E premte, 26.04.2024, 06:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Mici: Kulti i Aleksandrit të Madh në trevat arbërore

E shtune, 25.11.2017, 09:36 PM


Kulti i Aleksandrit të Madh në trevat   iliro-arbërore

Esse

Në qoftë se do të kish ndonjë njeri, që do të krahasohej me Zotin, ky do të ish Aleksandri  i Madh.

F. Chateaubriand

Nga Aristotel Mici

Figura e Aleksandrit të madh ka tërhequr vemendjen e shumë historianëve për gjatë shumë shekujsh. Bibliografia rreth personalitetit të tij, duke nisur që nga vepra e Plutarkut e derit tek historianët më të rinj, është nga më të pasurat midis njezëve të famshëm të botës. Titujt e librave të botuara rreth personalitetit të Aleksandrit të Madh janë mbi njëzet mij.[1]  Është për t’u përmendur për këtë rast studiuesja  Nancy J. Burich, e cila nga kjo mori veprash kushtuar Aleksandrit të Madh ka zgjedhur dhe ka skicuar në një të libër bibliografik 691 tituj nga të gjitha kohërat.[2]

Në tërë këto libra, biografë të ndryshëm të Aleksandrit të Madh janë përpjekur të ndriçojnë përmes argumenteve të shumta arsyet e shkëlqimit të këtij njeriu që me aktet e tij bëri epokë historike.

Aleksandri i Madh lindi në qytezën Pella të Mqedonisë më 20 korrik të vitit 356 Para Krishtit. Ai ishte i biri i mbretit Filipi i Dytë dhe i Olimpisë, që qe një princeshë nga fisi i Mollosëve të Epirit, dhe ish e bija e mbretit Neoptolemi.

Aleksandri çunak, tok me motrën e tij e kaluan fëmijërinë në oborrin mbretëror, në Pellas. Mirëpo djaloshi syzi dhe me flok kaçurrel pak e shikonte në shtëpi të atin, Filipin, i cili e kalonte kohën ndër luftime, po edhe në aventura dashurish me femra jashtë martese.

E ëma, Olimpia ishte një nënë autoritare dhe energjike, që dominonte në edukimin e të birit. Po ndër kohë, shpesh ajo e mbushte djaloshin me një frymë urrejtje për të atin. Megjithatë, edukimi i djalit ishte problemi më i rëndësishëm  për të dy prindërit. Kështu që jeta familiare e çiftit mbretëror vazhdonte si gjithnjë rrjedhën e saj edhe pse me ndonjë krisje të brendëshme.

Pra, të dy prindërit, si Olimpia dhe Filipi vazhdimisht kujdeseshin për rritjen e djalit të tyre, duke i dhënë një edukatë të shkëlqyer, të denjë për birin e një familje mbretërore për kohën. Në vitet e para të fëmijërisë Aleksandri pati si tutor Leonidën, që njihej si një pedagog i pasionuar në fushën e mësimdhënies. Prej atij Aleksandri do të mësonte mathematikën, sportin e ngarjes së kuajve, manovrimin e shpatës si edhe artin e përdorimit të harkut e shigjetës.

Po në kohën e adoleshencës, që nga viti viti 343 P.K. Aleksandri filloi të merrte mësime edhe nga filosofi i famshëm i Greqisë, Aristoteli, i cili do t’i jepte njohuri për filosofinë, poezinë, dramën, shkencat si edhe për politikën. Qe një fat i jashtëzakonshëm për Aleksandrin adoleshent të kishte për mësues një njeri me mendje të ndritur si ish filosofi Aristotel i Greqisë së Vjetër, i cili do ta edukonte dhe do ta frymëzonte nxënësin e vet me dashurinë për letërsinë e Greqisë. Midis veprave poetike Aleksandri do të pëlqente Iliadën e Homerit. Akili u bë figura ideale, që ai e admironte dhe e imitonte. Ndikimi i filosofit të shquar do të ishte i thellë në subkoshiencën e tij deri në moshë madhore. Edhe atëherë,kur do të ndodhej midis betejash të ndryshmenë largësi të Azisë, ai do të kish korespondencë me të dhe do te deklaronte se ai e donte atë jo më pak se babanë, sepse i ati i  kish dhënë jetën, kurse filosofi i kish treguar atij  si ta jetonte atë më mirë dhe më bukur [3]

*   *   *

I ati i Aleksandrit, Filipi II, pat krijuar një mbretëri të fuqishme maqedonase, aq sa  në vitin 338 Para Krishtit, arriti t’i mundë ushtritë e shteteve aleate të Greqisë në betejën e Keronesë. Pas kësaj fitoreje hegjemonia maqedonase u shtri mbi disa shtete të Greqisë. Në këtë kohë Filipi mblodhi në Korinth dhe një kongres panhelenik, ku u shpall paqja midis gjithë shteteve Greke dhe Maqedonisë dhe u deklarua lufta kundër Persisë. Kish lindur ashtu dhe shteti monarkist i Maqedonisë.[4]

Ndërkaq Aleksandri qe rritur, dhe qe formuar kulturalisht dhe ushtarakisht. Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare i ati besoi komandën e kavalerisë, të cilën ai e udhëhoqi, kur  Filipi ndodhej në fronte të largëta.  Duke qenë në krye të kësaj kavalerie, djaloshi 16vjeçar u nis kundër disa fiseve rebele, që veproni rreth Athinës dhe zonës së Tebës dhe i shpartalloi ato me sulmet e tij, duke ndihmuar kështu babanë, i cili ndodhej larg. Me këto veprime luftarake Aleksandri i ri tregoi se qe bërë një ushtatrak i zoti dhe komandant i talentuar.

Prindërit, jo më kot  qenë kujdesur për ta edukuar djalin e tyre të forte edhe fizikisht. Për këtë anë të formimit të tij ka meritë traineri i posaçëm, që përmendëm më sipër, Leonida, një person relativ me nënën e Aleksandrit, që e stërviste me rregullat e luftimit, me marshime të ndryshme, me përdorimin e shpatës, të harkut dhe shigjetës si dhe me ngarjen e kuajve. Që kur ish çunak i vogël, ande 10 vjeç, i  kërkonte të atit ta lejonte të ngiste kalin.[5] Për këtë anë të pasionit djaloshar janë të famshme ushtrimet e tij prej kalorësi me kalin legjendar Buqefalis.

Një nga  këto legjenda tregon se si një thesalian, Filoniku, solli në oborrin e mbretit Filipi i Dytë një kalë të pashëm dhe të fuqishëm, që ta shiste për 14 talenta[6]. Ky kalë dukej madhështor dhe quhej Buqefalis. Pasi u morën vesh për çmimin, mbreti me njerëzit e tij shkuan në fushën e stërvitjes së kuajve për ta vënë në provë kalin, që pati sjellë Filoniku. Me gjithë dëshirën e mirë të tyre përta blerë atë, ata nisën të ndërromnin mendje, sepse kali po u dukej i egër, fare i pabindur, pra i zorshëm, për t’u zbutur dhe mësuar. Asnjeri nga kalorësit dhe stallierët, që pat marrë me vete, i ati i Aleksandrit, Filipi, nuk po ia  arrinte qëllimit që ta zbuste e t’ia hipte lartë kalit. Ashtu ata vendosën që t’ia kthenin Buqefalin të zotit. Kur kuptoi këtë gjë, Aleksandri që ndodhej midis të rriturëve, u dëshpërua shumë.Edhe pse ende i vogël në moshë, ai u doli përpara të gjithëve dhe me zë të lartë u tha atyre: Ky kalë është i jashtëzakonshëm, këtë kalë nuk duhet ta heqim nga dora.

-Është i egër dhe nuk pranon anjeri t’i hipi lartë, - ia preu shkurt i ati..

- Ma lini një hërë mua, - u ndje djaloshi, - shikoni po nuk ia hipa!

Të gjithë vunë buzën në gas duke shprehur çudi dhe mosbesim. Po Aleksandri ish i sigurt për çfarë do të bënte dhe se si do të manovronte.

Sa ia dhanë kalin ai iu drejtua atij me fjalë të ëmbëla dhe dashamirësi, pastaj i vuri dorën tek kapistra e kokës,i kapi frerin afër gojës, dhe e ktheu kalin kundruall diellit, në atë mënyurë që Buqefali të mos ta shihte dot hijen e vetë. E bëri këtë se e kish kuptuar që Buqefali i trembej hijes së tij. Duke e përkëdhelur nga qafa dhe jelet e gjata, daloshi gjeti rastin dhe ia hipi kalit lartë.Pastaj, nga dalë zuri vend mbi shalë, futi këmbët në yzengji, dhe ashtu butësisht i dha shenjë kalit që të nisej. Duke i tundur frerët dhe kapistrën, Buqefali brenda minutës mori vrull si shigjetë.Pas pak kohe Aleksandri u kthye fitimtar gjithë ngazëllim, atje tek po e prisnin me brohoritje kalorësit e oborrit. Atë çast,i ati i doli para dhei tha me krenari:

“O biri im, shiko andej sa të arrin syri për një mbretëri sa më të madhe, sepse Maqedonia është shumë e vogël për ty.”

Pra, qysh adoleshent, Aleksandri, falë dhe tutorit trainer, qe më se i përgatitur  ushtarakisht për moshën. Ai pati rastin në beteja reale të demonstronte formimin e tij si komandant i aftë. Po ndërsa si luftëtar Aleksandri mbante marrëdhënie të pëlqyeshme me të atin, në jetën familiare ai qe ftohur me me të. Duke u rritur, Aleksandri kish vënë re se babai i tij vazhdonte një jetë të lirë dhe të padenjë duke u përzjerë në aventura erotike me femra të ndryshme. Dhe kulmi i acarimit, at e bir,do të arrinte në momentin më dramatik, kur Filipi  II,  i ati, do të binte në dashuri me Kleopatra  Euridike, mbesa e gjeneralit të vet, Attalus. Në këtë kohë ai u nda, pra u divorcua me Olimpinë, me nënën e Aleksandrit.

Nga kjo martesë e Filipit të Dytë pozicioni i trashëgimisë së Aleksandrit për fronin u bë i pasigurt, sepse cdo djalë i lindur nga  Cleopatra Euridike, do të isht një msaqdonas  i plotë për trashëgimin e fronit, kurse vetë Aleksandri do të ish një  gjysmë maqedonasi.

Për këtë arsye, i konfliktuar me të atin, ai iku nga Maqedonia tok me të ëmëm, Olimpinë. Dhe me ndihmën e saj, shkon në Epirus, në  Molossias,  tek njerëzit e nënës së tij. Pastaj vete edhe  në Iliria, ku u trajtua si mik  nga i pari i vendit. Prej andej, pas gjashtë muash, vendosi të kthehej në Maqedoni, ku me ndërmjetsinë e një miku të ngushtë, u gjend një rrugë pajtimi në familjen mbretërore. 

*   *   *

Ndër kohë, në verën e vitit 336, i ndodhur në darkën e një dasme, Filipi i Dytë do të gjente vdekjen, i vrarë nga komandanti i rojeve të tij. Pikërisht ne këtë moment,  kur Aleksandri do të mbushte 20 vjetë, do të emërohej mbret i Maqedonisë nga mbarë fisnikëria ushtarake dhe ajo qytetare.

Tani detyra kryesore e mbretit të ri ish të luftonte kundër Persisë dhe të grumbullonte pasuri nga vendet e Lindjes. Mbasi stabilizoi situatën brenda vendit, sidomos midis shteteve e fiseve greke, ku kish vendosur hegjemoninë, në vitin 334 u nis me ushtrinë e vet për në Azi. Pa shumë vështirësi ai i mundi persianët që në betejën e parë në brigjet e lumit Granik. Pastaj u fut në Azinë e Vogël, ku nënshtronte njerin pas tjetrit shtetet e atyre territoreve, duke u dhënë edhe premtimin se do t’i çlironte krejtësisht nga sundimi Persian.

Ende shumë i ri, ai dukej se ish një vizionar i madh. Kudo që shkonte me ushtrinë e vet Aleksandri vendoste demokracinë, themelonte qytete të rinj, ngrinte theatro, gjimnaze, hapte rrugë dhe nxiste tregëtinë midis vendeve. Për të gjitha këto akte progresive ai u quajt nga popujt Aleksandri i Madh.

* * *

Kur kish  pushtuar gjithë Azinë e Vogël, Aleksandri u hodh në zonat e Sirisë. Atje në betejën e Issos, ushtria  persiane  pësoi disfatën e dytë. Dari  i Persisë shpëtoi kokën në ikje e sipër, duke e lënë familjen e tij mbretërore dhe tërë ngarkesat e pasura në mëshirë të fatit. Familja dhe pasuria e Darit ranë në dorë të Aleksandrit. Pas fitores së Issos, ai do të pushtonte edhe kryeqendrën e Fenikisë, Tyrin.

Ndër kohë Dari përpiqej të merrej vesh me Aleksandrin  me rrugë paqësore dhe si shperblim për familjen e vet i dhuronte Aleksandrit Azinë e Vogël, i propozonte të paguante një shumë të madhe parshë dhe i jepte për grua njerën nga vajzat e tij. Po Aleksandri nuk  pranoi këto propozime. Ai kërkonte dorëzimin pa kushte të mbretit Persian. [7]

Po në qoftë se nuk pranoi të bënte martesë me vajzën e Darit të Persisë, Aleksandri, që nga dita në ditë po bëhej më shumë  hero legjendar, nuk ishte aspak indifferent me bukuritë femrore të vajzave aziatiko-iraniane. Pikërisht kur nuk pranoi të lidhej me të bijën e Darit, ai pati rastin të shikonte nje bukuri  trallisëse, që i mori mendjen me shikimin e parë. Ishte e bija e Oxyartes, i cili ish kryetari i fisit Baktria , që qe rebeluar ndaj tij. Ajo vajze, magjiplote si zanë, quhej  Roxana. Siç shkruan A. Burn, professor në  Universitetin e  Glasgowt: Alexandri, duke e parë atë, ra thellë në dashuri, mbase për herë të parë në jetën e tij  ( Alexander seeing her, fell deeply in love, perhaps for the first time in his life).  Po ai nuk deshte ta merrte ate si skllave, pra, duke shkelur rregullat e vendit…kështu ai deshte edhe pëlqimin e prindërve.  Ndër kohë, i ati i Roksanës vjen dhe dorëzohet tek shtabi i Alexandrit. Pas pak kohe Aleksandri dhe Roksana bënë  martesën, sipas ceremonisë iraniane, ku riti kryesor ishte që të hanin së bashku një kulaç me miell gruri, të prerë nga dhëndërri. Aleksandri, impulsive nga ana e vet, e zgjeroi simbolikën e ceremonisë, duke e prerë kulaçin me shpatën e tij.[8]

*  *  *

Ndërkaq luftimet e Aleksandrit vazhdonin, ai sulej fitimtar nga një betejë në tjetrën. Pas Fenikisë, ai do të pushtonte me lehtësi Palestinën dhe Egjiptin. Është për t’u theksuar se në vendet që pushtonte Aleksandri nuk i prishte sistemet tradicionale të qeverisjeve; nuk i preku as tempujt; prandaj hierarkët fetarë të Egjiptit e shpallën  Aleksandrin si  birin e Amonit, Perëndi e Diellit. Lidhur me këtë anë të kultit të tij të hyjnizuar, le të kujtojmë edhe një mendim të At Shtjefën Gjeçovit[9], i cili në një nga hulumtimet e veta theksonte se “Aleksandri i Madh, me qënëse mbahej si i biri i Zeusit me brirë sqapi, (i identifiuar si Perëndi e diellit, Amonit Egjyptian),  kishte prerë edhe disa monedha me helmetë me brirë sqapi”.[10] Ndër kohë, kulti i Aleksandrit përmesë prerjes së parasë do të shfaqej edhe në trevat Ilire; siç  pohojnë arkeologët, “nga qyteti i Durrësit e i Apolonisë kemi monedha të prera me fytyrën e Aleksandrit të Madh”.

Po jo vetëm në Egjipt, po kudo, ku vendoste pushtetin e tij, ai nuk sillej si pushtues barbar. Është kjo arsyeja që Aleksandri ishte dhe është i nderuar nga gjithë religjionet e mëdha fetare: Budistët e konsiderojnë Aleksandrin si Zot; pakistanezët e nderojnë si hero të tyre nacional; për ebrenjtë emri i Aleksandrit do të mbetet në “eternity”; Sinodi Ecumenik Ortodoks deklaroi se “Helenismi i përhapur nga Aleksandri shtroi rrugën e Krishtermit drejt Perandorit Konstandini i Math, që e zyrtarizojë atë.  Muhameti e përmend Aleksandrin në Kuran si një profet që dënon të keqen dhe vlerëson mirësinë.[11]

Gjatë qendrimit në Egjipt Aleksandri themeloi ne bregun e deltës së Nilit, qytetin e Aleksandrisë , që do të bëhej qendra më e madhe kulturore e botës antike për kohën e tij dhe më vonë.

Pra, tërë pjesa perëndimore e mbretërisë persiane, Azia e vogël, Palestina, Egjypti, siç edhe i kemi  përmendur,  gjendeshin nën pushtetin e Alexandrit të Maqedonisë. Po që të shembej krejt mbretëria e Persisë, duhej të pushtohej edhe pjesa tjetër e mbetur e saj, ana lindore.

Duke synuar lindjen, Aleksandri  kaloi lumenjtë Tigër e Eufrat pa pengesa serioze dhe marshoi me ushtrinë e tij deri tek rrënojat e Ninivës[12], pranë fshatit quajtur Gaugamel. Atje, në atë vend, në vitin 331 P.K., Aleksandri shpartalloi me guxim tërë forcat e mbetura të Persisë. Vetë mbreti i Persisë, Dari, vrapoi të ikte fshehur, për të shmangur rrezikun e kapjes rob, po në rrugë e sipër e vranë njerëzit e rrethit të vet.

Beteja e Guagamelit ish vendimtare për shembjen e plotë të mbretërisë së Darit.Pas kësaj fitoreje Aleksandri pushtoi pa sforcim qytetet kryesore të Persisë si Babiloninë, Suzën, Peresepolin.

Mirëpo Aleksandri ëndërronte ta shtrinte pushtetin e vet deri në vendet më të largëta të njohura deri atëherë. Grekët e vjetër tregonin shumë gjëra tërheqëse për Hindinë dhe ashtu Aleksandrin e kish pushtuar ambicia që ta arrinte e ta pushtonte edhe këtë anë të largët të botës së artëhershme.

Aleksandri tok me ushtrinë e tij më në fund mori rrugën e marshimit të gjatë drejt viseve të Lindjes, kaloi brigjet e detit Kaspik dhe arriti brigjet e lumenjeve Amur-Darian dhe Sir-Darian. Më 327 P.K. Aleksandri nisi të sulmnte Indinë dhe me luftime ta parreshtura  mbrrijti deri në krahinën e Penxhapit. Po në përpjekjet për të nenshtuar zonat indiane midis lumenjëve Gang dhe Hifazi, ushtria e tij gjeti vështirësi me klimën tropikale të Indisë, me shira dhe stuhira. Në ato kushte ushtria dha shenja lodhjeje dhe mosbindjeje. Lindën ashtu pakënaqësi dhe kundërshtime. Masat e ushtarëve po i kërkonin Aleksandrit të kthehej në shtëpi. Atëherë edhe ai iu bind asaj dëshirë dhe dha urdhër për t’u tërhequr.

Sidoqoftë, Aleksandri kish arritur të bënte vetëm rreth një dekade mbretërinë më të madhe për kohën  atëherëshme. Si kryeqytet të asaj mbretërie, të pa anë e fund, ai caktoi qytetin e lashtë të Babilonisë. Në verën e vitit 323, kur po ëndërronte për ekspedita te reja ushtarake, Aleksandri u sëmur rëndë nga ethet. Trupi tij i lodhur në shtegëtime dhe beteja luftarake nuk e përballoi dot sëmundjen. Brenda pak ditëve  Aleksandri i Maqedonisë, i mbi quajtur nga të gjithë Aleksandri i Madh vdiq. Si pas të dhënave historike ai u nda nga jeta më 10 qershor të vitit 323 P.K.

Sipas Testamentit,Aleksandri nuk la trashëgimtar[13], prandaj  perandorinë e tij e trashëguan komandantët e ushtrisë, të cilët për arsye karrierizmi dhe pushteti ranë në luftra me njeri tjetrin. Perandoria e Aleksandrit më në fund u nda në tre shtete të mëdha dhe në disa të vegjël.

* * *

Po me gjithë jetën e shkurtër të Aleksandrit, impakti i tij në gjithë botën antike qe i jashtëzakonshëm. Aleksandri u vlerësua nga bashkëkohesit po edhe më vonë, jo vetëm si strateg i talentuar dhe guximtar, po edhe si largpamës. Në këtë vazhdë arsyetimi  edhe ish Presidenti Klinton, duke iu drejtuar artistëve të Hollivudit, ka thënë për Aleksandrin e Madh:  Hollivudi nuk duhet të joshet nga shkrime  rastësore, dhe të  injorojë  madhështinë e Aleksandrit, i cili në fakt kish lindur njeri, jetoi si një superman  dhe vdiq si  perëndi.[14]

Ishte në bindjen e vet Aleksandrit që ai nuk i prekte praktikat tradicionale dhe religjionet e vendeve, ku futej me ushtrinë e tij. Për më tepër ai përpiqej që të bënte lidhje kulturash midis shtetesh dhe qytetesh. Në këtë këndvështrim historianët komentojnë edhe martesën e tij me Roksanën.

Biografët e kanë parë Aleksandrin e Madh dhe në dimensionin e etikës qytetare. Edhe pse qe i përndritur me atributet e një perandori, ai kish një prirje tolerante, që nuk ngjante me vrazhdësinë dhe egërsinë e monarkëve të kohës së vjetër. Këtë anë humane të sjelljes së tij na  e thekson edhe Plutarku[15]: kjo duket- thotë ai- sidomos në pritjen e kujdesshme të njerzëve të familjes së Darit të Persisë, të cilët ushtarët e tij i kishin  kapur  rob. Ai, jo vetëm nuk u tregua mizor dhe i dhunshëm, po i priti ato me mirësjellje, duke u siguruar strehim dhe pajisje të mundshme për të jetuar, ashtu si nënës, gruas edhe vajzave të Darit.[16] 

* * *

Shtetet që dualën nga perandoria e tij, u quajtën shtete helenike, sepse u dominuan nga kultura dhe filosofia e Greqisë së lashtë helene. Vetë Aleksandri, para se të pushtonte Greqinë, ai qe vetë i pushtuar nga kultura dhe qytetërimi grek. Nga pushtimet e Aleksandrit të Madh kultura greke u perhaps në tokat e lindjes dhe u shkri me kulturat e atjeshme. Nga kjo përzjerje lindi kultura që u quajt greko-orientale ose helenistike dhe epoka e lulëzimit të saj quhet helenizëm[17].Në këtë periudhë kohore dolën personalitete të shquara si Euklidi  dhe Arkimedi. Qendra të famëshme të këtij qytetërimi, përveç Aleksandrisë në Egjipt, ishin edhe Antiokia në Siri dhe Pergamo në Azi të Vogël. 

