E diele, 28.04.2024, 03:15 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Lezhë-Shkodër, aty ku deputetët kanë firmosur divorcin me popullin

E marte, 03.06.2008, 09:05 PM


Nga i dërguari ynë në Lezhë e Shkodër, Ferdinand Dervishi

Kur vapa nis të shtrëngojë, kur njerëzit nuk kanë frikë të flasin dhe kur Lezha e Shkodra arrihen në pak kohë me makinë, pra kur të gjitha këto bëhen bashkë, nisin të ndodhin të papritura. Dihet se deputetët nëpër zonat e tyre kanë zyra të pritjes së popullit, se kanë edhe sekretare, apo sekretar dhe se minimalisht dita e shtunë është dita fatlume për shumë nga hallexhinjtë. Dita kur një njeri i pushtetshëm së paku mund t’i dëgjojë.
Sepse dhe kontakti ka rëndësi. Hallexhiu mund të gëzojë vëmendjen e njeriut me pushtet, ose jo, mund të zgjidhë problemin, ose jo, por në fund të fundit qoftë vetes, qoftë të tjerëve, pas takimit do u thotë: “Takova deputetin”. Ose: “Ja thashë deputetit”, “Deputeti më tha” etj. Por kur shpejtësia e makinës të jep mundësinë të “inspektosh” fluturimthi, në një paradite të vetme, shtatë nga deputetët tanë të nderuar në Lezhë e Shkodër, vapa nis të shtrëngojë. Edhe pse fillimi duket i mbarë në Lezhë, pasi deputeti Preç Zogaj e ka paradhomën plot. Aq plot sa urimet në adresë të tij nuk dëgjohen vetëm aty, por zbresin edhe shkallëve dhe treten diku në rrugën kryesore. Por në Lezhë ajo batuta e nisjes së mbarë/gjysma e punës duket funksionon mbrapsht. Pasi pak më tej zyra e pritjes së deputetit Aldo Bumçi, theket në diell. Por katastrofa e vërtetë nis në Shkodër. Ku filluar nga kryetarja e Parlamentit, shkuar tek ish-ministrja Arenca Trashani, përjashtuar deputetin Ramiz Çobo, e përfshirë të gjithë të tjerët, situata është e pashpresë. Aq e pashpresë sa përjashtuar Arencën e Çobon, askush nuk di të thotë se ku i kanë zyrat deputetët e tjerë. Sepse thjesht këto zyra nuk ekzistojnë në asnjë kohë të foljes.

Kosherja e Preçit

Eshtë ora 09:30 e së shtunës kur deputeti i Lezhës, Preç Zogaj, kalon përmes një turme laramane hallexhinjsh që e presin në radhë të respektuar. I pari që futet është një i sëmurë me probleme të fiksuara fizike. Një sekretare e ndihmon që ta ulë përballë deputetit. Por biseda zgjat pak. Deputeti i thotë se është me fat, se një mjet lëvizës special është blerë në formë dhurate nga një biznesmen i zonës dhe se për pak ditë vjen. “Eshtë vetëlëvizës me motor me djegie të brendshme”, i thotë deputeti njeriut që përballë tij mbush sytë me lot. E dyta në radhë është një grua. Ka një problem pronësie që deputeti e njeh. E përcjell duke i thënë se dokumentacioni duhet të bëjë ciklin e vet, që të vihet para një zgjidhjeje të dytë. Gruaja ikën më e lehtësuar. Pas derës, mes të tjerëve në pritje, janë edhe dy gra me veshje karakteristike të Zadrimës. Njëra thotë se do që deputeti ta ndihmojë për djalin, i cili, kur ishte para 11 vitesh ushtar në Zallherr, u dëmtua mendërisht...    

Para zyrës së Bumçit

Zyra e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, që dikur u ngarkua të luftonte për të shkarkuar ish-kryeprokurorin, theket në diell diku në afërsi të Memorialit të Skënderbeut. Deputeti me banim në Tiranë, fitoi në vitin 2005 në fshatrat e Zadrimës dhe në Shëngjin nën siglën e Partisë Demokratike. Gjithsesi para zyrës së Bumçit edhe pse nuk ka asnjë hallexhi, ka një sekretar që quhet Nikolin dhe që të jep një përgjigje. Ja dialogu: Duam të takojmë deputetin. Eshtë sot? Përgjigjja: Vjen pas orës 12:00. Pyetja: Mirë, po e presim. Të kthehemi në orën 12:00? Përgjigjja: Nuk e di vjen a s’vjen...

Mesazhet e Jozit

Kryetarja e Parlamentit, karizmatikja Jozefina Topalli është një tjetër mollë ndaluese për hallexhinjtë e lagjeve Serreq e Marlulaj. Natyrisht që impenjimet e saj duhen marrë parasysh, por gjithsesi gruaja e hekurt ka edhe një zonë elektorale në Shkodër, ku si gjithmonë në fushata e kanë mbështetur dhe vlerësuar. Por përmes zhegut, votues të zonës së saj, banorë pranë stacionit të trenit, ngenë supet kur i pyet se ku e ka deputetja e tyre zyrën që pret popullin. Thonë shkurt: Nuk vjen. Ndërsa një funksionar i Partisë Demokratike të zonës, i dëshiruar të mbetet anonim, thotë se Jozi pret në Tiranë, se kontaktet realizohen me anë të mesazheve me celular dhe se, po e pa ajo të arsyeshme, të lë një takim.   

Gilmani lexon në Shirokë

Gilman Bakalli, deputeti rebel i Partisë Demokratike që u bë i pavarur dhe që plotësoi një vend bosh në grupin parlamentar të PDK-së, është gjithashtu i vështirë për t’u kapur. Edhe pse zona zgjedhore e tij është në mes të Shkodrës, saktësisht lagjja “Guerile”. Nga shtëpia na iku për pak minuta, pasi zyrë pritjeje, sipas të gjithë të marrëve në pyetje, nuk ka. “Do ketë ikur në Shirokë. Ka një shtëpi atje, shkon të shtunave dhe të dielave”, thotë një komshi. Duket, i divorcuar nga Partia Demokratike, Gilmani ka preferuar qetësinë shpirtërore, mbase edhe librat artistikë, që diku ka pohuar se i mbushin një pjesë të kohës. 

Arenca, pa adresë

“Nusja e Qeverisë”, ish-ministrja e Integrimit, Arenca Trashani, ka të paktën dy muaj fiks që nuk është dukur asnjëherë të vetme në zyrën e saj, që gjendet në katin e parë të Prefekturës në qendër të Shkodrës. Kështu thonë “gojët e liga”, kamerierë apo pronarë lokalesh, aty përballë zyrës. Por edhe një polic roje konfirmon të njëjtët. Nuk dihet nëse mungesa ka shkaqe objektive, por disa drejtues lokalë të Partisë Demokratike nuk e shquajnë aspak ish-ministren për kontakte me popullin. 

Korrekti Ramiz

Në të njëjtin ambient me Trashanin, por përkundër mungesës së saj në zgjidhjet e halleve të zgjedhësve, ka një deputet për të cilin dëgjohen fjalë të mira. Quhet Ramiz Çobo dhe fillimisht është bërë publik si mbrojtës i vlerave të vjetra të Partisë Demokratike. Më tej i njëjti, në një intervistë, foli me pasion si besimtar i Zotit. “Ramizi ka qenë dje këtu në pritje me popullin”, thotë polici i prefekturës. Që Ramizi është shumë korrekt dhe se kryen takime të programuara me zgjedhësit e tij në zonat e Shtojit, Hotit, Grudës, Shirokës dhe Koplikut, këtë e konfirmojnë me plot gojën edhe nga brenda kampit blu të Shkodrës. Madje, përmendin edhe një shprehje të tij: “Zoti ta shpërblen sipas zemrës që ke”.

Astriti, plazh në Velipojë

I pakapshëm për zgjedhësit e vet të zonës së Dukagjinit dhe rrethinave, është edhe Astrit Bushati, deputeti me tri fakultete, pasardhës i derës së Bushatllinjve të famshëm. Edhe ky nuk pohohet gjëkundi të ketë një zyrë të pritjes së hallexhinjve. Pohohet vetëm se si kryetar i Partisë Demokratike të Shkodrës, duket ndonjëherë në selinë e saj. “Por nuk vjen si deputet në këto takime”, nxitohen të shtojnë ata që e njohin. Edhe fqinjët e banesës së vjetër të tij, tashmë me dorezë shumë të ndryshkur, thonë se nuk e kanë parë. Por kanë gjithsesi dy adresa me të dëgjuar. Thonë se ka shtëpi në Tiranë dhe në Velipojë.  
(Shënim: Të dhënat për këtë shkrim janë mbledhur gjatë paradites së shtunë, 31 maj.)


Korrupsioni në KESH,faktet mblidhen në zyrën e Preç Zogajt

Në zyrën e pritjes së popullit të deputetit të Lezhës, Preç Zogaj, nuk kanë trokitur vetëm halle personale.

Ferdinand Dervishi

Të ndodhur për tjetër qëllim aty, deputeti na vuri në dispozicion edhe një peticion ndaj drejtuesve aktualë të KESH (Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare) të firmosur nga rreth 40 drejtues kryesorë lokalë të Partisë Demokratike të Lezhës. "Është një çështje shumë serioze që për bindjen time ka për të shkuar me marrje nën përgjegjësi penale", thotë shumë i shqetësuar deputeti Zogaj. Sipas të njëjtit, bëhet fjalë për një korrupsion aktiv galopant të drejtuesve lokalë të KESH të dalë në dritë menjëherë pas largimit të drejtorit Nikoll Ndreca.
Sipas deputetit Zogaj, kandidatura e zotit Ndreca për në postin e drejtuesit të KESH-it kishte kaluar me konsensus përmes strukturave të Partisë Demokratike dhe më tej përmes grupit të deputetëve të zonës. Ky vlerësim ishte marrë parasysh nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, që kishte firmosur edhe emërimin e Ndrecës në krye të KESH-it të zonës. Por në këtë detyrë Ndreca nuk zgjat as tri muaj, pasi shkarkohet. Sipas deputetit Zogaj, shkarkimi i tij është bërë vetëm për faktin se u preu duart hajdutëve. I pyetur se ku konsiston vjedhja, deputeti Zogaj sqaroi se ajo është realizuar në mënyra të ndryshme gjatë gjithë kohës dhe fare hapur. Sipas të njëjtit një nga mënyrat e vjedhjes ka qenë me anë të ndërtimit të transformatorëve, të kabinave apo të sistemeve të ndryshme elektrike pranë bizneseve të ndryshme. "Pasi këto instalime janë kryer me të hollat, punën dhe sidomos me materialet e KESH, fitimi është arkëtuar jo në xhepin e ndërmarrjes, por në xhepin e këtyre drejtuesve të korruptuar", sqaron deputeti Zogaj. Një tjetër mënyrë vjedhjeje, sipas tij, është realizuar edhe me blerjen e automatëve të pallateve apo grupbanesave. Sipas deputetit Zogaj, në treg këto aparatura me pakicë, kanë një çmim që nuk kapërcen 40 mijë lekë të rinj për copë. "Por edhe pse me shumicë, në treg këto aparatura janë blerë më shumë se dyfishi, me 87 mijë lekë të rinj copa", shpjegon deputeti Zogaj. Ai thekson se, drejtuesit e KESH-it të Lezhës nuk janë më shumë se një bandë e organizuar hajdutësh që së shpejti do të përballen me drejtësinë. "Unë kam bërë vetë verifikime dhe jam bindur për vërtetësinë e korrupsionit në KESH. Ndërsa më skandalozja është se janë aq të fuqishëm sa arritën të largonin Nikoll Ndrecën nga detyra vetëm e vetëm që të kishin duart të lira që të vidhnin", shprehet Zogaj. Në zyrë në të njëjtën kohë mbërritën edhe disa firmëtarë të peticionit dërguar Kryeministrit, ministrit Ruli, si dhe drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, Gjergji Bojaxhi. "Strukturat e Partisë Demokratike të Lezhës janë skandalizuar me këtë sjellje të tyre dhe janë acaruar së tepërmi. Unë jam rreshtuar publikisht në anën e tyre", përfundon deputeti Zogaj. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora