E marte, 30.04.2024, 03:45 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Kisha e Shën Ndout - paqe për 500 mijë pelegrinë

E shtune, 14.06.2008, 04:03 PM


Nga Trëndafile Visha

LAÇ -Në çdo ditë tjetër të vitit, qyteti ngjan i zbrazët, i harruar dhe i nëmur në varfërinë e tij. Syrit nuk i shpëton lakuriqësia dhe zymtësia e banorëve, zhelet me të cilat mbështillet Laçi në çdo cep e skutë të tij.

Vetëm e folura e lartë dhe karakteristike e banorëve të këtij qyteti heterogjen, thyen disi monotoninë vrasëse të ditëve që ikin shpejt, aq shpejt sa ata nuk janë gjendje t’i ndjekin dot në arrati… Por rrugët shkatarraqe dhe ambientet mizerabël të këtij gjysmaqyteti të sajuar dekada më parë në kohën e diktaturës, zgjohen rrëmbimthi, trazueshëm në protestën e tyre të pazë në 13 të martat e pelegrinazhit. Pallatet katërkatëshe e banesat përdhese, krejt papritur duken sikur zgjohen dhe marrin ngjyrë, duke hequr për pak orë nga fasadat atë hijen e zbehtë prej meiti. Pemët dhe pjergullat e hardhive fëshfërijnë lehtas në veshët e të rriturve, pleqve e fëmijëve duke përcjellë një lloj muzike hyjnore. Diku, sipër supeve të qytetit, një shteg përmes malit (tashmë dhe një rrugë e sapoinauguruar) të çon në Kishën e Shën Ndout, shenjtit që mban gjallë laçianët në shpresën e tyre që nuk dihet se në çfarë qelizash është fshehur e ripërtërihet. Ky vend i shenjtë, madhështor në legjendën e tij, është kthyer në një strehë ngushëllimi për gjithë shqiptarët. Që nga rrëza e malit e deri tek shkallaret e vetë kishës, njerëzit e të gjitha shtresave ngjajnë çuditërisht njësoj. Fshatari që nuk ka bukë për fëmijët e tij e i dridhen gjunjët nga pangopja; qytetari që nuk fle dot nga halli se nuk ka mese të mbyllë muajin; pushtetari që i ngushtohet fyti nga kollarja e fryma në makinën luksoze, deri dhe tek ai që ka vrarë, ka përdhunuar, vjedhur, grabitur; - aty shkojnë e luten me zë e nën zë, në këmbë dhe në gjunjë. Të gjithë falen e luten njësoj: Shna Noi na Ndihmoftë! 13 qershori, dita e vdekjes së Shën Ndout shënon përshpirtjen e lutjen masive. Vargani i stërgjatë i njerëzve që i ngjiten malit të trondit jo në lutjen ndaj Zotit, por në shpresën e arratisur të shqiptarëve që rreken ta gjejnë në gjurmët që ka lënë prej shekujsh në gurë e shpella, shenjti Shën Ndou.

PELEGRINAZHI

Duket si çudi që qyteti i vogël i Laçit mban mbi vete më 13 qershor (dhe ditë të tjera të shënuara) kaq hapa njerëzish e zërash që të ngjethin shpirtin në lutjet e tyre. Mbrëmjen e së enjtes besimtarë të shumta (myslimanë, katolikë e ortodoks), nga të gjitha trevat e Shqipërisë kanë zbarkuar në rruginat e këtij qyteti. Në pamje të parë çdo gjë duket rrëmujë, kaos. Gra, fëmijë, burra, pleq e plaka zbresin nga trenat, furgonët, taksitë, autoveturat dhe në radhë vazhdojnë udhëtimin lart për në mal, aty ku ndodhet Kisha e Shën Ndout. Mijëra besimtarë kaluan natën në ambientet e kishës e rreth-rrotull në mal nën rrebeshin e madh të shiut. Ndërsa dita e djeshme ka kulmuar. Rreth 500 mijë pelegrinë janë këmbyer dje në ngjitje e zbritje nga vendi i shenjtë. Ndërsa laçianët në çdo rast nuk harrojnë t’u thonë “mysafirëve” hallexhinj: Ju ndihmoftë Shna Nou! Ndonëse mizëri njerëzish, qetësia është më e pranishme se kurrë. Askush nuk ngre zërin, por kryejnë ritet në heshtje gjatë udhëtimit. Përveçse tregtarëve, të cilët reklamojnë me të madhe mallrat e tyre. Dhe lypësve, që janë vendosur afër e afër njëri-tjetrit në të gjithë kilometrat e rrugës për në kishë.

RITUALI

Sapo mbërrin në varrezat sipër qytetit të Laçit, besimtarët nisin të kryejnë ritet në gjurmët ku thuhet se ka ecur shenjti Shën Ndou. Hapat zvarriten në gurët e nxirë nga ndezja e qirinjve në rrëzë të malit. Të gjithë një e nga një (në radhë) vendosin shpinën në një gur të lëmuar, pastaj futin këmbët aty ku dhe duket gjurma e shenjtit. Luten, luten.. Gjithandej në shkurre rrobe të hedhura për derman. Shiu bie me gjyma, por besimtarët vazhdojnë rrugën në këmbë deri tek kisha, duke mbledhur guralecë për t’u ecur mbarë e sjellë mbarësi. Shumëkush prej tyre në këmbë. Brenda turmës së njerëzve të vrarë nga mjerimi dhe hallet, shikon biznesmenë, artistë, titullarë institucionesh dhe politikanë (këta të fundit tentojnë t’i fshihen syrit të turmës). Diku në afërsi të kishës, në anë të rrugës, gjurmë të tjera të shenjtit Shën Ndou “ftojnë” në lutje e ritual pelegrinët. Burra e gra ngjiten anës rrugës, bëjnë kryqin, futin dy gishta në gjurmën që ka formën e syve dhe tre herë prekin sytë e tyre e të fëmijëve të vegjël që mbajnë në krah. Shkallaret që të çojnë në shpellën e Shën Vlashit, një nga vendet e shenjta në Kishën e Laçit besimtarët presin me orë të tëra, për të hyrë brenda saj për t’u rilutur për zgjidhjen e halleve që kanë. Zbritja e varganit njerëzor nga mali, është më e lehtë më shpresëdhënëse se kurrë.

Investimi për në Kishën e Shën Ndout, rruga përfundoi për 11 muaj

Për herë të parë që nga koha që e njohin kishën e Shën Ndout, të gjithë pelegrinët do të kenë mundësinë që të shijojnë një rrugë të re. Kjo edhe për makinat, por edhe për këmbësorët. Projekti i përfunduar është përuruar dje nga Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi si dhe deputeti i zonës, Pal Dajçi në prani të pelegrinëve të shumtë nga i gjithë vendi. Punimet e rrugës që i kushtuan buxhetit të shtetit në një fond prej 127 milionë lekësh, u kryen nga një joint venture firmash, Albshpresa sh.p.k dhe Mela Sh.p.k. duke e kthyer rrugën e pelegrinëve (këmbësorëve) të një gjatësie prej 1010 metrash, në një rrugë të kalueshme me shkallë, por edhe ndriçim. E përkrah kësaj rruge, në një gjatësi më të madhe e me dy korsi prej 2.7 kilometrash, është ndërtuar po me parametrat bashkëkohore edhe rruga e makinave që i çojnë pelegrinët drejt Kishës së Shna Ndout. Dhe ditën e djeshme, kur numri i qytetarëve që vinin nga të gjitha rrethet e vendit i kaloi të 500 mijë vetët, duket se gjithçka ishte më e thjeshtë. Njerëzit, për të bërë sa më të mundimshme rrugën e tyre, nuk udhëtonin me makina, por ecnin në këmbë drejt kishës. Duke kaluar çdo lloj afati, rruga që duhet të ndërtohej sipas gjithë parametrave për 22 muaj sipas kontratës, arriti të përfundohet në gjysmën e kohës, pra vetëm për 11 muaj, një gjë krejt ndryshe nga punimet e deritanishme në të gjitha rrugët e vendit. “Rruga që inauguruam lehtëson lëvizjet e pelegrinëve dhe ndjek rrugën që ka ndjekur Shna Ndou në udhëtimin e tij të vështirë në viset ilirike”, - u shpreh Kryeministri Berisha. - Anila Dushi



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora