Editorial » Entela
Entela Binjaku: Faktorët që ndikojnë në turizmin shqiptar
E enjte, 09.05.2013, 08:05 PM
Faktorët
që ndikojnë në turizmin shqiptar
Nga M. A. Entela Binjaku - Fondacioni “Harriet Martineau”
Vendet evropiane të ish-Bllokut Komunist hynë në
rrugën e tranzicionit nga një sistem i mbyllur, totalitar në një sistem të ri
të hapur, demokratik duke u përballur natyrshëm me shumë probleme dhe sfida. Jashtë
këtyre ndryshimeve nuk mbeti as Shqipëria. Në këto 20 vite të sistemit të ri, Shqipëria ka përjetuar ndryshime të
mëdha politike, institucionale, shoqërore e ekonomike. Ndryshime të tilla
sollën, krahas përmirësimit të
kushteve të jetës, edhe afrimin e mundësive për të ndërtuar industrinë e
turizmit, të panjohur më parë.
Për hir të pozitës gjeografike,
Shqipëria konsiderohet një destinacion turistik në bregdetin e Mesdheut. Duke
qenë se turizmi konsiderohet si një katalizator i rritjes ekonomike, ai merr
një rëndësi të jashtëzakonshme. Edhe në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) e vendit tonë turizmi ka një kontribut
të konsiderueshëm, megjithatë potencialet që zotëron vendi, Shqipëria, janë të
atilla sa duhet të kontribuojnë edhe më shumë në të ardhurat e përgjithshme
ekonomike të vendit.
Në kuptimin që i jepet sot, për
shoqërinë shqiptare, turizmi është një dukuri e re, por si për çdo shoqëri
tjetër të mësuar me këtë koncept, mbështet nevojën për rigjenerim të shëndetit,
dëshirën për të ndryshuar ambient, nevojën për të kultivuar ndjenjën e së bukurës,
zgjerimin e njohurive kulturore historike, vendosjen e lidhjes me natyrën ,
shtimin e lidhjeve sociale etj., në kushtet kur bukuritë turistike të krijuara
nga vetë natyra, apo të ndërtuara nga dora e njeriut, janë një ushqim
shpirtëror i pazëvendësueshëm.
Turizmi është industria që përmbush disa kushte të
rëndësishme për vendet e zhvilluara në përgjithësi e në zhvillimin e vendit
tonë në veçanti. Ato janë:
Efektet ekonomike janë të njohura si kontributi në PBB, të ardhurat si
rezultat i punësimit.
Efektet mbi mjedisin: Turizmi mund të ruajë një zonë të mbrojtur e cila mund të
ishte shumë e brishtë ndaj zhvillimeve të industrisë.
Ekoturizmi
është një koncept shumë i ri i cili synon të ruajë jetën genuine,
autenticitetin, traditat kulturore e sociale dhe veçoritë e vlefshme të zonës.
Efektet kulturore:
shkëmbimi ndërkulturor është një ndër efektet e njohura.
Efektet politike: Turizmi është një mundësi më vete për të afruar
popujt, kulturat, besimet fetare, apo dhe traditat e vendit me ato të vizitorëve
të ndryshëm.
Efektet sociale: Zhvillimi i turizmit
në një zonë të caktuar ka një efekt me kahe të kundërt: krijon vende të reja
pune dhe përmes rritjes së kushteve të përmirësuara ekonomike ndihmon në
përmirësimin e roporteve sociale brenda familjeve, por nga ana tjetër orët e
gjata të punës dhe shërbimit e zakonisht një program i ngjeshur i punës i bën
njerëzit më pak social, dhe në një lloj mënyre bëjnë të heqin dorë nga të
shijuarit e jetës së rregullt e të planifikuar.
Qëndrimi i individit
ndaj punës, pronës, parasë, administrimit të të ardhurave në funksion të
plotësimit të interesave materiale dhe sociale është në themel një
diskutim që i prek sociologët. Studiuesit socialë trajtojnë sferën sociale të një veprimtarie
prodhuese, ndikimin e faktorëve socialë (emigrimi, edukimi, arsimimi, shkalla e
formimit profesional etj.) mbi rendimentin e punës apo prodhimit.
Arsyeja se përse hartuesit e politikave
ekonomike e konsiderojnë turizmin si trendin e rëndësishëm ekonomik dhe social
të vendit tonë lidhet edhe më rëndësinë e madhe që ka pasur ky element në këto
vite tranzicioni, ku shihet si një nga burimet më të rëndësishme të të
ardhurave, të mundësive të punësimit, të diversifikimit të ekonomisë, të
mbrojtjes së ambientit si dhe të promovimit të shkëmbimeve ndërkulturore.
T? gjitha shtetet
kanë përdorur një shumëllojshmëri metodash n? varësi t? filozofisë së zgjedhur
për të zhvilluar një turizëm sipas standardeve të kërkuara dhe në përputhje me
specifikat që paraqet secili vend.
Elementët socialë
të industrisë turistike janë dy: vendasit
dhe miqtë. Raporti midis tyre përcaktohet nga kushtet që të parët ofrojnë,
kultura që pasqyrojnë në shërbimet që kryejnë, të kuptuarit e mentalitetit të
turistit dhe arritja e fitimit vetëm si shpagim i kënaqësisë që ka marrë ky i
fundit. Nga ana tjetër, miqtë janë subjekt i padiskutueshëm dhe që kanë
gjithnjë të drejtë dhe ky është i vetmi koncept mbi bazën e të cilit turizmi
mund të lulëzojë.
Midis këtyre dy
grupeve të mëdha qëndron infrastruktura turistike: hotelet, restorantet,
agjencitë turistike, shërbimet e transportit, operatorët turistikë, shërbimet e
telekomunikacionit, ambienti artistik-kulturor etj.
Ndikimi i kontekstit
shoqëror në zhvillimet e ekonomisë së vendit nuk është një dukuri e panjohur,
përkundrazi, njihen një sërë veprash që konsiderohen njëherazi edhe si
ekonomike ashtu dhe sociologjike. Ekonomia, si një çelës i zhvillimit dhe
transformimit të shoqërisë, ka qenë objekt studimi i shumë studiuesve madje
shpesh e njëjta vepër është konsideruar edhe sociologjike, si shkencë e lidhur
ngushtë me të, edhe ekonomike njëherazi. Jo kaq rastësisht shumë mendimtarë të
mendimit sociologjik kanë qenë edhe ekonomistë të shquar (Veberi, Marksi,
Pareto, Hume etj.).
Edhe pse vihet re një rritje e turizmit të vendit tonë,
duhet thënë që kemi ende një rrugë të gjatë përpara. Shqipëria duhet të punojë në shumë drejtime për rritjen e përgjegjshmërisë
ndaj vlerave të turizmit, trajnimet në këtë fushë, shtimin e bashkëpunimeve me
kompanitë që operojnë në tregun ndërkombëtar, shtimin e publicitetit mbi atë që
ofron turizmi në Shqipëri, konsolidimin e frymës së bashkëpunimit midis
operatorëve turistikë, liberalizimin e tregut të agjencive ajrore etj.
Turizmi në Shqipëri përbëhet nga turistët vendas, bashkatdhetarët nga
vendet fqinje, bashkatdhetarët e mërgimit, si dhe nga të huajt e vendeve
kryesisht evropiane. Kështu të gjitha këto grupe shoqërore kanë kërkesa të
veçanta në kryerjen e turizmit dhe duhet të trajtohen ndryshe. Madje edhe
grupmosha të ndryshme turistësh kanë kërkesa dhe objektiva të veçanta të cilat
duhet të merren në konsideratë nga biznesi turistik. Në ekonominë aktuale të
tregut, kur çdo aktivitet privat ka tendencë të profilizohet gjithnjë e më
tepër në aktivitetin e tij, duhet menduar edhe në turizëm për një profilizim të
aktivitetit si rezultat i kërkesave specifike të turistëve të ndryshëm. Do të
ishte e pamundur që, për shembull, një familje në Malësinë e mrekullueshme të
Valbonës të mund të plotësonte kërkesat e një grupi turistësh të huaj të moshës
së re, së bashku me një grup turistësh nga Tirana në një moshë të thyer, e
kështu me radhë. Ndryshimet e mëdha midis kërkesave të tyre na bën të mendojmë
se profilizimi i bizneseve të ndryshme për kategori grupmosha dhe subjekte të
ndryshme do të ishte më efikas. Për këtë është e nevojshme që nën
dritën e rekomandimeve të specialistëve të fushës, të hartohen e të ndërmerren
nisma të tilla që të shmangin dukuri të padëshiruara duke shtuar aktivitetin.
Nga ana tjetër, bizneset
turistike duhet të krijojnë lidhje të vazhdueshme me operatorë të ndryshëm
turistikë, jo vetëm për sigurimin e turistëve e kësisoj të zhvillimit të
bisnesit të tyre, por edhe për të përvetësuar një kulturë të domosdoshme
turistike. Shembulli i haneve të Valbonës të cilët janë instruktuar më së miri
nga zonja Catherine Bohne, është një shembull i rëndësisë së kulturës
turistike në vendin tonë.
Në Shqipëri vitet e fundit janë bërë mjaft përpjekje për
arritjen e kontakteve profesionale mes agjencive vendase të turizmit dhe atyre
të huaja. Pjesëmarrja e vazhdueshme në panairet turistike në çdo vend ku ato
zhvillohen, si Gjermani – Berlin, Itali – Milano, Tel Aviv – Izrael etj., është
një shenjë e kuptimit të rëndësisë së koordinimit të operatorëve tanë turistikë
me ata të huaj. Por pritshmëria e rezultateve është akoma shumë më e madhe se
sa efekti që këto kontakte kanë arritur.
Tërheqja e turistëve të huaj do të ndikojë
që Shqipëria të shfrytëzojë kapacitetet turistike për të garantuar një përfitim
maksimal nga futja e valutës së huaj, dhe do të ndikojë në funksionimin e
sektorit të turizmit në Shqipëri me të njëjtat parime, me të cilat funksionon
industria e turizmit në botë.
Politika e çmimeve, si pjesë e
rëndësishme e kulturës në biznesin turistik, mbetet një nga elementët më të
ndjeshëm, nga njera anë në rritjen e numrit të turistëve në vendin tonë, nga
ana tjetër e rritjes gjithashtu të të ardhurave nga ky aktivitet. Nëse kostoja
e përgjithshme për një turist do të ishte më e madhe apo qoftë edhe e barabartë
me koston e tij në bregdetin e Greqisë, për arsyen e propagandimit prej
dekadash, traditën dhe emrin e mirë që ka fituar ky vend turistik, çdo turist
do të preferonte që paratë e tij t’i shpenzonte në Greqi, por nëse çmimi do të ishte
më i ulët, kurioziteti për të vizituar një vend pak të njohur, plazhet e
virgjëra dhe mikpritja do të ishin arsye të forta për ta tërhequr çdo turist në
vendin tonë
Gjithashtu, publiciteti në industrinë turistike është
akoma në hapat e para e madje edhe konceptet mbi të janë ende larg me atë që
realizohet në vendet e zhvilluara turistike. Të investosh për publicitetin, në
konceptin e shumë operatorëve tanë të turizmit do të thotë të harxhosh para,
ndërkohë që duhet kuptuar se është një investim i cili do të japë frutet e tij
menjëherë. Kështu, p.sh., promovimi i vlerave
kulturore të vendit do të shërbente si një mënyrë më e mirë për njohjen edhe të
potencialit turistik të Shqipërisë dhe zgjerimin e këtij aktiviteti.
Nga ana tjetër, praktika evropiane na
mëson se turizmi është ngushtësisht i lidhur me artin dhe kulturën. Festivalet,
ekspozitat, koncertet apo aktivitete të ndryshme artistike në vendet e
zhvilluara turistike si Itali, Francë etj., realizohen në qendrat turistike dhe
kryesisht në periudhat e sezoneve turistike. Në Shqipëri, megjithëse flitet
mjaft për ngritjen e aktiviteteve artistike në qendrat turistike, kjo ide është
reduktuar në ndonjë koncert spontan, me nivele pothuajse amatore apo në diskot
e hapura në plazhe.
Një ndër faktorët e rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në vendin tonë
është qëndrueshmëria në kohë e disa elementëve të lidhur ngushtë me të siç janë
uniciteti i produkteve, cilësia e lartë e shërbimit në plotësim të nevojave të
grupeve të synuar.
Dihet se ndryshimin e mundësojnë njerëzit, dhe këtu
fjalën e kemi për punonjësit dhe sipërmarrësit. Ata janë burimi me anën e të
cilëve përmbushen kërkesat e turistëve. Nëse
sipërmarrësit janë trajnuar sipas kërkesave të kësaj industrie, edhe mënyra e
tyre e të punuarit ju mundëson ngritjen e strukturave tw posaçme, twrheqwse
duke aftësuar personelin e punësuar në drejtim të shërbimeve që kanë në
qendër dhe si qëllim përfundimtar,
kënaqjen e kërkesave të turistëve.
Natyra e bukur, traditat kulturore, gatimi tradicional, mund të
shërbejnë si një burim i rëndësishëm me qëllim rritjen e interesit të turistëve
si vendas ashtu edhe të huaj.
Pra,
përvoja e vendeve të zhvilluara turistike na mëson se rritja e turizmit kërkon
së pari kulturë dhe më pas kushte të përshtatshme për t’u zhvilluar. Në pikëpamje
kulturore, mikpritja Shqiptare është një bazë e mirë nga e cila mund të zhvillohet
turizmi individual apo familjar, por turisti nuk është më një mik, por një
subjekt i cili kërkon përveç të tjerash pavarësinë dhe intimitetin e tij, apo
atë që quhet “privacy”, kërkon
marrëdhënie brenda mentalitetit të tij, kërkon kushte në të cilat është mësuar
të kalojë pushimet si dhe të zbulojë të reja natyrore, historike, artistike,
kulturore, sportive etj., të cilat do të mbushnin pushimet e tij aktive dhe do
ta shndërronin atë kështu në një publicitet të gjallë për të ardhmen.
Në kushtet e një marketingu të ndërgjegjësuar dhe të përgjegjshëm, me
burime njerëzore të cilësisë të lartë, nëpërmjet një plani krijues të produktit,
një klimë biznesi me rregulla të qarta loje dhe me stukturë të qartë të
përshtatshme për një qëndrueshmëri afatgjatë.
Në përfundim mund
të konkludojmë se faktorët e rritjes së turizmit në vendin tonë janë të shumtë
dhe të tillë që bashkëveprojnë me njëri- tjetrin. Vetëm harmonizimi i tyre mund
të krijojë ekuilibra të favorshëm dhe rezultativ, ndërkohë që vlerësimi i
caktuar vetëm në disa prej tyre nuk do të sillte asnjë rezultat pozitiv.
Turizmi shqiptar në përgjithësi po bën hapa të rëndësishëm përpara dhe nga një vend i pasigurtë dhe i panjohur për turizmin, po kthehet në një atraksion real i cili ka shumë gjasa të rritet me kalimin e kohës Në këtë moment, theksi më i rëndësishëm i duhet vënë ngritjes së mëtejshme të kulturës së gjithë elementëve të industrisë së turizmit, si dhe lidhjes së tij me idetë më të avancuara të vendeve të zhvilluara.