Editorial » Entela
Entela Binjaku: Vetëvlerësimi në vendin e punës
E marte, 13.08.2013, 08:10 PM
Vetëvlerësimi në vendin e punës
Nga Entela Binjaku
Pas
viteve ´90 zhvillimet shoqërore në vendin tonë njohën shumë risi të lidhura me
tregun e punës. Profesione të reja, profesione drejt humbjes, papunësia
gjithashtu krijuan një tjetër tablo jete për të cilën shoqëria shqiptare ishte
thuajse e papërgatitur. Megjithatë, modelet e vendeve të emancipuara duhet të
mbeten udhërrëfyese për të trajtuar shumë prej situatave të krijuara, pasi ato
kanë kaluar nëpër situata të tilla, kohë më parë. Panorama aktuale në vendin e
punës tek ne, është e trishtë. Njerëzit vetëmjaftohen me gjetjen e një vendi
pune, çështje të lidhura me vetëvlerësimin as nuk trajtohen si shqetësim,
përveçse në biseda private e informale.
Në
psikologji është një fushë e veçantë që merret me mënyrën sesi sillen njerëzit
në vendin e punës, psikologjia e punës.
Ndërkohë që në vendet e emancipuara kjo fushë ka njohura sfida të reja të
progresit, tek ne është tërësisht e panjohur. Me fjalë të tjera, për aq kohë sa nuk e kemi një degë të posaçme
kushtuar studimit të sjelljes së njeriut në punë, mirëqënies së tij në vendin e
punës, do t´i referohem vëzhgimit
sociologjik, apo intervistave që zhvilloj me njerëz të ndryshëm.
Kështu në
cilindo vend pune qoftë, dihet se vendosen përballë psikologjia, personaliteti,
rrethanat dhe kultura vetjake e të angazhuarve, për këtë arsye hera-herës
vetëvlerësimi i lartë është shumë i nevojshëm pasi mund të lehtësojë shumë prej
barrierave që mund të krijohen mes aktorëve. Vetvlerësimi në punë tregon se
njerëzit janë më të motivuar dhe më të përkushtuar ndaj aktivitetit që kryejnë
dhe vetë ata nuk i dëshirojnë situatat e krijuara për hir të dallimeve që përmendëm.
Kultura e
vetëvlerësimit në punë është shumë e nevojshme, por kjo kërkon padyshim
investim të madh nga ana e aktorëve. Në kushtet kur pagat janë të ulta, mungon
stimuli moral, promovimet janë selektive apo preferenciale të pajustifikuara
aspak, vështirë të nxisësh vetvlerësimin në punë. Në shumë prej kontakteve të
mia të përditshme, zor se gjej njerëz kaq të motivuar dhe vlerësuar ne vendin e
punës, edhe për arsyet e sipërpërmendura.
Në
shoqëritë moderne të qenët në punë është e rëndësishme për ruajtjen
vetëvlerësimit. Edhe kur kushtet e punës nuk janë të dëshiruarat dhe detyrat që
duhet të kryhen janë larg atyre që
preferohen, puna ka prirjen të jetë
faktor strukturues në ndërtimin psikologjik të njerëzve. Por këto shoqëri
punojnë shumë në drejtim të ndërtimit të një atmosfere pune të atillë që të
shërbejë si motivuese për vetëvlerësimin e njerëzve në vendin e punës. Tek ne
ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim dhe kërkon një seriozitet të lartë në
trajtimin e dukurive që lindin nga mungesa e vetëvlerësimit në punë.
Puna
është një ndër aktivitetet e rëndësishme të jetës së njeriut dhe për të gjitha kulturat shoqërore është
baza e sistemit ekonomik. Ajo duhet të
jetë burimi i mirëqënies, i dinjitetit dhe prestigjit social për këdo. Por kjo
kërkon një nivel të caktuar të besimit tek vetja për të kryer më së miri
angazhimin si punëdhënës apo dhe punëmarrës. Kurajoja, durimi, drejtësia,
kujdesi ose maturia së bashku e bëjnë një njeri të virtytshëm profesionalisht,
por në kushtet e mungesës së besimit tek vetja, ky virtyt zor se mund të
arrihet. Cilado punë qoftë, kur kryhet në mënyrë ciklike ndikon dukshëm edhe në
vetë formatimin psikologjik të njeriut, por dinamizmi i jetës shoqërore e ka
vënë shoqërinë tonë përballë situatave të reja të gërshetuara me kërkesa dhe
problematika të panjohura që kërkojnë latimin e disa tipareve të veçanta
të personalitetit, siç është vetëbesimi, kurajoja, devotshmëria etj.
Në një
mjedis të caktuar pune, mungesa e ekuilibrave apo dhe prishja e tyre midis
pjesëve mund të ndikojë mjaft në uljen e besimit tek vetja, ashtu sikundër
vetëvlerësimi tek punonjësit e këtij mjedisi mund të ndikojë në ruajtjen dhe
vendosjen e këtyre ekulibrave.
Parë në
këtë këndvështrim, vetëvlerësimi do të ndihmonte shumë në krijimin e një profili
shumë të dobishëm nga ana e kolegëve në një vend pune. Por edhe pa e trajtuar
në këtë mënyrë një individ me një nivel të lartë të vetëvlerësimit për aq kohë
sa është në ekulibër dhe nuk shkon në sjellje delirante, mund të kontribuojë
edhe vetë shumë në drejtim të vlerësimit nga ana e kolegëve. Rëndësia e
vetëvlerësimit rritet në rastet kur ajo reflektohet në efikasitet në punë i
njohur edhe nga kolëgët. Puna nënkupton përpjekje mendore dhe fizike që çojnë
në prodhimin e të mirave dhe shërbimeve për plotësimin e nevojave tona
shoqërore; besimi tek vetja, vetëvlerësimi do t’i bënte të angazhuarit shumë më produktivë . Në konceptin që kemi ne, me
punë ne njohim vetëm atë që paguhet, por të mos harrojmë që punët e shtëpisë
dhe ekonomia jozyrtare janë elementë të rëndësishëm të punës së papaguar me
rrogë, por që japin një kontribut të konsiderueshëm në të ardhurat e
përgjithshme. Në këtë këndvështrim duke parë këtë shkallë të lartë të njerëzve
të papunë, ose të grave të paangazhuara në punë jashtë familjes, do të thoja që
vështirë të flasësh për vetëvlerësim. Në Kushtetutën e vendit tonë nëpërmjet
nenit 49, sanksionohet e drejta për t'u punësuar: “Çdo njeri ka të drejtë të
fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme qe e ka zgjedhur ose pranuar
vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës si dhe sistemin e
kualifikimit të vet profesional ”. E
pavarësisht kësaj në vendin tonë papunësia është në shifra shumë të larta dhe
vështirësitë për gjetjen e një vendi pune gjithashtu janë shumë të mëdha. Në
këto kushte, puna dhe vlerësimi në vendin e punës merr një rëndësi edhe më të
madhe. Përvoja ka treguar që njerëz me besim të lartë tek vetja, e kërkojnë më
shumë suksesin në vendin e punës; shpesh
herë kjo mund të përkthehet në të ardhura më të mira dhe një mënyrë të jetuari
më të mirëqenë.
Nga ana
tjetër, për shumë prej nesh mënyra kryesore e nxjerrjes së burimeve të
nevojshme për jetësën mbetet puna e
paguar, kështu që sa më të suksesshëm të jenë në nivelin e të ardhurave, aq më
të mirëqenë e kanë jetën. Në kushte
të tilla, edhe vlerësimi për veten është i më i
lartë. Shoqëritë moderne e çmojnë të
qenët në punë si një ndër mundësitë e njeriut për të qenë i vetëvlerësuar. Për
këtë arsye hartohen politika të tëra dhe vizionare që synojnë punësimin apo
arsimimin e vazhdueshëm. Analizat
tregojnë se pa të ardhurat që njeriu i
siguron nga puna, jeta është e pasigurtë dhe vetëbesimi është më i ulët. Dihet se shumë prej aftësive të njeriut
mprihen falë ushtrimit në një vend pune të caktuar. Pa këto mundësi punësimi,
pa këto shance të ushtrimit, edhe energjia që posedojnë njerëzit mbetet e
pashfrytëzuar dhe niveli i vetëbesimit mbetet sërish i ulët. Punësimi rrit
mundësitë për jetën sociale, e bën jetën më të larmishme dhe më aktive dhe ju
jep mundësinë njerëzve të rrisin identitetin e tyre personal. Shoqëritë e emancipuara vënë në veprim
strategji të vetëkontrollit të cilat bëjnë të mundur stabilitetin e tyre. Këto strategji ushtrohet mbi individët përmes
një presioni të vazhdueshëm derisa të garantohet rregulli dhe mbarëvajtja në
fusha të caktuara. Vetëkontrolli shoqëror
dhe presioni ynë qytetar për cështje që lidhen me aktivitetin e punës,
përfshirë këtu edhe mirëqënien në vendin e punës, do të ndryshonte shumë
panoramën aktuale. Shoqëritë të
emancipuara e kanë nxitur këtë mirëqënie
falë ruajtjes së stabilitetit në vendin e punës, rritjes së kontrollit
shoqëror ndaj gjërave që nuk shkojnë, stimulimit të meritokracisë dhe
vlerësimit për më të virtytshmit profesionalisht.