teatrit të Kukullave nga Tirana dhe Qendrës Kulturore të Ulqinit . Kjo rrugë e filluar bashkëpunimi hap shtigje që në të ardhmen të sjellin në Ulqin edhe shfaqje të tjera të bukura me kukulla.