E merkure, 04.12.2024, 09:52 AM (GMT)

Kulturë

Poezi nga Rudina Merkuri

E diele, 19.11.2017, 11:46 AM


Rudina Merkuri

U lind në qytetin bregdetar të Vlorës më 10.06.1970. Megjithëse është diplomuar në degën e Infermierisë në Fakultetin e Shëndetit Publik dhe master shkencor në po këtë degë, pasioni për botën e letrave e ka shoqëruar që nga fëmijëria e saj e hershme e deri më sot. E ritur dhe edukuar në një familje mjaft të kulturuar, Rudina është kultivuar me dashurinë për librin. Aty ajo në çdo frazë gjen vetëveten, ndërton atë botë që në realitetin e sotëm nuk e gjen, duke rikrijuar një tjetër realitet, atë që vetëm shpirti artistik i saj mund ta bëjë. Profesioni e lidh me njerëz të ndryshëm e në çdonjërin prej tyre gjen grimcat e duhura të cilat me pas i shërbejnë si muza frymëzimi. Në krijimtarinë letrare të saj gjen të verbalizuara vargje poetike dedikuar mrekullive natyrore të qytetit te saj të lindjes, traditave tona kombëtare, bukurisë femërore dhe vlerave njerëzore. Lexuesi depërton në çdo varg duke u mrekulluar dhe magjepsur nga pena poetike e Rudinës, e cila kristalizohet në vargje të lira që zgjojnë tek lexuesi një lloj meditimi që imponon admirim. Ka botuar disa libra me poezi. Është vlerësuar me çmime speciale. Shumë prej krijimeve të saj janë botuar në gazeta dhe revista prestigjioze, si: “Bota press”, „Zemra Shqiptare”, „Albanezul”, „Shqiptari-ue”, “Dituria”, “Dituria” etj. Është prezantuar me poezi në antologjitë “Maja Çajupjanë”, “Shpirti i Fjalës”, “Sa-kra” etj.

 

ZEMRËN IA KTHEU NË LULE

 

Kur ti je pranverë,
copat e ditës,
derdhen në ujëra të ëmbla,
zgjohet shpirti i lëmuar,
i një dallge të haruar,
që derdh në breg,
udhëkryqe,
erë lozonjare,
violinat e harruara,
afër një bacë plot simfoni,
sytë erëmbushur,
nga një dallgë e fuqishme,
që zemrën ia ktheu në lule.

Kur të zbrisni afër saj,
mos e zgjoni,
sythin e një dege të njomë,
afroni duar,
ka të puthura,
flutura të dashuruara,
që freskojnë sytë e një mëngjesi…

 

ECJE NË RRËNJË DRITE

 

Ti
ngele njeri sentimental,
buzëqeshe
kur të vodhën emrin e mirë,
hodhe diell,
kur ata zbrazën stuhinë,
ece ballëlart,
kur deshën të të shkelnin,
brënda hijeve të lodhura,
hodhe rrënjë drite.
Braktise shekullin mediokër,
i u ngjite pemës jetësore,
në shumëfishimin,
e rrëfenjave të ulkonjës.
Kur të rrokulliset pabesia,
shirat e dimrit intrigues,
do enden greminave të shkretëtirës..

 

JU MA MORRËT FRYMËZIMIN

 

Ju më morrët frymëzimin,
në të përditshmen,
lidhët trishtimin,
vizatuat tatuazhe të lodhura,
në diafragma jetësorë,
aty ku njerëzit për pak jetë,
për bukën e fëmijëve,
ulet dhe lutet,
në rituale skllavëruese.
Harruat!
se nuk ma morrët dot shpirtin,
rrjedhën e ditëve të çelura,
pranverat që era i shpërndan në lastar,
për ujitje jete,
Thurra buzëqeshjen me dimrin,
që pas saj të lind,
një baladë dhimbjes,
dashurisë,
puthjeve...

 

LINDE TI - E PAKONCEPTUESHMJA

 

Nën përpëlitjet e një dielli plot oazë,
linde ti-e pakonceptueshmja,
irealja,
fshehur brënda nesh,
loz e qesh,
me qënien tonë,
në trysninë e ndjenjave që bërtasin,
në hijëzimet e kuajve rebëlues,
në trokun e çmendur të ithtarve,
porsi si jago,
tregton shpirtrat tanë,
lirinë poshtë shtegut të një pylli,
kamuflon etjen e një endacaku,
për verën e falur pranë një parajse,
buzën e përgjakur,
për pak lumturi,
ashtu i lodhur,
pi lotin e kripur,
që syrit të pagabushëm i falet...

 

BRËNDA PASQYRËS

 

Brënda pasqyrës,
udhëtoi shpirti,
dhe pluhuri i çasteve të palumtura,
nuk mund të jetonin gjatë,
sepse pak nga pak,
copat e pasqyrës u shkërmoqën,
dhë shkruan vijë melodi të bardhë.
Kur era e ngrohtë,
të fryj andej nga ju,
zhvisheni këmishën,
që zgjimet mëngjezore,
të trazojnë jetët e fshehura...

KUR MËRZITEM NGA MORAL I LIRË…

Pa tjetër ka një epilog,
shija e kripës në varkë,
ngjyrë te hidhur dhe ekstreme,
në kasollen e ngratë.
Po preken ngjyrat në vigjilje,
Po tallet një dashuri,
kur degët Burbuqe varen mes algave,
amanet i gjyshit tim.
Oh më jepni një cigare,
të shtrëngoj dhëmbët kur s më pëlqen,
të prek më gishta fundin e zbardhur,
të ciftohem në veriun e thellë.
Edhe nëse humbas durimin,
E mërzitem nga morali i lirë,
pështjelloni faktin e elementit ekstrem,
nga dallohet e bardha në errësirën e thellë.
Po shfaqet mbrëmja,
Po bie përsëri,
një breshër i lodhur,
borë… A shi!

KU MBARON DITA DHE NATA E NJË GRUAJE

Ku mbaron,
dita dhe nata e një gruaje,
ku fillon shpirti,
me zmeralde të shtrydhura rrushi.
Ti je e lexueshme femër e brishtë,
je grykë e një vullkani,
që zjen në origjinën e Evës,
ngelesh oqeani i mistereve,
,nga vrapi i dashurive të cmendura,
pasqyra më e zgjuar,
ku shihen drama,
historira ,
në bardhësinë e pulëbardhave të tua…

SEPSE KEMI TË DREJTË TË PUTHEMI…

Sepse kemi të drejtë të puthemi,
pa ngricë e vapë në shpirt,
me diellin që lind e ngryset,
në jetën që gjallon,
me ajrin në frymarjet e shtëpive të ngrohta,
me dashurite tona,
në dridhjet e telave të zemrës,
me agimin që na hap sytë,
E buzët na i mbush më puthje.
Zgjohu o njeri,
puth jehonën e ringjalljes së tokës,
hapi sytë në heshtje oqeanike,
dehu në kripën e holluar të lotit,
dashuro tokën që frymon…

KA PËR TË NDODHUR

Zbrit në aeroport!
Ka për të ndodhur,
shpërthimi kryeneç,
shkreptima në zjarrin që zjen,
në prushin posedues.
Nuk shqyhet dot shpirti,
ka porta të ëmbla,
ka valë të ngritura,
mbi rrebeshet që fshehurazi perqasen,
në kodrat e ndjesive.
Besoi zemrës,
paçka se akulli të shpon,
se bota e madhe ulërin,
mbi dashuritë e mëdha,
mbi supet e brishta,
ku shkunden shkretëtirat e vetmisë…
Ndërsa rrugët zgjatojne,
unë pres,
si dikur në trenin “orjent ekspres”…

SI LINDI NIMFA…

Ti je fryma më e ngrohtë,
je ajri i xhindeve,
që lozin me ajrin,
që ulin dhe ngrenë dhimbjen e ëmbël,
që stërmbushin veten me opium qetësues.
Je përkëdhelja e genit më të bukur,
ku trazohen ujërat për pak ujë burimi,
je përpëlitja e një gonxheje,
që zgjon ditën si në paradisë,
E simfoninë e Kores së Tokës,
E dredh mes një guri e dheut bukëvalë.
Ngelesh zgjimi i orteqeve të fuqishme,
që luajnë në gurgullimat e brëndshme,
pa doza hapje,
hapin doreza të lyera me mjaltin,
e koshereve të reja,
për magjinë e fshehur nën sënduk.
Zgjohuni o njerëz letargjik,
dilni nga guacka,
jetoni bukur në idilet e të marrëve të ëmbël,
ku krevatet tunden ,
nga puthja e nimfës pranë një dragoi…

DUKE LEXUAR SHËNIMIN E FUNDIT….

Më në fund,
erërat e rrugicave të përditshme,
i zunë pusi shiut të papritur,
që doli nga shqyerja e një reje.
Kur u prit të dilte dielli,
jeta rrëmbeu të bardhën e syrit,
të mbushur nga loti i gjatë.
Vetëm atëherë u drodhën ngjyrat,
lumturia kryqëzoi duart,
nga njollat gri të qytetit të vrerosur,
vetëm atëherë e djeshmja dhe e sotmja,
lanë një shënim në murin ndarës,
në strehën e vetme ku banonte jeta dhe mëkati.
Duke lexuar shënimin e fundit,
pashë se karafilat kundërmuan ,
në pëllëmbët e trashura nga koha,
në tokën e zgjuar ,
nga pendesa e vdekatarve…

MERRE SHPIRTIN TIM NË DUAR…

Vendose veshin në zemrën time
dhe do të ndjesh ,
nga erdhi flaka,
melodia tek heth valle,
në telat e gjakut të ëmbël.
Vendose dorën në flokët e mi,
gjurmët do flasin,
do qëndisin çdo fije floku,
ardhur nga Agimi i perëndive.
Merre shpirtin në duar,
që dallgët të flenë duke kënduar.
Nëse ëndrat të gënjejnë,
lexo sytë e mi,
vitet e lindura,
tek rriten shendë e verë,
lirinë më të bukur,
tek flet me fluturat,
që enden në brigjet e firmosura…

NDIHMOJENI TOKËN…

Ndihmojeni tokën,
rrënjët që klithin nga nxjerrja,
ngjyrat që zbehen ,
nga mos ardhja e ylberit.
Ndihmojeni frutin e pjekur,
që vrimë mos ti bëhet nga krimbi pa kockë,
fshini pikat e mediokërve,
që dijen vulosin me një të rënë të lapsit,
digjeni letrën e ftohtë e pa jetë,
pa gërma të arta,
që zilinë e egër e hedhin manushaqeve
të fjetura.
Mbani themelin që bijtë pa dashuri,
mos të urrejnë krijuesin.
Portat po na japin shancin e fundit,
çelësi në bravë u vajis dhe një herë,
me shpresën e njeriut të së ardhmes.
Një Zot e di,
kur udha do dridhet ,
nga kthimi i trashëgimtarëve…

PREKE LËKURËN TIME….

Preke lëkurën time,
dhe do të ndiesh zjarrin,
që të ngroh,
pas një pranvere të vonuar.
Shikoji sytë e mi,
janë qëruar nga sklepat e rrugës,
janë këshilluar me flladin që u ul,
nga loti që banonte aty pranë.
Sikur të thithësh frymën time,
dashuria do të zbriste,
në pragun ku jeton ti,
duke përgjuar plagën,
do të qepësh gjurmët nga kalove,
aty te Qiparisat e gjallë…

PRANDAJ PO E NGJIS LART NË QIELL

NJë lule të plagosur,
mora në dorë,
dridhej e gjora,
lartë kishte kurorë,
kërkonte një fushë me tru të artë,
një diell shkëlqyes ,
fluturat rreth e qark.
Dikush e kish shkelur trupin trëndafil,
shpirtin si zjarr,
ngjyrat jasemin.
Dikush kish guxuar të prekte rrënjët plot jetë,
tokën lajmëruar ,
për vdekjen e zemrës që flet.
Mendova t’a ngjis lart në qiell,
të paktën merr frymë,
poshtë sinor pa jetë….

MA KA ËNDA TË MBJELLË

Ndaj qava nga malli,
nga libri me kujtesë,
mes pluhurit të godinave,
koha nis e qesh.
U panë drithërima,
thyerje vazosh në jetë,
pasqyra të lodhura,
me dimëra të pagdhendur në jetë.
Prandaj u kalit ai dru,
në kopshtin përkarshi,
isha fëmijë atëherë,
sot vizitor i tij.
Sot ka ngelur fjala,
në njerëz plot çudi,
ma ka ënda të mbjellë,
si dikur kopshtin tim…

QË TË SHKULËSH SHPIRTIN…

Që të bëhet pluhur shpirti im,
duhet të shkulësh ,
rrënjët e pemës sime,
filizat që mbijnë natyror,
gjuhën që kurrë s’e kuptuat,
farat e jetës,
mbjelle nga duar dashurish.
Duhet sepse poshtë gurëve të dhimbjes,
flenë pllaka të patrazuara ,
qepje e shqepje në idile malli.
Por që të shkulësh shpirtin,
duhet të flasësh me universin,
të bësh llogarit se dhe pika e ajrit dridhet,
kur fryma udhëton në vena,
kur prek jetën,
andej nga lindja…

DASHURIA IME - DET E TËRMET

Je kaq e dlirë dashuria ime,
kaq e pafaj,
po thith pjalmin... për të qenë jetë,
Po mbjell lule... që të quhesh shpirt,
dashuron përtej të zakonshmes,
grindesh...puth,
dridhesh më shumë se fëshfërima,
e gjetheve në vjeshtë,
më shumë se era që kërkon të fejohet,
me gjethet e sapolindura.
Vjen ashtu det e tërmet,
lozonjare në lindje-puthjesh....

E TAKOVA "TOKËN E BUTË"...

E takova mëngjezin,
Për të marrë erë ty,
Lulen e saponjomur nga vesa,
Tokën më të butë,
ku ngrihet foleja,
Shpërthimi më hirëplotë,
Nga zjarri i një gonxheje.
Shtanga se për herë të parë,
Takova ajrin më jetëdhënës,
Nga fryma që më deshi.
Për herë të parë,
Takova lartësinë që desh të fluturonte,
Mbi tokën që na ngjizi.....

KISHA HARRUAR

 

Kisha harruar,

Se kështjella ku luanim,

Ishte pronë mbreti,

Çapkën mbi valë,

Vallëzim lulenajë,

Me të vetmin dashuri pa fjalë.

Luante dhe princi,

Një djalë hokatar,

Ecte hijerëndë,

Brinjë lëshuar pa fjalë.

Thonë që fliste me zjarrin,

Përpëlitej në mësnatë,

Mëngjezi e gjente,

Furtunë si tallaz.

Kisha harruar si pinim verë,

Kapshim rob në lëndinë,

I druheshim kristalit,

Nga doli një doruntinë.

Kisha harruar,

Se vetëm kur dashuronim,

Vlonte gjak i marrë,

Flisnim me natën,

Në djegien e ledhatimit mëkatar…

 

E KUPTON LIRINË TIME

 

E kupton

Se ti je supi më i ngrohtë

Muzikë

Ku tingujt tanë

Nxjerrin dufin…ndjenjën

Perlën ku matesh

Të më mbash në grusht

Apo kukull e lodhur në shtëpi.

E kupton lirinë time

Zogjtë e mi çuçuritës

Që luajnë në shpirt

E prapë trokasin

Në portën e shtegtarit.

Po erën që fryn e ndjen

Tufanin që bërtet pa rreshtur

Në dritaren tonë.

Mos prit të vijë dëbora

Se nësër akujt i shkrijnë

Në lotin e tyre…

 

ËNDRRA IME

 

Eja ëndrra ime…

Ti natën bredh e çoroditur

Pa shkak e pasion

Shkul dhëmbët e tërbimit

Lehtë ngre muze

Nga varri me të vdekurit bisedon.

Ngrihesh hënë e verdhë

Nga larg loz kukafshehtas

Puth të vetmen atë që do

Me kurorë dridhjesh nusëron.

Kam frikë se vjen dielli

Vjen e të rrëmben

S’mund ti vë dritare jetës

Kur perdja merimangë

Zë e vështron…

 

KUSH JE TI?

 

Një zanë në

Gjëmimin  e çmendur….

Kush je ti?

Që qiparisin

E dredh nga malli i zemrës

Që gjysmën e qiellit

Kërkon ta japësh

E bën pakt që dielli të shuhet

Në rrëzën e fundit.

Të kujtoj

Se poshtë ngricës

Ka fushë të artë

Agimi po e zgjon botën

Mbi rrënojat e plakura

Një zanë e re po hedh kordelen.

 

NË GJËMIMIN E ÇMENDUR

 

Ferri po ulet

Nga honi  i vdekur

Nga këngët e reja

Po del një qeshje plot zjarr.

Unë dhe ti dallgë

Po ngopim pemët e reja

Nga ngjizja e ditës me natën

Me shkumën e bardhë

Pastrojmë plot dhimbje

Sklepat që na zunë sytë

Hedhim ajër jodi

Në frymën

E marrë nga astma…

SEPSE KEMI TË DREJTË TË PUTHEMI

Sepse kemi të drejtë të puthemi,
pa ngricë e vapë në shpirt,
me diellin që lind e ngryset,
në jetën që gjallon,
me ajrin në frymarjet e shtëpive të ngrohta,
me dashurite tona,
në dridhjet e telave të zemrës,
me agimin që na hap sytë,
E buzët na i mbush më puthje.
Zgjohu o njeri,
puth jehonën e ringjalljes së tokës,
hapi sytë në heshtje oqeanike,
dehu në kripën e holluar të lotit,
dashuro tokën që frymon…

QË TË MOS PLAKEM KURRË…

Që mos të vrapoj pa reve,
sundova thellësinë e tokës,
që gulshon nga dehja e rrugës së qumështit.
Që të hap një portë në shtegun e zhveshur,
preka ruazat e padukshme të shpirtit,
që qajnë nga marazi,
kur gënjeshtra hapi një vrimë të vogël,
në murin plot me hoje.
Kështu pra vendosa mos të plakem kurrë,
t’a prek jetën te gjembi,
atje ku i dhemb më shumë.
Të mundohem që pa gdhirë,
të vjel nektarin që më sëmbon,
të digjem si furrë ,
dashurinë mes shkrepave ,
të takoj.
Dhe kur të endem i pagjumë,
aty mes rrënojave do rilind,
do qaj e qesh,
fëmija që foli dikurë…

UNË E PUTHA VLERËN….

Unë i putha gjërat me vlerë,
nuk i mata,
nuk i shita rrugëve,
ku lëpihet çizmja e pronarit.
Për mua ka shumë vlerë,
shpirti i një fëmije që buzëqesh,
njomishtja e një lule,
që desh të arratisej se ia vidhnin aromën,
fluturimi i një dallëndysheje,
në folenë e rigjetur.
Për mua vlerë do të thotë,
këngë e shpirtit në muzën ,
e një drite të sapo dalë,
horizonte të hapura,
ringritje ku i buzëqesh qiellit të kaltër.
Për mua vlera është një buzë e pafajshme,
lot i kripur nga dhimbja e një nate.
Kur të shfaqem e tillë besomëni,
do këndohet kënga e dritës,
do lexohet gjëagjëza,
ku endej shpirti atë natë,
ku retë shtrydheshin,
nga tavolina pa gosti…

MBETJE E SKELETIT TË THARË

U mpakën gjiret e servirura,
qumështi u bë hirë,
heshtja qëndron provinciale,
te kafeneja përballë,
sonte do varosen avujt për së gjalli,
u vendos të banonin te njerëzit e akullt,
kur t’a kuptojnë se frymrat e ngrohtë,
tingujt princëror,
hipën në shkallët e tyre,
do qajnë si plakë e marosur,
se humnerat do t’i përpijnë,
me djep e sy laroshur,
gjuhët thatime do u dalin nga goja,
si guralecë të vrarë ,
do mbesin përherë marhëm,
në ujëvarat e thartuara,
Aty do mbesin gjatë si mbetje,
sy i dalë i skeletit të tharë…

O NJERI!

 

Jetën e bren nën lëkurë

Në sipërfaqe bardh’e zi

Qeshjen e ëmbël

Ia fal shpirtit

Aty ku ka më shumë herëzi

Ku tallen sojë e sorrollop

Pa ditur se u gri një faqe dhe sot.

Fol o njeri

Aty ku nervat nuk mbajnë më

Ku fijet shpërdridhen

Në damarët që pëlcasin

Ku jeta varet në fije të perit.

Nuk je skllav

Dhe idhull i një pranvere

Që me padurim

Shkund perandorinë e dimrit

Je mali i sëmbuar nga djegja e vapa

Je fusha në mijëra aroma

Që falën puthje

Në mijëra lindje

MOS E QORTONI - SOT LINDI

 

Midis qiellit e tokës,
ka tejet borxh,
mjegulla të ulura,
në prehërin e maleve,
xhepa të shqyera hapësirash,
me stuhi tërbimi,
nga kokriza të koklavitura,
nyje dielli të përdredhur,
mes tërrit dhe lindjes.

U lodh hapësira boshe,
ngatëruar
në shpirtërat e njerëzve,
gulçon,
ngeli e çalë,
për çudi nata duket e vogël fare,
me gjurmë të papastra,
me ëndjë molepsje,
nga hije udhëtimesh pa vela.
Ajri erdhi e u ul egoist,
në rrjedhën e ditevë përtace,
freskoi sytë e skleruar,
hodhi disa petale,
vjedhurazi,
në zemrën e një vogëlushi,
që nesër të zgjohej,
me puthje,
me qumësht,
afër një bliri të porsalindur.
Mos e qortoni,
është ende i parritur,
ai sot lindi...

 

SOT TI LINDE - PA KUPTUAR

 

Në shtratin e një lumi të tharë,
ti dole nga guacka empirike,
qave dhe qeshe,
ç’ironi,
mbyte shkretëtirën që flinte haruar,
çave tokën me hone të thella,
hoqe buzë rrugës,
thatësirën e shkurreve,
u zgjua e bukura,
mbështjellë me aq kujdes,
kishtë mbetur e vogël,
qysh kur ishe 20 vjeçe,
u kujtua ta zgjonte dremitjen,
dhe dallgët që rënkonin thellë,
shpresonte degjimë të reja,
të mblithte gurët rreth shtratit të vet.

Kujtohu pranvera çeli në dimër sivjet,
e lumturuar,
këndonte këngën në vazon relikë atje tej,
e hoqe dhe mjekrën si rasë e zezë,
largove një perde që të shponte tej.
Sot rilinde,
nga re të tilla ,
dolën frymëmarje aromatike,
zogj fluturakë,
që në mërgimin e natës,
lajmëruan agimin,
ashtu pa kuptuar te dera,
trokasin pa rreshtur,
ej zgjohuni,
andej nga vimë ne,
banojnë ëndrrat,
banon lumturia,
banojnë erërat,
që solli të puthurat e mia...

 

IKONAT TREGUAN...

 

Kërkohet pak jetë,
në një ishull të shkatërruar,
duhet kompozim tingujsh,
që gjaku në dejtë i ngrohtë të rrjedhë,
mes ashpërsisë,
në një diell të vonuar,
që dallgët 
të mbushen me nimfa njerëzore,
të tjetërsohen,
të lindin bregun e harruar.
U përgojua jeta,
se gjoja mbi tokë,
kish taksuar,
se gjoja mbi dhimbjen,
derdhi lot të ftohtë,
dhe njerëzit buzë rrugës,
i kish mohuar.
Një mëngjes,
dëshmimtarët mbi tavolinën e Zeusit,
përkthyen listën e emrave,
se flaka në mesin ë janarit,
i kish tradhëtuar,
në mes të stoikëve,
ikonat treguan....

 

AJRI QENKA CENZURUES

 

Ajri qenka cenzurues,
këtu në tokën e huaj,
më kanë hequr oksigjenin,
ndihem pa krahë,
i rëzuar.
Ndihem i gremisur në faltore,
e në dëbim,
dikush ma rëzoi ëndrrën,
ngela përsëri jetim,
një tjetër më hoqi rezet,
aty dhe kaltërsinë,
tani mbështetem i tulatur,
si zog i zënë në bëfasi.
Ç’mendon Toka ime,
ku vajtën bijtë e saj,
i qorton ëmbël,
malli i djeg për ta.
Toka ime,
më dërgo shallin e mallit,
që brinjët fort të m’i mbajë,
ditës rëmbëji ylbërin,
që me sy të shikoj nga larg.
Ndaj eci me fytyrën nga ty,
shihem në pasqyrë,
e shpërthej të qara,
qaj si i marrë,
pa kurrfarë ndrojtjeje,
ej ti i huaj,
mos më gjyko,
është dheu që më lindi,
është buka që më ngjiti,
janë të gjitha kaltërsitë,
aty fshihen ,
gjithë madhështitë....

 

DUART E TOKËS…

 

Duart ë tokës,
shumë dhimbje kanë,
janë mavijosur në shekuj,
c pëshë që mbajnë,
janë tërhequr krahët,
në ecjë tokësorësh,
janë mbajtur shënime,
është prekur kaq gjatë,
dikush i preu damarët,
dhe toka ,
s’mërr frymë rehat,
dikush i shtypi brinjët,
e dheu u bë bajat,
një tjetër i mblodhi të qarët,
në shpirtin që mbante një hartë.
A e dini ç’është zemra e një toke?
Frymarrja juaj e gjatë,
është rrënja,
ku ti tokësor hodhe dashurinë,
në ajrin që i çvat çdo çast,
është mali i ngjitjes,
është deti i parë,
qysh në kohëra ti tokësor,
nuk do hidhje asnjë hap.
Është pragu ku ti qesh,
dhe qave si i marrë,
me tokën i ndave dertet,
dhe pranverën aty pranë....

 

DITËT TONA TË LODHURA

 

U lodh mendimi ynë,
heshti,
në murosjen e ngrehinës,
hon-hienash,
u vranë ditët tona,
ç’veshët lëkurën,
në poren e një qelizë jete,
helm mbollët.
Atë ditë fytyra djall,
qeshi,
vrau ditët tona,
u bë shumë ftohtë,
shumë ngricë mendimi.
Të ngrirë si akujt,
u futët në rrëpirat e gurëzat,
e mpleksur,
të vrazhdë e të hidhur,
si rrahja e një shuplake burri.
Kjo jetë e mprapshtë,
më e ndrydhura,
në nervin e paralizës
Ah ditët tona,
pa jetë,
me gjak që çfryn,
e zverdhur,
e zhubravitur,
në kolapsin ngatërestar.
Ngushticë e tij ,
mbetën,
pjesëza,
rrotulla që lëvizin,
si për inerci,
në vorbullën e jetës.
Ecim,
varg gjurmë gjaku,
të rradhës lëmë,
ndoshta dielli i shpresës,
rëzëllen në supet e rënduara,
nga pesha e gjatë...



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora