Shtesë » Lajme
Grevistët djegin “Pishtari i demokracisë”
E enjte, 26.06.2008, 07:34 PM
TIRANE/ MEMALIAJ
Kur nuk kanë arritur të tërheqin vëmendjen e qeverisë me grevën e nisur 8 ditë më parë, ish-minatorët i vënë flakën "Pishtarit të demokracisë". Paraditen e djeshme, 13 minatorët e futur në grevë urie, kanë djegur në shenjë proteste dëshminë që iu është akorduar në vitin 1995, nga Sali Berisha, në atë kohë President i Republikës. Janë të njëjtët punëtorë të minierës së Valiasit, të cilët në vitin 1991 organizuan të parën grevë urie, për të cilën Berisha i dekoroi me motivacionin: "Për kryerjen e aktit sublim të grevës së urisë, për kontributin në rrëzimin e regjimit diktatorial komunist". Por, përballë nevojave jetike për ushqim, ata i kanë konsideruar të pavlera dekoratat. Plot 13 prej tyre u është vënë flaka në mes të kryeqytetit, ndërsa kryeministrit Berisha i është kërkuar një takim urgjent brenda 24 orësh. Në të kundërt, kolegët e tyre nga i gjithë vendi do të pushtojnë sheshin para Kryeministrisë në një protestë masive.
Ish-minatorët janë futur në grevë për plotësimin e kërkesave të tyre, të rritjes së pagës së pensionit dhe uljen e moshës së përfitimit të tij. Sipas tyre, mosha e përfitimit të pensionit është shumë e lartë duke pasur parasysh punën e rëndë që ata kanë kryer në galeritë e minierave. Ndërkohë që çmimet e larta e kanë bërë të papërballueshme jetesën, krahasuar me pensionet që marrin. Me ish-minatorët grevistë të Valiasit janë solidarizuar dhe qindra të tjerë në të gjithë vendin. Po dje, ish-punonjës të minierës së qymyrgurit në Memaliaj protestuan dje ndaj indiferencës së qeverisë shqiptare karshi kërkesave të hershme të tyre. Duke premtuar se do të luftojnë me të gjitha format, përfshirë edhe ndërmarrje të grevave të urisë apo bllokimin e aksit Memaliaj-Mallakastër, ata kanë tubuar dje në qendrën e Memaliajt. Rreth 50 ish-punonjës të galerive të thella të nxjerrjes së qymyrgurit në minierën e Memaliajt, të papunë prej disa vitesh, kanë kërkuar rritjen e pagës së pensioneve. Vezir Mema, njëri prej minatorëve të vjetër të minierës, pohoi se të hollat që përfitohen nga pensioni i minatorit, nuk arrijnë as për ilaçe, të cilat i kanë të pandashme si pasojë e sëmundjeve të pashërueshme që u kanë shkaktuar thellësitë e galerive dhe puna e lodhshme fizike në kohën e sistemit të kaluar. Në protestën e organizuar në qendër të qytetit ish-minatorët, sot në pension, kanë kërkuar gjithashtu uljen e moshës së përfitimit të pensionit, pasi një pjesë e mirë e tyre nuk arrijnë të mbushin 65 vjeç.