E hene, 29.04.2024, 04:17 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Prifti sërish në vendin e krimit i mbrojtur nga diplomatët grekë

E premte, 11.07.2008, 07:39 PM


Artan Hoxha

Pa u mbushur ende tremuaj nga publikimi i skandalit të zhvarrimeve, Mitropolia e Shenjtë e Gjirokastrës dhe diplomatët e vendit fqinj Greqisë, vendosën ta rehabilitojnë priftin e përmetit Vasil Thomollari, duke i dhënë një mbështetje të fortë edhe pse ai ishte marrë person i pandehur nga prokuroria. Më 15 gusht 2006 në kishën e Shën Mërisë, në Kosinë, pikërisht aty ku ishte kryer krimi makabër i zhvarrimeve, u krye një meshë ceremoniale me prezencën e shumë klerikëve të lartë të Kishës Ortodokse. Nuk mund të mungonin dhe diplomatët e vendit fqinj duke përfshirë konsullin e Gjirokastrës dhe ambasadorin grek në Tiranë. Prifti Thomollari u kthye serish në vendin e krimit, por këtë herë i veshur me veladon ceremonial dhe mbështetur haptazi nga ata që e kishin nxitur për të nxjerrë nga varri pleqtë dhe fëmijët e Kosinës. Një grup besimtarësh të Kosinës para kësaj ngjarje kishin firmosur një peticion ku kërkonin që prifti që nxorri nga varri eshtrat e të parëve të tyre të mos kthehej në fshat. Për ti dalë përpara revoltës së banorëve irrituar, komisariati i Përmetit thirri disa persona nga fshati, mes tyre varrmihësin Altin Ballabani dhe një grup fshatarësh që dy javë më parë kishin nënshkruar një peticion kundër priftit Vasil Thomollari. Në peticionin e publikuar në media kërkohej që shteti të mbante qëndrim dhe të ndëshkonte sipas ligjit personat përgjegjës për skandalin e zhvarrimeve në Kosinë. Po ashtu kërkohej që prifti Thomollari të mos paraqitej në kishën e Kosinës më datë 15 gusht kur zhvillohet ceremonia e përvitshme në përkujtim të Shën Mërisë. Prezenca e diplomatëve të vendit fqinj në këtë meshë bëri që Prifti Thomollari të kthehej në Kosinë nën mbrojtjen e policisë.

Peshkopi

Gjashtë muaj pas publikimit të skandalit të zhvarrimeve në Kosinë, ku u paraqitën fakte dhe dëshmi për implikimin direkt të klerikut më të lartë ortodoks në rrethin e Përmetit Ikonom Vasil Thomollari dhe Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, që e kishte nën varësi direkte këtë të fundit, kryepeshkopi Janullatos hodhi një tjetër hap. Peshkopata më e madhe e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Mitropolia e Shenjtë e Gjirokastrës, ishte e vetmja dioqezë që kishte mbetur pa drejtues të saj qysh nga viti 1991. Prania e minoritarëve grekë në hapësirën e mbuluar prej kësaj dioqeze ka bërë që ajo të shihet gjithmonë me interes të madh jo vetëm nga përfaqësuesit e interesave të shtetit fqinjë në Shqipëri por dhe nga drejtuesit e Kishës Ortodokse Greke. Pikërisht për këtë fakt kjo Mitropoli ishte e vetmja që mbeti pa drejtues për një kohë të gjatë. Statusi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare i miratuar në vitin 1937 parashikon që brenda 40 ditëve duhet të fronëzohet drejtuesi i çdo Mitropolie. Në rastin e Gjirokastrës vendi i peshkopit mbeti i lirë për më shumë se 15 vjetë. Për të mbuluar këtë vakuum, Kryepeshkopi Anastas kishte marrë përsipër të qëndronte në krye të saj me statusin e “Mbikqyrësit të Mitropolisë”.

Ceremonia

Për të dëshmuar se Kisha Ortodokse dhe klerikët e saj në jug të vendit nuk ishin njollosur nga skandali i zhvarrimeve, në fundin e nëntorit 2006 u organizua një ceremoni madhështore në kishën e “Kryeëngjëjve” në lagjen “18 shtatori” të Gjirokastrës. Kryepeshkopi Anastasios Janullatos në prezencën e Mitropolitëve të Korçës e Beratit fronëzoi priftin grek Hieromonak Dhimitër Sinaiti, Peshkop të Mitropolisë së Gjirokastrës. Ceremonia dhe mesha tradicionale u zhvilluan tërësisht në gjuhën greke edhe pse qindra besimtarë të mbledhur në kishën e “Kryeëngjëjve” ishin shqiptarë dhe flisnin gjuhën shqipe. Në meshë morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik të shtetit Grek në Shqipëri si dhe klerikë të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Gjatë ceremonisë ra në sy pjesëmarrja e priftit të Përmetit, Ikonom Vasil Thomollari, i cili ishte i pandehur në lidhje me skandalin e zhvarrimeve në kishën e “Shën Mërisë” në Kosinë si dhe e disa përfaqësues të lartë të Mitropolisë së Gjirokastrës, të cilët ishin akuzuar si të implikuar në skandalin e zhvarrimeve në Kosinë. Fronëzimi i mitropolitit grek në peshkopatën më të madhe të vendit prishi dhe ekuilibrat në Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, duke bërë që autoriteti i më i lartë i këtij komuniteti fetar të drejtohej në shumicë nga tre peshkopë me kombësi e shtetësi greke. Jo më kot në të ashtuquajturën kufiri ndarës i Vorio Epirit me Shqipërinë, Kisha Ortodokse ka investuar miliona euro për të ndërtuar objekte kulti madhështore edhe aty ku nuk kanë asnjë funksion fetar, madje ku nuk gjendet qoftë dhe një besimtar i vetëm. Këto objekte janë ndërtuar në anën e majtë të rrjedhës së lumit Vjosë, që përkon me kufirin imagjinar të Vorio Epirit, duke përfshirë dhe ndërtimin vitet e fundit të dy kishave në Tepelenë dhe Memaliaj.

Reagimi

Dy vjet pas publikimit të skandalit të zhvarrimeve në fshatin Kosinë të Përmetit, nuk është ndëshkuar asnjë prej autorëve, organizatorëve dhe ideatorëve të atij krimi makabër. Agjensitë ligjzbatuese të Shqipërisë dëshmuan dhe njëherë tjetër se janë të pafuqishme për të zbatuar ligjin ndaj personave të akuzuar që mbajnë mbi supe veladon fetar të Kishës Ortodokse apo kanë mbështetje nga qarqe diplomatike të vendit fqinj, Greqisë. Dhunimi i varreve të banorëve të Kosinës ishte vetëm kulmimi i një vargu incidentesh në zonën e jugut të vendit, sepse para dhe pas saj ka patur të tjera ngjarje që autoritetet shqiptare janë përpjekur ti kalojnë në heshtje duke u fshehur pas të ashtuquajturës “politikë e fqinjësisë së mirë”. Prokuroria e ndikuar nga ndërhyrjet e fuqishme politike brenda vendit dhe interferimi diplomatik nga fqinji jugor Greqia, nuk bëri gjë tjetër veçse e zvarriti hetimin deri sa ai u harrua dhe më pas e pushoi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora