E marte, 15.10.2024, 01:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Florim Zeqa: Aviano, vendi ku lindi dielli për shqiptarët!

E shtune, 23.03.2019, 11:31 AM


Aviano, vendi ku lindi dielli për shqiptarët!

Shkruan: Florim Zeqa

Friuli-Venezia Giulia është një rajon italian me status të veçantë në Italinë veri-lindore, i cili kryeqytet e ka Triesten. Friuli-Venezia Giulia përbëhet nga dy rajone historiko-gjeografike me karakteristika të ndryshme kulturore: Friuli, që përfshin zonat provinciale Pordenone e Udine dhe Venezia Giulia, që përfshin zonat në provincat Trieste dhe Gorizia.

Aviano është lokalitet i provincës Pordenone, në rajonin autonom Friulli-Venezia-Giulia të pjesës veri-lindore të Italisë, vend ku ndodhet edhe njëra nga bazat më të mëdha të NATO-s.

Aviano, vendi nga i cili për 78 ditë rresht shkonin e vinin aeroplan bombardues nga baza ushtarake e NATO-s.

Ishte ky intervenimi më i madh i aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia për të ndaluar krimet, dhunën dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.

Shqiptarët e Kosovës fundi i shekullit të 19 i gjenë në përpjekjet titanike për çlirimin e vendit. Përderisa çlirimtarët ndodheshin në vijat e frontit, popullata e përndjekur ishte me shpresa të thyera,  ku vetëm një fije e hollë shprese i mbante gjallë, kur distancën në mes jetës dhe vdekjes e kishin më afër se asnjëherë më parë, ndërkaq shiqimin e kishin drejtuar kah qielli, pritnin e luteshin për shpëtimin!

Pikërisht shpëtimi për shqiptarët e Kosovës filloi nga Aviano (PN-Itali), filloi nga qielli italian në orët e para të 24 marsit të vitit 1999, i cili zgjati plotë 78 ditë e netë pandërprerë.

Në këtë ditë lindi dielli për shqiptarët, lindi shpresa reale që rezultoi me çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Ishin forcat ajrore ndërkombëtare që bombarduan për 78 ditë rresht caqet e forcave pushtuese serbe. Për më tepër se befasi, ishte ky një realitet i ri dhe i pa parë deri më tani në këtë pjesë të Evropës dhe botës.

Pak kush e kishte pritur ngritjen e aeroplanëve luftarak nga Aviano, madje as drejtuesit politik të shtetit italian të asaj kohe. Megjithatë ndodhi mrekullia, ajo na erdhi pikërisht nga qielli ashtu siq edhe pritej.

Ushtima e bombarduesve çlirimtar, simfonia më e këndshme për veshët e shqiptarëve

Ishin këto 78 ditë të zhurmshme, të mundimshme dhe pa gjumë për banorët e kësaj pjese të Italisë, mirëpo ushtima e bombarduesve çlirimtarë për shqiptarët e Kosovës ishte simfonia më e këndshme, që paralajmëronte agimin e lirisë, që paralajmëronte çlirimin e vendit nga pushtuesit shekullor.

Gjatë tërë kohës sa zgjatën bombardimet ndaj caqeve serbe, në Aviano vinin e shkonin familje të shumëta shqiptare nga viset e ndryshme të Italisë si dhe nga vendet e tjera Evropiane, për të shijuar kënaqësinë e nisjes së bombardueseve të NATO-s.

Vërtetë ishte kënaqësi e madhe dhe ndjenë e papërshkruar me fjalë të shihje nga afër të ngriheshin në qiellë bombarduesit çlirimtar të atdheut tonë.

Intervenimi i forcave të NATO-s, edhe tani pas 20 viteve, mbetët njëra ndër ngjarjet më madhore në historinë e shqiptarëve në përgjithësi, e në mënyrë të veqantë për shqiptarët e Kosovës.

Forca mbrojtëse dhe garantuese

Përderisa 20 vjet më parë, intervenimi i NATO-s, për më tepër se intervenim ushtarak, ishte kuptuar si mision humanitar për shpëtimin e një popullate krejtësisht të pambrojtur, që i kanosej shfarosja dhe deportimi kolektiv nga trojet e veta,...20 vjet më pas, prezenca e NATO-s në Kosovë dhe baza ushtarake BONDSTEEL konsiderohen forca mbrojtëse dhe garantuese të lirisë sonë.

Gara e pashëmbullt e disa "çlirimtarëve" për të marrë primatin e çlirimtarëve të vendit, ka bërë që t'i harrojnë çlirimtarët faktikë të vendit tonë, NATO-n dhe SHBA-të.

Madje disa subjekte dhe liderë partiakë kanë filluar të harrojnë luftën, bashkë me këtë edhe  ndihmën e madhe, të pa parë ndonjëherë gjatë historisë sonë shekullore, që na erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota e civilizuar e demokratike në përgjithësi.

Pavarësisht sjelljeve të liderëve partiakë, populli shqiptar i Kosovës përgjithmonë do t'u jetë mirënjohës SHBA-së dhe shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian për ndihmën e pakursyer në çlirimin e vendit tonë, rindërtimin dhe konsolidimin e shtetit, ndihmë e cila po vazhdon edhe në ditët e sotme.

Pra, dita e 24 marsit të vitit 1999, është dita e lindjes së diellit për shqiptarët e Kosovës, dita e shpresës dhe shpëtimit nga shfarosja kolektive.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora