E shtune, 27.04.2024, 02:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Gjergji: Natyrshëm, si ndjenja

E premte, 25.10.2013, 08:49 PM


NATYRSHËM, SI NDJENJA

- Mbi librin me tregime : Dashuria çel në Prill-  të Drita Lushi-t-

-Ekskluzivisht per ZSh-në, nga Demir GJERGJI-

Në botën e sotme, të krijuar nga njeriu, komunikimi i përzemërt dhe i sinqertë, i natyrshëm dhe pa shtirje e butafori, fjala e dhënë dhe paraqitja e vetes ashtu siç je, me të mirat dhe cenet, është pothuaj, e pamundur. Marrëdhëniet në bazë të interesave, stresi i jetës metropolitane, globalizmi, virtualizimi i komunikimit, kanë krijuar te njeriu një tjetër format sjelljeje dhe etike, të ndryshëm nga ai i dekadave më parë, kur mendimi thuhej troç e pa doreza, kur fjala e dhënë ishte ligji moral, që duhej respektuar.

Sot, prakticizmi dhe pragmatizmi zor të lenë shteg për hapësira shpirtërore. Ndjenjat dhe emocionet e vërteta, lotët dhe të qeshurat, malli dhe pikëllimi për humbjet…i përkasin një kohe tjetër. Botës po i shteren jo vetëm burimet e tokës, por edhe lotët. Kjo dukuri ka hyrë deri edhe në marrëdhënien më të shenjtë të njeriut, te dashuria.

Por shkrimtarja Drita Lushi, në këtë libër me tregime, na thotë se ky nuk është fatalitet. Se shpirti i njeriut mbetet në thelb i paprekur, se në thellësi të tij, në rrethana e situata të caktuara, ndjenjat gjejnë mënyrë dhe formë për të shpërthyer dhe për t’u shfaqur.

Kështu, humanizmi i vërtetë, dashuria e vërtetë, deri në shenjtëri, dhimbja dhe loti i saj, malli dhe hiret që i jep ai fytyrës njerëzore shfaqen me tërë mrekullinë e tyre.

Si shumë shkrimtarë të tjerë, botërorë e shqiptarë, edhe Drita vjen në prozë nga poezia! Por, ndryshe nga shumëkush prej tyre, që e shkrijnë poezinë në stilin vet si figuracion dhe strukturë shkrimore, Drita merr prej vjershërimit dhe e fut në prozë, ndjenjën, emocionin, ritmin e të rrëfyerit, sinqeritetin e komunikimit me lexuesin, kulturën e të shkruarit, ritmin e frazës dhe, sidomos, çiltërsinë e të shprehurit të ndjenjave.

Është shprehur mendimi, që letërsia e femrave, me gjithë kulmet e saj, gjithsesi, vuan nga një lloj inferioriteti shoqëror, të cilin e provon vetë femra, në përgjithësi.

Për shembull, këmbëngulin mbrojtësit e këtij mendimi, në letërsinë “e burrave” mund të gjesh lirshëm skena pornografike, kurse në letërsinë femërore, kjo është pothuaj mollë e ndaluar. Por te Drita, si te rrallë shkrimtare të tjera, nuk vuan nga komplekse të tilla, përkundrazi, në tregimet që përbëjnë lëndën e këtij libri, ka një lirshmëri të admirueshme të të thënit të gjërave, ka një lirizëm emocional të mënyrës se si ajo i shpreh ato, ka një përzemërsi komunikimi me lexuesin dhe, në këtë mënyrë, proza e saj të bëhet e dashur, si pjesë e jetës dhe vetes tënde. Ajo përcillet me etje gjatë leximit dhe mbahet mend gjatë, pas tij.

Mendoj, se libri: “Dashuria çel në prill” do të jetë ndër ato libra, që nuk blihen dhe vendosen në raftet e bibliotekave për të fjetur aty, por do të kalojë dorë më dorë të lexuesve, për t’u lexuar e rilexuar. Autorja e këtij libri është e drejtpërdrejtë, e saktë dhe lakonike në prozën e saj. Ajo hyn me guxim në thellësitë e shpirtit femëror te personazheve,duke i shfaqur ato, si në nje pasyrë para lexuesit, ashtu siç praqet  dhe botën “burrërore” edhe me dobësitë e saj.

Tregimet  e Dritës nuk jane aksione të drejtpërdrejta. Me fjalë të tjera, aty nuk shkrehen armë, nuk derdhet gjak, nuk ka tragjedi e fatalitet.

Lënda e këtyre tregimeve, që shpesh duket se vjen nga ngjarje të përjetuara, është plazma e vetë ekzistencës njerëzore, e shoqërisë në lëvizjen dhe zhvillimin e saj, apo në degradimin dhe prapaecjen e saj. Falë një lirizmi plot ndjeshmëri dhe një njohjeje të hollë të asaj bote apo kohe, për të cilën shkruan, Drita arrin ta bëjë tërheqës librin, duke e marrë lexuesin miqësisht për dore dhe duke e çuar në mjedise, kohë dhe situata, të cilat të gjithë mund t’i kemi përjetuar, por që nuk na ka shkuar ndërmend, se mund të jenë kaq interesante edhe për të tjerët.

Personazhet e këtyre tregimeve janë nën pushtetin e njerëzores. Drita “harron”, apo nuk dëshiron fort merret në rrëfimet e saj, me të keqen, as t’u bëjë vend njerëzve që përfaqësojnë atë. Ajo lufton për misionin e saj si shkrimtare me të mirën, me të bukurën, me fisnikërinë.

 Tregime të tilla si “Vals me të bardha”, “Shatë ditë”, “Alo” “Sara”, “Fytyra e ditës”, ”Ajo dhe ai" e dëshmojnë më së miri këtë. Drita nuk është skllave e një forme të caktuar klasike në prozën e saj. Ajo është gjithnjë ne kërkim dhe përkujdesje për forma të ndryshme të prozës. Dhe ky synim i jep krijimtarisë së saj një frymë moderniteti të domosdoshme për kohën dhe lexuesin e sotëm, i cili, duke qenë gjithnjë i kërcënuar nga mënyra të ndryshme të paraqitjes së artit bashkëkohor, kërkon edhe në letërsi diçka përtej traditës letrare, qoftë kjo edhe e vyer për kohën që është shkruar.

Paraqitja e krijimeve të saj herë si etyde, herë si “piktura pa penel” , herë si bocete, apo “trille”, herë si përshkrime të drejtpërdrejta, jenë dëshmi tjetër, që na dëshmon, se ajo vjen nga poezia, jo për të na çuditur me figura moderniste, por për ta thënë letërsinë e saj më mjeshtërisht dhe më me dinjitet në prozë.

Në fund mund të themi, se disa prej prozave të këtij libri, i kalojnë përmasat e tregimeve, duke iu afruar kështu zhanreve më të gjata, siç janë novela apo romani. Kjo na bën të shpresojmë se pena e Dritës do të vazhdojë të synojë drejt përmasave më të mëdha të letërsisë. Të shpresojmë, por më së pari, të shijojmë këtë libër që kemi sot ndër duar.

-Ekskluzivisht per ZSh-në, nga Demir GJERGJI, Tiranë, tetor, ’13-



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora