E hene, 14.10.2024, 02:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Kuvend me Meçanin dhe për Meçanin

E shtune, 23.03.2019, 11:59 AM


KUVEND ME MEÇANIN DHE PËR MEÇANIN

Nga Kadri Tarelli

Sot në një ditë të shënuar siç është 22 Marsi 2019, në mjediset e hotel “Mediteran”, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, organizoi një kuvend kushtuar shkrimtarit dhe publicistit Meçan Hoxha, i cili përuroi edhe dy librat e tij: “Gramshi në jetën time” dhe “Kontribute letrare”.

Në vlerësimin e librave u lexuan katër kumtesa, nga Alma Bega historiane, Zydi Shehu, ish drejtori Muzeut të Kavajas, Avni Çuni, drejtor i QKF. Durrës dhe unë Kadri Tarelli.

Meçanin e përshëndetën shumë nga të pranishmit, duke i uruar shëndet dhe krijimtari të bukur letrare dhe studimore, ndërsa unë mbajta kumtesën:

DAUTIZMI, SI DUKURI E DIKTATURAVE”

Në librin e Meçan Hoxhës, “Produkte Letrare”, publikuar kohët e fundit, ka edhe një shkrim: “Ditari i Daut Hoxhës dhe Dautizmi shqiptar”. Është një analizë e hollë, lidhur me një dukuri psikologjike e shoqërore, e pa rrahur më parë në letrat shqipe, që ka të bëjë me “Burgosjen e fjalës dhe të mendimit”, nga frika e ndëshkimit të egër. Ndaj Stefan Cvajg, thotë: “Njeriu mund të gënjejë, të shtiret, të dorëzohet; ndërsa shkrimi e tradhton njeriun, do apo s’do ai. Ai është i patjetërsueshëm, po ashtu si edhe vetë njeriu dhe, në ndonjë rast, rrëfen edhe më shumë, se për çfarë hesht njeriu”.

U njoha me shkrimin e Meçanit, këtu e një vit më parë, kur më tha: “Kam bërë një studim të vogël, por dua një mendim tëndin. Shkrimin e bëra pasi u binda dhe si Shën Thomai, e pashë dhe e preka vetë ditarin e Daut Hoxhës”.

Unë e lexova dhe më pëlqeu si gjetje dhe trajtim. Të them të drejtën nuk e kisha lexuar librin, të cilin miku ynë Dauti ma dha para një muaji, por kjo nuk më pengoi, që pas do kohësh Meçanit t’i kthej përgjigje. Është përafërsisht shkrimi i publikuar në shtyp dhe në portalet elektronike, me titull: “”DAUTIZMI”, DUKURI SHOQËRORE JO VETËM SHQIPTARE”. Diskutim me shkrimtarin Meçan hoxha”.

Dautizmi, (fjalë e gjetur bukur edhe për fjalorin shqip), është një teme të madhe, që nuk është vetëm “Patentë” shqiptare, pasi dautë dhe dautizëm ka në çdo sistem diktaturash. Shembuj mund të gjenden sa të duash, njëkohësisht analiza dhe diskutimi i tyre mbush mijëra faqe letër dhe mijëra orë kohë. Ndaj në këtë kuvend të bukur krijuesish, po mundohem të prek vetëm dy-tri gjëra të vogla:

Së pari: dua të përshëndes të dy autorët: Daut Hoxhën dhe Meçan Hoxhën, të cilët nuk kanë asnjë lidhje, veç mbiemrit të njëjtë dhe krijimtarisë letrare: të dy shkruajnë. Të dy e gjetën njëri-tjetrin: Dauti shkroi ditarin “Na e vranë ëndrrën. Ditar 1953-1989”, që Fatmir Minguli e quan: “Ditar monumental”, ku çdo durrsak gjen veten, në mos emrin e tij, gjen farefisin apo të njohurit”. Në ditar, Dauti është autor, në një farë mënyre edhe personazh, së bashku me qytetarët e Durrësit dhe të vendit. Besoj se është i vetmi në botën shqiptare, që ka mbajtur një ditar të tillë. Çdo faqe e këtij libri, është një fotografi që fikson kohën. Aty rrjedh jeta e Durrësit dhe e durrsakëve, fillimisht me moshë të re, por që i pjek dhe i plak koha. Duke parë qëndrimet dhe vlerësimet politike të shtjelluara në ditar, Meçani me mençuri e kapi dhe e përgjithësoi Dautin, duke e bërë përfaqësues të një teme filozofike, që mund ta quajmë pa frikë “Dautizmi”.

