E premte, 26.04.2024, 12:22 PM (GMT+1)

Mendime

Ali Cenaj: Kosova është Kosovë!

E premte, 25.10.2013, 06:21 PM


Kosova është Kosovë!

 

Nga Ali Cenaj

        

Veni, vidi, vici, do të thoshin latinët e moçëm. Edhe Erdogani, miku dhe vëllai i shpallur i kryeministrit tonë, erdhi, pa dhe shkoi!

Ç’është e vërteta, na la prapa një shije jo fort mirë kur gjoja miqësisht na tha se “Kosova është Turqi e Turqia është Kosovë”. Diçka që në kontekstin e ndërdijes së atyre që jo shumë moti të njëjtën thënie e kishin dëgjuar, por në një gjuhë tjetër të pushtuesit të deridjeshëm, mund të ketë përçuar mesazhin e gabuar. Andaj edhe u prit me aq reagime, me breshëri shigjetash, si në rrethimin e Shkodrës, sipas Barletit.

I rrethuar me aq ngrohtësi dhe gjithë ata njerëz që po e prisnin e përshëndetnin me flamuj e duartrokitje në qytetin ku, e tha edhe vetë, kryeministri turk po ndjehet si në shtëpi të vet, mund të ketë marrë mesazhin e gabuar. Kryeministri të cilit nganjëherë i rrëshqet edhe ndonjë neootomanizëm, mund të ketë pasur edhe suflerë të këqij. Nga ata që nuk përtojnë që padronëve të vet gjithmonë t’ua thonë atë që e dinë mirë atyre u pëlqen t’ua dëgjojë veshi.

Dhe gabimisht mund t’i kenë pëshpëritur në vesh se ata që po i duartrokisnin atje poshtë, duan të dëgjojnë mu atë që ua tha. Se Kosova është Turqi. Se ata që po skuqnin shuplakat me duartrokitje, tash e 100 vjet nuk duan tjetër veç Babën. E duan Babën mbret. Si dikur që lloji i tyre gërvalleshin pas gërmadhave të krijesës që pas pesë shekujsh bashkëjetese me të nënshtruarit e vet, po rikthehej përtej Bosforit, duke lënë shqiptarët, vëllezërit e sotëm të vendit trashëgimtar, në kasaphanën ballkanike të radhës.

Në pozitë që nuk jepte as shpresë se nga shqiptarët do të mbetej gjë. Përveç, ndoshta, ndonjë gjurme si specie që do të shërbente për studime të një populli me fatin e popujve të shumtë që, jo një herë në histori mund të kenë bërë gabimin fatal dhe të jenë zhdukur. Shqiptarët, megjithatë, çuditërisht mbeten.

As kur po i shihej fundi i qartë, edhe pse mund të ishte edhe në interesin e saj, e sëmura e Bosforit nuk deshi as të dëgjojë këshillat e Austro-Hungarisë që nga katër vilajetet shqiptare me mbi 98 mijë kilometra katrorë të lejojë formimin e një vilajeti të vetëm, me një lloj autonomie siç iu ishte lejuar popujve tjerë, serbëve, grekëve, bullgarëve, malazezëve. Ashtu që edhe shqiptarët të prisnin më të përgatitur shthurjen e krizës së përgjakshme.

Por, jo. Përkundrazi, veç vëllezërve që i zbuluan tash së voni, nuk u lejohej asgjë që mund të bënte me identitetin nacional. Shkolla, alfabeti, kisha etj. u lejohej grekëve, serbëve, bullgarëve por çuditërisht u ndalohej shqiptarëve që, ç’është e vërteta , kishin shkuar tepër larg në “bashkëjetesë” me pushtuesit të cilët sot gabimisht mund të identifikohen me Turqinë e kryeministrit Erdogan.

Me gjithë asociacionet që mund të zgjojnë metaforat si kjo e fundit e kryeministrit Erdogan, Turqia e sotme në kontekstin kohor është krejtësisht e ndryshme. Jo vetëm Kosova e shqiptarët por edhe rajoni ka nevojë për forcë balancuese mes tri qendrave me influencë në popujt e rajonit. Moskës prapa ortodoksëve, Vatikanit dhe vendeve tjera me ndikim prapa katolikëve dhe, siç po duket, Ankarasë prapa popullatës islame në këtë rajon.

Edhe atyre që mund ta kenë marrë siç mund ta kenë kuptuar vetë thënien se Kosova është Turqi, mbase u kujtohet se kur më 1997 ushtarët grekë me një këmbë ishin futur në Shqipëri, Turqia ishte ajo që e kërcënoi me luftë të hapur.

Erdogan ishte këtu, pa dhe shkoi. Paramendojeni, si do të pranohej sikur, për shembull, Merkel, Hillary apo dikush tjetër të kishte thënë në mes të Prishtinës të njëjtën: Se Kosova është Gjermani, Amerikë, etj. Kujt do t’i pengonte.

Edhe dje, të nesërmen e largimit të kryeministrit Erdogan dhe suitës së 600 zyrtarëve që e shoqëronin, nuk ka ndryshuar gjë. Kosova edhe dje, siç ishte edhe pardje e gjithmonë, mbeti Kosovë. Me të gjitha hallet e interesat veta. Deri te interesat meskine të kryeministrit tonë për të fituar sërish Prizrenin.

As Turqia s’u bë Kosovë e as Kosova s’u bë Turqi.

Kosova me një minoritet turk të diskriminuar pozitivisht, me shkolla e institucione të tjera, edhe pse proporcionalisht shumë më të vogël se gjashtë milionë shqiptarët në Turqinë e Erdoganit. Ata, arnautët, që për shkolla e të drejta tjera nacionale as që mund të mendojnë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora