Kulturë
Mhill Marku: Fëmijët e mi dhe mërgimi
E enjte, 09.11.2017, 07:27 PM
FËMIJËT E MI DHE MËRGIMI
Nga Mhill Marku, Shengjin
...!
Edhe pse ikët si zogj dallëndyshe
E ne prindërve na latë në fole
S’ka gjë, veç ju t’jetoni ndryshe
Kurrë mos provofshi siç provuam ne.
...!
U bënë shumë vite fëmijët e mi
Që bashkë nuk ulemi në një sofër
Na ndau për s’gjalli halli, e di
Na ndau babë e bir, vlla e motër.
Si zgalem fluturuet nëpër det
Nëpër dallgë, me skafe e gomone
Ju lundruet me ditë e me netë
Majë dallgësh a zhytur në hone.
Ju aherë ishit t’vegjël, të ri
Kishit nevojë akoma për duart e nënës
Diku... në detin e zi ndriçonte shpresës,
Si në mes erresires dritë e hënës.
Ne, babë e nanë, ngelëm si gjytrimi
Me peshën e fajit në zemër e shpirt
Mendja na shkrept zjarr si vetëtima
Si nuk mundëm, fëmijët vetë me i rrit.
As na hahej buka, nuk na zinte gjumi
Nga dritarja ne shikonim detin
Ku na zuri nata e zbardhi agimi
Si e shuan urine, etjen si po e tretin.
Çdo gjë në shtëpi na dukej bosh
Dhe zemër e shpirt na ishin tharë
Në çdo dhomë e çdo qosh
Kot kërkonim ata për ti parë.
Dhe kalonim nga shtrati në shtrat
Si çdo ditë që i zgjonim nga gjumi
Ditë e natë ne i gjenim thatë
Zemra plasi e halli na mundi!?
Edhe pse shumë vite kanë kaluar
Në shtretërit e fëmijëve ne flemë
Na duket se flemë me ata përqafuar
Na kupton kush është babë e nanë.
Nuk ndodhi kështu vetëm me ne
Kjo lëngatë u përhap, shtëpi për shtëpi
Rinia mërgoi për një jetë më t’mirë, t’re
Prindët mbetën vetëm sikur s’kishin fëmijë.
Jo se ishim dembel, jo se nuk punuam
Gjithë jetën Atdheut fort i shërbyem
Nën e mbi det, natë ditë lundruam
Po për çka hoqëm, kurrë nuk u paguam.
Me lot në sy i thur këto rrjeshta
Ju lutem më besoni, mos më vini faj
O fëmijët e mij, të ikni unë s’desha
Qajmë, është shpirt nënë zemër babai.
Ju ikët në kërkim të një jetë të re
Si dallëndyshe larg i ngritët foletë
E dimë, ju shumë mall keni për ne
Dashuri e mall që s’i tret një det.
Që aherë shumë vite kanë kaluar
Dashuri e mall kam për fëmijët e mi
Ata janë rritur, një nga një martuar
Ah sikur të ishim të gjithë në një shtëpi.
Jo se nuk shihemi e nuk bisedojmë
Shkenca më shumë na ka afruar
Flasim me njëri-tjetrin, në ekran shikojmë
Po që të përqafohemi, bëjmë veç me duar.
Me njëri tjetrin ndërrojmë fotografi
Monument të ngremë, o internet
Vlerat e fotove secili nga ne i di
Por ato janë imazh, jo fëmijët vetë.
Edhe pse jemi larg, jemi t’gëzuar
Çdo gjë e keqe e ka një selamet
Familjet tuaja ju keni krijuar
Gëzimet e jetës atje i keni gjet.
Një çerek shekulli kemi mërguar
Në sofër ulemi e ngrihemi veç ne t’dy
Dhe kur hamë, flemë spo rrimë zgjuar
Mendje e shpirt fluturojnë atje te ju.
Të jetonim bashkë të gjith desha
Me zemër, shpirt e shtëpi plot
Veç fëmijët të gëzonim nipa e mbesa
Se larg atyre jeta po na kalon kot.
Edhe pse ikët ju si zogj dallëndyshe
E ne prindërve na latë në fole
S’ka gjë, veç ju t’jetoni ndryshe
Kurrë mos provofshi siç provuam ne.
Edhe pse jetojmë nga njëri-tjetri larg
Largësia dashuri e mallë na shton
Në nevojë, njëri-tjetrit i gjendemi në prag
Lundrojmë në det, fluturojmë me avion.
Punojnë, jetojnë, u është realizue shpresa
Atyre dhe ne veç shpirti na gëzon
Jemi shtuar e gëzuar me nipa e mbesa
Flavia, Alessia, Vivien e Saimon...
...!
Edhe pse ikët si zogj dallëndyshe
E ne prindërve na latë në fole
S’ka gjë, veç ju t’jetoni ndryshe
Kurrë mos provofshi siç provuam ne.
...!
-----------------
Nga libri ne prag-botimi "Shuberti i pyllit"
-Per ZemraShqiptare, nga Shengjini, 7 Nentor 2017-