Së dyti: Vlera e këtij studimi qëndron te dallimi i “Ditarit” me letërsinë, përfshi këtu edhe përkatësinë shoqërore dhe politike të Dautit. Pa shumë fjalë, që mos bie në përsëritje, “Ditari” nuk është letërsi, pavarësisht nga forma e bukur letrare e të shkruarit. Ai është dokument, që i shërben historisë, por që mund t’i hyjë në punë edhe frymëzimit letrar. Krijime letrare “të burgosura” e të “murosura” ka shumë. Në shkrimin e Meçanit do të gjejmë shumë emra të njohur për botimet e tyre letrare, që nga Primo Shllaku, Vasil Qesari, Fatos Lubonja dhe te shkrimtari e poeti durrsak Vaso Papaj. Vërtet janë botime me vlera, por janë libra që i përkasin letërsisë.

Preka pak më lart përkatësinë shoqërore dhe politike të Dautit, autorit të “Ditarit”, që i përket shtresës punëtore-qytetare, i pa dënuar politikisht, më pas edhe komunist dhe me detyra partie. Pra një njeri që, për sistemin kishte në xhep pasaportën e besueshmërisë shoqërore dhe partiake. Kjo e dallon atë nga grupi i të ndëshkuarve, apo të deklasuarve politik, që natyrshëm ishin të pa kënaqur dhe e vërteta e tyre dihet edhe pa i lexuar krijimet. Dauti përfaqëson atë shtresë intelektualësh, madje edhe zyrtarë të lartë me pushtet, që u zhgënjyen nga realiteti që premtuan e ndërtuan dhe, që më pas heshtën, apo i vunë gojës një dryn, siç shprehet historiani Kristo Frashëri. Ata gjetën një mënyrë tjetër, ku të rrëfeheshin: duke folur me vete, ose biseda vetëm me njerëz të besuar, ose të murosë shkrimet, ose të shkruaj “Ditar”, si puna e Dautit tonë të nderuar.

Për mendimi tim, duke parë disa emërime, si konformizëm politik, servilizëm, hipokrizi, autocensurë, (fjalë e jashtme, shqip “vetëkontroll”), dyzim personaliteti, pa burrni, dyfytyrësi, etj, nuk mund t’i fusim të gjitha në thesin e “Dautizmit”, pavarësisht nga dukja.

Unë i përkthej kështu: Servilizmi dhe hipokrizia janë vese të vetë individit, që i përbuz shoqëria. Dyfytyrësia është qëndrimi i dyfishtë me të tjerët, bie fjala sjellja me eprorin dhe vartësin, ose përballë të lan e të lyen, prapa shpine të kafshon e të shqyen. Pa burrëria, sjellje dhe veprim moral, i futur në kodin e moralit të një shoqërie, si ndershmëria, besa, mbajtja e fjalës, etj, etj. Dauti është individi që përballet, jo me individin, por me sistemit politik.

Si pjesë e “Dautizmit”, siç thekson edhe Meçani, është konformizmi politik dhe auto-censura, si mendim dhe veprim i përshtatjes për mbijetesë, në kushtet e mungesës së lirisë dhe sigurisë për jetën. Kush e njeh sado pak historinë dhe lëvizjet shoqërore, mendoj se guximi dhe trimëria shpërthen, kur ka një kauzë të madhe, kur ka mbështetje dhe, kur ka mjete e bindje, se do të fitojë. Kurdoherë, individi është i pafuqishëm të ndeshet me diktaturën dhe dhëmbët e saj. Ndaj dua të besoj dhe të mendoj si Aristoteli, që thotë: “Njeriu i matur, nuk thotë gjithnjë atë çka mendon, por mendon atë çka thotë”.

Në përfundim, kam dy mendime, nga një për secilin nga miqtë tanë:

Dauti të çojë në arshivë ditarin e tij, pasi vetëm aty mund të ruhet si dokument, për t’i mbijetuar kohës dhe për t’u shërbyer edhe të tjerëve. Ai e pëlqeu këtë, kur ia thashë në bisedën para ca ditësh.

Nuk di se ç’mund të bëjë klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit. Por Meçani, të gjejë forca dhe mjete, që “Teorinë e Dautizmit”, ta plotësojë, duke e pasuruar me ide dhe studime të filozofëve, psikologëve e sociologëve, historianëve dhe shkrimtarëve. Përjashto politikanët, sepse ata janë pjesëtarë dhe përfaqësues të “Dautizmit”.

Urime kolegëve krijues, Meçanit dhe Dautit!

Miqësisht!

Kadri Trelli

Durrës më: 21, të fillim pranverës, 2019.

Shënim: Më vjen keq që më këtë kuvend bukur, nuk mori pjesë Daut Hoxha. Ishte pa qejf.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora