Kulturë
Poezi nga Bujar Tafa
E hene, 06.11.2017, 08:00 PM
Poezi
shqipe nga Kosova
Bujar Tafa
Bujar Tafa u lind më 2 Janar 1976. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Lipjan, kurse studimet universitare, pasuniversitare dhe të doktoraturës në Universitetin e Prishtinës. Është poet, kritik letrar dhe profesor universitar. Deri më tani ka botuar këto libra: Poezia e Agim Spahiut (Prishtinë 2008), Krijimtaria letrare e Mirko Gashit (Prishtinë 2008), Biografemat dhe ideografemat (Interpretim i librit poetik Lum Lumi, Prishtinë 2010), Parapoezi (Prishtinë 2014), Materia e zezë (Prishtinë 2016), Kontraste letrare (Recensione, Prishtinë, 2016), Mbreti im Dardan (Vëllim bilingv, shqip-rumanisht, Bukuresht 2017).
GJYSMA IME
Marr pjesën time e ndaj në dysh,
marr gjysmën tjetër e ndaj në dysh,
marr gjysmën e gjysmës së gjysmës së gjysmës
përsëri e ndaj në dysh.
Kështu vazhdoj me vite
përderisa gjysma ime
s’mbaron kurrë.
RRËFIMI IM
I.
Rrëfimi im kuptohet pas shiut
kur një humanoid me të voglin e tij
shëtisin në muze shkalleve të historisë.
II.
Herët u mësova ta zija buzëqeshjen,
ato çaste i shpalla parajsë.
Të kujtohet kur më bëre zog,
doje ta mbaja një gjeth
ta shëtis botën.
MIRAZH
Nuk mundem më të shkruaj.
Një spazmë lind nga hapësira,
një mirazh.
Thonë jetë,
dhe shikim.
Ndërsa e tëra është një ëndërr,
bashkë me shpirtin
që heq
dhe ëndërron
një pranverë.
LAJMI I DYTË HYJNOR
Shpallet lajmi i dytë hyjnor:
Urime për robërit.
Më nuk do t’ju vrasim.
Ju më nuk keni të drejtë as të vriteni.
Ne nuk mundemi pa ju.
Ne veç duam t’ju urrejmë.
Urime!
Qofshi të bekuar!
TË SHIKOJ
Të shikoj
si çmendesh, qesh, qan,
përqafon
lëkurën qumësht të bardhë.
E gjuha jote më e mira në botë,
asnjë fjalë s’e di
asnjë hiç
veç heshtje, shikim dhe dashuri.
Qiellore je
gjithsesi.
KËNGA MË E BUKUR
Nuk është se poezia më e bukur
nuk është shkruar kurrë.
Nuk është se kënga më e bukur
nuk është kënduar kurrë.
Unë...
Kam me të kujtu
në një pleqëri të thellë,
në një mbrëmje vere
kur të këndoj
Monamour, monamour...
Kur zërin tim të shterur ta marrë universi
ta përplasë në pafundësi, në paanë
derisa të ndeshet
me zërin tënd të thekshëm...
Oooh mo bre!
PËRTEJ
Atje përtej murit ka lule,
e unë si të bëhem lot,
e unë si të bëhem qeshje!
Atje përtej murit ka kopshte,
e unë si të bëhem këngë!
UNË NUK MENDOJ
Unë nuk mendoj,
sa herë mendoj unë vdes,
vdes dhe shkoj në ferr.
Unë sa herë mendoj
kam dhimbje.
E marr pak helm
dhe jam pa dhimbje
e nuk mendoj,
veç hesht, dëgjoj.
LUFTA
E në hapësirë
një copë pluhuri në gjithësi,
ku e gjetëm ne tërë atë zjarr,
ku i gjetëm ata gurë,
ato fjalë.
Po trimi nuk është i sëmurë,
veç pasionin e ka të fortë
edhe dorën të lehtë.
QYQJA
Kurrë s’kam parë as dy metra larg,
kurrë mllefin s’ma ndali as kënga,
as vaji.
Një qyqe në krye më rri.
Një qyqe,
e fortë, e zezë.
E lindur veç për mua.
TRADHTARI
Si fëmijë kam qenë tradhtar,
spiun.
Zoti m’ ka falë.
Si trembëdhjetëvjeçar
kam pasur shërbimin tim.
Pastaj dorë për dore me mësuesen
kam pirë konjak.
Pastaj kam vizituar kishë,
pastaj kullën e kafkave, në tokën armike.
Pastaj një fqinj u çua vampir.
Pastaj një mësues
u preku gjoksin vajzave të shkollës.
Pastaj unë u rrita.
QENJTË
1.
Në një tavolinë kam ngrënë me qenj
vampirë.
Kam parë egërsinë në sy,
kam bërë plane monstruoze
kur i thyem lodrat,
kur i shqyem rrobat
me vampirët që rrahin dhe puthin.
2.
Kam qarë, shumë kam qarë,
me lotët e mi
lahen çikat.
LAJMI HYJNOR
Bijtë e mi,
Ju lejohet të ushqeheni
Nga mishi i robërve tuaj.
E Maria vozitë veturë
Unë me krishtin ulemi pas
Baby on board
Ngatërrojmë imagjinatën,
Mirazhin, realen.
Bërtet ai, bërtas unë
Në rrotë t‘samës Disneylandi!
Në rrotë t’samës Big Bangu!
ZOTI E BEKOI POETIN
Zoti e bekoi poetin,
i dha një gjysmë lirie,
e privilegjoi me dashurinë e tij.
Poeti është i zgjedhuri i Zotit.
Është mbi të krishterë, mbi myslimanë,
mbi jahudi.
Poeti është kriminel,
president, pis, kapitalist.
I çmendur, gjeni, kryqtar, xhihadist,
parajsë, ferr, xehe, zog, pikë,
poezia nuk është veç estetikë, as etikë.
Ka mbaruar koha e matufëve kokëkatrorë.
Zoti e bekoi poetin,
poetin me një gjysmë lirie.
E poezia nuk është art i fjalës së bukur,
poezia është gjysmë liria e poetit.
Është dhurata e Zotit për robin e tij të llastuar.
Poezia të pret, të ther, të kall me dashuri, me tmerr.
Ajo nuk bën kalkulime shterpe.
Pro bono publika.
RRETHRROTULLIM
Nuk është toka, jo.
Ajo që sillet rreth diellit,
është koka ime.
Një herë në vit
ia kthej shpinën diellit,
hyj në dimrin polar.
Ushqej arinjtë
me peshq të vegjël, të pafajshëm.
Nuk është toka, jo.
Ajo gjëja bizare që sillet rreth
diellit është koka ime.
Ngarkuar me male, oqeane,
shkretëtira, trafik të dendur,
shkolla, spitale,
industri e rëndë, hormone,
stacione, kapilarë gjaku.
Një herë në vit
përmbush detyrën time vjetore.
Po kurrë në një vend
diellin e pafytyrë
nuk e shoh njëjtë.
NJËQIND VJET
Ja ndez një qiri dreqit
me kokën time njëtonëshe
piskas!
Një viktimë,
një vrasës,
një bisedë,
një qeshje,
një e qarë.
Kurrë s’u mësuam të qajmë si duhet
Rrafsh.
Rrafsh një luftë,
Rrafsh një jetë.
Fluturo qyqe e qaj pak,
një copë gjynah laje me gjak.
BURRI
Në kafene
jam ulur unë,
me të gjitha virtytet e mia burrërore
përballë të dashurës sime të bukur
sy qielli, mishngrënëse.
E dashura ime porosit mish,
e dashura ime e bukur, sy qielli,
kundërmon.
Unë burri i virtytshëm
mendoj për zgavrën
dhe për të dashurën time
mishngrënëse
ZOTAT ME TEKE
Mbaj mend legjendën
për teket e çuditshme
të zotave të vjetër,
për sakrificë fëmijësh.
Edhe astekët, majat,
qytetërimet parahistorike
patën çifutët e tyre, të krishterët,
myslimanët, zezakët e tyre.
Patën pushtuesit e tyre,
patën robërit e tyre,
patën zotat e tyre me teke.
Për këtë arsye unë të vrava,
për këtë arsye
ne i vramë shoqet e tua,
që zoti ynë
të mos zemërohet në ne.
SHËTITJE
Shëtisim me sandale
vogëlusheve ua lidhi flokët kaçel
vizitojmë shitore,
blejmë gjëra.
Sa shohim një gjeneral,
një vogëlushe m’ndahet nga tufa
kthehet ta marrë një ëndërr të bukur
nga një copë
e trurit të saj të përgjakur në asfalt.
GODITJA
Veç unë, ti e Zoti përmbi ne.
Armatosem mirë,
i godas me shkop librat,
ua thyej gjymtyrët.
Ikin librat nga unë,
nga goditjet e mia të pashpirta
dridhen librat,
shkunden librat,
bien heronjtë,
bien fjalët,
ikin diktatorët.
Bien tempujt.
Në libra mbesin vetëm fletët e bardha.
Çdo gjë e zezë bie poshtë.
Shkarravitet e zeza.
Ikin ligjet, kushtetutat,
liderët, ushtarët,
kurvat, shtetet.
Mbesim veç unë dhe ti
edhe Zoti përmbi ne.
MONOTONI
Heronj,
tradhtarë,
modë e lodhtë,
flirte të lodhëta,
gardërobë e lodhtë,
miq të njëjtë të lodhtë,
armiq të njëjtë të lodhtë,
kozmetikë e njëjtë e lodhtë,
e zezë e bardhë e njëjtë e lodhtë,
vrasje të lodhëta, maska të lodhëta,
dashuri të lodhëta, urrejtje të lodhëta.
Ku është shiu kozmik
ta laj fytyrën, të shpërfytyrohem me shi acid.
Nuk më duhet as fytyra, nuk më duhet as shpirti.
Lum i pafytyri!
MUZA
Do dhe,
do mërzi,
do trishtim.
N’tana anët Zi.
Gjethe të rëna në parmak
ngutu bre dil oj fjalë
puthe muzën pak!
VDEKJE PAQËSORE
Vdekja jonë do të jetë
aromë e lules,
puhi e mbrëmjes,
ëndërr e bukur,
buzëqeshje.
E bukura është një.
Besoni në Zot se
e mira është një.
Se unë nuk rri, eci.
Se unë nuk eci, kërcej.
Se unë nuk kërcej, fluturoj.
Jam drita,
lulja,
pranvera,
ëndrra,
syri.
Një milion vite më vonë
nuk do të deshifrohen më
fjalët tona.
Jam drita, jam era.
DINAMIKA
Po lëvizin më shumë se unë,
po flasin më shumë se unë,
po mendojnë më shumë se unë.
Për dreq!
Unë po vuaj më shumë se ata.
QYQET
Qe njëqind vjet i ushqej
jetimët,
e ata veç qajnë.
Ushqehen mirë,
pastaj qajnë.
Flenë mirë
dhe vetëm qajnë.
MIKU
Ne jemi budallenj.
Nuk e dimë as të bardhën as të zezën.
S’njohim vlera.
S’njohim kufij.
Shko vëlla në luftë,
vrit, e nëse nuk gjen armiq të denjë
dhuno çfarë të gjesh!
E nëse nuk shkon në luftë, leh!
Lehim si qen mik,
pastaj na duartrokasin.
PAK
Sa pak jetë kam
të buzëqesh,
të mbledh lule,
të ujis,
të dashuroj,
të marr frymë thellë,
t’i fshij lotët,
të buzëqesh.
T’i shtrihem barit,
t’i laj sytë,
të lutem.
Sa pak jetë kam
të të shoh,
të ëndërroj,
të të ndiej.
Sa pak jetë kam
të të dua!
NAAANË ÇOMË TE ZOTIII!
Ngrykë më merr përsëri nanë,
krijuesja ime e fundit,
më shtrëngon në gjoks,
e ndiej dashurinë hyjnore
derisa m’i fshin lotët
e më këndon ninullë,
shuj shuuuuuuuuj
djali jem
shuj shuuuuuuuuj.
FITORJA
Fitoren nuk e mbaj mend.
Më kujtohet vetëm një plumb,
një harmonikë e kuqe
në oborr,
një fustan i shqyer,
një biçikletë
dhe një këpucë lufte në rrugë.
LUFTA
Kam ikur nga plumbi
si nga djalli.
Jam ulur me vëllezër
në drekë të Bajramit,
vëllezërit m’i vranë
unë vazhdova drekën,
urova fëmijët,
përqafova gruan.
Pikë gjaku
kurrë s’kam derdhur
as për fe
as për atdhe.
LIRIA
Ç’u marrosem pas teje,
s’e bëmë hesap shpirtin.
E ti një natë me njërin
një natë me tjetrin,
lavire!
BEHARI
(Poetit boshnjak Izet Sarajlic)
Kapedan Jovani nuk kërcen më tango,
pi verë të kuqe, gjak.
Balerinën e re mjellmë
mbrëmë e varrosën skaj murit
të mos e shohë dielli.
Kapedan Jovani
shkel lulet kur i sheh,
shtrëngon rripin
e me thikë copëton mish
mos me ardhë behari
n’Sarajevë.
FAT KOSOVE
Të kanë bërë si Krishtin vetë,
kryqe të shumta
ta rëndojnë shpinën.
Medet!
FUSHA E DARDHAVE
Fusha e dardhave duhet pastruar,
magjistricat ende ngatërrohen
me korba, mëllenja,
vështirë të ndahen.
N’Yskup, komiti Jordan
mbjell farën e keqe,
natën rri zgjuar e pjek rakinë.
MBRETI IM DARDAN
Jemi shtrirë për dhe katërqysh,
nip, babë, gjysh,
trung.
As dhe, as atdhe,
as hi, as gurë.
Rrasat na rëndojnë mbi kokë,
shtrirë për tokë.
Ushtarët e zinj
i prenë pemët,
vreshtat, dardhat.
Zhveshë na lanë
mbreti im Dardan.
Këtu është dielli,
këtu është era,
ku je ti baba mbret?
Më nuk shihen ushtarë,
heshta,
fusha jonë është e qetë.
Merr frymë pak
mbreti im plak!
TRIUMFI IM
Unë vuajtjen e kam mundur,
kënaqësi e kam bërë tmerrin.
Kënaqem kur e shoh vuajtjen time
të shkretë të vuajë
nga unë.
HIJA
Qenka një litar
një rrobë e bardhë
edhe do dhé
te një pemë që zgjatet
dhe lulon.
Dy sytë çelë,
dy sytë çelë s`i mbesin
te një pemë që zgjatet
dhe lulon.
PARA DHE PAS
Para dhe pas
një derë që hapet
e mbyllet
para dhe pas.
Një derë
dhe një korb
e një krrokatë
dhe një kuti
me një kapak,
e një derë që mbyllet
e hapet
para dhe pas.
GURI TE KOKA
S’ka mbetur gjë tjetër
veç një gur te koka
pa emër, pa mbiemër,
pa datë jete
i shtrihemi ëndrrës.
Dy sytë i hedh
bashkë me kokë
në tokë,
eci përmbys.
Këmbët krahë s’bëhen
kur s’ka mbetur më gjë
veç një gur te koka
dhe t’i shtrihemi ëndrrës.
DRU
Maskës sate
ja di fillin,
çiftohesh me erën
e lahesh me shiun.
Si s’t’u dhimb
bardhësia e borës
kur e piu
toka e zezë!
Hape krahët
e zgjate degë.
Krekosesh
mbi gjethet e tua
të rëna pa jetë.
Mbi fëmijët e tu
vetëm dru!
PARADOKS
Si ecën flutura
e si noton zogu n’ujë?
Peshqit si kalërojnë në qiell,
gjethet si sillen në vorbull?
Mos thoni
gjë s’kemi parë!
DRURI
Nuk dëshiron të shohësh,
të dëgjosh e ndjesh,
ta hapesh syrin dhe zemrën.
I lumi ti i lumi!
E në një vend një rob
copë u bë me një kafshë.
...
Për një të mirë e paç,
për një të mirë e paç!
TRADHTITË
Tradhtitë janë të bardha,
nuk them assesi të mira
veç më duket se janë të bardha
ashtu si vdekja,
ashtu si shpirti.
Si mendimi dhe fjala
e pathënë kurrë.
PËRRALLA
Një ditë
fëmijëve u thashë:
deti është i madh,
qielli nuk ka kufij
e gjuetari veç në përralla
qëllon drerin në vrapim.
POETËT MEMECË
Poetët më të mirë
janë memecët,
mjafton të jesh
nën lëkurën e tyre
të provosh ta thuash
atë që s’thuhet dot.
Poetët më të mirë
janë ata
që s’shkruajnë kurrë,
kur bëhen memecë,
shiko detin,
ëndrrën, dashurinë.
DASMA
Me qiellin, erën, yjet
jemi bashkë në festë,
edhe me aromën e luleve
kur në ëndrra kujtojmë
dasmën e engjëjve tanë.
Nga qielli nuk ikin engjëjt,
nuk ikim as ne.
Ne jemi pranvera e jetës,
pranvera është në ne.
Amin!
FENIKS
Toka e të vdekurve
s’e dashka përjetësinë.
Kurrë një yll
në tokë s’ra.
Njëherë ta shohim
veten në pasqyrë,
bisht para
bisht pas.
RELATIVE
Më falni
për mashtrimin e madh,
unë nuk jam unë.
Legjenda thotë se
unë pata një vëlla binjak.
Ai ishte unë,
unë isha ai.
U ngatërruam.
Kryesorja është se unë
nuk jam,
jam vëllai binjak
që pat
tjetër emër,
tjetër fat.
UDHËTIMI I FUNDIT
Rrugës për parajsë takoj shumë njerëz,
ëndërrushëm shkojnë qetësisht
drejt kënaqësisë absolute.
I shoh radhë-radhë
pafundësisht,
derisa më mbaron shikimi
në dheun sipër barit tim të verdhë.
SYTË
Cili univers do të përpijë shikimin
kur mijëra galaktika në lëvizje
vrimë e zezë i ha.
Cila është parajsa që i ngjan
buzëqeshjes sate, shpirtit tim.
Big Bangu yt
humb në vrimën e zezë