Editorial » Entela
Entela Binjaku: Një mikroklimë politike në ZSH
E shtune, 28.09.2013, 08:15 PM
Një mikroklimë politike në ZSH
Nga Entela Binjaku
Në këto muaj
fundpranvere, fillimvere dhe vjeshte
kanë ndodhur disa “ngjarje” të cilat nuk mund të anashkalohen pa bërë një analizë të vogël. Bëhet fjalë për politikë…
Për ne
shqiptarët e kudogjendur, nuk është një
“domen” aq i preferuar veçanërisht kur kemi parasysh mënyrën sesi është
trajtuar dhe zhvilluar në hapësirat tona mbarëshqiptare. Përkundrazi, çdo gjë e
bërë në emër të saj, na ka dhënë një shije të hidhur punësh të mbrapshta, duke
na krijuar dashje pa dashje një largim nga vlera e vërtetë që politika duhet të
sjellë për një shoqëri.
Por në këtë
periudhë të ngrohtë disa nga pjestarët e komunitetit të miqve të ZSH u gjendën
jo vetëm të përfshirë në politikë, por
edhe në fushatë elektorale, herë si kandidatë, herë si votues.
Në fund të
muajit maj, patëm mundësinë të përcillnim disa elemente nga fushata e z. Oroshi
në Gjermani. Kjo fushatë për Kielin
ishte shumë e qetë, tipike gjermane, dhe kujtoj se të dielën e votimit z.Oroshi
e priste i qetë rezultatin në shtëpi. Siç do të ma pohonte dhe ai vetë: “Sepse unë e kryeva punen time, ndërsa
votuesi të vetën”.
Kjo fushatë rezultoi jo vetëm e suksesshme por edhe shumë
fatndjellëse për partinë ku ai aderon CDU-në e cila na impresionoi me
rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme një javë më parë.
Më tej gjatë
qershorit në fushatë u përfshiva unë për FRD, “Për shtetin dhe qytetarët”, një
fushatë gjatë së cilës u mundova të nxirrja në pah elementë të urbanes,
bashkëkohores dhe moralit politik si një ndërthurje e parimeve të sjelljes
politike dhe aspiratës për ndryshim.
Por, kjo nuk rezultoi e suksesshme, pavarësisht simpatisë në njerëz të
partisë ku aderoj dhe besimit tek
përfaqësimi i saj i ardhshëm.
Këtë të dielë në
votime do të jetë Rilinda Rexhepi, me Partinë Popullore Austriake OVP.
Me Rilindën jemi
njohur dhe e kemi admiruar si një sipërmarrëse të suksesshme, e cila siç ajo
vetë e pohon “ndjeu nevojën edhe të përfaqësimit të komunitetit shqiptar në parlamentin
austriak”.
Në këtë
pragvotimi Rilinda i vlerëson kontaktet
dhe takimet me shqiptarët si
jashtëzakonisht mbresëlënëse, me frymë dhe mbështetje pozitive”, gjë për për të cilën ajo angazhohet se do t’i
përfaqësojë me kandidimin e saj.
Një pjesëmarrje
e lartë e qytetarëve shqiptarë do ta ndihmonte shumë këtë aktiviste, misioni i
së cilës në politikë është integrimi dhe këshillimi për më shumë shkollim në
radhët e shqiptarëve në Austri.
Nesër edhe një
tjetër shqiptare do të garojë për në parlamentin e Austrisë, Donjeta Krasniqi,
kandidatja më e re në moshë në partinë e saj. Studente në fakultetin juridik në
Linz ajo kandidon për SPO, ose ndryshe Partinë Socialiste të Austrisë duke
aspiruar për një vend në Parlament.
Ndërkohë, muajin që vjen zgjedhjet presin një tjetër mik shqiptar, i cili tashmë është deputeti Asamblesë komunale të Sarpsborgut. Zoti Selim Nëngurra, në Norvegji, është kandidat për deputet në rajonin e Ostfoldit për partinë e djathtë HEYRE, duke gëzuar edhe cilësinë e të parit shqiptar që ka arritur këtë në histori në Norvegji.
Në komunë ai
hyri me vetëm 6 vota shqiptarësh, pjesa
tjetër ishte shumicë dërrmuese votuesish norvegjezë. Siç pohon ai “në rajonin ku kandidon ka 3867 shqiptarë me te drejte
vote, dhe po e votuan ata, do të jetë
kandidati me më shumë vota”.
Por për arsye që
lidhen tërësisht me të, ky kandidat ka njoftuar tashmë tërheqjen nga kandidimi,
por do të vazhdojë edhe për dy vitet të
tjera të mbajë pozicionin e deputetit në asamblene e Sarpsborgut.
Sikundër shihet
kjo është një tablo e shkurtër e disa qyetarëve shqiptarë të angazhuar në
politikë në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Pavarësisht moshës, përvojës,
origjinës, formimit, vendit ku zhvillojnë politikën, e përbashkëta tek të
gjithë lidhet me nevojën për pjesëmarrje të qyetarëve shqiptarë në votime dhe shqetësimit
për pjesëmarrjen e tyre të ulët.
Mishel Fuko
mendonte se politika dhe pushteti që ajo të jep, mund të studiohet si e shpërndarë në shoqëri
përmes një larmishmërie praktikash dhe disiplinash kulturore. Në këtë
kuptim studime me vlerë nga fusha e
sociologjisë dhe psikologjisë sociale nxjerrin në pah disa elementë të
nevojshëm për të fituar besimin dhe mbështetjen e simpatizantëve. Përvoja jonë ka treguar se në
opinionin publik të shqiptarëve janë më të vlerësuara ato figura që dallohen për përpjekjet dhe
angazhimin në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet masa më e madhe e
qytetarëve shqiptarë. Në vija të përgjithshme,
përvoja perëndimore ka treguar se të gjithë ata që respektojnë aksin e
përgjegjësisë, atë ideologjik, aksin psikologjik, sjelljen morale të
vazhdimësisë ndaj mbështetësve, ata janë dhe më të përkrahurit.
Pra të gjitha
këto cilësi do ta ftonin votuesin shqiptar
në votime, por të mos harrojmë edhe që votuesi ka nevojë për të disa
cilësi që të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese.
Për këtë
nevojitet që ai të jetë i informuar mbi programet, të jetë i motivuar për të
ushtruar të drejtën e tij dhe mbi të gjitha të ndjejë vlerësimin për votën e
tij.
Përvoja politike
në hapësirat mbarëshqiptare ka treguar se jo në çdo rast është kështu dhe në
një farë shkalle ka ndikuar edhe në mentalitetin e votuesit shqiptar, kudo që
ai jeton.
Ndryshe nuk ka
sesi të shpjegohet votimi tërësisht i qetë, nën kulturë i votuesve gjermanë
javën e kaluar, për të cilët janë impëresionuar edhe vetë shqiptarët që banojnë në atë shtet.
Me fjalë të tjera, ndërkohë që kemi figura tashmë të maturuara politikisht dhe të integruara në ato shtete ku jetojnë, kemi një nevojë të madhe kultivojmë këtë maturi edhe të votuesit shqiptarë, për të nxitur tek ata besimin tek vota e tyre dhe nevojën për të dhënë mbështetetje për përfaqësuesit e tyre në parlament, kudo ku ata garojnë.
P.s. Këtu janë përmendur vetëm disa raste shqiptarësh anëtarë të Zemrës Shqiptare.