E hene, 29.04.2024, 04:32 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Topi dekoron prokurorin që dënoi “Martirin e Demokracisë”

E hene, 30.06.2008, 03:04 PM


PRESIDENTI TOPI DUKE DEKORUAR SKENDER BRECEN
Ish të përndjekurit dalin kundër dekorimeve të Presidentit të djathtë, Bamir Topi.

Bledar Hoti

Dekorimi i kryer nga kreu i shtetit më datë 8 maj të këtij viti, ka sjellë reagimin e ashpër të shtresës së ish të përndjekurve, duke u shprehur si shumë të indinjuar nga vendimi i Presidentit. Dekorimi me “Medaljen e Mirënjohjes” të ish-prokurorit Skënder Breca, ka sjellë reagimin e të afërmit të të pushkatuarit të Xhelal Koprenckës. Nëse presidenti i djathtë Berisha i dha Koprenckës titullin “Martir i Demokracisë”, tani pas më shumë se një dekade dekorohet prokurori që e dënoi atë me pushkatim. Në një letër të hapur publike, mbesa e “Martirit të Demokracisë”, Xhelal Koprencka, Romira Muka, e cilëson si tepër fyese faktin se si një president dekoron një prokuror, i cili ka dhënë dënime kapitale ndaj njerëzve, të cilët kishin mendime të kundërta me sistemin e egër komunist. “E ndërsa ne mundohemi të kalojmë dhe të shuajmë urrejtjen, përballemi përditë me gjëra të vogla në dukje, por që po na e nxijnë jetën edhe sot pas kaq vitesh demokraci. Një nga këto raste s’ka shumë ditë që na ndodhi i nderuari z. President, kur lexuam në gazetë emrin e Skënder Brecës me rastin e një dekorimi nga ana Juaj. Një emër që ndodhet edhe në listën e 319 personave që kanë ushtruar dhunë dhe terror gjatë diktaturës komuniste, listë kjo e formuar nga kujtesa e gjallë e ish të dënuarve politikë dhe e bazuar në dokumente të ligjshme të asaj kohe”, thuhet në këtë letër. Muka thekson se, “nuk do të më ishte kujtuar gjatë ky emër, sikur më 10 maj 2008 ai të mos dekorohej me ‘Medaljen e Mirënjohjes’ nga ana Juaj, me motivacionin – ‘Për përkushtim të lartë, korrektësi dhe ndershmëri në ushtrimin e funksioneve të prokurorit’?!...”. Të prekur nga ky vendim i Topit, familjarët e Koprenckës, të cilit ende edhe sot nuk është gjetur varri ku i prehen eshtrat, pasi u pushkatua me vendim gjykate në vitin 1979, i kërkojnë kreut të shtetit të hedhë poshtë vendimin për dhënien e dekoratës. Pas viteve ’90, më datë 6 qershor 1994, Xhelal Koprencka do të dekorohej nga presidenti i asaj kohe, sot kryeministër i vendit, Sali Berisha, me titullin “Martir i Demokracisë”. Pas afro 18 vitesh, institucioni i Presidencës merr vendimin për dekorimin e personit që dha dënimin kapital. “Kërkojmë nga Ju i nderuari President i Shqipërisë, që t’i hiqet në mënyre publike dekorata Xhelal Koprenckës, sepse miqtë dhe familjaret e tij ndihen tej mase të fyer nga ky përngjasim absurd dekoratash”, thuhet në letër.

Kush është Koprencka

Xhelali lindi në Tiranë më 7 qershor 1932. Rrjedh nga një familje patriotike me origjinë nga Skrapari. Babai i tij, Sami Koprencka, diplomuar në Stamboll, ka qenë nënprefekt i Pogradecit rreth viteve ’30. Të parët e tij, gjyshi Xhelali, ka marrë pjesë në ngritjen e flamurit të Pavarësisë më 1912 dhe ka firmosur Aktin e Shpalljes së Pavarësisë si përfaqësues i zonës së Skraparit. Xhelali është arrestuar gjithsej pesë herë. Dënimi i pestë, pas revoltës së Spaçit, më 9 maj 1979, jepet nga prokurori: “I pandehuri Xhelal Koprencka, si armik i tërbuar i shtetit të diktaturës së proletariatit”. Gjykata e Lartë me kryetar Sofokli Krongon, la në fuqi kërkesën e bërë nga prokurori i këtij gjyqi Skënder Breca, dënimin me vdekje të Xhelal Koprenckës në moshën 46-vjeçare, së bashku me Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon”. Këta dy të fundit, ish-gazetarë të Radio Tiranës në ato vite.

Familja: Hiqjani dekoratën

“E gjithë familja ime është e detyruar që të presë 29 majin, ditën e përvjetorit të ekzekutimit të Xhelalit, për ta përkujtuar atë mbi një Varr Imagjinar. Duke u nisur nga kjo histori, e cila nuk ka për qëllim që të cëmbysë zemra, pasi në Shqipëri ka plot të tilla, në emër të familjes sime kërkoj vetëm dy gjëra: a – T’i kërkohet këtij ish-persekutori dhe prokurori, i cili tashmë mund t’ju konsiderojë si mik, vendndodhjen e eshtrave të dajës tim, meqenëse gëzon një shëndet të fortë dhe memorie të mirë dhe në pamundësi të heqjes së asaj dekorate me të cilën mendoj se janë trazuar qindra zemra familjarësh që vazhdojnë të jetojnë ende sot një mosrespektim të tejskajshëm; b - Kërkojmë nga Ju i nderuari President i Shqipërisë, që t’i hiqet në mënyrë publike dekorata e Xhelal Koprenckës, sepse miqtë dhe familjaret e tij ndihen tej mase të fyer nga ky përngjasim absurd dekoratash”, thuhet në letrën e hapur.

“Pse nuk hetuat punën e Brecës”

“Pas viteve ‘90, familja ime bëri të pamundurën të gjenim eshtrat  e dajës tonë, ‘Martirit të Demokracisë’, Xhelal Koprencka, i pushkatuar më 29 maj 1979, por akoma edhe sot nuk kemi arritur të gjejmë gjë. Kur hap dosjen e Xhelalit, ai del i dënuar me dënim kapital dhe pranë tij, prokurori Skënderi, autori i këtij dënimi. Pas viteve ’90, më datë 6 qershor 1994, Xhelal Koprencka do të dekorohej nga presidenti i asaj kohe, sot kryeministër i vendit, z. Sali Berisha me titullin ‘Martir i Demokracisë’. Por si ia lejuat vetes Ju i nderuari z. President, që nuk morët mundimin e  të mësonit pak mbi të shkuarën e këtij prokurori, i cili me plumbin e tij të fundit që i dha Xhelal Koprenckës para 30 viteve, mendoj se nuk do ta meritonte sot atë dekorim që Ju i bëtë”, thuhet në letër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora