E shtune, 27.04.2024, 11:51 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Suplementi Gjimnazistet/ "Te shkoj apo jo ne oren e pare te mesimit"

E shtune, 10.05.2008, 03:28 PM


Suplementi Gjimnazistet/ "Te shkoj apo jo ne oren e pare te mesimit"
 
Kledia Ramizi - Gazeta Shqiptare

Të thuash se jeta jonë në adoleshencë është monotone dhe e zbrazët do ishte pak. Kotësia që të ofron e përditshmja, pamundësia jonë për ta parë ndryshe veten në raport me gjithë ata që na rrethojnë, është evidente. Brenda nesh ka një ndeshje të përhershme mes reales dhe ireales, mes asaj që duam të bëjmë e ndërtojmë dhe barrierave që na ngrenë për të na kufizuar brenda “limiteve” që pranon arsyeja, shoqëria, koha. Përtej vështrimeve tona të hutuara e ndonjëherë të trembura, shumë pak të gëzuara, qëndron e strukur një botë e tërë dilemash për të nesërmen, një oqean ëndrrash, një stuhi që të rrëmben, qëndron një thellim që të rrëqeth mishtë, të gjitha të pleksura me vegimet e shpërthimit të vrullshëm të shpirtit rinor, që pret çastin të marrë udhë. Shpesh kjo udhë më duket e gjatë për brezin tim, më duket pa fund, është një udhëtim në një botë krejt tjetër, me shumë të panjohura, me shumë gjëra të brishta e të bukura të cilave përpiqemi t’u shijojmë aromën, por sa më pranë tyre tentojmë të afrohemi, aq më shumë ato largohen prej nesh. Ndaj më duket se këtë udhë s’e bëj dot vetëm. Ajo është tepër e gjatë, aq e gjatë sa do më duhej tërë jetën të udhëtoja. Askujt nuk i pëlqen vetmia, as mua. Në këtë rrugë, ne adoleshentëve do na duheshin të gjithë, si fëmijët ashtu dhe të rriturit, si prindërit dhe mësuesit ashtu dhe gjyshërit tanë, si ata që na duan, ashtu dhe ata që s’na duan. Ndoshta rruga jonë e gjatë do mund të na bënte të gjithë miq.
Të gjitha këto gjëra më shkuan nëpër mend mbrëmë vonë në mesnatë. Natën pashë ëndrra të ndryshme, krejt pa lidhje me njëra-tjetrën, nuk di se si ndodh, por asnjërën prej tyre s’arrij ta kujtoj, veç asaj të mëngjesit herët. Ëndërroja sikur po nisesha në një udhëtim të gjatë, por pas kisha lënë diçka, prindërit më thërrisnin, jehonën e zërit e ndjeja pranë e më pranë. Në çast hapa sytë me mundim dhe vura re babin tim që më përkëdhelte me dashuri flokët dhe më ftonte të çohesha. Kishte ardhur koha për të filluar ditën tjetër, të shkoja në shkollë përsëri! Në moment u çova nga shtrati, por gjumi s’donte të më lëshonte. Lahem, vishem dhe bëj make-up –in e zakonshëm, ndërkohë që zëri i babit tashmë ka fituar ngjyrime më të forta. Pas pak, zërit të tij i bashkohet dhe ai i mamit, të dy të shqetësuar se mos humbas orën e parë. Ruaj qetësinë dhe vazhdoj në punën time. Në çast më duket krejt e kot të zbukurohem si dikur, që të bija në sy tek të tjerët, që djemtë të na ngacmonin dhe vajzat të na kishin zili, tani më duket se s’ia vlen të harxhosh kohën për t’u marr me zbukurimin e vetes. Pamja e jashtme është diçka që çdokush duhet të kujdeset, jo aq për të tjerët se sa ta shohë si pjesë që të takon vetëm ty. Ja, edhe këto meditime më duheshin dhe më zuri ora 7:30 në shtëpi. Tashmë jam në prag të sherrit më prindërit. Rrëmbej çantën me nxitim dhe dal. Këtë herë dera u mbyll më forcë. Përtej saj dëgjoj fjalë që s’më ishin thënë kurrë më parë. Minutat sot nuk më premtojnë të arrij në këmbë orën e parë të mësimit, por taksia që mora këtë radhë, më solli para kohe në shkollë. Fillon përsëri dilema, të shkoj apo të mos shkoj orën e parë. Sot vendosa të futem. Sapo futem, në klase shoh vetëm pak më shumë se gjysmën e nxënësve, secili i ulur në punën e vet. Ulem në bankën e parë dhe vështroj nga dritarja se mos luhet ndonjë muzikë nga jashtë. Pastaj shikoj celularin për ndonjë SMS. Asgjë! S’është kujtuar njeri për mua! Shikoj pastaj fotot e mia në celular dhe më zë trishtimi. Sa ndryshe kam qenë më parë! Çudi si ndryshoka kaq shpejt njeriu! Pa dale, dale, një çikë. Më duket se kam shtuar pak në peshë! Kthej kokën pas dhe pyes shoqen nëse di ndonjë recetë për të mbajtur dietë. Ndërkohë mësuesja më bërtet për t`u kthyer përpara. Nuk më rrihet, nuk përqendrohem dot, ndaj hedh një vështrim ç`ndodh rreth meje. Disa dëgjojnë mësuesen, të tjerë me kufje dëgjojnë muzikë, ca hanë fara, një tjetër i pakënaqur më mësuesen, nxjerr “dufin” duke shkruar një grafit në mur, të tjerë fshehtas plotësojnë një fjalëkryq. Po sikur ta provoj edhe unë them, të paktën të vrase një çikë trurin. Jo, jo, pse të mos ta provoje një herë se mos kam talent në pikturë? Dhe zë të zhgarravis mbi bankë gjëra që as vetë nuk i kuptoje se ç`janë. Papritur bie zilja e orës së parë. Është koha për të ardhur pjesa tjetër e klasës. Çunat flasin për makinat që duan të blejnë vajzat për pantallonat, këmishat, këpucët që kanë veshur e që kërkojnë t`i ekspozojnë duke bërë një xhiro në gjithë shkollën. Nuk dal nga klasa, por shkoj mbrapa tek shoqja, për ta ngushëlluar për llafet që kishte bërë më të dashurin e vet. Është koha të vijë zysha tjetër! Fjala e parë që dëgjojmë prej saj e që aq shumë s’e durojmë dot është “kemi provim sot!” Asnjeri prej nesh s`dinte gjë për provimin, megjithëse zysha na kishte njoftuar një javë më parë, por që ne e kemi pasur mendjen “firifiu”. Megjithatë masat janë të shpejta për të kopjuar ndonjë gjë, apo të kujtojmë diçka nga ato që na ka zënë veshi kur përgjigjen nxënësit, ose kur shpjegon mësuesja. S`ke çfarë të bësh gjë tjetër, të kopjosh nga të tjerët është e kot pasi shumica ishte “dru”. Disa as nuk mundohen fare, shkruajnë vetëm emrin dhe mbiemrin dhe dalin për ndonjë kafe. Atyre më pas do u bashkohemi edhe ne për të analizuar ndodhitë e ditës, për të bërë ndonjë thashethem, apo për të diskutuar për provimet që po afrojnë. Kështu shtyjmë dhe orët e tjera. Sapo kthehem në shtëpi menjëherë ndeshem më fytyrën e varur e të vrenjtur të prindit. Siç duket ka marrë SMS-n e dërguar nga mësuesi kujdestar për largimin nga mësimi. Vetëm kaq mjafton! Pasdite vjen rutina. Mësoj aq sa mund të mësoj, më pas përpiqem të bëj ndonjë punë të vogël, megjithëse shoqeve të mia kjo u duket e pamundur. Para se të mbyllet dita, përsëri na thërret kafja, simboli i adoleshencës së sotme. Kështu u përpoqa të ndërtoj një ditë të një adoleshenti, ndoshta vërtet mund t’i ngjajë ditës sime, ndoshta të gjithë adoleshentëve të sotëm. Për një çast nuk e di si m’u duk vetja, nuk di se si u ndjeva. Të vërteta apo të pavërteta qofshin, nuk më intereson, ua lë juve të gjykoni. Tashmë s’jam më ajo e dikurshmja. Thellë brenda vetes ndjej se gjithçka po ndryshon, tek unë ka ardhur koha të bëhem njeri tjetër. Po pse vallë vetëm kafe, kafe, kafe! Po librat? Pse për shumë prej nesh ato janë bërë si gjëra të largëta, të harruara? Ndoshta s’është e drejtë të jetë kështu, ndoshta e kundërta do ishte më e mira të bënim! Dilemat tona janë të shumta, por qasjet që na ofrohen janë të pakta. Mirëpo të gjykosh të tjerët duhet ta bësh veten të ndihesh si ata, të vendosesh në situata të tilla që ti vetë do të duhej t’i kapërceje, atëherë do ishte e lehtë të kuptoje tjetrin. të gjitha palët duhet të kuptojnë njëri-tjetrin, veçanërisht të rriturit brezin tonë. Ne kemi nevojë për ngrohtësinë e fjalës. A e keni vënë re se si një fjalë e vetme të bën të dridhesh nga frika, se si ajo të lumturon, si ajo të bën të qeshësh më shpirt, si ajo të mbush më shpresë. Vetëm një fjalë duhet të të ngrejë në qiell, apo të përplasë në tokë. Ne e duam një fjalë të mirë, ndoshta edhe kur s`e meritojmë. Të gjithë trashëgojmë brenda vetes atë për të cilët edhe ne adoleshentët jemi njerëz. Kemi edhe ne vese, por kemi dhe ne të mirat tona, të cilat më vështirësi i shpalosim ditë pas ditë, vit pas viti, ndonjëherë ngadalë, ndonjëherë më vrull, ndonjëherë të rebeluar, ndonjëherë të kontrolluar. Prandaj duhet punuar përditë. Natyrisht vjen një kohë dhe ne duhet të marrim mbi vete përgjegjësitë që na takojnë, por asnjëherë nuk duhet të shihemi si të pandreqshëm apo të përkryer. Ndaj nga prindërit, nga mësuesit, nga shoqëria kërkojmë të qëndrojnë më pranë nesh. Njeriu ka nevojë të jetë njeri, të jetë i lirë, të dijë të ngrejë zërin atëherë kur fyhet pa të drejtë, të jetë i shkujdesur kur luan, të jetë vetja kur komunikon më të tjerët, të revoltohet kur shikon padrejtësi, të qajë kur ndjen se i dhemb zemra, të qeshë kur ndjen se është i lumtur. Vetëm kështu do mund ta kuptojmë njëri-tjetrin. Ja për shembull, a nuk do ishte më mirë sikur sot, në vend të kafes, të organizonim një aktivitet të prekshëm. Rast i mirë besoj për të njohur më mirë njëri tjetrin! A nuk do ishte më mirë që, në vend të leximit të një teme edukimi pa vlerë, të dilnim të argëtoheshim më klasën a shkollën, ta ndjenim veten të shpenguar në një piknik, jashtë formatit zyrtar?! Po sikur mësimin ta bënim më interesant, më të prekshëm për të gjithë, jashtë formulave të gatshme për të mos djegur etapat, a do ishte më mirë?! Po sikur stresin e notës ta kthenim në dëshirë për të marrë pjesë në debat, a do ishte më dobiprurëse?! Vetëm kështu mendoj, puna më ne do ishte më e arrirë, vetë ne si pa u kuptuar do ziheshim me punë e detyra të dobishme, do harronim ata “kafen” e shkretë që na “vret” aq shumë kohën tonë të çmuar. Natyrisht për të mbërritur të më e mira ne kemi nevojë për qasje më të prekshme dhe të natyrshme. Kemi nevojë për liri, por kemi nevojë edhe për autoritet real në mënyrë që dilemat tona të mos mbeten të tilla, por të shndërrohen në një përkushtim të palëkundur. Më mirë se mësuesit tanë, këtë gjë kush mund ta bëjë?!
Klasa IV – C
ANGLISHT–GJERMANISHT – Shkolla “Asim Vokshi”

“Të gjesh “gjuhën” me adoleshentet jo gjithmonë e lehtë”

Interviste me rojen e shkolles "Asim Vokshi", FERIT DAPI

Dikujt mund t`i duket çudi, por për ne nxënësit, roja i shkollës sonë, Ferit Dapi, është një person shumë i rëndësishëm. Prej derës së tij hyjmë dhe dalim disa herë gjatë ditës, natyrisht kur këtë gjë e lejon rregullorja e shkollës, se për raste të tjera, as të mos të të shkojë mendja. Dikush nga nxënësit përpiqet qe ta ketë mire me Feritin, ndonjë tjetër tenton edhe ta "korruptojë", por për dreq Feritit nuk i bën përshtypje dhe as do t`ja dijë fare për gjera që tejkalojnë rregulloren e shkollës. Është për të qeshur kur disa nxënës që vijnë me vonesë orën e parë, kthejnë orët e tyre 10 minuta mbrapa duke ja bërë me shenjë Feritit përtej derës që të shikojë orët e tyre dhe se e ka mbyllur derën para kohe, ndërkohë që Feriti me qetësi tund kokën sikur do t'u thotë' "jepi, jepi ujë orës tënde"! Por pavarësisht natyrës për të qenë korrekt në zbatimin e rregullit në shkollë, roja jone di edhe të gjejë momentin e duhur dhe të dëshmojë anën e tij njerëzore në komunikimin me ne. Ashtu i hapur, si gjithë natyra e njerëzve të thjeshtë, ai nuk ka ndrojtje t`u përgjigjet pyetjeve tona, ashtu siç di ai, madje dhe shumë mirë, mbi atë që ndodh gjatë një ditë punë ne jetën e tij.
Si fillon dita për një roje shkolle?
Si fillim i lutem zotit që të më ecë dita mbarë. Pastaj, vjen kafja, mosha jonë e do një kafe herët në mëngjes, më pas në orën 7 hap derën e shkollës në pritje të punonjësve të shkollës dhe të nxënësve tanë.
Sa e vështirë është për ju përballja e përditshme me nxënësit?
Unë e kam kënaqësi të punoj me nxënësit, u jam përshtatur natyrave të tyre të ndryshme dhe nuk mund ta quaj të vështirë punën në kuptimin e përballjes se saj sa më mirë, pasi tani janë bërë vite që unë punoj këtu dhe ndihem si i shtëpisë. Për këtë arsye problemet bëhen edhe më të thjeshta për mua për t`u zgjidhur.
Rregulli është që nxënësit duhet të paraqitën ne shkolle në orën tetë pa dhjetë. A i përgjigjen këtij rregulli nxënësit e shkollës?
Pjesërisht. Është një grup nxënësish që vijnë me nxitim në momentet e fundit dhe ka raste kur mbeten jashtë duke humbur orën e para, por nga ndjekja e vazhdueshme e tyre, ky grup nxënësish po zvogëlohet. Megjithatë ne nuk i lejojmë që nxënësit që vijnë me vonesë të hyjnë në shkollë përderisa rregulli është i njëjtë për të gjithë.
Siç e dini mosha e adoleshencës është shumë e vështirë. A është e vështirë për ju qe të merreni me të rinj të kësaj moshe dhe t`i bindni që të respektojnë rregullat?
Jo, nuk është fare e vështirë. Përkundrazi, është bukur të punosh më këto mosha, sepse ata janë të rinj, pa komplekse dhe mundohen të kuptojnë kur ti di të sillesh e t`i respektosh ata ashtu siç janë. Veç kësaj, mua më duket që të rinjtë e sotëm kanë nevojë të mësohem me zbatimin e rregullit, kjo është në të mirën e të gjithëve.
Si janë marrëdhëniet tuaja me nxënësit e shkollës?
Janë shumë të mira. E rëndësishme është që të kesh parasysh moshën e këtyre nxënësve, por edhe hallet e tyre, të mundohesh t`u gjesh atyre telat si i thonë, dhe pastaj gjërat bëhen më të lehta në komunikimin me ta, për t`i mirëkuptuar gjërat dhe njëri-tjetrin.
A keni pasur konflikte me nxënësit? Cili ka qenë i fundit?
Nuk kam pasur asnjëherë konflikte me nxënësit. Pavarësisht nga ngritja e tonit të zërit, ndonjëherë nga të dy palët, ne mirëkuptohemi në fund të fundit për rolet e ndryshme që kemi në shkollë, dhe kjo nuk përbën asnjë arsye për tu vënë përballë njëri-tjetrit.
Ju i njihni shumë mirë nxënësit e shkollës. Çfarë mendoni për brezin e të rinjve të tanishëm?
Është një brez i mrekullueshëm. Mos të harrojmë se ata vijnë nga familjet tona, me hallet dhe shqetësimet e kohës, pra ata janë ata që janë, me të mira dhe me të meta, detyra e shkollës dhe e shoqërisë është t`u krijoj atyre mundësi për t`u bërë të mirë në jetë.

Intervistoi:
Kledia Ramizi

“Ka raste kur përballemi me situata të thyerjes se disiplinës”
 Me dëshirën tonë për të prekur sado pak një anë tjetër të profilit të punës në shkollën tonë, sidomos atë që lidhet më drejtuesit tanë, këtë radhë iu drejtuam nëndrejtorit të shkollës, profesor Bujar Hados. Ketë e bëmë jo thjesht për të marrë mbresa nga një drejtues më eksperiencë në punën e tij me të rinjtë, por mbi të gjitha për shpirtin e tij tolerant, përkushtimin në punë, dëshirën për t`i kuptuar sa më shumë prirjet e problemet e nxënësve, e për t`i zgjidhur ato më qetësi e durim. E bëmë këtë përzgjedhje edhe për inkurajimin e vazhdueshëm që ai u jep nxënësve për rezultate sa më të mira në mësime, ndonëse do donte që ato të ishin edhe më pozitive, për marrëdhëniet e bashkëpunimit korrekt me kolegët dhe për gatishmërinë që tregon për të dëgjuar me vëmendjen e duhur çdo njëri. Kështu, në mbresat e tij gjatë një ditë pune ai do nënvizonte shënimet e mëposhtme.
Pas një fundjave disi të zakonshme, kur e ndjen vetën më komod për të reflektuar, por kur njëkohësisht ke privilegjin për të analizuar më me qetësi dhe gjakftohtësi një jave të tërë pune të lodhshme, me situata të këndshme dhe ta pakëndshme, shkurt gjithë problematiken që ka shkolla, e duke i shtuar kësaj dhe detyrimet familjare si prind dhe si bashkëshort, mëngjesi i së hënës të gjen jo dhe aq të ripërtërire sa mund të mendohet. Shqetësimet e para fillojnë që me paraqitjen në shkollë, me uniformat e nxënësve, mungesat në orët e para, sidomos ato pa arsye, të cilat ne i ndjekim me vëmendjen e duhur. Këto janë probleme me të cilat drejtuesit e shkollës ndeshen çdo ditë. Tolerimi në ketë drejtim nuk do t`i shërbente punës sonë. Java fillon me mbledhje nga drejtoria, ku përcaktohen detyrat dhe programohet puna për javën në vijim. Ndjekja e përparimit të nxënësve, për çdo klasë dhe në rang shkolle përbën një preokupim tjetër të rëndësishëm në punën tonë, i cili shoqërohet me analiza konkrete për mangësitë e konstatuara si dhe më marrjen e masave, të materializuara me punë konkrete me mësuesit dhe nxënësit për përmirësimin e situatave dhe rritjen e nivelit të përvetësimit të njohurive në çdo lëndë, në përputhje me parametrat që kërkon koha. Natyrisht atje ku rezultatet janë të dobëta qëndrohet më shumë, bëhen analiza të hollësishme, për shkaqet, ballafaqohen mësues, nxënës, prindër, merren masa për të dalë nga situata dhe ndiqen hap pas hapi detyrat e lëna. Ne këtë aspekt roli dhe përkushtimi i mësuesit është vendimtar. Sa më e kualifikuar dhe e detajuar të jetë përgatitja e mësuesit në punën e tij me nxënësit, aq më shume do reflektohet ajo në rezultat e nxënësve. Ndaj në bazë të planit dhe të programit tonë ditor, mbi të gjitha qëndron puna jonë me mësuesit, me përgatitjen e tyre për mësim dhe zbërthimi i temave konkretisht në orën e mësimit me nxënësit. Pas çdo kontrolli të një ore mësimi të zhvilluar bëhet analizat e arritjeve të saj. Jepen sugjerime ne drejtim të mirë organizimit të orës në përputhje me nivelet e ndryshme të nxënëse, të prirjeve dhe të interesave të tyre, nxitet përdorimi i metodave interaktive ne punën më nxënësit, në mënyrë që materiali që jepet të shkojë tek ata në mënyrë sa më të natyrshme, i çliruar nga streset apo presioni i notës dhe i shoqëruar me një vlerësim inkurajues për nxënësit, përmes formave nga më të larmishmet. Këto forma pune ndihmojnë shumë për të rritur nivelin e punës sonë dhe për të shmangur dobësitë e vërejtura ne të ardhmen. Java e punës plotësohet me detyrimin ligjor që ka çdo drejtues për të dhënë disa orë mësimi në lëndët përkatëse. Ky është një element tjetër i rëndësishëm që të lidh akoma më shumë me nxënësit, qe të jepe kënaqësi, që ne mësuesit e ndiejmë me sinqeritet kur shikojmë se puna jone gjen pasqyrim konkret tek rezultatet e nxënësve. Por natyrisht, ka dhe raste kur zhgënjehemi kur shikojmë se nuk kemi arritur atë që dëshirojmë. Përveç këtyre detyrave që ndiqen çdo ditë, ka raste kur përballemi me situata të zakonshme të thyerjes se disiplinës. Për këtë mblidhet drejtoria, bëhen analiza dhe lihen detyra për kapërcimin e tyre. Gjithsesi, përtej problemeve qe sjell dita apo java, punën me nxënësit e shikoj si një përkushtim serioz, qe jo gjithkush mund ta bëjë, punë e cila kërkon para se gjithash përgatitje, angazhim të përhershëm dhe dashuri e respekt për ata me të cilët ndan pjesën më të madhe të kohës tënde, më nxënësit.
 Çfarë ndodh me ne në një orë mësimi?
Një orë mësimi ka dyzetë e pesë minuta. Në këto minuta "të shenjta" supozohet që nxënësi të mësojë, por pyetja është; "a ndodh vërtet kështu?" Klasa jone ka tridhjetë e katër nxënës dhe secili prej tyre mbart një karakter të ndryshëm nga njëri - tjetri, ndaj dhe veprimet nuk janë të njëjta për të gjithë. Dikush dëshiron të dëgjoj mësimin me vëmendje, dikush s`është aspak i interesuar dhe nga eksperienca, konfirmoj se shumica e nxënësve s`janë aspak të interesuar
Shpesh detyrat kopjohen në pesë minutat e pushimit. Kur kemi provime, përgatisim kopjet dhe kur ngrihemi në mësim, ose dëgjojmë shokun e bankës se mos na ndihmon, ose shohim në libër kur mësuesja nuk e ka mendjen. Kur mësuesja shpjegon, mendja na fluturon përtej katër mureve të klasës. Kështu zhgarravisim në libër ose vizatojmë ndonjë zemër me inicialet e personit që na pëlqen. Më pas hapim celularin se mos na ka ardhur ndonjë sms dhe nëse jo, ja dërgojmë ndonjë të tillë shoqes ose shokut. Ndërkohë, ora e mësimit të duket e pafundme dhe fillojmë të hamë thonjtë nga stresi. Sytë të shkojnë tek nxënësi i vetëm në klasë qe mëson dhe është i përqendruar në mësim, dhe ti thua: "I shkreti, sa gjynah"! më në fund zilja bie…….
Ja pra, brezi i sotëm e sheh shkollën si vend të padëshirueshëm, por të detyrueshëm.
Neraida Cane Viti II-3, Anglisht - Gjermanisht



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora