E premte, 26.04.2024, 04:32 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Jeta e panjohur e pesë deputetëve më të pasur të Parlamentit shqiptar

E diele, 20.07.2008, 03:30 PM


Jetojnë në shtëpi luksoze, vishen firmato dhe duan të jenë gjatë në politikë

Nga Ermira Shpetimi

Paratë nuk të bëjnë të lumtur, por të ndihmojnë që ta krijosh atë. Duket më shumë si një lojë fjalësh por le ta themi hapur, a mund të jesh i lumtur nëse me pagën mujore mezi arrin të mbijetosh? Përgjigja e realistëve do të ishte, jo. Sot në ekonominë e tregut, ku secili ka mundësi të tregojë se çfarë di të bëjë me aftësitë e tij, pasuria është një tregues se sa vlera ke, sa i zoti je dhe mbi të gjitha çfarë e ardhmeje të pret. Pikërisht në këtë atmosferë parash e pasurish do të hyni duke lexuar mbi jetën e pesë deputetëve më të pasur të Parlamentit, të dhëna të bëra publike nga lëvizja “Mjaft” pak ditë më parë. Edhe pse që të pestë skeptikë për vendet në ‘top five’ pasi mendojnë se ka më të pasur se ata në sallën e Parlamentit, gjithsesi nuk e fshehin krenarinë se falë punës së tyre, sot kanë mundur të bëhen të pasur. Le të mësojmë detaje nga jeta e tyre prej milionerësh.

Tom Doshi
1: TOM DOSHI: PASURIA: 992,629,260 LEKË

Politika, punë të pasurish

Biri i një bletërritësi, me gjashtë motra dhe një vëlla e me origjinë nga Malësitë e Shkodrës, Tom Doshi e kuptoi herët se si funksionon ekonomia e tregut. Që kur është bërë pjesë e Parlamentit shqiptar, nuk i ndahet vendi i parë për nga pasuria por edhe problemet gjithashtu. Ishte demokrat, por Berisha nuk pranoi që ta kandidonte për deputet me pretekstin se nuk donte njerëz nga bota e biznesit. Për ta çuar këtë ambicie deri në fund, i kërkoi Nanos, në atë kohë kryetar i PS-së që të bëhej deputet i zonës së tij dhe ia arri qëllimit. Demokrati që rreshtohej tek socialistët, ezgjidhikëtë ngatërresë duke gjetur paqe dhe strehë tek Partia Demokristiane. Për t’u kthyer tek pasuria e tij, gjithçka filloi me tregtimin e karburantit për t’u zgjeruar më pas edhe me biznese të tjera. Sot Doshi dhe familja e tij janë pronarë të rreth 992 milionë lekëve të reja, asete të cilat përbëhen nga “Profarma”, fabrika e qumështit “Ajka”, aksione të një pike karburanti, shtëpi në Shkodër, vilë në Durrës, shtëpi tek “Blloku” në Tiranë, tre shtëpi në Australi etj. Deputeti 42-vjeçar i PDKsë nuk ka ngurruar asnjëherë të listojë pasurinë e tij dhe ndjehet mirë që i hyri politikës si i pasur. Megjithatë duke qenë kotë koshient për varfërinë e skajshme që e rrethon, ai tregon që i vjen keq për këtë gjendje ekonomike në të cilën ndodhemi por nuk sheh asnjë shpresë për përmirësim për sa kohë të riciklohen të njëjtit individë në politikë. Gjithashtu Doshi jep idenë se në Parlament duhet të ketë jo vetëm deputetë të zotë p o r mundësisht edhe të pasur. “Njerëzit e varfër në politikë nuk ke ç’ido, sepse druaj se i varfri do të mbetej peng i një rroge, i një makine apo celulari, për të mos thënë se një individ i tillë është lehtësisht më i k o r r u p - tueshëm dhe i manovrueshëm. Dhe në këtë formë një individ i tillë humbet lirinë për të thënë fjalën e tij ”, thotë ai. Doshi tregon se e shijon jetën prej njeriu të pasur pasi pasurinë e vuri duke punuar shumë dhe për ta shijuar më pas. Por si besimtar pohon se çdo gjë që ka është mbi të gjithanjë dhurat ë e Zotit. Ka pasur fatin e madh të pasurohet duke qenë akoma shumë i ri kështu që në rastin e Doshit shprehja “Një jetë pasanikësh, është një ëndërr fëmijërore që realizohet në pleqëri” nuk vërtetohet. Ka ambicie për të qenë përsëri pjesë e politikës dhe për t’u angazhuar më fort me zonën nga ku ka dalë deputet. Vlen për t’u përmendur edhe një fakt tjetër, në tre vitet e tij si deputet, shifra e deklarimit të pasurive mbetet pothuajse e njëjtë, por gjithsesi shumë e lartë dhe e lakueshme.

Sadri Abazi
2: SADRI ABAZI: PASURIA: 485,083,158 LEKË

Biznesmeni me 5 yje

Ju mund të mos e besoni por në fillim të viteve ‘90 dëshirën për t’u marrë më biznes Abazi e materializoi me një barakë të vogël, ku shiste karamele dhe biskota. Ndërsa sot, i renditur i dyti në listë për nga pasuria mbas deputetit Doshi, pohon se është i pasur por më të qetë në jetën e tyre janë punonjësit e tij sesa ai vetë. Mbasi kanë kaluar rreth 13 vite që kur ai nisi bizneset e tij, mendon se gjithçka e ka arritur jo vetëm me shumë punë, por edhe me shumë strese. Por duket se ia ka vlejtur sakrifica pasi pasuria e Abazit sot është rreth 485 milionë lekë të reja. Gjithçka filloi me një kompani import-eksporti që merrej kryesisht me materiale ndërtimi, por më pas, si shumë sipërmarrës të tjerë, kuptoi se gjetja më fenomenale për të fituar mirë, është biznesi i ndërtimeve. Dhe nga furnizues i xhamave dhe i duraluminit, u bë vetë ndërtues pallatesh. Në tetë vite që ai ushtron këtë biznes, ka ndërtuar me dhjetëra pallate në Tiranë dhe Durrës dhe aktualisht ka në ndërtim rreth 70 mijë metra katror në Tiranë. Edhe Abazi kërkon të përgënjeshtrojë legjendat sipas të cilave, po ndërtove një pallat, gdhihesh si me magji me disa milionë euro në bankë. Ai rrëfen se në 10 mijë metra katror nuk mund të fitosh më shumë se 300 mijë euro mesatarisht pasi ka shumë rëndësi vendi ku ndërton, ndërkohë që kostoja e ndërtimit dhe taksat mbeten të njëjta. Deputeti socialist si shumë kolegë të tij, hyri në politikë mbasi u pasurua dhe zgjodhi vendlindjen e tij, Dibrën për t’u bërë deputet ndonëse kishte 32 vite që jetonte në Tiranë. Sot ambiciet e tij janë për të qenë përsëri pjesë e politikës dhe një arsye e fortë është se ai ka bindjen që këtë radhë falë punës së liderit që ai ka për zemër, Ramës dhe sigurisë në fitore, Abazi do arrijë të bëjë realitet të gjitha premtimet që i bëri zonës së tij. Megjithatë gjithë këtë kohë ai nuk ka ndenjur duarkryq. Duke shkuar pothuajse çdo fundjavë në Dibër, ai ka njohur në detaje problematikat atje. Ndihma e njerëzve të sëmurë apo ndërtimi i një ujësjellësi, janë disa nga punët që ai ka bërë me paratë e firmës së tij. Ndërsa shtëpia e ndërtuar për një muaj për tre fëmijë jetimë në Gërdec, ishte përsëri një nga bamirësitë e tij. Por Abazi sot 52 vjeç nuk harron të shijojë jetën si një njeri i kamur. Jeton në një shtëpi 200 metra katror afër stacionit të trenit në Tiranë, lëviz me një “BMW”, që nuk kushton më shumë se 30 mijë euro por nuk harron udhëtimet jashtë shtetit, gjithmonë kur ka angazhime biznesi. Italia, Greqia, Turqia dhe Gjermania janë vendet që ai viziton më shpesh, aloxhon në hotele të shtrenjta dhe i pëlqen të blejë kostume firmato për vete. Megjithatë ambiciet e Abazit në biznes nuk stopojnë këtu. Këto ditë ai ka inauguruar hotelin që mban inicialet e mbiemrit dhe emrit të tij “A.S.”, një hotel me pesë yje në Golem dhe ky mesa duket është vetëm fillimi i investimeve të tij në fushën e turizmit. Ndërkohë ëndërron kotë bëjë vetë një spital privat në mënyrë që të ndihmojë njerëzit e sëmurë të kurohen me pak para pa pasur nevojë të shkojë në spitalet jashtë vendit. I pyetur nëse kjo pasuri e ka bërë të lumtur, Abazi përgjigjet “Më ka bërë të lumtur familja ime, por të qenit i pasur padyshim më ka ndihmuar që ta shijoj këtë lumturi”.

Pilo Keri
 3: PILO KERI: PASURIA: 173,021,265 LEKË

Pasuria e nikoqirit të mirë

Ka punuar shumë dhe një ditë është gdhirë i pasur pa e pasur paranë qëllim në vetvete. Kështu i ka ndodhur Pilo Kerit, deputetit të PS-së. Ka pasur fatin të jetë i vetmi arkitekt i qytetit të tij, Kuçovës dhe aty është marrë me gjithçka, nga rikonstruksioni i veprave publike deri tek ndërtimet e ndryshme. Më pas kur ka parë se ndërtimi është një biznes shumë fitimprurës, Kuçova nuk i ka mjaftuar më. Keri ka bërë shumë ndërtime në plazhin e Durrësit dhe në Tiranë por për të ndihmuar qytetarët e tij, të gjithë punëtorët i sillte me autobus nga Kuçova. Si intelektual që e njihte gjithë qyteti, nuk e pati të vështirë të bëhej deputet, i një force të majtë natyrisht, po të kemi parasysh që ka qenë anëtar i Partisë së Punës, para viteve ‘90. Teksa bisedon me Kerin fillon e dyshon nëse është me të vërtetë ai, njeriu që u rendit i treti në listën e më të pasurve të Parlamentit me rreth 173 milion lekë pasuri? Kjo pasi Keri sot 52 vjeç, paraqitet si një njeri tejet modest dhe me një pamje shumë dashamirëse dhe babaxhane të tregon se ka punuar shumë falë një profesioni të mirë, por në jetë nuk ka parë asnjëherë bashkë 200 mijë euro pasi çdo para të fituar, ai e ka investuar. Duke kërkuar të mësojmë më shumë se çfarë e bën jetën e Kerit të veçantë nga jeta e një rrogëtari të thjeshtë, vështirë të zbulojmë ndonjë gjë për të na çuditur. Fundjavat shpesh i kalon në një hyrje pallati në plazhin e Durrësit, nuk ka qejf të rrijë shumë nëpër restorante të shtrenjta, nuk e sheh të veshur me firmato edhe pse tregon se i pëlqen “Armani” dhe mbi të gjitha pushimet i bën në bregdetin shqiptar në një hotel që nuk kushton më shumë se 40 euro nata. Gjithashtu lëviz me një fuoristradë personale, “Range Rover” që kushton 40 mijë euro. Ai së bashku me bashkëshorten që është edhe ekonomiste e firmës së tij dhe dy fëmijët, jetojnë që në vitin 2002 në një apartament 110 m katror në Tiranë, ndërkohë që djali i tij 22 vjeç me studime në Oksford, gjatë verës nuk bën pushime por punon në aeroportin e Rinasit. Keri tregon se me kuçovarët nuk ka bërë asnjëherë llogari. Ai jep 1 milion lekë të reja për skuadrën e futbollit të qytetit të tij ndërkohë që ka bërë projektet e pothuajse të gjithë shtëpive të qytetarëve të Kuçovës pa iu marrë asnjë lek. Faktin që ai është kaq i kontrolluar në shpenzimet e parave për veten e tij, e justifikon me faktin se ai i ka vënë paratë me djersë nuk mund t’i prishë ato pa teklif. Ndërkohë duket se punët e biznesit nuk i kanë ecur edhe aq mirë që kur është bërë deputet pasi që nga viti 2005 nuk ka arritur akoma të marrë një leje ndërtimi në Tiranë. E çuditshme po të mendosh se kryetari i partisë së tij është edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Edhe Keri si Babasi tregon se biznesi i ndërtimeve nuk jep më fitimet e dikurshme. Nga 7800 m katror të ndërtuara vetëm në Tiranë, Keri tregon se fitimi nuk kanë qenë më shumë se 180-200 euro për një metër katror. Shumë modest dhe me shumë dëshirë për të punuar akoma më shumë, por edhe për të qenë përsëri pjesë e Parlamentit shqiptar, duket se Keri e shijon jetën si një nikoqir i vërtetë paçkase pasuria e tij i lejon të bëjë çdo gjë që mund t’i vijë në mendje. Nuk e dimë nëse të kënaqesh me pak ndërkohë që ke shumë mund të klasifikohet si vlerë apo si defekt.

Ndriçim Babasi
4: NDRIÇIM BABASI: PASURIA: 118,175,490 LEKË

Luksi i të jetuarit në 550 m

Iku ajo kohë kur mund të bëheshe rastësisht i pasur. Sot i pasur bëhet ai që është i zgjuar dhe mbi të gjitha ai që punon shumë për ta krijuar këtë pasuri. Kështu mendon Ndriçim Babasi, deputeti i PD-së, të cilin teksa e pyet se si ndjehet kur gjen veten i renditur i katërti për nga pasuria mes 140 deputetëve, pohon se nuk ka ndonjë ndjesi të veçantë. Por sigurisht pasuria e ka bërë që të hyjë me një farë krenarie në politikë pasi një njeri i biznesit ka shumë për të dhënë aty. Me një të kaluar si afektiv i forcave speciale të policisë, Babasi, djali që lindi në Fushë- Krujë në një familje shumë të varfër, i hyri rrugës së biznesit shumë i ri, pikërisht atëherë kur ekonomia e tregut po bënte hapat e parë tek ne. Ka qenë viti 1993 kur ai hapi një pikë karburanti në Fushë-Krujë dhe të gjithë e quajtën të çmendur pasi dihej se në ato vite kishte shumë pak makina. Por shumë shpejt fitimet treguan se zgjedhja e të riut kishte qenë e drejtë. Babasi ka vite që e bën jetën e tij mes Fushë-Krujës dhe Tiranës. Në Fushë-Krujë ka ndërmarrjen e prodhimeve inerte, ndërkohë që në Tiranë është marrë me ndërtime. Sot në moshën 41-vjeçare, ai ka një pasuri prej rreth 118 milionë lekësh të reja ku janë të llogaritura të gjitha pasuritë e patundshme të tij si; ndërmarrja, dyqanet, shtëpitë etj. Edhe pse nuk i pëlqen që të jetë ekzibicionist për shkak të pasurisë së tij, Babasi nuk e fsheh faktin që falë kësaj pasurie sot ai ka gjithçka që një rrogëtar as që mund ta ëndërrojë. Një shtëpi prej 520 m2 në lagjen afër “Bllokut” në Tiranë, e ndërtuar prej tij, është vendi që ai ka zgjedhur të jetojë me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Megjithatë ai tregon që fëmijëve nuk i kanë ngulitur idenë që prindërit e tyre kanë shumë para dhe ata mund të bëjnë çfarë të duan. Madje Babasi rrëfen se edhe falë moshës së tyre të vogël, 9 dhe 11 vjeç, dy djemtë nuk janë akoma koshientë se sa e pasur është familja e tyre. Një nga pikat e dobëta të deputetit të Fushë-Krujës janë makinat prandaj dhe zgjedhja e tij e fundit është një makinë “BMW”, prodhim i vitit 2008 që kap vlerën e 105 mijë eurove. Duke iu kthyer biznesit të ndërtimeve i cili thuhet se të jep fitime marramendëse, Babasi sqaron që në fakt nuk fitohet aq shumë sa ç’mendohet pasi nga ndërtimi i një pallati 9- katësh nuk të ngelen fitin më shumë se rreth 700 mijë euro. E megjithatë qenia e tij në politikë duket se ia ka ngadalësuar paksa ritmet bizneseve të tij pasi koha tashmë është më e limitur për t’iu përkushtuar atij. E megjithatë Babasi nuk i fsheh ambiciet e tij për të qenë përsëri deputet, paçka se fillimisht politikës i hyri thjesht nga kurioziteti. “Po të më propozojnë sërish, do jem i lumtur por nuk pretendoj që të jem nga të parët në listë, përkundrazi mendoj se jam diku nga fundi”, rrëfen ai. E sa për pushimet, Babasi tregon se vetëm familja e tij bën pushime ndërsa ai jo. Por udhëtimet e fundjavës janë dobësia e tij. Kështu ai mund të shijojë disa ditë relaksi në çfarëdo vendi të Evropës, por Napoli është qyteti që viziton më shpesh, ku dhe blen veshjet “Dolce & Gabanna” e “Versace” për veten, dy nga firmat e tij më të preferuara.

Nikollaq Neranxi
5: NIKOLLAQ NERANXI: PASURIA: 80,920,000 LEKË
 
Kur paraja prishet me miqtë

Është një njeri i pasur që e shijon jetën në të gjitha dimensionet e saj. Dhe kujdes, kur flasim për Neranxin, të shijosh jetën është shumë e shumë më tepër nga ç’mund ta imagjinojë shumëkush. Që kur ishte shumë i ri ëndërronte që një ditë do të bëhej i pasur edhe pse jetonte në një vend të vogël si Himara, por shpresonte se shumë shpejt jo vetëm ai, por të gjithë shqiptarët do të kishin një jetë më të mirë. Sot është deputet i LSI-së në Parlamentin shqiptar, ka marrë mandatin e tij të parë tre vite më parë por ideja për të hyrë në politikë ka qenë shumë e hershme. Por ai ka pasur një synim, të bëhet politikan mbasi të pasurohet. Dhe ja ku është sot, me një ndërmarrje në autostradën Durrës-Tiranë e cila mban mbiemrin e tij, “Neranxi”, një kompani gjigande me standarde perëndimore që merret me importin dhe përpunimin e lëndëve të para ushqimore. “Kam pasur gjithmonë shumë ëndrra dhe falë punës sime, kam arritur t’i bëj të gjitha realitet. Por falë punës, energjive dhe ideve, sapo realizoj një ëndërr, më vijnë në mend të tjera ëndrra dhe pas çdo “beteje” shijoj i lumtur të gjitha frytet e punës sime dhe të familjarëve të mi”, tregon Neranxi. Por përfshirja në politikë, e ka përballur deputetin e LSI-së me një realitet që më parë nuk kishte mundur ta njohë aq në detaje, por as ta prekë për arsye të angazhimeve të tij në biznes. Duke qenë deputet i zonës së Kërrabës dhe Shëngjergjit, ai as që mund ta imagjinonte se ata njerëz jetonin në një varfëri aq ekstreme. “Ditën e parë që bëra fushatë në Kërrabë dhe po tregoja projektet e mia, m’u afrua një çift me një fëmijë 5 vjeç në krah komplet i paralizuar dhe më thanë: “Të lutem na ndihmo!”. Po kështu bëri edhe një familje tjetër që kishte një fëmijë në këtë moshë, të cilit një operacion në zemër i shpëtonte jetën. Më theri në shpirt pasi ata dy fëmijë kishin moshën e djalit tim. Nuk u mendova dy herë, në kohë rekord, falë ndihmës sime, të vegjlit Klaudio Selba dhe Qamil Shaba u operuan dhe sot janë të shëruar”. Por kjo është vetëm një pjesëz e atij realiteti të dhimbshëm njerëzish, të cilët Neranxi shkon dhe i takon çdo fundjavë por natyrisht jep dhe kontributin e tij financiar. Në këtë sens mund të thuhet me plot gojë që këtij njeriu, politika më shumë i merr se sa i jep, në fakt ashtu siç duhet të jetë. Por a është penduar Neranxi që i ka hyrë kësaj rruge? “Aspak, madje jam i lumtur që kam mundësi të jap kontributin tim pasi dua që të gjithë të jetojnë mirë, do të dëshiroja të rrethohesha nga njerëz të pasur, jo të varfër. Prandaj dhe rruga ime në politikë do të jetë e gjatë.” I lidhur shumë me miqtë dhe të afërmit, Neranxi preferon që pushimet t’i kalojë në Himarë ku fton pa fund miq që të relaksohen në bregdetin e Jonit. Dhe po të shkosh si i ftuar tek Neranxi, zbavitja është e sigurt po të kemi parasysh se jetskinë dhe skafin i tij personal, ai t’i vë në dispozicion për të shijuar të gjithë bregdetin e jugut edhe brenda një dite. Në valën e angazhimeve në biznes, politikë dhe jetë sociale, Neranxi gjen gjithnjë kohë për t’u kënaqur pasi në fund të fundit çfarë vlere ka pasuria nëse nuk e përdor! Fundjavat e gjejnë shpesh jashtë vendit, në udhëtime të gjata me avion por edhe me makinën e tij, një furistradë “Benz” të blerë 2 vite më parë me një vlerë prej 70 mijë euro, të cilën ai e përdor vetëm për udhëtime të largëta. Ndërkohë ka dobësi për motorin e tij “Honda”, me një vlerë prej 12 mijë eurosh me të cilin nganjëherë shkon edhe në Parlament. Preferon të vishet firmato, por shumë klasik dhe veshjet por edhe këpucët e tij janë “Dolce & Gabanna”, “Armani” dhe “Burberry”. I renditur i pesti në listën e më të pasurve të Parlamentit, pasuria e tij prej 80 milionë lekësh të reja përbëhet nga ndërmarrja “Neranxi”, 2 dyqane dhe dy shtëpi në Tiranë, shtëpi dhe prona në Himarë si dhe makinat, motori, jetskia dhe skafi. Kur thua i pasur menjëherë të shkon mendja tek tendencat që hasen për të prishur disa para në kazino. Por Neranxi thotë: “Jam futur në kazino për kuriozitet dhe nuk jam tunduar nga ideja për të luajtur. Gjithmonë kam besuar tek fati dhe tek Zoti, por asnjëherë pa pasur një program”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora