E enjte, 01.05.2025, 05:13 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Topalli kërkon zyrtarët spiunë

E hene, 30.06.2008, 11:02 PM


Jozefina Topalli
Kryeparlamentarja i "tërheq veshin" Bejës: Shqyrtojini shpejt projektligjet për ish-sigurimsat. Mënyra si do të hapen dosjet

Pas një vonese të gjatë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nxit Komisionin e Ligjeve që të shqyrtojë me përparësi projektligjet për hapjen e dosjeve të spiunëve.
Mazhoranca i rikthehet çështjes së hapjes së dosjeve të ish-sigurimsave, me idenë që këtë herë t‘i shkohet deri në fund këtij projekti, i cili ka më se dy vjet që fle në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë. Propozimi i Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe asaj Demokristiane do të shkrihen në një draft të vetëm duke iu bashkangjitur eksperiencave të vendeve të ndryshme evropiane që kanë ndërmarrë këtë proces. Partia Demokratike rikthen si çështjen kryesore të politikës së ditës hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe pastrimin e politikës. Për dy javët e fundit të Kuvendit për këtë legjislaturë deri më 15 korrik, politika pritet të miratojë ligjin për këtë çështje që ka dominuar politikën në këto 18 vjet demokraci. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i kërkoi Komisionit të Ligjeve me anën e një letre shqyrtimin me përparësi të propozimeve për projektligjin "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve" dhe kalimin sa më parë në seance plenare. Në letrën e saj, kryeparlamentarja Topalli shkruan se Partia Demokratike prej 2 vjetësh ka dërguar për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve projektligjin për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të administratës dhe të të zgjedhurve. Po ashtu edhe Partia Socialiste ka paraqitur projektligjin "Për verifikimin e të qenurit bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete të zyrtarëve të lartë të shtetit". Kryeparlamentarja kujton edhe një projekt të demokristianëve për kontrollin e figurës së personit zyrtar apo të emëruar në organet e rëndësishme të shtetit. Në letrën drejtuar Komisionit të Ligjeve të kryesuar nga Fatos Beja, një komunikim për ta bërë sa më zyrtare këtë lëvizje, Topalli kërkon shqyrtimin dhe kalimin sa më shpejt në seancë këto projektligje.
Në rast se këto drafte miratohen, atëherë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptarët do të mund të mësojnë nëse do të votojnë për një figurë të pastër politike që nuk ka qenë e përfshirë në organet sekrete të diktaturës komuniste, apo për të kundërtën nëse ata kanë dëshirë. Aktualisht, tri draftet për hapjen e dosjeve të ish-spiunëve ndodhen në zyrat e Kuvendit dhe pritet që ditët në vazhdim Komisioni i Ligjeve të marrë në shqyrtim kërkesën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për të mundësuar sa më shpejt kalimin e njërit prej drafteve në një nga seancat plenare.

Misioni

PD përgatit draftin përfundimtar për "spiunët"

Aktualisht janë paraqitur 3 projektligje për hapjen e dosjeve të ish-spiunëve në Kuvend. Partia Demokratike është duke ndërtuar një projekt final, duke përfshirë të tria draftet e PD, PS dhe PDK brenda. Si pikë referimi do të merret edhe legjislacioni i vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që kanë qenë nën regjime diktatoriale dhe e kanë kaluar procesin e hapjes së dosjeve. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka ngarkuar me këtë mision deputetin e PD-së, Aleksandër Biberaj, i cili do të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin e këtyre vendeve. Partia Demokratike kërkon që të paraqesë në fund të këtij sesioni parlamentar pikat kryesore për hapjen e dosjeve për t‘i kaluar më pas në seancë për votim. PD mendon se dy projektligjet e tjera nga Partia Socialiste dhe Partia Demokristiane janë të paplota.
Demokratët shprehen se ligji i ri nuk do të bëjë fjalë as për hakmarrje dhe as për penalizime, por do të krijohet për të vendosur disa rregulla të qarta loje që ish-bashkëpunëtorët mos të jenë në poste drejtuese.

Biberaj: Draft për hapjen e dosjeve të spiunëve brenda këtij viti

PD: Më 2009-ën, asnjë spiun i komunizmit s‘do të hyjë në Kuvend

Dosjet e ish-spiunëve të komunizmit do të hapen përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit 2009. Lajmi është konfirmuar nga zv/presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të KE, njëkohësisht deputet i PD-së, Aleksandër Biberaj. Partia Demokratike do të tregohet e kujdesshme në përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke lënë jashtë listës së kandidatëve të PD-së ata persona të cilët konsideron me njollë në biografi për shkak të komunizmit. Deputeti Biberaj është ngarkuar me mision nga Kryeministri Berisha që të përpunojë draftin e ri për hapjen e dosjeve të ish-sigurimsave. Sipas Biberajt, dy draftet e PS dhe PDK nuk janë të plota, ndërkohë që ai i Partisë Demokratike ka nevojë për disa modifikime në bazë të eksperiencave të huaja. Synimi i këtij drafti është që më 2009-ën nuk duhet të ketë asnjë deputet që rezulton me dosje sigurimi. "Drafti i PS dhe i PDK i paplotë, duhet të rishihen, ndërsa draftit të PD-së do i bashkëngjiten edhe kërkesat e Komisionit Evropian", u shpreh Biberaj. Deputeti Biberaj kërkon që kandidaturat për deputetë të jenë të përzgjedhura dhe të pastra nga dosjet e sigurimit famëkeq të komunizmit, por nuk kërkon penalizim të atyre personave. "Thjesht ajo që kërkon mazhoranca është fakti që të dalë e vërteta sheshit, por të mos ketë penalizime për këta persona, veçse s‘duhet të jenë në pozicione të larta të administratës", u shpreh ai.

Propozimet

PD, PS dhe PDK, prej dy vjetësh kanë dorëzuar në Kuvend propozimet e tyre për hapjen e dosjeve

Të përbashkëtat dhe ndryshimet e tri drafteve për ish-sigurimsat

Tri parti të ndryshme, me drafte pothuajse të njëjta për hapjen e dosjeve të ish-sigurimsave të shtetit. Diferenca e projektligjeve të Partisë Demokratike, asaj Socialiste dhe Demokristiane është shumë e vogël. E përbashkëta është që këtij procesi t‘i nënshtrohen të gjithë, deputetë apo zyrtarë të lartë, ndërsa diferenca është e vogël. Demokratët kërkojnë që të largohen nga postet drejtuese ata persona që kanë figuruar "spiunë" gjatë kohës së diktaturës, socialistët kërkojnë që "spiunët" në rast se e pranojnë një gjë të tillë, të mos konfirmohen dhe dosjet të arkivohen për të shmangur debatet, ndërsa demokristianët theksojnë që të ketë transparencë. Sipas tyre, spiunët duhet të identifikohen dhe më pas të jenë të lirë për të kandiduar për deputetë dhe në rast se elektorati do të vazhdojë t‘i votojë, ata të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit. Të tri draftet kanë të përcaktuar se Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, janë të detyruara t‘i paraqesin menjëherë komisionit, kundrejt kërkesës, të gjitha materialet arkivore të kërkuara.
Sipas draftit të PS-së, ndalohet publikimi i emrit të personit që gjendet ish-bashkëpunëtor, nëse ai ose ajo paraqitet vetë para komisionit dhe deklaron se do të japë dorëheqjen nga funksioni që mban, përpara se të bëhet publikimi i emrave. Ndërkohë që drafti i PDK-së kërkon që
ish-spiunët do të kenë mundësinë të kandidojnë për deputetë dhe në njësitë e qeverisjes vendore. Draftet kanë si synim që ish-spiunët dhe bashkëpunëtorët ndalohen të zgjidhen në postet drejtuese të shtetit shqiptar. Kontrollit do t‘i nënshtrohen Presidenti, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, nëpunës të nivelit të lartë dhe të mesëm. Kontrollit do t‘i nënshtrohen dhe gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, zyrtarët që zgjidhen e emërohen nga Presidenti, Kryeministri, ministri dhe Kuvendi. Për verifikimin e kontrollin e figurës së personit zyrtar ngrihet një komision i posaçëm pranë SHISH. Ky komision do të përbëhet nga inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit të Pasurive. Në përbërje do të jenë dhe katër anëtarë të emëruar nga Presidenti, me propozim të pozitës dhe opozitës me një mandat 5-vjeçar. SHISH i cakton mjediset e nevojshme komisionit për punë, si dhe vë në shërbim të komisionit, për aq sa është e nevojshme, zyrën e financës dhe të shërbimeve. Anëtarët e komisionit përfitojnë pagën në nivelin e drejtorit të Përgjithshëm në ministri, përfshirë edhe të drejtat që burojnë nga ai funksion.

Propozimet

Demokratët kërkojnë që të largohen nga postet drejtuese ata persona që kanë figuruar "spiunë" gjatë kohës së diktaturës, Socialistët kërkojnë që "spiunët" në rast se e pranojnë një gjë të tillë, të mos konfirmohen dhe dosjet të arkivohen për të shmangur debatet, ndërsa demokristianët theksojnë që të ketë transparencë, ku spiunët duhet të identifikohen dhe më pas të jenë të lirë për të kandiduar për deputetë dhe në rast se elektorati do të vazhdojë t‘i votojë, ata të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit.

Kërkesat
 
Të tri draftet kanë të përcaktuar se Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, janë të detyruara t‘i paraqesin menjëherë komisionit, kundrejt kërkesës, të gjitha materialet arkivore të kërkuara



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx