E hene, 29.04.2024, 02:57 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gjakmarrja në Shqipëri, 17-vjeçari i ngujuar: Kanuni një idiotësi

E premte, 11.07.2008, 05:35 PM


Nga DAN BILEFSKY

Kristian Luli, një djalosh 17-vjeçar, shumë i butë, ka kaluar 10 vjet i mbyllur brenda shtëpisë së vogël të familjes së tij, me frikën se do të vritej nëse do të dilte jashtë saj. Për të kaluar kohën, ai luan në kompjuter dhe skicon shtëpi. Meqenëse nuk ka mundur të ndjekë shkollën e mesme, niveli i tij në lexim është ai i një 12-vjeçari. Ndonjë e dashur është fare jashtë diskutimit. Ai do të donte të bëhej arkitekt dhe është i frikësuar nga një e ardhme brenda mureve të shtëpisë, me sytë ngulitur në ato katër mure. "Kjo është situata në të cilën ndodhem. Nuk kam pasur asgjë tjetër që kur isha fëmijë", - thotë Kristian, duke soditur me sy ankues nga dritarja e shtëpisë botën e mohuar. "Ëndërroj të jem i lirë dhe të mund të shkoj në shkollë, do të doja vetëm të dilja nga kjo derë. Të jetosh kështu është më keq se të dënimi me burg". Fati i keq i Kristianit është se ai është djali i një babai që ka vrarë një tjetër njeri në rajonin e varfër verior të Shqipërisë, ku riti i lashtë i gjakmarrjes ende mban mbërthyer familjet. Sipas Kanunit, një kod i vjetër shqiptar i sjelljes, që është ende i gjallë që prej 500 vitesh, "gjaku lahet me gjak" dhe familja e viktimës ka të drejtë të hakmerret duke vrarë një anëtar mashkull të familjes së vrasësit. Ndikimi i Kanunit nuk është edhe aq i madh tani, por ai ka qenë një lloj kushtetute e vendit për shekuj me radhë, me rregulla që variojnë nga çështjet e pronësisë deri te ato të martesës dhe vrasjeve. Komiteti Kombëtar i Pajtimit, një organizatë joqeveritare shqiptare, që punon për të luftuar traditën e gjakmarrjes, ka bërë të ditur se rreth 20,000 vetë në të gjithë vendin janë izoluar në zona të ndryshme të Shqipërisë, për shkak të gjakmarrjes që pas rënies së komunizmit në vitin 1991. Rreth 9,500 persona janë vrarë dhe afërsisht 1,000 fëmijë janë privuar nga mësimi, pasi janë mbyllur në shtëpi. Sipas traditës, çdo mashkull që është i aftë të mbajë një pushkë në dorë, mund të jetë një viktimë e mundshme për hakmarrje, gjë që i bën 17 meshkujt e familjes së Kristianit të jenë në shënjestrën e familjes në hasmëri. Të gjithë ata janë mbyllur në shtëpi. Përjashtimi i vetëm është se gjakmarrja nuk mund të ndodhë brenda kufijve të shtëpisë. Gratë dhe fëmijë gëzojnë imunitet, edhe pse disa prej tyre ashtu si Kristiani, që fizikisht është pjekur para kohe, fillojnë të kushtëzohen si meshkuj dhe jo si fëmijë. Anëtarët e familjes së viktimës marrin hakun zakonisht, edhe pse disa familje kërkojnë edhe vrasës profesionistë me pagesë. Gjakmarrja është shfaqur edhe në shoqëri të tjera, si hakmarrjet e mafias në jug të Italisë dhe dhuna hakmarrëse mes familjeve shiite dhe sunite në Irak. Por, fenomeni ka qenë tipik për Shqipërinë, një vend të dëshpëruar dhe të varfër që po përpiqet shumë të ruajë rendin dhe të zbatojë ligjin pas disa dekadash regjim komunist. Gjakmarrja u zhduk gjatë regjimit 40-vjeçar të Enver Hoxhës, diktatorit komunist të Shqipërisë, që e nxori jashtë ligjit këtë praktikë, ndonjëherë edhe duke i varrosur të gjallë ata që nuk bindeshin në në varret e viktimave të tyre. Por, ekspertët ligjorë thonë tashmë se gjakmarrja u "ringjall" sërish pas rënies së komunizmit, në periudhën e tranzicionit. Rreth një mijë vetë të përfshirë në gjakmarrje janë larguar jashtë vendit, disa prej tyre kanë aplikuar për strehim në vende të tjera. Por, edhe pas kësaj, dhjetëra vetë janë ndjekur jashtë shtetit dhe janë vrarë nga familjet që kërkojnë të marrin hak. Ismet Elezi, një profesor i së drejtës në Universitetin e Tiranës, që këshillon qeverinë dhe policinë lidhur me zgjidhjen e këtij problemi, thotë se ndryshimet në Kodin Penal të Shqipërisë, përfshi këtu dënimet prej 25 vitesh për ata që marrin gjak si dhe gjobat e rënda për ata që kërcënojnë me gjakmarrje, kanë ndihmuar në reduktimin e fenomenit. Ai thekson se njerëzit kanë ende besim te Kanuni më shumë sesa të sistemi i drejtësisë, gjë që sjell pasoja shkatërrimtare lidhur me fenomenin. "Brezi i ri nuk i beson më kodeve të sjelljes së brezit të vjetër", thotë ai. "Por, gjakmarrja ende po shkakton varfëri e dëshpërim, sepse shumë burra që izolohen në shtëpi, nuk mund të punojnë, fëmijët nuk mund të shkojnë ën shkollë dhe familje të tëra shkëputen nga kontakti me botën". Aleksandër Kola, një ndërmjetës që ndihmon në zgjidhjen e rasteve të gjakmarrjes, thotë se shkaqet kryesore janë mosmarrëveshjet për pronën apo tokën. Ai vëren se gjakmarrjet mund të lindin edhe nga keqkuptime të vogla. Ai kujton një rast kur dhjetëra meshkuj ishin detyruar të izoloheshin pasi një anëtar i familjes së tyre kishte vrarë shitësin që nuk pranonte t'i shiste fëmijës së tij një kaush akulloreje. Në një tjetër rast, gjakmarrja lindi pasi delja e një familjeje kishte kullotur në pronën e fqinjës së saj, gjë që nxiti një konfrontim vdekjeprurës. Sociologët thonë se gjakmarrja i ka ndërruar rolet tradicionale gjinore në zonat rurale të Shqipërisë, pasi gruas tashmë i bie barra të mbajë shtëpinë dhe familjen, ndërsa burrat janë të detyruar të qëndrojnë brenda. Nëna e Kristianit, Vitoria, 37 vjeç, thotë se ajo e ka urdhëruar atë të qëndrojë brenda shtëpisë që në moshën 7-vjeçare pasi bashkëshorti i saj dhe vëllai i tij vranë një banor të fshatit pas një grindjeje në gjendje të dehur. Ajo thotë se djali tjetër, Klinsmani, 7 vjeç, ndiqte shkollë, por se edhe ai së shpejti do të mbyllej në shtëpi. Bashkëshorti dhe kunati i saj janë dënuar me 20 vjet burg për vrasjen. "Jetoj me frikë se Kristiani mund të vritet, ata mund të vrasin fëmijët e mi", - thotë Vitoria, që i ka varur shpresat te bamirësia për të jetuar. "Ndonjëherë mendoj se do të doja që ndonjë nga familja tjetër të vriste dikë nga ne, që ky ankth të merrte fund". Ajo thotë se ka dërguar një ndërmjetës për të kërkuar falje nga familja tjetër, por pa sukses. Familja e viktimës, Simon Vuka, ka refuzuar të flasë për këtë. Por, Kola, që po ndërmjetëson për -çështjen thotë se familja nuk është e përgatitur për faljen, sepse ajo kishte dy fëmijë të vegjël që tashmë kanë mbetur jetimë. Shumë familje të viktimave besojnë se burgimi i vrasësve është hakmarrje më e mirë se vrasja e tyre. Kola, një ish instruktor gjimnastike që ka studiuar për zgjidhjen e konflikteve në Norvegji, thotë se është përpjekur të pajtojë familjet duke gjetur miq apo të afërm me ndikim të tyre, që mund të bindin këto familje të falin. Ai thotë se kërkesa për falje zakonisht shoqërohet me ofrimin e dhuratave apo sendeve të arta nga familja e vrasësit. "U them familjeve të viktimave se falja është më e rëndësishme se hakmarrja", thotë ai. Kristiani, i gjatë dhe me qëndrim të vendosur, me një pjekuri që i kalon vitet e tij, thotë se ia vë fajin veprimit të të atit dhe xhaxhait si dhe një kod sjelljeje fare të vjetër se po i shkatërrojnë jetën. Ai thotë se është e padrejtë që ai të ndëshkohet për fajet e të afërmve të tij. Kontakti i tij i vetëm me botën e jashtme është një herë në muaj, kur një grup murgeshash që merren me bamirësi formojnë një qark mbrojtës, e hipin atë në makinë dhe i bëjnë një shëtitje prej 30 minutash në qendrën më të afërt komunitare. Ai thotë se ëndërron të arratiset nga Shqipëria, por familja e tij është shumë e varfër për ta dërguar jashtë shtetit. Ai mund të armatoset dhe të arratiset, por mendon se rreziqet mund të jenë vdekjeprurëse. "Kanuni është plot me rregulla idiote të një kohe tjetër. Kjo është tërësisht e padrejtë dhe pa kuptim". Gjakmarrja ka prekur thellë shoqërinë shqiptare, të rinjtë si dhe të moshuarit që mbeten pa kujdes shëndetësor sepse nuk dalin dot nga shtëpia. Sherif Kurtaj, 62 vjeç, është detyruar të jetojë me një tumor të pakuruar dhe me dhëmbë të prishur tërësisht, pasi nuk ka dalë dot nga shtëpia për tetë vjet, që kur djemtë e tij vranë një fqinj që ishte tallur me ta sepse po përgatiteshin të shkonin në Gjermani. Ai thotë se ka nevojë të bëjë një operacion, por i frikësohet vdekjes nga plumbat e hakmarrësit sapo të dalë nga shtëpia. Kurtaj ka dy djem, të dy të dënuar me 16 vjet burg, që janë në arrati që kur kanë kryer vrasjen. Edhe nëse ata do të dorëzoheshin, ai do detyrohej të qëndronte në shtëpi. Ai thotë se miqtë kanë frikë ta vizitojnë sepse mund të vriten aksidentalisht. Izolimi në shtëpi e ka bërë të varur tërësisht nga gruaja. "Jam burrë Kanuni dhe kam rritur për të qenë zot shtëpie. Por tani gruaja bën gjithçka për mua", - thotë ai. Kurtaj mund të paraqesë një padi sipas ligjit shqiptar ndaj familjes që e kërcënon atë me vrasje; një kërcënim i tillë dënohet me 3 vjet burg. Por, Kurtaj thotë se ka frikë se një gjë e tillë vetëm mund të rrisë inatin. "Duhet t'i bindesh Kanunit. Gjaku lahet me gjak", thotë ai.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora