E diele, 28.04.2024, 09:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Marius Chelaru: Zoti e ka bekuar poetin

E premte, 03.11.2017, 01:29 PM


Zoti e ka bekuar poetin

(Bujar Tafa, Mbreti im dardan, Amanda Edit, Bukuresht 2017)

Nga Marius Chelaru

Zoti e bekoi poetin,

i dha një gjysmë lirie,

e privilegjoi me dashurinë e tij.

Poeti është i zgjedhuri i Zotit.

 

Është mbi të krishterë, mbi myslimanë,

mbi jahudi.

Poeti është kriminel,

president, pis, kapitalist.

I çmendur, gjeni, kryqtar, xhihadist,

parajsë, ferr, xehe, zog, pikë,

poezia nuk është veç estetikë, as etikë.

 

Ka mbaruar koha e matufëve kokëkatrorë.

Zoti e bekoi poetin,

poetin me një gjysmë lirie.

E poezia nuk është art i fjalës së bukur,

poezia është gjysmë liria e poetit.

 

Është dhurata e Zotit për robin e tij të llastuar.

Poezia të pret, të ther, të kall me dashuri, me tmerr.

Ajo nuk bën kalkulime shterpe.

Pro bono publika.

Bujar Tafa, Zoti e bekoi poetin

Bujar Tafa ka propozuar që përvoja e jetës, përjetimet, dashuria, dhimbja, urrejtja, kujtimet të jenë më të kompensuara, të metaforizuara, të rikrijuara, të ridhuruara sipas kuptimit dhe hijeshisë me të cilat i mvesh vargjet. Nuk i lë vend patetizmit të një syri të ftohtë. Nganjëherë, diskursi i tij poetik kaplon përmasa prozaike, tjetër herë faniten nuanca grandilokvente, të sfidimit, sipas rastit, autori duke u “rivindekuar” metaforikisht, në hapësira ekstramondane („Nuk është toka, jo./ Ajo që sillet rreth diellit, është koka ime.”, kur një grusht pluhuri në univers, ku e patëm gjetur ne atë zjarr. Tjetër herë, për të mos u dukur abstrakcione të thjeshta, apo parafrazime artefaktesh, fjalët zgjohen dhe poezia vë zotërim mbi botën që i është dhënë: “Herët u mësova ta zija buzëqeshjen,/ ato çaste i shpalla parajsë./ Të kujtohet kur më bëre zog,/ doje ta mbaja një gjeth ta shëtis botën. (Rrëfimi im). Por, ndoshta si një refleks i kritikut, poeti jep përshtypjen se dëshiron t’i mbajë gishtërinjtë mbi tastierat e fjalës që tenton ta mbajë të temperuar, respektivisht të përmbajtur.

Tematika kaplon përmasa të diversitetit, që nga dashuria (nganjëherë me thekse të burrërisë në adresë të femrës), deri në konstrukcione që parashtrojnë pyetje lidhur me kuptimin e jetës, të vendit apo, si individ, në botë, apo të kombit që i përket që nga dardanët e lashtë (si te poezia Mbreti im dardan), apo të mënyrës me të cilën e sheh se si është krijuar dhe funksionon shoqëria dhe bota (nganjëherë me thekse cinike e parabolike (si te poezia Lajmi i dytë hyjnor). Apo, mënyra e hipokrizisë me të cilën na është dorëzuar ligësia në botë, e “paketuar” për “hijeshi” (si në Shëtitje, për shembull, apo te Udhëtimi i fundit). Një botë në të cilën, porsi në një lojë të tmerrshme ku poeti luan pranë Zotit („Ikin ligjet, kushtetutat,/ liderët, ushtarët,/ kurvat, shtetet./ Mbesim veç unë dhe ti/ edhe Zoti përmbi ne.

Herë tjera, maska duket se tenton të mbrohet, dhe atëherë shihet një tjetërlloj pasqyre e botës së brendshme e të jashtme: “Unë vuajtjen e kam mundur,/ kënaqësi e kam bërë tmerrin./ Kënaqem kur e shoh vuajtjen time/ të shkretë të vuajë/ nga unë. (Triumfi im). Senzacioni i parë kur lexon për fëmijërinë është fakti se këto tekste duken të mvshura me triptiket e Hyeronimus Bosch, si në poezinë Shëtitje, për shembull: „një vogëlushe m’ndahet nga tufa/ kthehet ta marrë një ëndërr të bukur/ nga një copë/ e trurit të saj të përgjakur në asfalt.”

Dhe vijnë të përgjakurit e viteve 90-të të shekullit të shkuar, me tmerret që i solli ish Jugosllavia. I gjemë ato në tekstet e poezive Behari, Fati i Kosovës, apo madje edhe te Liria, me një çelës të përbashkët. Nuk mungon as vdekja, as ëndrra, as Zoti, të cilin Bujar Tafa e përmend shpesh, por pa u pozicionuar në homo religiosus. Meqë përmenda më lart për vdekjen dhe ëndrrën, përkujtojmë Jean Paul-in, sipas të cilit ëndrra është një poezi e pavullnetshme, duke shtuar se vdekja është si një Argus me njëmijë sy, por të gjitha i mban të mbyllur. Për poetin shqiptar vdekja duket si një ëndërr e bukur: „Vdekja jonë do të jetë/ aromë e lules,/ puhi e mbrëmjes,/ ëndërr e bukur,/ buzëqeshje.” (Vdekje paqësore). Por mund të ketë edhe fytyrë tjetër: „Unë nuk mendoj,/ sa herë mendoj unë vdes,/ vdes dhe shkoj në ferr.” (Unë nuk mendoj).

Po qe se mendojmë për atë që ka thënë Mikel Dufrenne, sipas të cilit poezia do të kishte vetëm tre subjekte, ai që e shkruan, duke iu referuar poetit, apo botës, ose vetë poezisë. Këtu poeti mund të kundrohet nëpërmjet një kristali apo një bote me faqe të shumta. Përmes një aspekti, poeti është një qenje e bekuar nga Zoti, me “gjysmë lirie”, si „i zgjedhuri i Zotit”, i kapluar nga dashuria e tij, dhe mu për këtë është „kriminel, president, pis, kapitalist, i çmendur, gjeni, kryqtar, xhihadist, parajsë, ferr, xehe, zog, pikë.” Mirëkuptohet kjo, ngase këtu  „poezia nuk është veç estetikë, as etikë.” Nuk është „arti i fjalës së bukur” por „gjysmëliria e poetit.” „Është dhurata e Zotit për robin e tij të llastuar.” Dhe „të pret, të ther, të kall me dashuri, me tmerr.”Në anën tjetër, për shembull „Poetët më të mirë janë memecët (...), ata që s’shkruajnë kurrë.”

Ka edhe kërkime të shumta te Bujar Tafa. Janë një numër i konsideruar sekuencash në të cilat diskursi lirik gërshetohet me prazaikun. Nga pikëshikimi i fjalorit, poeti është i qartë dhe i kapshëm. Në anën tjetër, Bujar Tafa arrin t’i japë mendimit një veshje të bukur përmes së cilës na pajis me një lirizëm që duket se vjen nga ekzistenca. Poeti e sheh botën me syrin e poezisë së jetës, me petkun metaforik të shpirtit kur stoliset me fjalë të zgjedhura e të matura. Falë përkthimit të Baki Ymerit, Bujar Tafa vjen në gjuhën rumune duke na e trasuar rrugën e tij në botën e poezisë. Në vargjet e tij ballafaqohemi me mendimin që e lakon hekurin. Presim edhe tekste tjera të përkthyera nga ky poet i ri, i talentuar dhe i denjë për deshifrim nga ana e kritikës letrare.

BIOBIBLIOGRAFI E SHKURTË

Bujar Tafa u lind më 2 Janar 1976. Shkollimin fillor dhe të mesëm
i kreu në Lipjan, kurse studimet universitare, pasuniversitare dhe të doktoraturës në Universitetin e Prishtinës. Është poet, kritik letrar dhe profesor universitar. Deri më tani ka botuar këto libra: „Poezia e Agim Spahiut”, „Krijimtaria letrare e Mirko Gashit”, „Biografemat dhe ideografemat” (Interpretim i librit poetik Lum Lumi), „Parapoezi”, ”Materia e zezë” (poezi), „Kontraste letrare” (Recensione).



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora