E premte, 26.04.2024, 11:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Ukaj: Funksionalizimi universal i artit poetik

E merkure, 02.07.2008, 05:38 PM


Ndue Ukaj
FUNKSIONALIZIMI UNIVERSAL I ARTIT POETIK

Nga Ndue Ukaj
 
(Përkitazi me librin poetik me titull SPIRITUS, të shkrimtarit Fehmi Ajvazi. Botoi: T-Kom, Shkup 2007)

 
Poezia e krijuar në Kosovë e dy dekadave të fundit evokon një katrahurë të jetuar; katrahurë kjo që bart në vete strategjinë tekstuale në variante të ndryshme të këndimit dhe krijon një model të veçantë të komunikimit poetik, që ka ndikuar edhe në strukturën poetike, por edhe diskursin poetik. Poezia duke thirrur për katharsis, evokon në përmasa dramatike sintezën e përceptimeve dhe ndjenjave të jetuara në Kosovë në dy dekada të rënda klithmash e ankthesh të tmerrshme. Brezi i cili e shkruan këtë letërsi ka specifikat e veta, ato gjallojnë nga vargu në varg, nga poeti në poet në variante të ndryshme duke krijuar shumëllojshmëri stilesh e diskursesh poetike.
Diskursi i një mbretërie krijuese
“Poezia është e lidhur me retorikën: ajo është gjuhë që përdor pa masë figurat letrare dhe gjuhë që synon të jetë fuqimisht bindëse”- shkruan dijetari i letërsisë Jonathan Culler. Poezia e poetit elokuent, Fehmi Ajvazit sintetizon një paradigmë e cila synon të shkruaj librin e kujtesës, librin e ankthit poetik, në të cilën vetëm struktura poetike e shpirtit të poetit është dëshmitare, tamam në rolin e një orakull të magjishëm, që lojën dhe retorikën e fjalëve e vë në funksion të poetikës së tragjikes së jetës, të cilën e ka jetuar dhe të cilën me një stil të jashtëzakonshëm e ka transfiguruar në art poetik. Po ta kontekstualizojmë mendimin e studiuesit Culler në kuadër të poetikës së Fehmi Ajvazit, respektivisht librit të fundit të tij “Spiritues” (T-kom, Shkup, 22007), shohim se si ambiguiteti dhe simbolika e transfigurojnë tragjiken e jetuar në artin poetik, përmes gjuhës së simboleve, përmes metaforave dhe lojës intertekstuale në kuptimin shumëdimensional: “Shporta me mollë dhe gjarpërinj kush e solli / Trojanët a grekët zotat, Agamemnoni” ( Poezia: “Shporta me mollë dhe gjarpërinj”. Janë këto tipe figurash, si sajesa figurative që enden në poezinë e Ajvazit me një ritëm e simbolikë domethënëse, për të shprehur intencën për librin e ëndrrave: “Lulet i solli stina dhe fluturat njomështake / E lexova n’ëndërr një vjershë të Morisonit” ( Poezia: “Libër për ëndrrat”). Kjo intencë poetike bartë në vete një dimension të ankthshëm e dramatik. Më shumë se kudo në vargjet e sotme shqipe, në poezinë e Ajvazit ndjehet thellësia e përmasës së tragjikes së vargut, një tragjikë që merr statusin e estetikës tragjike, të një grotesku rrënqethës që parodizon një mynxyrë që përjetësohet në art me një stil të veçantë poetik. Poezia në trajta e vetërrëfimit “Vrasësit hyjnë në këtë libër” përshkon me tone vibruese gjendjen e poetit karshi kohës së pakohë: “Këtu ku jam dielli është i zi. S’ka dritë dhe shi të bollshëm për lule, për dashurinë njerëzore…Natë. Ligji natyror i qetësisë funebre ta kalb shpirtin. Ana Franku troket mbi rimat e përgjakura…”.
Përceptimet poetike të Ajvazit, tejkalojnë klithmat, fjalët janë goditëse, ritmi i poezisë është dramatik për të funksionalizuar katharsisin letrar aristotelian, sidomos në poezitë me trajta vetërrëfimi apo dialogu, ku poeti bashkëbisedon me qenien e dashur, të cilit i lihet testament libri i lirisë, i shkruar me simbolet e vetëflijimit, me ironitë e hidhura: “Të keni ngrohtësi shpirti në mendje / Dhe liri për të tjerët/ Është mirë njerëz / Pakëz dashuri t’i falësh një lypësi / Dhe pak ujë udhëtarit në shkretëtirë” ( Poezia: “Hiri i testamentit”). Kjo trajtë e poezisë, ku poeti funksionalizon edhe diskurse kulturore e letrare të njohura (Linda Hacion), realizon njërin nga funksionet themelore të shkrimit: sforcimin e diskursit personal, një diskursi që kërkon të shkruaj mbretërinë e artit, me ngjyrat e së bukurës sublime, me kategorinë e madhërishme estetike, brenda një konteksti të zymtë: “Arti i të lexuarit dhe kujtesa, janë bibla e jote” ( Poezia: “Fytyra e lirisë”). Fjala poetike e Avazit, është e brumosur me simbole, me kode e diskurse letrare që vijnë nga përvojat më të mira të artit, që shprehin në tërësi ambiguitetin e gjuhës dhe kuptimit, një ambiguitet ky që ka funksione të posaçme letrare e intencionale, sepse: “Të dashurit e mi: mos i trazoni muzat e Artit Tim. Në Betlehem ka strukturë shpirti… Ky është një tregim poetik që mrumuran në mua dhe vret në histori. E jeta është ajo që vetëm na kujtohet…” (Poezia: “Fytyra e lirisë”). Poeti duke funksionalizuar trajtat e ligjërimit biblik, ideve të tija ju jep konotacione ambivalente, ndërsa shprehjes, përmasa universale. Në të vërtetë, poezinë e tij e përshkojnë figura dhe ngjarje biblike në planin ideor dhe stilistik, kur hibridizon këtë diskurs me atë antik:” Pacienti është pavetëdije / Shpirti në komë arti liria / Shih si tallen laviret në Eden / Gjarpërinjtë kthehen në Katergjenë” ( Poezia: “Identiteti asket”).
Ajvazi: një ndër penat më të fuqishme të poezisë së sotme shqipe
Poezinë e Ajvazit e karakterizon fuqishëm loja me simbole, me kode dhe diskurse të njohura, sidomos me ato biblike e antike, që gjejnë një shprehje të kondenzuar brenda vargjeve të përshkuara nga një retorikë e mrekullishme figurative, nga mendime të thella dhe filozofike. Poeti përzien forma të ndryshme të këndimit poetik. I shënjuari dhe shënjuesi poetik i Ajvazit, përshkon traditën e pasur të lëvrimit të vargjeve, ato të poezisë simboliste, bredh në traditën e poezisë klasike, në atë surrealiste e postmoderne, për të funksionalizuar gjitha përvojat në drejtim të intencës poetike të diskursit personal, që është origjinal.
Një ndër krijimet më të bukura, madje do thosha një poezi antologjike është vjersha e gjatë “Faktura e krimit” (Homerit), ku autori përmes personazhit të Homerit rrëfen, bashkëbisedon me te, fletë me muzat e tij, me Zotin e Natyrën, me Borhesin e Markezin për një gjendje të mjerë, në kohën kur më shumë ka bordele se biblioteka, kur arti mëshirohet nga injorantë. Imazhet e kësaj poezie janë një dëshmi e pjekurisë së lartë të poetit, të një stili të jashtëzakonshëm të vjershërimit, ku vargjet janë të lidhura me figura, mendimet me mesazhe si mishi me thua: “Homer: rri aty me gjenitë dhe këndo për ne / Një këngë që s’vdes kurrë pakëz art mbëlto / Errësira që ti njoh si askush mbeti mort /…Ti rri atje këndoje një këngë të ylltë-kozmike / Rrugët janë me lypsa me kamikazë me prostituta / Përplot bërllok shekujsh janë s’ka shporta bol l /S’ka shporta ku mund të hidhet urrejtja krimi / Ku t’i fshehim sytë librat kripën plus-dashurinë?”. Këto vargje që sollëm si ilustrim janë dëshmi se Fehmi Ajvazi ka potencë të madhe krijuese. Ai është një ndër penat më të fuqishme të poezisë së sotme shqipe, një poet brilant që ka talent, sens e dije poetike të formuara me kulturë të lartë leximi. Janë këto vargje që theksojnë atë që thotë Jonathan Culler se, “në lirikë, poeti në këndim dhe himnizim, u kthen shpinën dëgjuesve të tij për të folur kështu, dhe ’shtirë të jetë’ duke folur me veten ose me dikë tjetër: një shpirt i natyrës, një muzë, një dashnore, një Zot, një përsiatje e mishëruar, ose një objekt natyre”.
Modeli ritmik dhe rima, sikundër edhe simbolet e shumta të fuqizuara me funksionet intertekstuale, luajnë një rol të posaçëm në konstuktimin e vargut të Ajvazit. Poeti, siç e thamë është mjeshtër për të shfrytëzuar si margaritar të rrallë dy eksperienca që ja jep bota e madhe e letërsisë: kulturën letrare antike dhe përmasat e lavdishme të saj, si dhe diskursin biblik, me semantikën dhe paradigmën kuptimplote. Këto soje diskursesh, në poezi sajojnë edhe dy modele të veçanta të ligjërimit poetik. Për t’u pikasur tragjikja e jetës së poetit në dy dekada të liga në dheun e tij, shfrytëzon simbolet, retorikën e vargut antik, një galeri heronjsh e figurash që nga Homeri, ndërsa për t’iu dhënë këtyre kuptim ekuivok në një kontekst specifik letrar, i pasuron me ngjyra biblike. Kjo e fundit edhe njëherë dëshmon se kodi dhe diskursi biblik, si retorikë e tekstit dhe si model letrar, predominon letërsinë shqipe qe pesë shekuj të ekzistimit dhe në qenësinë e saj luan një rol të rëndësishëm estetik-letrar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora