Kulturë
Tri skica nga Nebi Dragoti
E enjte, 16.07.2015, 06:44 PM
NEBI DRAGOTI
TRI SKICA:
DRITËROI, UNË “LUFTË” ME SHALQINJ
Penguar, rrëzuar e ngritur, por të padorëzuar.Me thikë në brez, ulur këmbëkryq, si “vampire” në parcela me shalqinj.Kemi vënë nën gjunjë kokrrat më të mëdhaja:Dritëroi në Devoll, unë në Dumre shalqinj lara-lara:të gjatë, të rrumbullakët me peshë disa kilësh.-Ta therim më të madhin, -kemi thënë e vendimin e kemi çuar deri në fund, tamam, si burra.Lëngu i shalqinit i ëmbël, i pastër, flakë i kuq si gjaku.Duart me “gjak”të tillë na janë përlyer.Ulur mbi shalqi, se s’kemi pasë karrike me vete.Arën kemi pasë për tavolinë.Kasaphanë kemi bërë e gjinkallat majë lisash iso na mbanin.Pa le, ç’këngë që na ngrinin?!...-Mos lëvizni e mos u dridhni, -u kemi thënë shalqinjëve, me ton autoritar.Kokrrat e tyre s’kishin të numëruar e të mbaruar.”Ushtri” të madhe kemi pasë përpara! Ai, dritëro Agolli, veç thikës, se ç’mbante në dorën tjetër një pagure, siç duket, të mbushur me “ujë”të bekuar, që mos ta merrnin më sysh…Dikur kështu:ai në Devoll e unë në Dumre.Po tani?...Zgjojmë kujtimet e shkuara e gjinkallat sikur na përqeshin në shenjë hakmarrje për batërdinë , që kemi bërë fushave me “ushtarët“ shalqinj.
HORIZONT I DIELLUAR
Përballë shkrep me rrezet e ëmbla mëngjesore dielli majë maleve shqiptare.Diellohet horizonti.Një tis i kaltër, i avulltë, çohet nga toka duke i lënë vendin në lëndina e proshka margaritarëve të vesës.Dielli e qëndis horizontin shqiptar në filigran, ndërsa shqiponjat nderin flatrat e plotfuqishme për të thënë:Ja Shqipëria!E bukura!Sa madhështore në këtë kornizë horizonti të dielluar!
CIGANIA
E kolme, me një shtat mezatar, mospërfillëse, duke shpejtuar për diku, parakalonte kalimtarët cigania, emrin e së cilës nuk ia mësova dot.Fis nomadësh, të çuditshëm, ku shtëpi kanë natyrën.Janë tepër të apasionuar pas jetës së lirë, jetë pa shumë ëndrralla.Nën sqetull, mënjanë, mbante fëmijën e saj.Për momentin të vinte keq…sikur kishte nën sqetull një kungull, Fëmijës, sikur të ishte kungull me të vërtetë, nuk i ndihej zëri.Vapë.Dielli në zenit me rrezet e nxehta sikur të paloste në tokë.Në ecje e sipër, nxjerr gjirin dhe duke e mbajtur para gjoksit e mëkon.Duket sikur edhe dielli e shoqëronte gjithë kureshtje.Dielli pa u kursyer i dhuronte ngjyrën e zeshkët, kur fëmija pinte, ndërsa pigmentet nën lëkurë bashkoheshin me rrezet dhe kryenin proçesin.Cigani i vogël kështu stërvitej e rritej për të kënduar e vazhduar me def këngën cigane të jetës.