E marte, 30.04.2024, 02:46 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gratë dhe zhvillimi

E shtune, 14.06.2008, 04:33 PM


Nga Elizabeth M.King*

Një vajzë e lindur në Azinë Jugore ose Afrikën sub-Sahariane, përballet me një fat të rëndë dyfish. Do të rritet në një rajon që vuan nga varfëria, sëmundjet, lufta ose uria. Gjithashtu, përveç këtyre, do të ballafaqohet me disavantazhin e të qenit femër.

Pavarësisht se çështjeve gjinore u kushtohet më tepër vëmendje, pabarazia ruhet në çdo kulturë, vend dhe kontinent. Një studim i ri për projektin e Konsensusit të Kopenhagenit tregon se zhdukja e kësaj pabarazie është investim shumë fitimprurës.

Pavarësisht interesit global për arsimimin e të gjithëve, shumë vajzave në vendet e varfra, si dhe më parë, u refuzohet arsimi bazë; qysh në start janë në një pozitë të pafavorshme. Tre në pesë fëmijë analfabetë në botë janë vajza. Veçanërisht, në Azinë Jugore dhe Afrikën sub-Sahariane normat kulturore dhe vështirësitë ekonomike i detyrojnë prindërit të mos i çojnë vajzat e tyre në shkollë apo nuk u japin mundësinë të mësojnë sikurse djemtë. Ky investim i pabarabartë nuk është as i drejtë, as rentabël.

Zgjidhja më e përshtatshme do të ishte ndërtimi i sa më shumë shkollave në vende, ku vajza dhe djem mësojnë të ndarë. Në shtete të varfra myslimane si Pakistani, Jemeni dhe Maroku, është normë shkollimi njëgjinor, por shumë zona fshatare mund të lejojnë vetëm një shkollë publike, në të cilën zakonisht çojnë djemtë. Teorikisht, në këto zona mund të përgjysmohet ky hendek në arsimim duke ndërtuar shkolla për vajza.

Gjetiu mungesa e shkollave nuk është problem. Politikëbërësit do të bënin mirë të gjenin mënyra për të nxitur prindërit të çojnë vajzat e tyre në shkollë. Në shtetet ku kostoja e familjes për shkollimin e vajzave ulet nga arsimi falas ose nga bursat për vajza që regjistrohen në shkollë, vërehet rritje e nivelit të regjistrimit të vajzave.

Përvoja e këtyre shteteve të pakta na nxiti të propozojmë një sistem, në të cilin nënat do të paguheshin nëse vajzat e tyre të moshës shkollore do të ndiqnin rregullisht shkollën nga klasa e 3-të në atë të 9-të. Kjo do të rriste regjistrimin e vajzave, si dhe do t’u jepte para në dorë grave, gjë që është e rëndësishme, pasi studimet tregojnë se paratë do të sillnin shumë më tepër dobi nga pikëpamja e ushqimit dhe shëndetit fëmijëve po t’u jepen grave, se sa burrave. Kjo gjithashtu do t’u jepte grave më tepër të drejtë t’u dëgjohet zëri në familjet e veta.

Kostoja vjetore për një nxënës do të ishte 32 dollarë. Shpenzimet për të gjitha vajzat e moshës shkollore në Afrikën sub-Sahariane dhe Azinë Jugore do të arrinin në 6 miliardë dollarë në vit. Përfitimet nga rritja e pagave në të ardhmen dhe ulja e kostove në kujdesin shëndetësor do të ishin nga 3 deri 26 herë më ta larta.

Shtatzënia është një nga periudhat më të vështira për gratë e varfra: 99% e 529 mijë grave që vdesin çdo vit nga komplikacionet e lidhura me shtatzëninë, jetojnë në vendet në zhvillim. Kequshqyerja e skajshme dhe mungesa e kujdesit para lindjes, rrezikojnë nënën dhe fëmijën seriozisht. 3.9 miliardë dollarët për nismat në planifikimin familjar dhe ruajtjen e shëndetit të nënës, si për shembull masat për kontracepsionin e ngutshëm në Afrikën sub-Sahariane dheAzinë Jugore, do të parandalonin 1.4 milionë vdekje foshnjash dhe 142 mijë vdekje grash, vdekje që lidhen me shtatzëninë.

Shërbimet falas në shëndetin riprodhues për gratë, që nuk kanë para, mund të ndihmojnë në parandalimin e këtyre vdekjeve. Por shërbime të tilla duhet të përfshijnë promovimin dhe paraqitjen e metodave moderne kontraceptive për shmangien e shtatzënisë së padëshiruar. Pothuaj 20% e grave në vendet në zhvillim e pranojnë se nuk duan të kenë shumë fëmijë, por nuk përdorin ndonjë formë kontracepsioni ose planifikimi familjar, ndoshta, për shkak të mungesës së shërbimeve në shëndetin riprodhues.

Për vajzat adoleshente martesa e hershme ose shtatzënia e padëshiruar, si rregull, shkurtojnë kohën e shkollimit. Martesa dhe lindja e fëmijëve sa më vonë do t’u lejonte të merrnin më tepër arsim, dhe ndoshta, do t’u jepte më shumë mundësi pagese, si dhe do t’u përmirësonte shëndetin, arsimimin dhe do të kishin sukses në tregun e punës kur të bëheshin me fëmijë në të ardhmen - përfitime, dhjetë herë më të larta se kostoja e shërbimeve për shëndetin riprodhues.

Përmirësimi i aftësive të grave për të fituar para mund të arrihet dhe me mënyra të tjera, përveç shkollimit. Institucionet e mikrofinancimit si Gremin Benk (Grameen Bank) në Bangladesh kanë rol jetësor në krijimin e mundësive që gra të vetëpunësuara të ngrenë biznese rentabël. Huatë e vogla u lejojnë grave të kenë më shumë kontroll mbi pasurinë dhe resurset brenda shtëpisë, u japin më shumë autonomi dhe pushtet në marrjen e vendimeve në familje, si dhe akses më të madh për pjesëmarrje në jetën publike. Gratë i bëjnë më mirë se burrat pagesat e huasë rregullisht dhe i shpenzojnë të ardhurat e tyre për shëndetin dhe arsimimin e fëmijëve.

Politikëbërësit duhet të vazhdojnë të lehtësojnë përpunimin e programeve të mikrofinancimit. Studimet tregojnë se çdo dollar i huazuar nga institucion mikrofinacimi, rrit fuqinë blerëse të familjes me pothuaj 10% vitin e parë dhe këto përfitime do të vijojnë dhe 30 vjet. Vlerësohet se përfitimet janë afër gjashtë herë më të larta se kostot.

Dhe pse gratë kanë të drejtë vote pothuajse në çdo vend, pabarazitë gjinore në përfaqësimin politik janë të mëdha. Qeveritë duhet të vendosin kuota gjinore në nivelin vendor të politikës. Një përfaqësim më i madh i grave jo domosdoshmërisht çon në theksim të përparësive “femërore” në politikë, por në Indi, ku këshillat fshatarë janë me kuota gjinore për kryetarë fshatrash, ka ndikuar që të ketë nivel më të lartë sigurie të ujit të pijshëm dhe imunizimit dhe gjendje më e mirë e rrugëve dhe më pak mitmarrje. Mund të ketë disa humbje, meqenëse gratë e zgjedhura kanë më pak përvojë politike se burrat, por rasti i Indisë dëshmon se, nëse në vendet e tjera, brenda 20 vjetëve, gratë zënë 30% të organeve vendore të pushtetit, përfitimet, të paktën, do të ishin sa dyfishi i kostove.

Qenia femër nuk duhej të ishte një nga sfidat më të mëdha të jetës.

*Bashkautor: Bjørn Lomborg * Titulli në origjinal: “Women and Development”

**Elizabeth M. King është menaxhere e Kërkimeve Shkencore për Shërbimet Publike në Grupin e Kërkimeve për Zhvillim të Bankës Botëror; Bjorn Lomborg është organizator i Konsensusit të Kopenhagenit, profesor në Shkollën e Biznesit të Kopenhagenit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora