Kulturë
Xhemaledin Salihu: Hapja e Shkollës së Parë Shqipe në Preshevë
E shtune, 23.03.2019, 11:54 AM
HAPJA E SHKOLLËS SË PARË SHQIPE NË PRESHEVË
Shkruan Xhemaledin SALIHU, profesor
Më 7 shkurt 2019 u mbushen 74 vjet të Shkollës së Parë Shqipe, të hapur zyrtarisht dhe solemnisht në Preshevë, te Vila Letafet, ku qytetarëve, mësuesve dhe nxënësve të ardhshëm, të kësaj shkolle u foli Abdullah Krashnica-Presheva, sekretar i Komitetit të Rrethit të Preshevës.
Para Luftës së Dytë Botërore, Preshevën e karakterizon prarambeturia e përgjithëshme arsimore dhe përqindja e madhe e popullatës analfabete. E gjithë kjo ishte rezultat i sundimit Otoman e më vonë i sundimit të Mbretërisë Serbe dhe Serbëve si dhe në ish-Jugosllavi, të cilët, jo vetëm që nuk lejonin shkollimin e Shqiptarëve, por donin asimilimin e tyre në turqë apo jugosllavë.
Vila “Letafet” në Preshevë
Në territorin e Luginës së Preshevës u hapën shkolla serbë dedikuar fëmijëve shqiptarë. Në Bujanoc qysh në vitin 1867 ka ekzistuar një shkollë serbe, një e tillë, dhjetë vjet më vonë u hap edhe në Banjë të Sijarinës. Mësimi në këto shkolla zhvillohet vetëm në gjuhën serbe.
Në vitin 1892, në Preshevë kanë mësuar në “Ruzhdie” 51 nxënës, në “Iptidaie” 103 nxënës, prej të cilëve 32 ishin femra dhe në “Sibiane” 41 nxënës.
Shkollat turke në Luginë të Preshevës pushojnë së punuari më 1912, kur Lugina pushtohet nga ushtria serbe. Pra, nga viti 1914 hapen vetëm shkolla serbe. Mësimi në shkolla kryesisht zhvillohet nëpër shtëpi private, nëpër xhami apo vende “Vakufe”.
Deri më vitin 1945, në Preshevë punuan 6 shkolla fillore katërklasëshe në gjuhën serbe, me 7 punëtorë arsimorë dhe rreth 150 nxënës. Mësimi zhvillohet në gjuhën serbe, edhepse popullata ishte shumicë shqiptare.
Shkolla e parë shqipe, në historinë e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës hapet më 7 shkurt të vitit 1945, në objektin e “Vila Letafet” pronë e Abdulla Haxhi Veliut. Mësuesit e parë ishin Hilmi Qerimi, Abdullah Ukshini, Tajar Zylfiu i Elbasanit dhe Demirali Ramadani-Hoxha.
Hapja e shkollës së parë shqipe në Preshevë
bëhet në mënyrë zyrtare dhe solemnisht, ku fjalën e rastit për rëndësinë e
shkollës në gjuhën amtare e mbajti Abdullah Krashnica, sekretar i Komitetit të
Preshevës.
Në bazë të mendimeve të shumë mësuesve të moshuar e më vonë edhe të
pjesëmarrësve të Luftës së Dytë Botërore (LDB), preshevari Abdullah Krashnica
luajti rolin vendimtar në hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe, duke
filluar në Preshevë, për të vazhduar edhe në vendbanime tjera shqiptare të
këtyre trevave.
Natyrisht, Abdullahu kishte shfrytëzuar ndikimin e tij te njerëzit në atë kohë, të cilët në radhë të parë ishin mësues, por që punonin në vise tjera.
Abdullahu erdhi në Gjilan. Unë atje punoja
si mësues prej një kohe të gjatë. Më ofroi që menjëherë të kthehesha në
Preshevë dhe ashtu bëra. Kështu, në shkurt të vitit 1945-së, hapëm shkollën e
parë fillore katërklasëshe në gjuhën shqipe në Preshevë. Objektin e shkollës na
e liroi preshevari Abdullah Veliu në të dalë të qytetit të Preshevës në
magjistralen që lidh këtë qytet me Gjilanin në Kosovë – kështu kujton Hilimi
Qerimi, mësuesi i parë në shkollën fillore në Preshevë.[1]
Mirëpo, ka edhe detaje tjera që janë të lidhura me hapjen e shkollës së parë
shqipe, është vendosja e flamurit kombëtar në ndërtesën e kësaj shkolle që edhe
sot quhet vila “Letafet”. Adem Ahmeti, njëri prej mësuesve të parë në komunë të
Preshevës, sqaron: “Abdullah Krashnica, luftëtari, trimi, patrioti shqiptar i
kësaj ane në vitin 1945-së ndihmoi në hapjen e shkollës së parë në gjuhën
shqipe në Preshevë. Në mitingun inaugurues ishte i pari që foli për rëndësinë e
hapjes së shkollave në gjuhën amtare. Edhe sot e përfytyroj atë miting, mbaj
mend fjalët që u thanë aty dhe kur për herë të parë valëvitej flamuri ynë
kombëtar në vilën “Letafet”. Ishte ky një fillim i mbarë i arsimit shqip në
Preshevë dhe kjo kishte një rëndësi të madhe, sepse deri në atë kohë nxënësit
shqiptarë kishin vijuar mësimin në gjuhën turke dhe gjuhën serbe.”[2]
Vila Letafet, pronë e Abdulla Haxhi Velisë, nga Presheva, ish tregtar dhe atdhetar i devotshëm, një ndër themeluesit e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar në Shkup. Vila Letafet e mban emrin e vajzës së madhe të Abdulla Veliu.
”Në trojet tona për herë të parë po hapeshin shkollat në gjuhën shqipe. Për këtë ishin krenar si mësuesit ashtu edhe intelektualët që kishin ëndërruar arsim laik në gjuhën amtare. Udhëheqësit shqiptarë të pushtetit të ri, që kishin luftuat për çlirim nacional, përpiqeshin me mish e me shpirt për hapjen e shkollave. Ndonëse nuk shërbenin në arsim, kishin shumë ndikim në përhapjen e arsimit. Atë e propagandonin njësoj si mësuesit. Antifashisti, luftëtari, trimi, patrioti dhe entuziasti i madh, Abdullah Krashnica, që në vitin 1945 ndihmoi në hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Preshevë. Në mitingun inaugurues që i pari që foli për rëndësinë e hapjes së shkollave në gjuhën amtare. Ishte ky një solemnitet modest, por i ngrohtë, ashtu siç ishin të ngrohta edhe fjalët e tij në këtë miting. Edhe sot e parafytyroj atë miting, mbaj mend fjalët që u thanë aty dhe ku për herë të parë valonte flamuri ynë kombëtar në vilën “Letafet”.
Ishte ky një fillim modest me tre-katër mësuesit e parë:Tajar Zylfiu, tani i ndjerë, normalist i Elbasanit nga Shqipëria, mësuesi Hilmi Qerimi dhe disa të tjerë.
Në vitin shkollor 1945/46 ishin hapur pak shkolla, pasi mungonin mësuesit. Në këto shkolla punonin edhe disa mësues të fesë, si hafëz Lutfi Ahmeti, hoxhë Demirali Ramadani etj.
Mësues të parë ishin Fehmi Salihu dhe Abdullah Ukshini nga Përlepnica e Gjilanit, Mustafë Selimi, Emin Ramadani, Mehmet Kadriu, Nexhat Ramadani etj.Në vitin tjetër numri i shkollave u rrit……….”[3]
Të theksojmë se përgatitjet për hapjen e shkollës së parë në Raincë filluan më 5 shkurt 1945 në fshatin Raincë, me mësuesin e parë Fehmi Salihu nga Përlepnica e Gjilanit dhe me preferimet e Abdullah Krashnicës.
Këtë e dëshmojnë Mulla Xhemal Musliu dhe Ruzhdi Ymeri nga
Rainca, nxënës të klasës së parë të kësaj shkolle në vitin 1945, të cilët më 5
shkurt 2015 e vizituan Shkollën fillore në Raincë, e uruan drejtorin Shukri
Ymeri për Ditën e shkollës dhe evokuan kujtime për këtë ditë.
Ndërsa sipas raporteve shkollore të gjetura në Arkivin e Vranjës, të shkruara
në Monografinë e Arsimit fillor në komunën e Preshevës 1945-1995, shkruan se
Shkolla e parë në Raincë u hap më 6 shkurt 1945.
Pastaj, në fletoren e historikut të Shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Raincë shkruan se solemniteti për ditën e shkollës u organizua më 10 shkurt 1945.
Pas
LDB në Preshevë hapen shkolla fillore katërklasëshe në të gjitha vendbanimet e
mëdha. Mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe serbe. Në këto shkolla mungonte
kuadri i kualifikuar mësimor, por edhe përfshirja e nxënësvë ishte e vogël,
sidomos e fëmijëve shqiptarë.
Në Caravajkë, mësimi ka filluar në vitin shkollor
1947/48 dhe mësimi është mbajtur në shtëpi private.Me ndërtimin e ndërtesës së
Kooperativës bujqësore filloi mësimi të mbahet në lokalet e saja deri më 1954.
Edhepse ishin kushtet e vështira të punës, mësuesit atdhetarë dhanë maksimumin e tyre në procesin edukativo-arsimor, vetëm e vetëm për t’i edukuar nxënësit në frymën e atdhetarizmit.
Kështu veproi edhe mësuesi nga Bushtrani Kadri Rexhepi, i cili gjatë vitit 1950/51 punoi në Caravajkë, në klasën e tij nxënësit vinin në shkollë me plisa, ndërsa në vitin shkollor 1967/68
punoi në Bushtran. Klasa e IV fillore ishte në atë kohë e motivuar me Heroin e Madh Skenderbeun.
Mësuesi Kadri Rexhepi me nxënësit e vitit shkollor 1950/51 në Caravajkë,me Plisa të Bardhe si bora.
Mesuesi Kadri Rexhepi,me nxënësit e vitit shkollor 1967/68 në Bushtran, dashamir i arsimit shqip, nxenesit me Skenderbeun e Madh
Në vitin 1948/49 hapet klasa e pestë e shkollës fillore, si klasë e parë e Gjimnazit të Ulët, e cila më vonë ngritet në shkollë të parë fillore tetëvjeçare. Gjatë vitit shkollor 1962/63 u hapën edhe 4 shkolla fillore : në Miratoc, Caravajkë, Raincë dhe Strezoc. Më vonë hapën edhe shkollat fillore në Leran dhe Corroticë.
Nxënësit ë Shkollës së Parë shqipe, më 1945
Mësuesit e parë të shkollës shqipe në Preshevë ishin Hilmi Qerimi, Abdullah Ukshini, Tajar Zylfiu i Elbasanit dhe Demirali Ramadani-Hoxha.
Shkolla e parë në Preshevë mban emrin “Selami Ibrahimi”, Dëshmor i Kombit, i varur më 1944, në Prizren.[4]
Vila “Letafet” ku u vendos Shkolla e Parë Shqipe në Preshevë
Bejtullah Osmani, arsimtar i lëndës së matematikës, tashti në pension shpalos kujtimet e tij të pashlyeshme për Ditën e madhe të hapjes së shkollës për herë të parë në gjuhën shqipe, në villën “Letafet”, pronë e arsimdashësit dhe intelektualit e patriotit të madh Abdullah Haxhi Veliut nga Presheva:
“Vetëm disa ditë para se të bëhej promovimi i shkollës në Preshevë, ai kishte shkuar në Prishtinë, Gjilan, Vrajë e kudo tjetër. Kishte kontaktuar me njerëz të kualifikuar për mësues siç ishin Hilmi Qerimi, Nazmi Mustafa, Hafëz Lutfi Ahmeti, Demirali Ramadani-Hoxha e të tjerë që kishin dhënë pajtimin për të punuar, nëse kishte nevojë edhe pa shpërblim material.”[5]
Në bisedë me nxënësin e shkollës së parë shqipe, Nehat Hazirin të Mëhallës së Bugarinëve mësuam se pos tij nxënës të kësaj shkolle ishin edhe Xhevat Haziri i Bugarinëve, Abdulla Haziri poashtu i Bugarinëve, të lindur më 1933.Pos këtyrë kusherinjve të vet Nehatit Hazirit i kujtohen edhe Musherefja, mbiemrin e të cilës nuk i kujtohej, Ajtenja e shkuar në Turqi, Gjyzelja, Alush Horosani . Ndërsa mësues i kujtohen Nehat Hazirit: Demirali Hoxha, Tajar Zylfiu, Fehmi Salihu. Nehat Haziri e përmend arsimdashësin kushëririn e vet Hasan Hazirin, i cili i mësonte mësim fetar , por i cili gjithashtu disa ditë më parë i përgatiti Nehatin, Xhevatin dhe Abdullahun dhe në ditën e hapjes i dërgoi këta në shkollë.[6]
Nehat Haziri thotë se me frikë të madhe, por kurreshtar shkuam në shkollë, te Vila “Letafet” ku ishin tubuar shumë njerëz, qytetarë, nxënës dhe mësues të shkollës.
Bisedë me Mushrefe Ahmedi-Halili, e lindur më 1935 dhe nxënëse e klasës së parë në shkollën e parë shqipe, të cilën e zhvilloi Mahmut Ahmedi, mësuam se nxënës të klasës së parë të kësaj shkolle ishin: Musherefe Ahmedi, Nerminja e Alush Shehut, Hidajetja e Sali Dodes, Zekija e Rexhep Shitës, Nezaqetja, motra e Halilit të Rrahmonëve, Eminja e Hevzi Saraçit, të shkuar në Turqi, Hikmetja e Abdulla Haxhi Velisë, Elhamja e Hysit të Mutishëve, Makfirja nga Bujanoci, Sinije Osmani-Aliu e Mutishëve si dhe nga nxnënësit mashkuj i kujtohet edhe Sula i Kadri Mullinxhisë së Karaponxhëve.
Zonjës Musherefe nga mësuesit i kujtohen Abdullah Ukshini,Hilmi Qerimi, Demirali Hoxha, më vonë Kadrije Qerimi, Alije Qerimi.[7]
Në bisedë me Vebi Aliun-Dasa mësues nga Presheva,[8] lidhur me shkollën e parë shqipe në Preshevë mësuam se nxënës të klasës së parë, pos tij ishin: Zejnel Kelmendi, Zeqavete Veliu, Zehra e Halil Agës, Xhevat Bugarina, Ymer Shabani, Sylejman Ahmeti, Vahit Mustafa, i cili në pyetjen tonë lidhur me shkollën e parë shqipe, asgje nuk deklaroi, Bejtullah Osmani. Sipas Vebiut klasa e parë numronte dikund rreth 25 deri në 30 nxënës.
Poashtu atij i kujtohet se udhëheqësit ishin radhitur në të majtë të oborrit të Vilës “Letafet”, te shkallët.Ndërsa si mësues i kujtohen Hilmi dhe Hava Qerimi.
Në këtë bisedë ishte prezent edhe Xhemal Bektashi, mësues nga Miratoci, i cili në bisedë e sipër tha se mban në mend dhe i kujtohen fjalët e të ndjerit Shukri Qerimi, i cili paska thënë se shkolla e parë shqipe është hapur në Preshevë.
Poashtu në bisedë me Ramadan Ahmetin-Aga Dani i Kajallarëve,[9] nxënës i klasës së parë në shkollën shqipe mësuam se me te në klasë të parë ishin edhe Muharrem dhe Islam Iljazi të Mëhallës së Berberëve dhe se i kujtohet se Demirali Hoxha i paska mësuar dovë dhe lutje fetare.
Në bisedë me Bejtullah Osmanin, lidhur me shkollën e parë shqipe mësuam se nxënësit e shkollës ishin të ndarë sipas moshës në tri /3/ grupe apo paralele. Pra ishin të përfshirë në klasën e pare, fëmijët e Preshevës që nga mosha 7 vjeç deri më 15 vjeç.[10]
“Në shkolla u përfshinë fëmijët nga 7-15 vjeç, por të gjithë në klasën e parë të fillores, pasi që në kohën e luftës nuk kishin pasur mundësi të vijonin shkollën fillore.”[11]
Grupin e parë e bënin të moshuarit dhe më të vjetrit, të lindur më vitin 1930, atëherë ishin 15 vjeçar. Sipas Bejtullah Osmanit këta ishin: Abdylqerim Saqipi i Mëhallës së Alimetëve, sipas kujtesës së djalit të tij Rexhep Saqipi ishte nxënësi më i mirë në klasë në matematikë, ashtu i paska thënë babai tij, Ramadan Ahmeti-Aga Dani i Kajalllarëve, Fehmi Dalipi, nip i Hallaçëve në rrugën M. Tita, Fehmi Kelmendi i Mutishëve, Selveri i Vebisë së Mëhallës së Derrajve, si dhe nxënësit që i përmend Aga Dani.
Grupin e dytë të nxënësve e bënin fëmijët e lindur më 1933-35, nxënësit të cilët i përmendi Musherefe Ahmeti-Halili dhe Nehat Haziri, ndërsa grupin e tretë sipas Bejtullah Osmanit e bënin fëmijët e lindur më 1937-38: Bejtullah Osmani, Sylejman Hyseni, Rahim Hamidi i Kurbalisë, Nexhati Hamidi, Lutfi Jahiu i Harunëve, Selajdini i Mëhallës së Bugarinëve, Xhevat Miftari i Mëhallës së Alimetëve dhe të gjithë ata që i përmendi Vebi Aliu-Dasa.
Grupin e parë dhe të dytë të nxënësve e ka udhëhequr mësuesi Hilmi Qerimi, sipas Bejtullah Osmanit, të cili pos Hilmiut i kujtohet si mësues edhe Nazmi Mustafa.
Poashtu sipas Bejtullah Osmanit, përgatitjet për fëmijët në Preshevë, për të shkuar në klasën e parë kishin filluar shumë më herët se më 7 shkurt 1945. Atij i kujtiohet se në mbarim të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945 nuk kishte lokale të përshtashme për shkollën shqipe, sepse të gjitha lokalet ishin të zanur nga ushtarët e Brigadës së Shqipërisë, e cila dikur më 1,2 dhe 3 shkurt 1945 bëri përgatitjet dhe sëbashku me Brigadën e Preshevës shkuan për në Frontin e Sremit. Atëhërë u liruan lokalet për shkollë, Abdullah Haxhi Veliu e dha Vilën “Letafet”, shtëpinë e banimit për shkollë.
Përgatijet për shkollën e parë shqipe ishin bërë shumë më herët në Preshevë, duke i përgatitur fëmijët për shkollë. Propagandimi për shkollë bëhej atëherë nëpërmjet dhetarëve të Brigadave të Shqipërisë dhe asaj të Preshevës nëpër shtëpitë e qytetit të Preshevës, thotë Bejtullah Osmani.
Dikur më vonë shkolla e parë shqipe kaloi në ndërtesën e shkollës serbe, ndërtesës së sotme montazhë karshi Stacionit të Autobusave dhe në Medresenë në Preshevë.
Nxënësit e shkollës së parë në Preshevë, me rastin e vdekjes së Abdullah Krashnica, në mënyrë të organizuar morën pjesë në varrimin e tij.
Poashtu Bejtullah Osmani më përmendi se në bisedë më Hafëz Avni Ahmetin paska mësuar se baba i tij Hafëz Lutfi Ahmeti, më 4 shkurt 1945 paska marrë detyrën e përgjegjësit për kulturë në Preshevë.
Në fillim sipas Bejtullah Osmanit, populli e mbante shkollën, nxënësit dhe mësuesit, duke i përgatitur dhe duke i ushqyar me dreka dhe darka.
Disa nga mësuesit e parë të shkollës shqipe në Preshevë
Hilmi Rexhep Qerimi(1922-2010)
U lind në 20 korrik 1922 në Preshevë. Katër klasë të fillores i kreu në gjuhën serbe në Preshevë, katër klasë të Medresesë “Isa Beu” në Shkup, klasën e pestë Normale në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. Më 1942 mbaron kursin pedagogjik. Punën edukative arsimore e filloi më 1942 në Livoç të Gjilanit.
Në vitin shkollor 1942/43 pranë shkollës fillore të Livoçit punoi kursi për analfabet, të cilin e udhëhoqi, mësuesi Hilmi Rexhepi. Në kurs ishin regjistruar 62 kursistë, por rregullisht mësimet i ndoqën 60 kursistë. Ata mësuan shkrim-leximin e gjuhës shqipe. Kursi ia filloi punës me 24.12.1942 dhe punoi deri me 24.3.1943.
Këtë punë e vazhdon në Bresalcë dhe Kmetoc të Gjilanit. Më 8 shkurt 1945 ia fillon punës në shkollën fillore të Preshevës.
Abdullahu erdhi në Gjilan. Unë atje punoja si mësues prej një kohe të gjatë. Më ofroi që menjëherë të kthehesha në Preshevë dhe ashtu bëra. Në vitin 1951 punon në shkollën e Gerajt e më 1952 në Progjimnazin e Preshevës. Për punën e tij ardhetare, Hilmi Qerimi u arrestua më 28 gusht 1961 dhe u mbajt 3 muaj në burgun e Bujanocit. Pas këtij burgimi u dënua 3 vjet burg, prej të cilëve i mbajti dy vjet e gjysmë.
Punën e vazhdoi në Kumanovë, ku punoi deri në pensionim më 1985. Jetoi në Kumanovë dhe vdiq më 2010.
Mark Gashi (1900-1990)
U lind në Selishtë të Karadakut, më 1910. Shkollën fillore e kreu në Zhegër, gjimnazin në Gjilan, Vranjë e Shkup, studioi edhe në Akademinë Ushtarake dhe ishte njëri nga pilotët e rrallë shqiptarë. Mirëpo pas një letre denoncuese të një të afërmi nga Shqipëria, pushohet nga puna. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore arrestohet nga italianët, ndërsa pas LDB nga pushteti jugosllav dënohët si pjesëtar i Ballit Kombëtar. Pas vuajtjes së dënimit kthehet në vendlindje dhe prej vitit 1950 punon si mësues në Caravajkë të Preshevës. Më pas kryen detyrën e përgjegjësit të arsimit në komunën e Preshevës dhe hap shkollat e reja në Kurexh, Terziaj, Dunav, Maxhere dhe Ilincë. Mirëpo kjo veprimtari arsimore dhe patriotike, anëtar i NDSH për Preshevë, u pengonte organeve të pushtetit serbo-sllav. Marko Gashi u burgos dhe pas vuajtjes së dënimit nuk e lejuan të kthehej në arsim. Pastaj Marko bashkë me të shoqen Çiçelinë, poashtu mësuese shërbyen në Preshevë e Miratoc. U shpërngul në Bosnje e pastaj në Maqedoni,ku edhe vdiq më 1990. Djali i tij ishte Mirk Gashi, poet i njohur dhe nipi Antonio Gashi, violinçelist i njohur në Kosovë.
Paria e Kosovës lindore: Foto ulur nga e majta Abdullah Presheva, Limon Staneci, Riza Hyseni(Norça), Mark Gashi dhe në këmbë: Shaip Asllani(vëllai i Limonit), Hetë Koka, Xhelil Seferi, Ajet Koka, Saqip Bukuviku.(Azem Pushka)
Historia ynë ka qënë e kursyer me veprimtarinë e Mark Gashit, njërit nga bashkëpunëtorët më besnik të Metush Krasniqit. Marku ishte i martuar dhe kishte katër fëmijë: një djalë e tri vajza. Për arsye konspirative dhe për t’ i mbuluar lidhjet e tij me”Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Shqiptare”, ai i kishte regjistruar fëmijët në paralelen serbe. Kjo s’ishte aq e tmerrshme, sepse bashkshortja e Markut ishte nga Kraleva.
“Një
ditë, kur ai po kthehej nga një takim që kish patur me përfaqsuesin e Legatës
Italiane në Shkup, UDB-a e arrestoi në tren dhe Marku u dënua me 11 vjet burgim
të rëndë.
Por fati qenka shumë kapriçioz. Pak kohë pas arrestimit të Markut vdes
bashkëshortja e tij dhe lë katër jetimë. Më i madhi prej tyre është Mirku, më e
vogla Elizabeta. S’ ka mëdyshje se gjendja shpirtërore e fëmijve Gashi ishte
rrënqethëse, por falë solidaritetit të shquar shqiptar, të cilin e kam përshkruar
edhe në romanin ”Stina e emrave të bukur”, halli i tyre u zgjodh më mirë seç
mendonte Udba. Një ditë, kur askush s’ e priste ardhjen e saj, n’ oborrin e
vilës “Letafet” ateroi një engjull me rroba të bardha e bistekë të gjatë. Ishte
kjo zonja Çeçilia, gruaja e dytë e Markut, që kishte ardhur për t’ ia ruajtur
fëmijët dhe për ta pritur nga burgu. Atë detyrë ajo e mbaroi në mënyrë
shembullore.”[12]
Lutfi Ahmeti(1904-1981)
Hafëz Lutfi Ahmeti u lind në Preshevë, më 1904, në një familje arsimdashëse. Ai ka pasur arsimim fetar. Hfz Lutfi Ahmeti hoxhë i shkolluar, karrierën e mësuesit e filloi në vitin 1946 në shkollën fillore shqipe në lokalet e Medresesë së re, te Xhamia e Poshtme në Preshevë bashkë me mësuesit Fejzi Ahmeti nga Lotovica, Kadrije (Qerimi) Kelmendi, Demirali Ibrahimi, Shukri e Hilmi Qerimi dhe Mehmet Jusufi. Por, profesionin e mësuesisë e ushtroi deri në vitin 1956, pastaj vazhdoi të ushtrojë detyrën e hoxhës.
Punën e vazhdoi si imam i Xhamisë së Vjetër, Ibrahim Pasha, në qendër të qytetit dhe myfti në Preshevë. Me titull ishte Hafëz.
Hafëz Lutfi Ahmeti ishte njohës i mirë i rrethanave politike, kulturore, arsimore të Preshevës e më gjerë. Sipas djalit, Sylejman Ahmetit, Hfz Lutfi Ahmeti e filloi ta mbajë ofiqarin që nga vitit 1933 dhe të parin e regjistroi djalin e tij, te lindur, Hfz Zihni Ahmetin. Hfz Lutfi Ahmeti paska vërtetuar se Presheva ka marrë emrin si fushë e preshëve.Librat e Ofiqarisë i mbajti deri pas Luftës së Dytë Botërore, gjegjësisht më 1945 i dorëzoi në Ofiqarinë e komunës së Preshevës.
Hafëz Lutfiu ishte ndër themeluesit e LKpÇB dhe veprimtar i denjë i kësaj Lëvizjeje atdhetare. Bënte pjesë në parinë e Preshevës dhe gjithmonë ishte prezent sa herë që bisedohej apo vendosej për Preshevën. Në jetë ishte me profesion hoxhë i xhamisë, por edhe dashamir i këngës, valles dhë humorit. Me nje fjalë bohem i kohës.Vendndejat më të mira të tija me parinë e Preshevës dhe shokët ishte Kafja e Xhavit Qorrit te lumi, pronë e Abdullah Haxhi Velisë, rruga e Gjilanit dhe berberhania e Qani Ramadanit. Aty mblidheshin kryesisht burrat e parisë së Preshevës, ku bisedonin për rrethanat politike dhe shoqërore të Preshevës e më gjerë.
Sipas Sylejman Ahmetit, Në elitën preshevare bënin pjesë : Esat Aga, më vonë djali i tij Halil Aga, Adem Kamberi, Ymer Efendiu, Hafëz Beqiri dhe Abdullah Haxhi Veliu, te cilët shpesh rrinin në kafenë e Xhavit Qorrit, te lumi, pron e Abdullah Haxhi Velisë, ku bisedonin për rrethanat politike e shoqërore dhe bënin muhabet për përditshmërinë preshevare. Atyre i bashkangjitej edhe ndonjë tjetër si Hafëz Lutfi Ahmeti e tjerë.
Jetoi dhe vdiq në Preshevë, më shtator të vitit 1981.
[1] Skënder Latifit, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006, f.93
[2] Po aty, f. 94
[3] Skënder Latifi, Gjurmët e Pashlyera(Tekste autoriale dhe shënime biografike për Mehmet Jusufin dhe Adem Ahmetin), Prishtinë, 2015, f.74
[4] Ilir Zylfiu, Arsimi shqip në Luginën e Preshevës gjatë shekullit XX, në librin: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, dje, sot dhe nesër,në botim të IAP dhe SHTKK, Preshevë, 2015, f.204.
[5] Hasan Emërllahu, Abdullah Krashnica(Presheva dhe lufta e saj për bashkim kombëtar dhe vetëvendosje), Monografi, Prishtinë, 2015, f.419.
[6] Bisedë me Nehat Hazirin, më 15 shkurt 2016
[7] Bisedë me Musherefe Ahmedin-Halilin, të cilën e bëri Mahmut Ahmedi, më 15 shkurt
[8] Bisedë me Vebi Aliun-Dasa, më 10 shkurt 2016
[9] Bisedë me Ramadan Ahmeti-Aga Dani, të cilën e zhvilloi Bujar Ahmeti ,më 17 shkurt 2016
[10] Bisedë me Bejtullah Osmanin, më 15 shkurt 2016
[11] Skënder Latifi, Gjurmët e Pashlyera(Tekste autoriale dhe shënime biografike për Mehmet Jusufin dhe Adem Ahmetin), Prishtinë, 2015, f.75.