Editorial » Entela
Entela Binjaku: Të jesh i moshuar në Shqipëri
E hene, 07.10.2013, 08:00 PM
Të jesh i moshuar në Shqipëri
Nga Entela Binjaku
Edhe në këtë
rast, nxitja për të shkruar lindi nga një episod i shkurtër i para disa
kohëve. Një grua, e thyer në moshë, më drejtohet në rrugë, për një program
televiziv ku merrja pjesë, “se nuk i shohim dot, nuk na bën zemra, nuk kemi
dëgjuar ndonjëherë nga këto gjëra. Pleq jemi, nuk kemi ku të shkojmë, do rrimë
t’i shohim”…ishte fjala për një program gjatë të cilit temat që trajtoheshin
lidheshin me aktualitetin apo “kronikën” siç i quajnë sot. Sigurisht tematika e programeve televizive,
impakti i tyre në njerëz mund të jetë
subjekt për një tjetër shkrim, por nuk është ky qëllimi në këtë rast.
Të shkruash për
të moshuarit nuk është aspak e lehtë, sepse të duhet të vendosësh veten në një
situatë, në të cilën nuk dëshiron të
jesh. Mund të kem provuar të jem në shumë gjendje të tjera shpirtërore, por jo të jem e moshuar. Sepse sipas
meje, mosha është një gjendje
shpirtërore, por që fiziku nuk i vjen
shpesh herë në ndihmë.
Mund të jetë e
lehtë t’i përshkruash si janë të moshuarit, si jetojnë ata, por sesi ndjehen??
Kjo më duket shumë e vështirë! Vetë nuk ja arrij dot, por dëshmitë e të
moshuarve në shumicën e rasteve tregojnë se ata vuajnë pamundësinë e
aktivitetit fizik dhe kryesisht problemet me shëndetin.
Të jesh i
moshuar në të shumtën e rasteve do të thotë të jesh thinjur, fjalëëmbël, që ke
jetuar shumë përvoja në jetë, që vështron më shumë nga e kaluara sesa nga e
ardhmja, që ke një shtëpi të mbushur me gjithëfarë lloj sendesh, që rri
gjithë ditën para tv, do të thotë të shëtisësh veshur plot ngjyra, do të thotë
të thotë të kesh rrotull nipër e mbesa,
do të thotë të kesh gjithë kohën për të shkuar ku nuk ke mundur të shkosh më
parë, do të thotë të kërkosh ndonjë
qendër rehabilitimi nëse nuk ndjehesh mirë etj. etj..
Por të jesh i
moshuar në Shqipëri, nuk është tërësisht kështu. Përveç aspektit fizik dhe atij
moshor, pjesa tjetër më duket tërësisht e ndryshme nga një i moshuar që jeton
diku në Evropë ose në perëndim.
Të jesh i
moshuar në Shqipërinë aktuale do të thotë të trishtohesh për ato që nuk mund
t’i kesh, por të mos ankohesh kurrë. Nuk
ke ku të ankohesh. Nuk ka kush të të dëgjojë apo të të kuptojë nevojat e tua.
Fëmijët?? Nuk kanë as ata mundësi të të plotësojnë ato që natyrshëm të
nevojiten.
Të jesh i
moshuar në Shqipëri do të thotë të presësh me orë të tëra në disa “dhomëza” të
tejmbushura ku shpërndahen pensionet. Shërbimi është i pamjaftueshëm dhe nuk
është menduar as për stereotipin e sjelljes së një të moshuari. Po të ishte
menduar, nuk do të kishte ato radhë, nuk do të vononte ai shërbim..
Të jesh i
moshuar do të thot që po të jesh i
sëmurë, mjekimin nuk e merr asnjëherë të plotë..kushton aq sa pensioni nuk mjafton. Do të marrësh
vetëm ato që mund të rimbursohen nga shteti, por edhe ato janë fare pak. Ose
dhe kur janë, i merr me pasigurinë e ndonjë prodhimi që nuk e di nga vjen. Të
jesh i moshuar në Shqipëri, nuk e ke as këtë qetësi.
Të jesh i
moshuar në Shqipëri do të thotë të ikësh edhe i uritur nga kjo botë, pensioni
është aq i pakët sa shumëçka nuk mund as ta mendosh.
Të jesh i moshuar
në Shqipëri do të thotë dëshira për të shëtitur të jetë vetëm për disa…të
tjerët, shumica, as nuk e ëndërrojnë. A
mos po shkruaj gjë për të varfërit?
Po, të jesh i
moshuar në Shqipëri je i varfër. Por kur je dhe i varfër dhe i sëmurë..kush do
të gjendet pranë?
Të jesh i
moshuar në Shqipëri do të thotë që të vuash mungesën e fëmijëve, dhe fëmijëve
të fëmijëve… …nuk ka rëndësi sa larg..por janë larg.. Emigracioni ka prekur
thuajse çdo familje shqiptare. Nëse je i moshuar, i varfër dhe je dhe vetëm...kush do të kujdeset për ty?
Të jesh i
moshuar në Shqipëri do të thotë të kesh jetuar më gjatë në atë regjim, por
mjaftueshëm edhe në këtë “sistem” që përngjan më shumë me një regjim njerëzish që shtetin e
përdorin të kujdesen për veten dhe të
afërmit e tyre. Ke jetuar mjaft sa të kuptosh sesa të vëmëndshëm kanë qenë ndaj
teje. Në atë regjim jetove varfërinë,
por në këtë regjim, veç varfërisë po jeton edhe indiferencën shtetërore. E meqë
jemi tek indiferenca,si të mos e quash të tillë kur duke parë si ka ndryshuar
struktura familjare, duke pranuar
ndryshimet në mënyrën e jetesës së shqiptarëve, duke ditur sa shumë kanë
emigruar, shteti lë në këtë situatë të mungesës së shërbimeve sa e sa të
moshuar, të cilët po vuajnë edhe vetminë veç të tjerave.
Aktualisht rreth
1000 të moshuar në vend marrin shërbime në qendra rezidenciale ditore dhe jo
ditore, nga sektori publik, jopublik dhe i organizatave jofitimprurëse. Vetëm
kaq!
Dhe këto të nuk
i gjen gjithandej ku nevojiten, por vetëm të grumbulluara, a thua se nuk
jetojnë të moshuar në çdo cep të vendit. Panorama aktuale e shpërndarjes së shërbimeve të tilla është kjo:
6 institucione
rezidenciale publike për 266 të moshuar në qarkun e Tiranës, Fierit, Shkodrës,
Gjirokastrës.
7 Qendra
rezidenciale jopublike me 160 të moshuar ku 4 prej tyre janë qëndrat
“Misionaret e Bamirësisë Motrat Nënë Tereza” në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe
Shkodrës. Dy qëndrat e tjera rezidenciale janë qendra që ofrojnë shërbime
kundrejt pagesës.
5 shërbime
ditore publike për 240 të moshuarit në qarkun Tiranë, Durrës, Vlorë, Kukës dhe
Elbasan. Nga ana e OJF-ve ofrohen 9
shërbime komunitare dhe shërbime alternative për të moshuar që trajtojnë 290
përfitues.
Institucioni
përgjegjës për hartimin e politikave sociale në Shqipëri është Ministria e
Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, e cila që prej kësaj
fillimvjeshte ka ndryshuar emërtimin dhe drejtimin mbi një filozofi të re të
premtuar.
A nuk do të
duhej që shërbimi social shtetëror të mos ishte më një gjë kaq e largët? A nuk
do të duhej që shërbimi social të vinte edhe në komunitet, pranë dhe në ndihmë
të njerëzve në nevojë por që janë edhe të moshuar njëkohësisht?
A nuk do të
duhej që të aplikoheshin politika punësimi dhe programe kundër varfërisë të
atilla që të ndjeheshin edhe në mënyrën e të jetuarit të një të moshuari?
Po a nuk ka
kontribuar mjaftueshëm ky i moshuar shqiptar në atë regjim dhe në këtë “sistem”
sa së paku të gëzojë dinjitet njerëzor në këtë pjesë të jetës?
Një studim i
fundit i OKB-së deklaron se Suedia është vendi ku një i moshuar jeton më mirë,
dhe Afganistani vendi ku një i moshuar jeton më keq. Kjo renditje është bazuar
në nivelin e të ardhurave, cilësinë e shërbimit shëndetësor, kushtet mjedisore
në të cilat jetojnë.
Unë një të
moshuari në Afganistan i shtoj edhe keqardhjen e madhe për situatën e
konfliktit në të cilën i duhet të jetojë, por edhe një i moshuar në Shqipëri
nuk është dhe aq larg atij realiteti..së paku në këto indikatorë të cilët
flasin për mënyrën dhe cilësinë e jetës,
por jo më pak edhe për përvojën jetësore të një të moshuari shqiptar që
ka jetuar dhe vazhdon të jetojë në kushte të vështira.