Sabit ABDYLI
TOGER GRANITI
Erdh
togeri! Telashe do të na nxjerrë me Evropën, me fqinjët. Kush e thirri?! Si erdhi?! Do të na
shkatërrojë të gjitha këto që i ndërtuam me mund: shtetin multietnik, flamurin
me yje, arritjet ... Me të mbaruar lufta sikur iku, u zhduk. Luftoi krejt jetën
dhe nuk deshi grada e pushtet. Toga që e udhëhiqte "Toger Çlirimtari"
e thërrisnin se vërtet ishte pushkë çlirimtare e tokës së robruar, ishte vetë
Liria. Kush e thirri, kush?! E pati mbaruar
ai detyrën ndaj atdheut e popullit, i dha të gjitha. Edhe jetën. Nuk i deshi
titujt, ndarjet... Deshi gjithë ato që kanë popujt tjerë: lirinë, shtetin e së
drejtës dhe zot i trojeve të veta të jetë. Edhe ne krah për krah me të luftuam
për të njëjta ideale. Kur, ne mbetëm për ta vazhduar luftën në paqe, ai iku.
Iku në betejën e fundit. Si erdhi, kush e ktheu prapë Togerin, kush? Me Të
gjithçka do të na shkoj huq, me Të edhe pushtetin do ta humbasim. Para se të ndodh kjo, duhet të bëjmë
diç: do provojmë të njollosim, përbaltim së pari me fjalë veprat e tija. Po nuk na shkoi fjala, do të marrim
masa të tjera, se na mori lumi. Populli me Të është, populli e thirri se humbi
shpresat në aftësitë tona për të mbajtur shtetin. Ardhja e Toger Granitit kish bashkuar liderë të të gjitha
krahëve. Me dyer mbyllur bënë skenarin. -“Ta joshim duke i dhënë privilegje,
tituj”, tha pozita. -“Ta lëmë të formojë parti të vetën dhe i fusim brenda
njerëzit tanë (kalin e drunjtë)”, propozoi opozita, dhe vazhdoi, duke fajësuar
pozitën për ardhjen e Tij. “Ju, ju me qeverisjen tuaj të keqe e ngritët nga
varri Çlirimtarin! Ju"! -"Jo ne, kundërshtoi pozita, populli ra nën
ndikimin e propagandës suaj që shpifët, se pozita është e korruptuar,
injorante, tradhtare, hajdute, e padenjë për të udhëhequr.”, foli pozita. U
lodhën së akuzuari njëra-tjetrën. Ishte koha që kundërshtarët të merreshin vesh,
sa nuk kishte mbërritur Ai. Thirrën gjykatësin dhe ngrehën fletë-arresti për
Granit Dardharin, i njohur në popull me emrin Toger Çlirimtari si njeri i
rrezikshëm, i cili po vinte nga ajo botë për ta destabilizuar shtetin dhe ia
dorëzuan shërbimeve të veta partiake, policisë së shtetit, Interpolit dhe
EULEX-it.