* * *

Historianët e antikitetit, kur studiojnë Aleksandrit  e Madh në tërë dimensionin  e vet , kanë dhënë mendimin e tyre edhe për përkatësinë fisnore të personit të tij. Kështu, duke u nisur nga ana e amësisë, një professor në Brown University të Providencës, pohon se Aleksandri në formimin e tij  ka pasur gjak ilirian (shqiptar). Alexander by his background had some Illyrian (Albanian) blood.[18]    

Alekandri i Madh, me dëshirën dhe nxitjen e Olimpisë, disa kohë të fëmijërisë së parë do t’i kalonte edhe në Epir, nën kujdesn e vëllajit të së ëmës, ku e lidhte gjaku dhe dashuria fisnore.   Kështu që, kur u rrit dhe u bë mbret, ai kishte pasur aq e aq raste që të ketë qenë  midis ilirëve, të komandonte, po dhe të komunikonte me ata. Në këtë mënyrë   mund të kuptohet ndikimi i qeverisjes së tij dhe i personalitetit të tij, që ka lënë gjurmë të dukshme në kujtesën historike në trevat e Ilirisë.

Në bisedat e zakonshme midis shqiptarëve Aleksandri i Madh quhet shpesh herë me trajtën e shkurtër të emrit Leka i Madh. Po ashtu quhet ai edhe në disa libra nëpër botimet shqiptare.  Për nder të Aleksandrit të madh, dhe në shenjë adhurimi për atë, ky apelativ “Leka“, do të gjente aq përhapje  midis stërgjyshërve të shqiptarëve. Të parët tanë qysh në thellësi të shekujve do t’i pagëzonin fëmijët me emrin e tij të shkurtuar “Leka”. Kronikat tregojnë se emri Lekë Dukagjini është shfaqur qysh nga viti 1387, rreth një shekull para Lekë Dukagjinit të kohës së Skenderbeut. Për trajtën e  shkurtër  të emrit të Aleksandrit të Madh, Prof. K.Biçoku ka shkruar në një artikull studimor: “Varianti i shkurtër i emrit Aleksandër , ‘Lekë’është emër i fondit të antrponimisë kombëtare i përdorur gjerësisht prej shqiptarëve gjatë shekujve të Mesjetes”[19] Dhe sot e kësaj dite, si nostalgji  për figurën e Lekës së Madh, ky emër është ende shumë i gjallë dhe masiv: duke nisur  me emra nga Mesjeta si Lekë Zaharia, Lekë Dukagjini, Lekë Matrënga, Lekë Dushmani e deri në ditet tona, siç i shikojmë dhe i dëgjojmë jo vetëm në jetën e përeditëshme, po edhe në libra, gazeta, e fjalorë të ndryshëm,  si janë emrat e perveçëm bashkëkohës: Leka Kruta, Lekë Gjocaj, Lekë Gjoka, Lekë Margjini, Lekë Gjiknuri, Leka Gjergo, Leka Buda, Leka Bezhani, Leka Spiri e tj.

Trajtën e shkurtër të emrit Lekë professor Sh.Demiraj e gjen edhe në fshatrat më jugore të ish vilajetit të Janinës, të banauara nga shqiptarët, siç e dëshmon defteri turk që nga shekulli i XVI: të tillë janë emrat: Dhimo Leka, Pal Leka, Leka Duka nga Gllava, Leka Vlashi, Deda Llaq Leka, Leka Kondi, Leka Gjini, Thanas Leka, Leka Deda e tj. Emri Leka ndeshet edhe në defterin osman të vitit 1582 si janë: Lekë Kordili, Lekë Golari, Lekë Goride. Edhe në qytetin e Prevezës, megjithëse qe po thuajse i braktisur atë kohë, gjendet ky emër: Lekë Kuqino, Jorgji Leka, Lekë Ishtamani. Këtë emer e ka pasur edhe zona e Artës: Lekë Baboçi, Petri Leka e tj.[20]

Kjo formë e shkurtër e emrit të Aleksandrit ka dhënë pastaj në mjediset arbërore edhe emra familjesh, pra llagape, si Arian Leka, Adelina Leka,  Gazmend Leka, Anton Leka, Mariana Leka, Dardan Leka, Ylli Leka, Vuksan Leka. Ndërkohë kjo trajtë e shkurtuar, siç pohojnë leksikologët dhe historianët ka evoluar në apelativin Llesh, që ka lidhje me Shën-Lleshin, po që është evoluimi fonetik i emrit Lekë, duke shprehur kështu përsëri nderimin për Lekën e Madh .

Me trajtën e shkurtër të emrit ‘Lekë’ kanë dale, ndër shekuj,  kompozitat emrore si  mbiemra njerzish, siç i gjejme në krahinën e Himarës dhe të Labërisë:Gjonleka, Gjinleka, Kolëleka.

Po nga kjo formë emrit të përveçëm, të Lekës së Madh, janë krijuar nga koha në kohë edhe toponime në vise të ndryshme të Shqipërise si: Lekaj, Lekasi, Lekli i Tepelenës, Lekdushi, Lekëbibaj, Leknia e Drinit.

Pra siç shihet si nga ana antroponimike dhe ajo toponomastike, trajta e shkurtër e emrit të Alexandrit, si diminutive, në formën “Leka” është karakteristike vetëm në trevat shqiptare. Shenojmë se emri i Aleksandër, në vendet e tjera evropiane, kur është shkurtuar, ai ka dalë me trajtat “Sander”, po jo “Leka”. Pra, kuptohet se forma e shkurtuar “Leka”është një dukuri onomastike e përzgjedhur vetëm nga popullata e viseve arbërore.

* * *

Po përveç se me emrin e vet, Aleksandri i Madh , në kohë dhe vende të ndryshme, ai  na  shfaqet dhe në dimensionet e legjendës. Jehona e orientimit të tij për të ngritur qendra qytetërimi dhe për të ruajtur të paprekur vendbanimet ekzistuese e lartësoi emrin e tij si udhëheqës legjendar. Mbështetur në impaktin e veprës së Aleksandrit, filozofi frëng Shatobriand[21], do të shkruante: “Në qoftë se do të ishte ndonjë njeri, që mund të krahasohej me Zotin, ky do të ishte Aleksandri i Madh”[22]. Kudo që shkonte me ushtrinë e tij ai ngrinte qytete të  rinj edhe themelonte theatro dhe gjimnaze, ahtu si bëri në deltën e Nilit, ku  ndertoi nga e para një qytet madhështor, të cilin e quajti Aleksandria, po ashtu bëri edhe në zonate pushtuara të Persisë. Po në qoftë se Aleksandri  bëri aq e aq punë të dobishme në vende të largëta, vallë çfarë do të ketë  realizuar ai në Iliri , që nga kish prejardhjen  Olimpia, nëna e tij, dhe, sidomos në kryeqendrën e saj, në Shkodrën e lashtë? Me siguri duhej të ketë pas dhënë ndonjë ndihmë të madhe në rregullimin  edhe zbukurimin e qytetit, aq sa njerëzit e futën në legjendë dhe, ashtu dale nga dalë, nga  një brez në tjetrin, në vend që ta quanin Aleksandrin e Madh ndihmues  të qytetit, zbukurues, apo përforcues e qujtën atë themelues  të Shkodrës , duke bërë ashtu një gabim historik. Megjith atë legjenda jetoi nga një shekull në tjetrin, duke mbrrijtur gojë pas goje deri në kohën e pushtimit turk. Pushtuesit Osmanë, duke e marrë për të vëtetë legjendën, e quajtën fillimisht Shkodrën  “Iskanderie”, që do të thotë në gjuhën e tyre  Aleksandria.

Natyrisht, rreth kësaj  të pavërtete historianët kanë bërë vërejtjet e tyre kritike, siç ka bërë qysh në 1504  edhe Marin Barleti në veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës”, ku shkruan: “Tashti pra, thonë disa të huaj se Shkodrën e paska ndërtuar Aleksandri i Madh; po ky pohim nuk duhet pranuar, sepse Shkodra ka ekzistuar shumë kohë më përpara se të lindëte Aleksandri i Madh, por edhe vetë turqit shkojnë me këtë mëndim, sepse qytetin e Shkodrës në gjuhën e tyre e quajnë SkanderieIskenderie dhe ky emërtim sipas tyre është i njejtë me emrin Aleksandria”[23][ Marin Barleti “Rrethimi i Shkodrës, sipas H.Lacaj] f. 37, Tiranë, 1981 . Po kjo lajthitje e fantazisë në këtë legjendë, duhet të ketë ndodhur jo vetëm për mospasjen parasysh te historisë, po edhe për arsye të kultit të Aleksandri të Madh, i cili qe glorifikuar gjithandej në vendet e mbretërisë së tij. Mjafton të të rikujtojmë se, në Egjypt, ai ish hymnizuar si biri i Perëndisë Diell.

Kështu, në trevat e Ilirisë, prania e Aleksandrit të Madh, si hero i antikitetit na shfaqet në memorien e stërgjyshërve tanë jo vetm në antroponimi e toponomastike; numizmatikë, po ai del si figurë e adhuruar edhe në legjenda. 

*    *    *

Kohët e fundit, kulti i Aleksanit të Madh, u duk edhe në një material shkrimor me titull “Testamenti i Aleksandrit të Madh dhe Privilegjet  për  ilirët”,. Ky material u gjet nga Prof. L.Nadin në muzeun  Korrer të Venecias, aty nga viti 2002.  Këtë material Prof. Nadin, në bashkëpunim  me Prof. P. Xhufi e publikoi edhe në gjuhën shqipe, si pjesë e librit të vet “Statutet e Shkodrës”.  Nga historianë të ndryshëm ky material muzeal është parë me interpretime të ndryshme. Kështu Prof. M.Zeqo e ka quajtur atë vetëm një “apocryph”;  Prof. R.Osmani e shikon me dyshim duke u shprehur:” se “dokumenti mund të mos jetë autentik”, kurse historiani Agron Luka, në diskutimin e tij me Prof. Nadin, shkruan: “Testamentin dhe Previlegjet e Aleksandrit të Madh”, edhe sikur t’i konsiderojmë apriori si një falsifikim të mirëfilltë mesjetar të një njohësi të mirë të antikitetit, mendoj se ato hyjnë në punë”.  Po ky autor, në një publikim tjetër elektronik  “online”, në artikullin “Privilegjet e Aleksandrit  Madh për  ilirët”, e përcakton materialin, tekst  apokrif i mesjetës së herëshme, a po dokument i rremë  duke  shtuar  për më shume edhe fjalët “tekst i rremë shkodranësh në Padova”. Dhe po aty vetë autori  shkruan se: ai tekst “është frut i mithit të Aleksandrit të Madh”. Duke u nisur nga ky deduksion i studiuesit Luka, duam të shtojmë se pavarësisht nga objeksionet që mund të dalin për “Testamentin e Aleksandrit dhe Previlegjet për ilirët”, ato materiale muzeale kanë  një lloj vlere, sepse, direkt, ose indirekt shprehin praninë e kultit  tëAleksandrit të Madh, të këtij heroi të antikitetit, në memorien  historike të intelektualëv në trevat iliro-arbërore . Nga kjo anë puna këmbëngulëse e Prof. Nadin është për t’u pershëndetur. 

* * *

Ngjarje e veçantë, që fletë direkt për admirimin e figurës së mbretit  Leka i Madh nga ana jonë si  komb  është  edhe vendimi i shtetit shqiptar më 1925, që caktoi  Lekun, si njesi bazë  të monedhës shqiptare. Leku si monedhë e parë u stampua me figurën Lekës së Madh, shenjë nderimi kjo që tregonte se sa thellë kishte zënë vend Leka i Madh midis nesh. Është momenti të themi se ashtu si dikur francezët nderonin poerandorin e tyre, Napoleon Bonopartin , duke krijuar monedhën e shtetit të vet me emrin Napoleon, edhe Shqiptarët shpallën për vete  monedhën bazë Lekun, në kujtim të heroit të tyre të lashtësisë, Lekës së Madh

Po kështu dhe Ahmet Zogu, si Mbret i Shqiptarëve, kur la fronin dhe mori arratinë, kujtimin për Lekën e Madh nuk e harroi, aq sa atë emër ia dha edhe të birit të sapolindur, duke e quajtur ashtu atë, Leka i Parë.

Po çka na e bën të duket, si më të afërt në kohë Aleksandrin e Madh, është  emri i dytë i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, që në turqisht do të thotë Aleksandri i Madh.

Me një anologji të tillë emërimi do t’i quante në fillim të shekullit XIX edhe poeti angles G. Bairon,  si Aleksandrin e Madh, ashti si dhe Gjergj Kastriotin, që për arsye glorifikimi, do t’i njesonte me trajtën turke të emrit  Iskander: 

O Shqipëri, ku lindi Iskanderi[24]

Këngë e rinisë, fanar i të urtëvet,

Dhe Iskanderi[25] tjetër, që i dërmoi

Për herë armiqt me kordhn’ e tij keshnike.[26] 

Me këtë  mënyrë “binjakëzimi” i të dy heronjëve do të shkruaj me  emfazë dhe poeti  At Gjergj Fishta:

Si Lekai i Madhi e Skanderbegu i biri.”

Emrin e Lekës së Madh, poeti Gjergj Fishta, do ta përdorë, prap,  figurativisht edhe si sinekdokë  për të dhënë kushtrimin për liri: “Bini Lekë, bini malcorë

I sollëm këto shembuj poetikë për të parë konkretisht se sa thellë qendron figura e Aleksandrit të Madh në kujtesën e kombit shqiptar.

Për më tepër, duhet të shtojmë se vetë Gjergj Kastrioti, e nderonte dhe fliste me admirim  për Aleksandrin e Madh. Në një letër ai shkruan me krenari për të: ”Të parët tanë me Aleksandrin shkuan deri në Indi”[27]. Ndjenja e krenarisë së Skënderbeut ndaj Aleksandrit të Madh, kuptohet edhe më shumë, po të kemi parasysh edhe   faktin se ai i kish marrë atij jo vetëm emrin, në trajtën e përkthyer, po edhe dy simbolet antike, yllin me tetë cepa dhe  brirët e cjapit  në helmetën legjendare mbi kokën e dhisë..

Siç dëshmojnë historianët, si shenjë tradite nga koha e Aleksandrit, Skenderbeu mbante yllin, që simbolizon diellin, të vendosur në vulën e tij të madhe[28]. Ky fakt dëshmohet dhe në suprinën e varrit të nipit të Skënderbeut, Kostandinit, të bërë si kujtim nga e gjyshja e tij, Andronika. Lidhur me këtë Eqrem Bej Vlora shkruan:”Mbi  varrin  e nipit të Skënderbeut në kishën e Shën-Mërisë së ëngjëjve në Napoli është vënë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezsullue në të dy krerët”[29].

E shoqja e Skëndebeut, Andronika, kish veneracion, gjithashtu, për emrin e Aleksandrit të Madh. Admirimin e saj për kultine tij ajo e shpreh me krenari edhe në varrin e nipit tjetër, Alfonsit, që ndodhet në manastirin e Trinisë së Shenjtë, në Real San Trinidat të Spanjës. ku e gjyshja i shkroi spanjisht në pllakën e varrit një epigraf, që siç na e jep në shqip Prof. Kristo Frashëri, ka këtë përmbajtje:

Këtu prehet  Alfonsi, biri i të  famshmit Gjergj Kastrioti, Mbret i Shqiperisë, mposhtësi i turqëve,      mbrojtësi i  pathyeshëm i krishterimit, të cilin turqit e quajtën Skënderbe dhe për nga prejardhja, vlera dhe shpirtmadhësia  krahasohet me  mbretin Aleksandër të Maqedonisë.Vdiq në moshën  15 vjeçare në qytetin  e Valencias, viti 1508. [30]   

Kjo ndjenjë adhurimi e familjesë së Kastriotëve për Aleksandrin e Madh, bëhet edhe më e qartë, po të kujtojmë për këtë rast dhe arsyetimin e Prof. K. Biçokut, i cili, kur trajton simbolet e heraldikës së Kastriotëve, pohon se “në vulën e Skenderbeut, ku është një shqiponjë dy krenare, ndërmjet dykrerëve të saj, është vendosur një yll me 6 cepa. Mbi këtë yll është një yll tjetër  me tetë rreze. Kurse në stemën e Kastriotëve , që është gdhendur dy herë  në varrin monumental të nipit të Skënderbeut, Kostandin Kastrioti, ylli është me 8 cepa dhe mbi krerët e shqiponjës janë dy kurora mbretërore. Me këto simbole Skënderbeu tregonte pretendimin se kishin prejardhjen nga Aleksandri i Madh gjë që e kemi të shprehur në epigrafin e Alfonsit në një kishë të Valencias në Spanjë” [31].                                                                                           Pra pamë kështu dy interpretime analoge për të njëjtin motiv lidhur me admirimin e Kastriotëve  ndaj Aleksandrit të Madh.

Si përfundim, nga të dhënat historike dhe burimet shkrimore prej referencash të ndryshme kuptojmë se fryma e kohës së Aleksandrit të Madh ka qënë e gjallë në subkoshiencën  e etnisë iliro-arbërore, për gjatë periudhës së antikitetit si dhe të kohëve më të vona. Kështu era flladitëse e  mithit të Aleksandrit të Madh  është endur gjatë shekujve në kujtesen historike të gjithë breznive iliro-arbërorë përmes legjendave, shkrimeve, antroponimisë, toponimisë e numizmatikës, që bashkërisht, në një mënurë, ose një tjetër, kanë pas ndikuar në ndjenjën e krenarisë  për origjinën  iliro-arbëror tek të parët  e shqiptarëve qysh në krye të herës.

Bibliografi 

A.R. Burn, Alexander the Great and the Helenistik World, Coller Books, NY, 1962.

A.R.Burn, Alexander the Great and the Middle East,Penguin Books, Great Britain, 1963 .

Charles A. Robinson, Alexander the Great, Duttion and   Company, NewYork, 1947.

Eugene N. Borza,  The Impact of Alexander the Great, Dryden Press, Ilynois, 1974.

Ian Worthington,  Alexander the Great  Man and God,Pearson- Longman, England, London, Boston, 2004.

Kasëm Biçoku,  studimi  “Flamuri i Shqipërisë”,  Oline, Google

Kristo Frashëri: Gazeta “Zemra Shqiptare”- Online.

Lucia Nadin,  “Statutet e Shkodrës”, Tiranë , 2002

Marin Barleti. “Rrethimi i Shkodrës”, Tiranë, 1981.

Nancy J. Burich, “Alexcader the Great”, Bibliografi,    The Oberlin Printing Company, l970.

Prof. A. Mishulin, Historia e kohës së Vjetër, Tiranë, 1950.

Plutarch,  By  C.J. Giankaris, Twayne Publishiers, Inc, NewYork 1970 .

Sh. Demiraj, Epiri,Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët, Tiranë, 2008. Nëntor, 15- 2017

Massachusetts


[1]Nicholas Marti, The falsification of Macedonia History, Athenes, 1984, f. 56

[2] Nancy J. Burnich, Bibliography, the Oberlin Printing Printingh Company, 1970

[3] A.R.Burn, Aleksander the Great and the Helenistic World, Collier, NY, 1962, , f. 22

[4] Mishulin, A. ‘Historia e kohës së Vjetër’, Tiranë, 1950, f.147-148

[5] Ian Worthington, Alexander the Great, Parson-Longman, Great Britain, 2004, p.23-24

[6] Talent: ishte një lloj monedhe e asaj kohe.

[7] Prof. A. Mishulin,  Historia e Kohëes së Vjetër, Tiranë 1950

[8] A. Burn, Alexander the Great and the Hellenistic World, Kollier Books, N.Y. 1962, f.145

[9] At Shtefën Gjeçovi,  1874- 1929, arkeolog dhe folklorist

[10] Agron Luka, online,  Agjensia e lajmeve SOT, 18 Janar, 2013

[11] Nicholas Martis, Alexander the Great, translated by  Nina Gatzoullis, 2003.

[12] Ninive ka qënë kryeqytet i mbretërisë se Assrisë gjatë sh. VII,   P.K.

[13] Gruaja e Aleksandrit, Roksana,  disa ditë pas vdekjes së të shoqit, lindi një djalë, që e quajti Aleksandri IV

[14] Nicholas Martis, Alexander the Great, translated in Enghlish by Nina Gatzoulis, 2003

[15] Plutarch: Historian dhe biograf, lindur në  Chaerona në vitin 45 pas Krishtit, vdiq në Delfi më 120 pas  Krishtit

[16] Plutarch, Twayne Publishers, Inc, NY, 1970, p. 66

[17] Prof. A. Mishulin,  Histori e Kohës së Vjetër, Botimi II, Tiranë, 1950

[18] A.R. Burn, Alexander the Great and the Middle East, Penguin  Books, Great Bretain, 1963, f.28

[19] Prof. K. Biçoku:Aleksandri I Madh në kujtesën historike të Skënderbeut dhe të Shqiptarëve

[20] Sh. Demiraj, Epiri , Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët, Ifobotues, Tiranë, 2008, f..81

[21] Francois-Rene de Chateaubriand, (1768- 1848), filozof francez

[22] Nga Nicholas Maris ”Aleksander the Great Similar to no Otheër Human Being”- 2016

[23] Marin Barleti, “Rrethimi i Shkodrës” [sipas H. Lacajt], f.37, Tiranë, 1968

[24] Bajroni e ka fjalën për Aleksandrin e  Madh.

[25] Nënkuptojmë  Gjergj Kastriotin e mbiquajtur  Skanderbe

[26]G.Bajron, Cajld Harold,  1810, përkthyer nga Prof. S. Luarasi

[27] Prof. K. Biçoku: artikull  “Aleksandr i Madh në kujtesën historike…..Oshtima

[28] Prof. K. Biçoku, artikulli “Aleksandri i Madh në kujtesën historike ….., Oshtima

[29] Eqrem Bej Vlora, Kujtime, vëll.2, Shtëpia e librit dhe e komunikimit,Tiranë,2001,f.13

[30] Kristo Frashëri, gazeta Zemra Shqiptare,22-03-2016

[31] Kasëm Biçoku, “Flamuri i Shqipërisë”, online, Google .



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora