E shtune, 27.04.2024, 09:47 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Ta shohësh botën nga lart

E hene, 19.05.2008, 08:28 PM


Edhe pse shkenca thoshte se nuk ishte e mundur, dy alpinistë gjermanë arritën të ngjitnin 8848 metrat e Everestit

Ngjitja e parë në "çatinë" e botës, pa ndihmën e oksigjenit, ndodhi plot 30 vjet më parë

Tridhjetë vjet më parë shkoi dhe u kthye nga e ardhmja. Në majë të botës. Shkenca thoshte se nuk ishte e mundur, ai kufi ishte i paarritshëm, shumë për një njerëzor. Fiziologët u betuan se: atje sipër të pret vdekja. Por ai vërtetoi të kundërtën. U ngjit me nxitim, madje mori edhe një shokun e tij, por, gjithsesi, objektet që morën me vete ishin të pakta. Çizmet i bëri me porosi me material plastik dhe jo me lëkurë. Madje, porositi edhe një film special në Angli, i cili nuk dëmtohej nga i ftohti. Kështu filmoi aventurën e tij në Everest, 8848 metra. Ngjitja e parë në historinë e njeriut pa marrë oksigjen me vete. Dhe në stil alpin, kjo e katërmbëdhjeta në histori. Ishte maji i vitit 1978. E pamundura nuk ekzistonte më. Reinhold Mesner dhe Piter Habeler arritën të paarritshmen brenda katër ditëve. Në ngjitje Reinhold dëmtoi sytë. "Harrova të vija syzet. Kisha dhimbje të mëdha". Ndërsa Habeler, që vuante nga dhimbja kronike e kokës, ishte frikësuar nga pasojat dhe gati-gati desh e la përgjysmë atë sipërmarrje kurajoze. "Në kthim u ndamë, ai u nis i pari. Pashë shenjat e lëvizjeve të tij, po zbriste duke rrëshqitur i ulur pikërisht në një si slitë". Por Mesner ka thënë se shkenca nuk donte të dorëzohej kollaj. "Në Universitetin e Zyrihut këmbëngulnin se nuk ishte e mundur ta kryejë atë ngjitje pa përdorur oksigjen". "Dy javë pas Everestit pranova të ngjitesha përsëri në atë kuotë, pa përdorur oksigjen, por kësaj here me anë të një aeroplani turistik, në bordin e të cilit ndodhej edhe një ekip shkencor, i cili do të vëzhgonte reagimin e trupit tim. Rezultoi se kisha gjakun e një të vdekuri. Por unë eksperimentet i kisha bërë edhe më parë me iniciativën time. Në vitin 1977 fluturova me pilotin zviceran Emil Uik, deri në lartësinë e nëntëmijë metrave dhe nuk e vura asnjëherë maskën e oksigjenit. E dija që mund t‘ia dilja mbanë, por nuk isha i sigurt, thjesht kisha një parandjenjë njerëzore".

Sekreti ndodhet në një slogan: të ngjitesh më shumë, me sa më pak gjëra. Lehtësi dhe shpejtësi. Një ekspeditë e vogël me vetëm dy persona tepër të guximshëm. Të dy i besonin njëri-tjetrit dhe nuk ishte aspak çështje nacionalizmi. "Unë, në të shumtën e rasteve, përdorja të ardhurat e mia për të kryer udhëtime të tilla dhe mund t‘i lejoja vetes deri në tri ekspedita në vit, duke mbajtur kosto të ulëta. Merrja me vete pesëmbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë kilogramë bagazhe: tenda, thasë leshi, furnelë, ushqime dhe litar deri në njëzet metra për rastet e emergjencës. Por kishte një problem, nuk kisha leje për të ngjitur Everestin. Kështu që u bashkuam me një ekspeditë, që tashmë ishte autorizuar nga klubi alpin austriak, i udhëhequr nga Uolfgang Nairc. Asnjë problem, unë dhe Piteri ishim skuadra për ngjitjen e pikës kulmore. Por, në grup, përveç pionierëve, kishte edhe njerëz pa eksperiencë. Gjithsesi ne në kampet bazë çdo natë merrnim nga një valium për gjumin dhe nga një gjysmë aspirine për gjakun. Por një natë, në majat jugore filloi një stuhi. Era frynte si një tren me plot fuqinë e tij dhe na u desh që gjithë natën të mbaheshim fort pas kunjave që kishim ngulur në akull. Vetëm një natë më parë Piteri kishte kënduar gjatë dhe në fakt të dy ndiheshim të lodhur. Në ditët e sotme ka një ilaç shumë të sofistikuar për udhëtime të tilla, madje më mirë ta quajmë doping, por në ato kohëra nuk i njihte njeri. Momentet kryesore ishin ato të përgatitjes në qafën jugore, ku qëndruam të bllokuar për dy ditë me radhë pa oksigjen dhe pa ushqime. Ishte e vështirë, por na bëri të kuptojmë se ne mund të përshtatemi edhe me atë klimë. Ndërsa kampin e pestë nuk e ngritëm në 8500 metra, sepse një natë në atë lartësi do të na kishte shokuar rëndë, por në lartësinë 7100 metra. Kjo ishte një lëvizje taktike shumë e zgjuar. Dhe me një ngjitje mjaft të pjerrët arritëm në majë. Në atë epokë, shtegu "Hillari", i fundit që të shpie në Everest, ishte shumë i pasigurt. Ne ishim lidhur me njëri-tjetrin, në mënyrë që nëse njëri prej nesh do të rrëshqiste, tjetri do të hidhej menjëherë në krahun e kundërt të majës. Ishte mënyra e vetme për të shpëtuar. Në majë era fryn për poshtë dhe nëse rrëzohesh merr fund gjithçka".

