E shtune, 27.04.2024, 04:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Eglantina Shehu: Krijimtaria letrare e shkrimtarit Simsia

E diele, 12.11.2017, 11:13 AM


Krijimtaria letrare e shkrimtarit Pierre-Pandeli Simsia është e pasur në kuptimin shpirtëror të fjalës.

Nga Eglantina Shehu

Zakonisht, kur lexon një vepër letrare të mirëfilltë që të tërheq, roman, novelë, përmbledhje me tregime dhe pasi ke lexuar edhe faqen e fundit, përveç kënaqësisë, ankthit që ke përjetuar në situata të ndryshme gjatë leximit, ngjarjeve të skalitura bukur dhe mjeshtërisht, të papriturat e ngjarjes që shtjellohen në libër, fundin e subjektit, për më tepër kur është fund i gëzuar, e mbyll kapakun e librit, lexon edhe njëherë titullin dhe autorin e tij si për ta falenderuar për atë çfarë i ka dhënë lexuesit.

Emri i librit dhe i autorit të ngulitet në mendje dhe pret botimin tjetër të tij të radhës për ta lexuar.

Personalisht, një gjë e tillë ndodhi me mua para disa vitesh kur më ra në dorë romani: "Një dashuri e vrarë" e shkrimtarit shqiptaro-amerikan Pierre-Pandeli Simsia, që prej më shumë se një çerek shekulli punon dhe jeton jashtë Shqipërisë, por me mendje dhe zemër është gjithmonë pranë tokës mëmë.

Nuk dua të ndalem tek ai roman, sepse për të kanë shkruar shumë, biles është mirëpritur edhe nga kritika letrare.

Më vonë m'u dha mundësia të lexoj nga ai autor edhe romanin tjetër: "Nuse në derën e hasmit". Ndërsa këto ditët e fundit sapo përfundova së lexuari vëllimin e tij me tregime: "Brenga për shtëpinë time"

Nuk ishte surprizë për mua pasi përfundova së lexuari edhe tregimin e fundit në libër sepse e mendoja se ç'mund të kishte shkruar shkrimtari Simsia edhe pse për mua ishte hera e parë që lexoja tregime nga ai autor pas leximit të dy romaneve të tij.

Shqiptaro-amerikani Pierre-Pandeli Simsia tashmë shkrimtar i konfirmuar dhe i suksesshëm meqenëse librat e tij janë mirëpritur nga lexuesi dhe kritika letrare, edhe në botimin e tij të kohëve të fundit, vëllimi me tregime: "Brenga për shtëpinë time" sjell përvojën e tij në rrethana të reja të eksplorimit duke e pasuruar kamerën e tij vëzhguese me ndjesi të re në krijimtarinë e tij letrare.

Ashtu si edhe në botimet e tij të mëparshme edhe në tregimet e këtij vëllimi,  shkrimtari Pierre-Pandeli Simsia hyn ndjeshëm në botën e personazheve të tij në të cilat i vendos ngjarjet në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në Nju Jork, qyteti, ku autori punon dhe jeton prej më shumë se njëzet vitesh.

Mënyra e shkëlqyer e të shkruarit me stil të ndjeshëm edhe pse një pjesë e tregimeve janë shkruar në vetën e parë, gjatë leximit, të duket se ke përpara një objektiv filmi të cilin po e shikon.

Ndonjë lexues mund edhe të mendoj se autori Simsia ka prekur pjesë të ndryshme nga jeta e tij reale.

Nuk mendoj se do jetë kjo, sepse shkrimtarët zakonisht vënë imagjinatën në krijimtarinë e tyre letrare.

Edhe në këtë vëllim me tregime "Brenga për shtëpinë time" shkrimtari Simsia ka përdorur mjeshtërinë e penës së tij për të na i sjell tregimet si pjesë e jetës së tij reale, sepse, për të gjithë ne, çdo ngjarje e trajtuar në libër, janë copëza të gjalla jete që ne i hasim në jetën tonë të përditshme familjare.

Vetë titulli i librit: "Brenga për shtëpinë time" të bën të mendohesh, të hysh thellë në botën shpirtërore që edhe pa e lexuar librin, të bën të pyesësh veten se çfarë brenge mund të jetë ajo, për më tepër kur bëhet fjalë për shtëpinë tonë të secilit prej nesh.

Shtëpia, kjo pronë e shenjtë private, e pacënueshme nga cilido por edhe e gëzueshme nga kushdo pjesëtar të së njëjtës shtëpi të cilët jemi edhe trashëgimtarët e saj na e jep të drejtën t'i gëzohemi dhe ta gëzojmë atë shtëpi, ta gëzojnë fëmijët, nipërit tanë, mbesat tona.

Tregimi "Brenga për shtëpinë time" titullin e të cilit mban edhe vetë libri është ndër tregimet më të bukura në libër, po aq i bukur sa edhe tregimi tjetër "Vëllezërit"

Mendoj që edhe ky titull, "Vëllezërit" mund t'i shkonte shumë mirë si titull i librit.

Ngjarja që trajtohet në tregimin Vëllezërit, pas shumë anktheve, streseve, hamendësive, fiksimeve, më se normale këto që çdo njeri nga ne përballemi në jetën tonë familjare, në fund triumfon dashuria vëllazërore, ajo dashuri, që është edhe amaneti i çdo prindi për fëmijët e tij, trajtuar mjeshtërisht nga pena e mprehtë letrare e autorit Pierre-Pandeli Simsia.

Meqenëse vetë shkrimtari Pierre-Pandeli Simsia jeton jashtë atdheut prej një çerek shekulli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kryesisht në Nju Jork, me një kulturë të lartë perëndimore profesionale dhe qytetare, ka ditur me profesionalizëm të shtjellojë edhe tregimin me titull: "Dhurata ime për Krishtlindjen" një tregim i bukur, i dhimbshëm, po aq edhe kuptimplotë që mbart kulturë qytetare.

Tek ky tregim, përcillen më së miri tek lexuesi të gjitha ndjenjat pas ndarjes së prindërve me pastërtinë dhe çiltërsinë e një fëmije të pafajshëm.

Edhe pse prindër të divorcuar, gruaja e tradhëtuar nga bashkëshorti i saj, mamaja e dy fëmijëve, e cila mban peshën kryesore të rritjes së fëmijëve, në vend të urrejtjes që mund të ushqente tek fëmijët e saj për babain e tyre, ajo i edukon me ndjenjën e dashurisë që duhet të kenë fëmijët për atin e tyre.

Dua të përmend gjithashtu tregimin: "Furnela me vajguri" një tregim sa i bukur, sa i dhimbshëm, po aq edhe emocionues.

Gjatë leximit të atij tregimi, nuk ke se si të mos ndjesh dhimbje, veçanërisht ne gratë që i i kemi përjetuar më së miri ato vuajtje, pastrimin e furnelës, gërryerjen e pjesës metalike të furnelës me majën e thikës, siç e përmend edhe vetë autori Simsia, ndërimi i fitilave, por ajo që nuk duhet harruar, është pritja me orë të tëra në radhën e gjatë të vajgurit.

Të gjithë ne jemi personazhe të atij tregimi.

Të gjithë ne jemi dëshmitarë të asaj  kohe.

Të gjithë ne gjejmë pjesë të fëmijërisë, të rinisë sonë, dhimbje e kohës së kaluar, atë të vërtetë të hidhur bashkudhëtare e jetës sonë.

Në atë tregim është pasqyruar një realitet i përzierë me nostalgji kujtimesh reale të përshkruara mjeshtërisht, bukur, shumë bukur.

Në lëndën e përzgjedhur prej autorit dallon se Simsia ka prirje për të depërtuar në tabutë dhe makthet ekzistenciale dashurore gjithëpërfshirëse.

Nuk dua të zgjatem dhe të bëj analizë letrare për të gjitha tregimet që janë përfshirë në libër për të mos tërhequr edhe vëmendjen dhe interesin e lexuesit, por dua ta mbyll: Krijimtaria letrare e shkrimtarit Pierre-Pandeli Simsia është e pasur në kuptimin shpirtëror të fjalës duke na ofruar tema me motive të reja.

Duke lexuar pjesë nga krijimtaria e tij letrare, them se Pierre-Pandeli Simsia është shkrimtar i mirëfilltë i kohës së sotme modern.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora