Kulturë
Qazim Shehu: Meteor
E diele, 19.11.2017, 08:27 AM
METEOR
QAZIM SHEHU
Kur nga lartësitë këputet një zjarr
Thonë njerëzit sa i hijshëm,
Në errësirë veten mbath
Për syrin e pangishëm…
Gjer në mes të udhës bie dritë
Për ta lënë tjetrën në errësirë
Ta binte dritën gjer tek ne
Do ish mbase më mirë…
Se veç në të largëtat lartësi ,
Zjarri jep hije më tepër,
Këtë e di çdo njeri
Edhe pse ndaj zjarrit është i verbër…
Kur me ftohtësi sa hove shuan
Sa ndjenja dhe afrime të zjarrta,
Për të ruajtur veten kur e duan
Për të dashur të tjerët, ikin me të katërta
Për të kujtuar,këtë, meteorët
Me dhimbje nga largësitë e flakta
bien e digjen të gjorët
Drita përreth bie burime të pakta…
LOTI
Bota bëhet e pafuqishme
Nga dalja e një loti,
Shkarë në faqen e një fëmije
Nga një fjalë së koti…
Prej të mëdhenjve kujdestarë
Që fëmijërinë harrojnë shpesh,
Ndërsa fëmijëria e tyre duke qarë,
Si mallkim na vjen në vesh…
NË NJË ANË TË KUPTIMIT TI..
Në një anë të kuptimit ti
Në tjetrën unë
Si dy brigje kur bie shi
Cilin rreh lumi më shumë?
Në një anë të ndjenjës ti,
E imja sa ka nisur
Si një borë që prêt shi
E befas dielli del i dirsur…
Ti ecën nëpër kuptim qetësisht
Dhe unë s`e gjej që s`e gjej,
Se çkuptim ka një dallëndyshe kur me bisht
Prêt një vijë horizonti mbi re…
Ndoshta kuptimin e kthimit të pamundur
Prej folesë që s`e gjen,
Dhe kjo buzëqeshje që është humbur
Në një shenjë që nuk e zbërthen…
NDOSHTA ERA…
Krahët e erës nuk janë krah të dashurisë
Flatrat e dashurisë më të ajërt bëhen.
Ndoshta era prandaj ulërin si bishë
Se këto flatra ende si ka gjetur…
SHKËMBI I NUSES
Natyra herë herë sajon,
Kujtesa prej guri,
Ja këtu një shkëmb tregon
Një nuse prej qëkuri..
Lart mbi shkëmb rrugën vështron
Dhe taksitë e dasmave
Dhe e pikëlluar ngrihet mbi hon,
Flokë lëshuar krahëve…
Gojë e humnerës rrëfen legjendën
Si për t`i shpëtuar përdhosjes
Ndaj dashurisë që ia stepën
Në kode të vendosjes,
Ajo u iku atyre nga duart
Dhe erdh e u skalit në gur,
Dhe dashuria i hedh urat
Po tek ajo s`mbërrin kurrë…
RËNDOMTËSI…
Rëndomtësi e jetës na mbush zemrën
Në përditshmërinë akulluese,
Duam të zbrazemi prej saj ,ta mbushim jetën
Me diçka më mikluese…
Dhe sa vështirë , gati e pamundur
Rrëqethëse dhe e mbimbajtur në shpirt,
Kërkimi i një çasti të lumtur
Pa bërë një herë me të rëndomtën flirt…
BOJË
Për t`i dhënë shpirtit pak rini
Veten për të gënjyer
Flokët mund të lyej me bojë
Po rrudhave
Gjunjëve të thyer,
Çfarë mund t`u jepët,
Këtu koha stepet
Kova e bojës nga një hap nervoz
Derdhet…