Ajo aventurë mbylli një shekull dhe nisi një tjetër. Problemi i madh i Himalajave ishte zgjidhur. Por sipërmarrja e madhe ishte ajo që të mbaje bashkë të dyja epokat. Mesner ishte i pari që kuptoi rëndësinë e një stërvitjeje të posaçme që duhej bërë përpara ngjitjes, por ishte gjithashtu i pari që refuzoi oksigjenin. Ai kishte kapacitet për të bërë gjëra të reja për të eksperimentuar. "Tashmë bota e maleve është e përbërë nga ‘njerëzit merimangë‘. U interesojnë rekordet, shënimi ‘game over‘. Lloji i alpinizmit tim ka vdekur, janë të paktë ata që shkojnë në fund të botës me mënyra klasike. Sot ndiqet një itinerar i caktuar dhe i testuar më parë, madje duke kronometruar edhe kohën. Nuk mund ta quash aspak aventurë. Unë shkoja me të vjetrën. Gjithmonë para nisjeve të mia bëja gati testamentin, pasi asnjëherë nuk dihej me siguri se si do të shkonin ngjarjet. Në fakt, kjo është aventura e vërtetë, pikërisht atëherë kur nuk mund t‘i dish të gjitha se çfarë do të të ndodhë. Por nuk është e vërtetë se unë e ‘vrava‘ të ardhmen, duke mos lënë asgjë për gjeneratat e ardhshme. Për të qenë krijues duhet më parë të njohësh të shkuarën dhe të dish se si ta interpretosh sërish me respekt. Gjithsesi, alpinistët e sotëm janë të zotët, mjaft të zotët. Gjithmonë do të përdorin teknologjinë. Këta janë ‘artistë të vertikales‘. Unë kur studioja për gjeometër bëra një temë mbi Ualter Bonatin, edhe pse pika e referimit në vendin tim ishte Çezare Maestri. Por doja të frymëzohesha me Bonatin, me elegancën e tij. Të dish të heqësh dorë nga gjithçka për të privilegjuar eksperiencën njerëzore është diçka e madhe".

Mesner dhe Hebeler reaguan ndryshe ndaj asaj sipërmarrjeje. Suksesi i ndihmoi të dy, sidomos Reinholdin, që në vitin 1970 në Nanga Parbat kishte humbur një vëlla dhe shtatë nga dhjetë gishtat e këmbëve. "Piter për gati gjashtë vjet nuk bëri më ngjitje të tilla, zgjodhi familjen e tij. Ndërsa unë, që kur po zbrisja nga Everesti, po mendoja: do të rikthehem shumë shpejt, vetëm. Dhe në vitin 1980 u ngjita i vetëm. Everesti, të cilin e mendoja që në vitin 1973, ishte ëndrra ime e realizuar, nuk më bllokoi, madje më bëri të organizoja projekte të tjera. Madje, ai mal më kishte bërë për vete shumë kohë më parë; për të lashë shkollën dhe madje edhe të dashurën. E kuptova menjëherë që inxhinieria nuk ishte për mua, unë duhej të eksploroja Himalajat. Në fakt, mbeta një gjeometër. Por nuk i kuptoja ata të rinjtë atje. Dukeshin të lodhur, të mërzitur, madje kam parë edhe studentë me librezën e kuqe maoiste. Ndërsa unë isha plot hare, programoja gjithmonë ngjitje aventureske. Ata më bënin të qeshja. As që nuk kishin shkuar deri në majë".

Mesner u bë hero në Everest tetë vjet më vonë, pas asaj ngjitjeje spektakolare. E akuzuan se kishte lënë të vëllain nën një stuhi dëbore dhe se nuk e kishte kërkuar aq sa duhej. "Janë fjalë të kota. Kush nuk merr vesh nga malet mendon gjëra absurde, si puna kur pret litarin se nuk mund të mbash dot peshën e shokut, por kurrë ndodhin fatkeqësi të tilla, nuk ka kohë për t‘u menduar, gjithçka ndodh në fraksion të sekondës. Unë në Nanga Parbat humba një pjesë nga jeta ime, por dhimbja më e madhe erdhi më vonë, me akuza poshtëruese dhe tradhtie. Të njëjtën gjë ia bënë edhe Bonatit, e mashtruan dhe e ofenduan. Por tani i japin të drejtë. Ndërsa ne alpinistët e dinim që atëherë. Bonati ishte më i zoti, gati për të sakrifikuar. Karl Herligkofer, kryetari i ekspeditës gjermane, i cili dyshoi për versionin tim, ishte nazist. Më bëri të firmosja një kontratë, në të cilën vetëm ai mund të shkruante se si kishin shkuar ngjarjet e ekspeditës. Unë, atëherë nuk isha shumë ekspert i këtyre gjërave dhe pranova. Por një gjë kam kuptuar nga vuajtjet e mia: në fillim ndërtohet heroi, pastaj të hedhin poshtë. Duan të bëhen si ty dhe nëse nuk ia arrijnë qëllimit të hedhin poshtë. Është ndjenja e fajit që i bën të reagojnë kështu. Herligkofer nuk e besonte se unë kisha arritur të zbrisja nga ana lindore. Por, nuk mund të pranonte se kishte gabuar, më mirë të më akuzonte për ambicie të shfrenuara. Tridhjetepesë vjet më vonë, pikërisht në vitin 2004, gjetën mbetjet e trupit të Gunther dhe më rikthyen nderin e humbur në K2". Mesner ishte pak italian dhe pak gjerman. Në familje ishin nëntë fëmijë, dy nga të cilët e humbën jetën në alpinizëm. "Unë ndihem edhe pak tibetian. Tibeti është një vend shumë i bukur. Qyteti më i ulët është në kuotën e 3600 metrave. Por Kina e pengon kulturën e tyre, madje po i shtyp. Tashmë Tibeti është transformuar. Kinezët kanë ndërtuar aty pallate të ‘shëmtuara‘ dhe qendra tregtare, të cilat nuk kanë kurrsesi bukuri në një vend të tillë. Ata nuk kanë liri, sepse qeveria kineze nuk i respekton të drejtat e njeriut. Nuk është e drejtë kjo. Unë nuk pajtohem me këtë. Bota duhet të protestojë akoma më shumë".

Sot Mesner është 74 vjeç. Ka një grua dhe tre fëmijë. "Në fund nuk isha më i motivuar. Shkoja përpara vetëm sepse miqtë e mi të aventurave, më të rinj se unë, më shtynin drejt sipërmarrjeve të reja. Por nuk isha më i njëjti, nuk kisha të njëjtën forcë. Dhe i premtova nënës sime se nuk do t‘i kaloja më shtatë mijë metrat. Ajo shqetësohej shumë për mua, në fund të fundit si të gjitha nënat e kësaj bote. Por gjeta një tjetër sfidë të re në botë, atë horizontale, në të bardhën e pafundme të Antarktidës, në përshkimin e Tibetit, në shkretëtirën e Gobit. Dhe kudo që ndodhesha në vështirësi më dilte nga goja emri Gunther. Ai për mua nuk ka vdekur kurrë, gjithmonë ka qenë aty ku e kam parë për herë të fundit. Në mal, pranë meje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora